Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Pazari i librit

| E merkure, 30.11.2011, 08:03 PM |


PAZARI I LIBRIT

 

NGA KALOSH ÇELIKU

 

Edhe: Shkrimtari që e ka shkrep lapsin me dy tyta anë e mbanë Atdheut, nuk ka mundësi dhe kohë kët vit të shkojë në Panairin e librit: në Prishtinë, në Tiranë… Vendet e shenjta të librit, ku organizatorët të veshur me ngjyra partiake të përçarë nëpër shoqata botuese tregtare, organizojnë brenda një viti edhe nga dy-tre panaire të librit. I ftojnë me ftesa speciale miqtë e tyre,  shkrimtarët dumdumë. Edhe, atë: në emër të popullit dhe kulturës shqiptare. Reklamojnë me të madhe titujt e librave teknefes të politikanëve. Ndajnë çmime letrare të panairit: familjarëve, miqve dhe klaneve të tyre letrare-politike. Mirë, do të thuash ti si lexues: Shyqyr Zotit, që më në fund edhe ne shqiptarët arritëm të organizojmë panaire të librit. Mjaftë më, gjithë jetën bëmë luftë për bashkim kombëtar e Shqipëri Etnike! Copë-copë i bëmë lapsat dhe çiftelitë me poezi e këngë patriotike për Liri. Koha është t’i kthehemi pak si e gjithë bota, edhe librit, armës paqësore. Pajtohem, vetëm nuk e shihni se këta dumdumë shqiptar nuk janë në gjendje ashtu siç duhet e u ka hije të organizojnë një panair libri, pse e rreni veten se do të organizojnë dy-tre panaire brenda një viti në të njëtin qytet kulturor të Atdheut?! Heshtje.

Përmes mjeteve të informacionit lexon lloj-lloj budallakish e mençurish të shekullit: Kolec Traboini shkruan: “Qofte Beogradi dhe gjeniu pa brekë (Në Panairin e 13-të të librit në Tiranë ). Pyes veten, anipse e di se kurrkush nuk më përgjigjet. E megjithatë në Panairin e Librit Tiranë tek Pallati i Kongreseve, vazhdon të qëndrojë një shënim me gërma të mëdha “Beograd”, me gërma sllave sigurisht se serbët e kanë alergji latinishten e gërmave që përdor mbarë Europa, gjithë kjo sepse ata që kanë në dorë çelsat e Tiranës ua kishin lëshuar lejen serbëve me shitë qofte e birrë shqiptarëve... Kuku moj nanë.....A jam në Beograd apo në Tiranë.

Këtu nuk është problemi tek qoftet, tymi e kënga, por tek mentaliteti prej skllavi që kanë politikanët shqiptarë... që zgërlaqen tek shohin fjalën Beograd në ballë të Panairit të librit Shqiptar që në të vërtetë nuk është aspak shqiptar, sepse vetëm tre librave me lëng supe të Elena Kadaresë, Blendi Fevziut dhe Ben Blushit. Foto-busti i Blendi Fevziut shfaqet dukshëm në konkurencë me fotobustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t`i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës. Dhe natyrisht libri i fundit voluminoz i politikanit Ben Blushi, ku fiksioni përzihet me politikën krejt ngjashëm me lesh e linë që bën sot politika klanore shqiptare. Në tre këta soj libra gjysmetrosh, nxirren Kadareja, Shqipëria dhe Enver Hoxha pa brekë, tjetër gjë shqiptare nuk shihet kurrkund në këtë Panair. Duhet te shtohet dhe "Kurbani" i Edi Ramës që panairi të shfaq një kuadraturë solide të shkrimtarisë pa shkrimtarë.”

SHSHA: Kush i lejoi serbët pranë Panairit të Librit dhe pse heshti Ali Aliu

Shoqata Shqiptaro-Amerikane në Çikago është e indinjuar me rastin e poshtërimit që i bënë serbët Panairit të Librit në Tiranë.

SHSHA-ja shtron pyetjen  imediate  se "kush po sjellë në Tiranë serbët dhe  "Made in Beograd" në manifestimin kulturor të botës së librit shqip. Kjo na kujton kohën kur në Shqipëri vinin komisarët e PKJ-së (Milladin Popoviqi, S. Tempo, D. Mugosha) që ndër vite të "nacional-çlirimtarës" dhe të fatit të Kosovës, po ky regjim serb i Beogradit u bë vrastar dhe varrmihës për popullin shqiptar!"

Sipas SHSHA-së, e keqja e shëmtoj këtë festë të librit shqip në Tiranë, pasi dikush i solli  serbët e Beogradit në qendër të Tiranës për të bërë biznes me shijen e qebapave…

Edhe më skandaloze ishte emisioni “Debat” në Vizion Plus që i kushtohej manifestimit të librit. Në studio ishin edhe përfaqësues nga Kosova Nazmi Rrahmani dhe nga Maqedonia, akademik Ali Aliu. Për rastin poshtërues serb nga Beogradi Rrahmani ngriti zërin kundër skenarëve serb para Pallatit të Kongreseve me tërë atë bagazh propagande që e prishi hijeshinë e botës së librit shqip. Ndërsa, Ali Aliu për çudi sikur u tremb me këtë rast dhe pa një pa dy e tha shtruar: Kjo gjë nuk më intereson! Mos të harron Akademik A. Aliu se tërë një jetë e ka kaluar në Kosovë  bashkë me krijuesit dhe botën e librit që e kishim prezentë përkrah elitës intelktuale shqiptare dhe Universitet. Kur kolegu i tij Blazho Mitevski (AMSHA) në Shkup përmes fjalorit 'shkencor' (sic!) alla Enciklopedija Maqedonase fyen dhe i shpall luftë popullit shqiptar në Ballkan, profesori ynë që ka bërë rrugëtimin e gjatë në të gjitha fushat dhe manifestimet shqiptare në atdhe, nuk mori guximin që të thotë fjalën e vetë me kompetencë shkencore prej akademiku. Kush po na mban leksion se si duhet të sillemi me (heshtje) para aktit dhe skenarëve poshtërues ndaj vlerave tona kombëtare para atdheut", thuhet në fund të këtij reagimi që e ka nënshkruar prof. Skënder Karaçica, drejtor ekzekutiv i SHSHA-së në Çikago. “

Shkrimtari, megjithatë mezi ka mundësi dhe gjen kohë të shkojë në Panairin e librit, në Tetovën e dy Universiteteve. Kryeqendrën politike e kulturore të shqiptarëve. Panairin e librit që e organizon Shoqata e Botuesve Shqiptar në Maqedoni, që përplaset për interesa personale, materiale e ideologjike fetare,  herë me njërën parti politike shqiptare e herë me tjetrën në pushtet, shkon si kurva burrë më burrë. Këmbekrye, ditenatë në grazhd të Qeverisë. Mosaftsinë e vet organizative për çdo vit ua hudh doganierëve, gjoja se e ndalin librin shqip në kufi. “Fajtori” kryesor ky, që panairet e librit i përfundojnë si pazare të librit, ku plotësisht ka të drejtë një komentues kur thotë në mjetet e informacionit: mirë do të ishte që Panairin e librit ta shpërngulni në Xhepçishtë.

Edhe shkrimtari shkon si vizitues, dashamir i librit. Asgjë interesante festive, i duket si Pazari i zarzavateve në Bit-Pazar: më shumë tregtarë të librit se sa shtëpi botuese. Nga të gjitha anët i rrethuar nga shtëpitë botuese fetare. Mirë do të thuash ti si lexues, ne jemi shqiptarë me shumicë myslimane. Pastaj, edhe kryetarin e Shoqatës të botuesve shqiptar me partizanët e tij përreth të ndihmuar edhe nga politikanë trusakatë, kryesisht i kemi me shumicë e pakicë hoxhallarë.

Ndalesh, në mes të Panairit të librit, Tetova 2011, e pyet veten ku ndodhesh: në Panairin e librit të Kryeqendrës politike e kulturore shqiptare me dy universitete e pesë parti politike shqiptare, apo në ndonjë qytet të shteteve arabe?! Nuk do t’i besosh realitetit që e sheh me sy hapur në mes të ditës, ulesh të pushosh pak eshtrat, në Kryeqendrën politike e kulturore të shqiptarëve.  Ndalesh, dhe i bie kokës me të dyja duart me grushta: I kujton panairet e librit në Frankfurt dhe Lajpcing,  ku dyndet një javë rresht i madh e i vogël e gjithë Gjermania. Sallat e atyre panaireve pa fund plot me libra, që për t’i vizituar të gjitha stendat të duhen muaj, të mos e teproj vite. Ngjarje e vërtetë kulturore festive, ku gjatë atyre ditëve e gjithë rinia gjermane për hatër të librit flente edhe në rrugë. Megjithatë, Frankfurti është Frankfurt. Lajpcingu – Lajpcing. Nuk është as Tiranë, as Prishtinë e as Tetovë e dy Universiteteve.

Përpiqet të gjejë ndonjë libër të tij nëpër këto stenda të panairit. Më kot endet si pa krye, nuk gjen as për farë, së paku një titull për fëmijë. Organizatori me spiunët e tij fetar i ka hapur sytë nga dy, i ka bërë katër, mos u përvidhet ndonjë libër i  këtij autori që e ka “mik” Shejtanin. Përjashtim, këtu bën libri me drama: Lamtumirë bërllok, i përvjedhur në stendën e një librarie të qytetit si pjesmarrëse në panair të librit.

Vazhdon rrugën për te Shtëpia botuese “ASDRENI”, që e udhëheq vetë si shkrimtar: për habi as këtu nuk gjen libër të tij si shkrimtar. Mos flasim për librin e tij më të ri publicistik të “rrezikshëm”: Xhadia. Gjithë librat e tij shiten fshehurazi nën tavolinë si dikur në kohën komuniste. Momente këto, që për disa çaste ia përkujtojnë kohën e cenzurës komuniste të librit shqip. Mirë, atëherë na cenzuronte shkau, po tashti kush na cenzuron: “shqiptari mysliman”, Hoxha?!

Dëshprohet. Edhe në Panirin e librit në Tetovë, politikanët dhe hoxhallarët ia kanë zënë vendin e shkrimtarit. Stenda të stolisura me ballinat e librave të politikanëve e hoxhallarëve në ballë të mureve.  Zagushi edhe në Panairin e librit në Tetovë.

Shkrimtari më në fund bindet se, në këtë shoqëri “demokratike” nuk e ka vendin, ku politikanët dhe hoxhallarët janë edhe shkrimtarë. E kanë zaptuar shoqërinë me “politikë madhore” e libra teknefesë fetar. Përurime propaganduese para kamerave televizive.

Përfundimi: I ka mbetur vetëm edhe një vend i lirë për arratisje: FERRI…