E premte, 19.04.2024, 01:13 PM (GMT+1)

Editorial

Bedri Tahiri: Nëntorët e Lavdisë

E diele, 27.11.2011, 09:04 PM


NËNTORËT E LAVDISË

 

Nga Bedri TAHIRI

 

Dhe, Nëntorët shkojnë e vijnë.

Kalojnë ditët…stinët…motet.

Dhe, njerëzimi mplaket, venitet, harrohet.

Shqiptarët, jo. Ata veç ripërtërihen, si Anteu kur prekte tokën. Ata, që nga paganizmi, kanë festa e festa. Por, një muaj e kanë të shenjtë, Nëntorin e lavdisë. Aty, në një ditë e në një orë, puqen toka e qielli,  përzihen gjaku e djersa, mishërohen e djeshmja dhe e sotmja.

Dhe, e gjithë kjo, sepse në të ngjau madhështia, ngjau mrekullia, ngjau ngjizja e së mbaresë, pra lindi dita e bardhë- L i r i a!

 

Një datë, një emër, shumë histori

 

28 Nëntori!

Vetë Hyji zbriti nga qielli. Toka u ndez zjarr. Yjet morën shkëlqimin e përjetshëm. Edhe lulet mblodhën gjithë nektarin e bukurisë dhe i dhanë erë gjithësisë.

- Po shqipet, ç’bënë shqipet?

Ato hapen krihet dhe zunë kreshtat për t’u bërë njësh me to. Bota bëri sehir dhe nga marazi ngeli gojëhapur...mememce...e nemitur...e shurdhër...

28 Nëntori- Dita e Flamurit!

28 Nëntori- Ditëlindja e Komanadtit legjendar, Adem Jashari!

28 Nëntori- Ditëlindja e UÇK-së!

E madhërishme!

Unikate!

E pashoqe!

Tre Nëntorët: Kruja! Vlora! Prekazi!

 

DITA E FLAMURIT

 

Flamuri, një emër krenarie, që në vetvete ngërthen tërë qenien e kombit. Aty sintetizohen për bukuri: bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e mbi të gjitha sakrificat tona shekullore për liri e pavarësi. Dhe, përherë i pandryshuar, kuqezi. Ngjyra që flasin shumë. Toka mëmë e larë me gjak. Në mes shqipja dykrenare që sogjeton përplot kujdes e krenari.

Flamuri ynë histori në vete. Pas atij te Danimarkës, më i vjetri në Evropë. Mbi pesë shekuj jetë e rezistencë. Për herë të parë valoi në Krujën legjendare. Ishte 28 Nëntori 1443. Ditë e mbarësisë, që u skalit përjetësisht në faqet e historisë sonë. Plot njëzet e pesë vjet rresht frymuan lirshëm trojet e Arbërisë dhe mbarë krishtërimi evropian. Por, sakaq, fatkobe të tjera u rrokullisen drejt nesh. Barbarët sërish u vërsulen këtej, duke përlarë çdo gjë nga Etnosi ynë. Edhe flamurin e përbiu vala shkatërrimtare...e mbuloi pluhuri i harresës...

Dhe, kur të mallkuarit menduan se ai humbi e treti përjetë, ngjau katarza në shpirtrat tanë. Mendjendrituri ynë, i madhi Faik Konica, duke qëmtuar thellë e thellë në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitesh, sërish valoi  Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Koha dhe ngjarjet rridhnin lumë. Të robëruarit kërkonin atë që u mungonte, L I R I N Ë. Atdhetarët tanë nuk pushonin së vepruari. Me penë e me pushkë, brenda e jashtë. Çetat çlirimtare kishin mbushur malet. Qielli i Kosovës përflakej nga betejat e pareshtura. Këtij djepi të shqiptarizmës i takoi fati ta përgatiste edhe terrenin e shpalljes së  Pavarësisë. Në gjakun e derdhur brenda viteve 1910-1912 zuri embrion shteti i vockël shqiptar...Plaku i urtë vlonjat, Isamail Qemali, me atdhetarë të tjerë, duke ndjerë rrezikun, nxitonin hiç pa u ndalur.

-O sot, o kurrë!- thanë ata, dhe vraponin kahmos  nëpër Evropë. Atdheu ishte në zgrip të zhbërjes, andaj lypsej trimëri e mençuri...

Dhe, më në fund, ditë e bardhë agoi. 28 Nëntor 1912. Vlora kishte festë, ajo do bëhej nuse dhe tundej e hidhej nga gëzimi. Po hynte në histori për të ngelur legjendë. Qe zgjuar me natë për të pritur mysafirët  nga mbarë trojet shqiptare. Edhe dielli sikur po ngutej. Ia bëhu  edhe pas dreka. Ora e madhe e historisë po trokiste hareshëm. Plaku shtatëdhjetëvjeçar po dridhej nga entuziazmi. Mezi e mbante në dorë Flamurin e Marigonës, që e kishte qëndisur brenda natës. Brohoritjet e fuqishme: Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!- e ngazëllyen edhe më. Me mund nguli shtizën në ballkonin e shtëpisë së vjetër stërgjyshore dhe masës së pafund iu drejtua:

-Vëllezër shqiptarë!...Ja, pra, ky është Flamuri ynë...Sot dhe këtë minutë, Kongresi shpall MËVETËSINË E SHQIPËRISË...

 

DITËLINDJA E ADEM  JASHARIT

 

Nëntori i Dytë qe dita më e shënuar në historinë tonë, por, mjerisht, nuk e gëzuan të gjitha Trojet Etnike Shqiptare. Kosova e gjakosur ende do të lëngonte nën thundrat e bishave të stepeve karpatiane. Agun e lirisë, që pritej të fekste, pas natës së gjatë pesëqind vjeçare, sërish e zunë re te zeza. Truri i Lëvizjes mbarëkombëtare, atdhetari Hasan Prishtina, vetë i trembëdhjeti, po vuante në bodrumet e myktë të Kalemegdanit në Beograd. Të tjerët, që  i kapen pabesisht,  i varën, i pushkatuan ose i masakruan mizorisht. Megjithatë Kosova nuk u hamend, as nuk u hutua. Katërqind trima të zgjedhur, në krye me Isë Boletinin, vajtën për ta ndihmuar shtetin gjysmak dhe fare të brishtë. Ndërkaq vetë shtrëngoi shtatin për përleshje të reja. Ahmet Delia dhe Ramë Islami, pa kaluar muaj, me sëpata e hunj, u dhanë mësimin e parë bandave plaçkitëse serbe.                                                                                                                            Flamuri ynë i shenjtë vazhdoi jetën e tij të përvuajtur nëpër arkat e nusërisë, në djepat  përplot e në zemrat e ndrydhura të kosovarëve të panënshtruar. Ai veçan qëndroi krenar në ballë të çetave çlirimtare te Shaqir Smakës, Azem e Shotë Galicës, Bajram Currit, Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës, Ukshin Kovaçicës, Tahir Mehës e shumë e shumë luftëtarëve tjerë, të cilët kurrë nuk u pajtuan me robërinë.

Dhe,  fare në fund, edhe këtyre trojeve u buzëqeshi fati. Më 28 Nëntor 1955, në Prekaz ngjau mrekullia, u lind Adem Jashari, njeriu që do ta ndërrojë historinë. Edhe shumë fëmijë u lindën atë ditë, edhe shumë djepa u nanurisën, por vetëm ky kishte dhuntinë e shqiponjës. I ati, mësuesi Shaban Murat Jashari, e mbështolli me flamurin kuqezi dhe duke ia vënë armën në djep i uroi fat në rrugën e madhe të lavdisë. Kjo nuk qe rastësi. Jo, jo, kjo qe një mrekulli, që rrallë përsëritet  nëpër shekuj...

 

DITËLINDJA E UÇK-së

 

Edhe ajo që pritej me vite e shekuj, po këtë ditë, më 28 Nëntor, ndriu si meteor i pashuar. Zjarri i lirisë, që kaherë kishte dhënë shkëndija, shpërtheu fuqishëm. Beteja e parë e suksesshme e formacioneve të rregullta të UÇK-së kundër hordhive të egra serbe në Klysyrë, midis Rezallës së Re, Rakinicës dhe Llaushës, e udhëhequr nga vetë Komandanti legjendar, ADEM JASHARI, fare qartë hoqi të gjitha dilemat. Forca mbrojtëse e Kosovës ishte realitet!

- Mjaft më, të dalim hapur!- gjykoi komandanti me trimat e tij.

Dhe, zgjodhën tre lajmëtarë të ditës se re: Mujë Krasniqin (KAPUÇIN), Rexhep Selimin (DHJETËSHIN) dhe Daut Haradinajn (DAVIDIN).

Llaushë, 28 Nëntor, 1997. Lumenj njerëzish kishin mësyer drejt saj. Aty vinte e tërë Kosova. Vinin edhe nga trojet tjera shqiptare për ta përcjell në pavdekësi dëshmorin e parë të epokës së re, mësuesin Halit Geci, që me pika gjaku shënoi orën e tij të fundit...

Sakaq tri shqipe krah hapura zbritën nga majat e kreshtave. Fjala e tyre u përpi nga brohoritjet:

UÇK!...

UÇK!...

UÇK!...

Edhe malet e lugjet përreth mbajtën iso.

Ditës së Flamurit iu shtua edhe një festë e re: DITËLINDJA  E  UÇK- së!

Dhe, përvjetorët s’kanë të ndalur...

Dhe, shpata e Gjergjit  vringëllon...

Dhe, mitralozi i Adem Jasharit bubullon...

As kënga e vallja nuk pushojnë.

As urimet e përgëzimet nuk mungojnë.

- Me fat 567 vjetori, o Flamuri ynë i Shenjtë!

- Me fat përjetësia, o komandant Adem Jashari!

- Me fat ditëlindja, o UÇK-ja jonë trime!

Në këtë dymbëdhjetë vjetor t? liris?, sërish bëhen tok  tre Nëntorët e lavdisë:

KRUJA,

VLORA,

PREKAZI.

Mrekullia vetë!

Emëruesi i tyre i përbashkët është një- L I R I A.

Dhe, tashmë, ballin e tyre e përkdhel me dorën e bardhë dëborë edhe NUSJA E PRARUAR me emrin PAVARËSI. Nuri i saj tërë shkëlqim synon kurorëzimin e dëshirës të të gjithë shqiptarëve: RIBASHKIMIN TON? KOMËTAR!

Edhe kjo, se shpejti, do të bëhet realitet, sepse, nuk thuhet kot: Fjala e popullit- fjala e Zotit!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora