E marte, 23.04.2024, 09:53 AM (GMT+1)

Mendime

Mustafa Nano: Kosova dhe qasja morale e diplomacise perendimore

E diele, 24.02.2008, 12:15 PM


Kosova dhe qasja morale e diplomacise perendimore

Mustafa Nano

Është thënë nga shumë njerëz në botë, që lufta e NATO-s në Kosovë e për Kosovën ishte një çalltisje morale. Ca syresh u shtynë më tej, duke thënë se ishte e para çalltisje morale në historinë e njerëzimit nga ana e diplomacive të fuqive të mëdha. Dhe në mbështetje të kësaj teze apo bindjeje, këta njerëz (intelektualë, analistë, diplomatë, politikanë, etj.) kanë sjellë në vëmendje të të tjerëve të vërtetën, sipas së cilës as SHBA-të, as fuqitë e mëdha europiane, nuk kanë pasur asnjë interes konkret e praktik në Kosovë. Dihet që kjo e fundit nuk njihet për resurse të çmueshme natyrore, të cilat do të mund ta shndërronin në një tokë të lakmuar; nuk njihet as për ndonjë afinitet të veçantë kulturoro-historik me Perëndimin, gjë që do të justifikonte mobilizimin e fuqive euro-atlantike në mbrojtje të saj (siç ka ndodhur fjala vjen në fillim të shekullit XIX, kur fuqitë e mëdha u vunë në mbrojtje të grekëve, të cilët shiheshin si pasardhës të "shpikësve" të qytetërimit të sotëm perëndimor); nuk njihet as për ndonjë magjí e charm të ndonjë lloji tjetër. E megjithatë, fuqitë e mëdha euro-atlantike iu ndodhën pranë Kosovës, s‘ka gjë se në krahun e kundërt ishte një komb tjetër, ai serb, i cili është mburrur e mburret edhe sot e kësaj dite për idiosyncrasy-në e vet oksidentale; madje, e ka bërë këtë duke theksuar e nënvizuar faktin, që shqiptarët e Kosovës, ashtu si shqiptarët në përgjithësi, janë hëm të prapambetur, hëm anti-oksidentalë.

Këto argumente nuk kanë pirë ujë. Në "diatribën" e madhe historike midis shqiptarëve kinse anti-oksidentalë e serbëve kinse oksidentalë, Perëndimi u rreshtua pa ndërdyshje të mëdha në favor të shqiptarëve. E - duhet thënë e stërthënë kjo - nuk e bëri këtë me logjikën e realpolitik-ës; me fjalë të tjera, nuk e bëri këtë në mbrojtje të interesave të veta praktike në një rajon me rëndësi të veçantë gjeo-strategjike; përkundrazi, e bëri e nxitur prej qëllimesh humane e morale. Sigurisht, ka ende njerëz të tjerë, që besojnë se asgjë nuk bëhet jashtë logjikës e kritereve të realpolitik-ës dhe jashtë interesave gjeo-strategjike. E në këtë kuptim, këta besojnë se e gjitha është programuar si një përpjekje për t‘i treguar vendin Rusisë e për ta bërë me dije ish-superfuqinë që po rreket të ringjallet, se fati i paracaktuar i saj është të largohet nga Europa e të tërhiqet atje ku Europa piqet me Azinë. Mirëpo, ky arsyetim nuk qëndron më këmbë në kushtet e botës globale, ku influencat nuk krijohen, nuk ushtrohen e nuk mbrohen më thjesht në mënyrë tradicionale. Rusinë mund ta përfytyrojmë gjithë kohën të tërhequr stepave të veta, por ajo do të jetë influente që çke me të në botën e sotme për shkak të resurseve natyrore, për të cilat Perëndimi ka shumë nevojë e pa të cilat Perëndimi mund ta shohë punën pisk. Anasjelltas, Rusinë mund ta përfytyrojmë gjithë kohën edhe si një gjigand që kërkon të shtrijë gjymtyrët edhe diku në Europë, por kjo do të ishte një përpjekje e kotë, pasi edhe vendet limitrofe në periferi të Europës janë duke i dhënë munxët influencës ruse. Të gjithë i kanë sytë nga Perëndimi. Edhe Serbia, me të shpëtuar prej etheve e konvulsioneve nacionaliste, do të bëjë të njëjtën gjë: do t‘i hedhë sytë nga Perëndimi. Sot është Europa që po i vardiset Serbisë, por nesër (kjo ‘nesër‘ do të jetë shumë shpejt) do të jetë Serbia që do t‘i vardiset Europës.

* * * * *

Po, është e vërtetë: lufta e bërë nga Perëndimi në Kosovë e për Kosovën ka qenë një luftë morale. Kjo duket edhe këto ditë te reagimet ndaj vendimit e vendosmërisë së shqiptarëve për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Kjo pritej të ndodhte, por entuziazmi e shpejtësia me të cilën po ndodh është mjaft përshtypjelënëse. Ndërsa ndodhej në Afrikë, i pyetur lidhur me atë që po ndodhte në Kosovë, Presidenti amerikan George W. Bush dha një përgjigje të prerë e të troçtë: po, do ta njohim shtetin e ri të Kosovës. Askush nuk do të befasohej (as ne shqiptarët), nëse Presidenti Bush do të hezitonte për t‘u përgjigjur në të nxehtë, apo nëse ai do t‘i jepte kohë vetes derisa të kthehej në Washington. Mund ta bënte këtë edhe për të mos shkaktuar mllef e zemërim në momentin e parë te serbët "e shock-uar" prej pavarësisë. Por ai u soll ndryshe. Ai deklaroi zëplotë, se Kosova e meriton pavarësinë dhe se SHBA-të do ta njohin shtetin e sapolindur.

Po kaq shpejt reagoi edhe Franca, me demek dashnorja e madhe e tradicionale e Serbisë. Dhe këtë reagim nuk e bëri me gojën e ndonjë diplomati të karrierës. Jo! E bëri me gojën e Presidentit të vet, i cili aty për aty gjeti një mënyrë hollywood-iane për të shpjeguar ngjarjen: hapi hartën e Europës në një takim me nxënësit e një shkolle, dhe u tregonte këtyre të fundit se ku ndodhej shteti më i ri i Europës. Ndërsa ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner, nuk priti gjatë për t‘u shfaqur në ekranet e televizorëve e për të thënë se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e vetme në këto rrethana. Ai foli me aq pathos në CNN në favor të vendimit të Kuvendit të Kosovës sa, po të mos e njihnim, fare mirë mund ta merrnim për ndonjë banor të Drenicës.

Pas Britanisë së Madhe, Francës e Gjermanisë, veproi Italia. Është e vërtetë se veproi urtë e butë, si pa u ndjerë e larg protagonizmit të fuqive të tjera europiane, por nuk dha shenja se po mundohej prej ndërdyshjesh, ndonëse, ashtu si dhe fuqitë e tjera, ka pasur plot arsye të mendohej një copë herë. E një nga këto arsye mund të jenë interesat ekonomike të sajat në Serbi, të cilat janë ku e ku më të mëdha se sa në botën shqiptare. E kështu më pas vepruan vendet e tjera.

Sigurisht, do të ishte e tepërt ta kualifikonim qasjen perëndimore ndaj çështjes së Kosovës si një gjest pioner, që hap një epokë të një diplomacie të re, të një diplomacie që ngrihet kryesisht mbi vlerat etike e humane. Bota e sotme është e do të mbetet edhe për shumë kohë (ndoshta për gjithë kohën) një botë balancash fuqish e interesash, e duke qenë e tillë, nuk mund të përjashtohen veprimet egocentrike nga ana e shteteve. Por kjo nuk do të thotë që të gjitha veprimet në arenën ndërkombëtare janë të përligjshme me këtë logjikë balancash të fuqive e me këtë turravrap në mbrojtje të interesave; kjo nuk do të thotë se fuqitë e mëdha euro-atlantike mund të tolerojnë mú në mes të Europës një deportim masiv me synim spastrimin etnik të territoreve apo një tentativë për gjenocid. Në këtë kuptim pra duhet thënë që lufta për Kosovën e mbështetja ndaj Kosovës pas luftës kanë pasur një motivim të qartë moral e human.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora