E merkure, 24.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Veriu i Kosovës, si loja e maces me miun

E premte, 25.11.2011, 10:02 PM


Veriu i Kosovës, si loja e maces me miun

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Situata në veriun e Kosovës është tensionuar përsëri. Ivanoviç, një ekstremist në qeverinë sotme të Beogradit e njëkohësisht serb i Kosovës, kërcënoi para tri ditësh se “Serbët e veriut mund të shpallnin pavarësinë”. Ndërkaq grupet militare e kriminale serbe në këtë pjesë të territorit të Kosovës kanë shfaqur në internet një draft-deklaratë të të ashtuquajturës “Shpallja e pavarësisë e Kosovës së Veriut”. Në atë draft-deklaratë lexohen pasazhe të intrigës së një “shteti të pavarur demokratik të Kosovës së Veriut”, i cili “do të ndërtohet” sipas parimeve të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mosdisriminimit. Madje aty thuhet se “Shteti i Kosovës së Veriut angazhohet për integrim në BE dhe në NATO”.  Cinizmi, intriga, fshehja e së vërtetës, mashtrimi, maskimi janë disa nga tiparet e deklarimeve serbe, të cilët me këto forma dëshirojnë të fshijnë nga kujtesa dhe të amnistohen për krimet e bëra kundër shqiptarëve si dhe për organizimin e kriminalitetit, kontrabandës e trafikut 12 vjeçar në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Ndërkaq panorama tjetër e veprimtarive politike e diplomatike na jep një pamje disi të qetë. Ne Bruksel kanë vijuar bisedimet midis Edita Tahirit dhe Stefanoviç. Madje është nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Stefanoviç ka shfrytëzuar rastin që të urojë zonjën Tahiri për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës, çka dëshmon për informacionin e hollësishëm që Beogradi ka për partneren në bisedime. Me kaq është mbyllë gjithçka, ndonëse disa marrëveshje që kanë të bëjnë me kufijtë e Kosovës dhe doganat, me regjistrat kadastralë etj nuk po zbatohen nga ana e Beogradit. Pavarësisht kësaj, Prishtina tregon gjithnjë gatishmëri profane të vijojë të bisedojë për tema të tjera, pa vënë asnjë kusht për zbatimin e marrëveshjeve të shkuara. Kryeministri Thaçi në prag të “ngjarjes” ka dalë dhe ka paralajmëruar për të njëqindtën herë se “do të vendosë rend e ligj në të gjithë territorin e Kosovës”, përkatësisht edhe në veriun e saj. Nuk dihet sa serioze është një deklaratë e tillë, kur të dy palët së paku nga 25 korriku i këtij viti vazhdojnë të luajnë si macja me miun. Dhe akoma më enigmatike është, kur kjo lojë do të marrë fund. Megjithatë njoftimet e shtypit perendimor bëjë me dije se KFOR ka përforcuar trupën e vet për çdo të papritur. Por nuk dihet se nga cila anë do të vijnë të papriturat. Ndoshta KFOR ka parasysh eksperiencën e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004, kur në 24 orë dhe në mënyrë të befasishme Kosova u shndërrua në shesh beteje midis shqiptarëve dhe serbëve. Ndoshta mendohet që NATO të vihet efektivisht në ndihmë të ndonjë projekti, për të cilin foli kryeministri i Kosovës. Gjithçka është enigmë.

Ngërçi qëndron në faktin se të dy palët, si serbët dhe institucionet e Prishtinës thirren në respektimin e Kushtetutës. Kushtetuta serbe është bërë pengesë që qeveria e Beogradit të votojë zbatimin e marrëveshjeve me Prishtinën, dhe shtatë ministra të kabinetit Tadiç kanë votuar kundër zbatimit të tyre. Kushtetuta e Kosovës e hartuar pikë për pikë në zbatim të Planit Ahtisaari parashikon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës në të gjithë territorin e saj. Këtë e përsëriti në Ljubljanë edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Por refreni i Planit Ahtisaari shfaqet që prej verës së vitit 2007.

Megjithatë opinioni publik është i interesuar të njohë rrjedhat që do të zhvillohen në javët e muajt që do të vijnë.

Situata që zhvillohet këto kohë në veri të Kosovës vjen për shkak të disa rrethanave të favorshme e të disfavorshme për të dyja palët: Kosova dhe institucionet e saj besojnë se po shfrytëzojnë interesin serb për tu pranuar në BE, e për këtë qëllim u hodhën në “sulm” për të vënë kontrollin në pikat doganore në Jarinjë dhe Bërnjak. Megjithse ato hodhën një gjysëm hapi në shtrirjen e plotë të sovranitetit shtetëror në këtë pjesë të territorit, nuk arritën që të implementojnë me sukses aksionin që nisën. Serbët reaguan dhunshëm dhe ashpër, dogjën, vranë dhe ngritën barrikada. KFOR-i dhe lidërët e paligjshëm të serbëve në veri prej muajsh lujanë cic mic me njëri’tjetrin në stilin “Ma le, ta lashë”. EULEX’-i duket se mbetet i përçarë dhe i paaftë që të realizojë zbatimin e ligjit e të rendit. I vetmi ngushëllim për qeverinë e Kosovës janë mbështetja e parezerva e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa deklarata të udhëheqësve kryesorë të Berlinit për shtrirjen e sovranitetit të Prishtinës në veri të vendit. Një memorandum bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Kosovës, i nënshkruar nga ambasadori Kristofor Dell dhe presidentes Atifete Jahjaga, ishte një sinjal pozitiv dhe ngushëllues nga ana politike dhe diplomatike sa i takon zhvillimeve të fundit në Kosovë. Shkurt Prishtina nuk ka mundur ta realizojë qëllimin që në kuadër të synimeve të Serbisë për t’u pranuar në BE, ta detyrojë këtë të fundit që të pranojë zgjidhjen përfundimtare de facto të statusit të Kosovës.

Nëse qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk do ta realizojnë këtë mission, që duket i pamundur, brenda disa muajsh, atëherë ato do të duhet të llogarisin në pengesën e pakapërcyeshme të presidentit të ardhshëm të Rusisë, me emrin e njohur Vladimir Putin, portreti i të cilit është vendosur në çdo cep të vendebanimeve serbe në Kosovë. Ndërkaq ato do të duhet të llogarisin radikalizimin e politikës nacional-fashiste të Beogradit, pasi në themel të fushatës elektorale në pranverën e ardhshme do të jetë “Kosova e Metohija”,  nocion ky i përdorur në kohën e Rankoviçit dhe i rikthyer në kohët e Milosheviçit e në ditët e sotme në zhargonin nacionalist të Beogradit. Besoj se në Prishtinë i njohin këto rrethana.

Por edhe në Beograd ka një ritëm në zhvillimin e ngjarjeve. Qeveria serbe llogarit ta luajë me virtouzitet “lojën e maces me miun”, gjë për të cilën shfrytëzon dukshëm përvojën e të gjitha qeverisjeve të 100 vjetëve te fundit. Projekt - Deklarata e krerëve të institucioneve paralele.në thelbin e saj shpreh angazhimin për t’iu përmbajtur kësaj përvoje të mikluar me dinakëri, intrigë dhe imazh pozitiv në botën e jashtme, me qëllim që të fshehet armiqësia, hasmëria, urrejtja ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës. Loja e tillë e Beogradit ka për qëllim që ta hollojë perin deri te moskëputja e tij, pra te mosrrezikimi për humbjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Në Beograd llogarisin në përçarjen e Europës, ashtu siç llogariste Milosheviçi në kohën e bombardimeve të NATO-s. Në fund të fundit pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, janë një shans i mirë për Serbinë për ta thelluar këtë përçarje. Por a mund të llogaritet që 22 vende të tjera të revokojnë vendimet që kanë marrë për njohjen e saj?! A do të mundet që këtë ta bëjnë SHBA-të, Japonia, Kanadaja, e vende të tjera të mëdha e të vogla, numri i të cilave arrin në 87 gjithsej?! Kjo duket e pamundur.  A mjafton kjo që në Prishtinë të flejnë me ëndërrën se “Bashkësia Ndërkombëtare do ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës”?! Edhe kjo do të ishte vetëvrasje dhe do të sillte dështimin e plotë të institucioneve dhe qeverisë së Kosovës. Atëherë çfarë mund të bëhet?!

Nëse zhvillimet e mëtejme do të lihen në spontaneitet, atëherë KFOR- i duhet të përgatitet për të përballuar një valë të re dhune. Dhuna që ende duket si potencialisht e mundëshme, do t’i jepte fund, por në mënyrë tragjike zgjidhjes. Kosova do të bëhej pas saj plotësisht e mëvehtësishme, sepse askush nuk mund të llogaritë që Serbia të hyjë në një luftë të re. Ngjarjet në Krajina të Kroacisë para 17 viteve janë gjithashtu një përvojë e njohur në këtë aspekt. Ndoshta shkohet drejt këtij skenari, me qëllim që qeveria e Serbisë të ketë mundësinë të justifikohet përpallë opinionit nacional’fashist në vend. Por nëse do të veprohet me maturi dhe në respekt të ligjeve, të së drejtës e të rendit, atëherë problemi mund të zgjidhet vetëm me angazhim të plotë, pa ekuivok dhe pa mëdyshje të të gjithë faktorëve, faktorit të qeverisjes në Kosovës, KFOR’it dhe EULEX’it. Një veprim i koordinuar i tyre është mëse i domozdoshëm. Kjo varet nga ajo sesa europianët janë të interesuar të shmangin një vatër të re krize e ndoshta një zingjir vatrash të kësaj natyre.

Një deklaratë “pavarësie” për veriun e Kosovës duket se do të mbetet thjesht një metodë presioni nga ana e Serbisë. Pa vullnetin e Prishtinës ajo nuk ka asnjë shans të implementohet. Kosova nën protektorat ndërkombëar dhe de facto që prej 12 vjetësh e shkëputur nga Serbia për shkaqet që dihen, ende nuk ka mundur të bëhet shtet funksional. Kosova me 2 milionë banorë dhe me të gjitha resurset e nevojshme ende nuk është në atë stad sa të zëjë vendin e vet në OKB. Si do ta bëjnë këtë 40 mijë serbë në një shtet të pavarur?! A ka sens që me kaq banorë të krijohen shtete?! Sa shtete do të kishte bota me një sipërfaqe e popullsi sa serbët e veriut të Kosovës?! Në Luginën e Preshevës janë shtuar zërat për shpalljen e pavarësisë nga Serbia. Por as kjo nuk është zgjidhje. Atëherë mbetet që në veri të vendoset ligji, të vihen në funksionim gjykatat, prokuroria, policia, doganat, kontrolli kufitar, gjithçka që ka të bëjë me rendin publik. Aty duhen mbledhur taksat, pagesat e energjisë elektrike, të ujit, gjithçka që i duhet një shteti të funksionojnë në sovranitet e integritet të plotë.

Qeveria e Kosovës e ka të nevojshme të financojë në këtë pjesë të territorit të vendit. Në vend që të ngrinte pagat e pensionet me 20 përqind, le t’i shtonte ato me 10 përqind dhe paratë e tjera t’i investonte në veri, në dobi të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve etj.. Jam i bindur se shqiptarët në Kosovë do të ishin të vetëdijshëm për këtë lloj politike. Ndaj qeverive në Kosovë nuk u lejohet që për hir të zgjerimit të elektoratit të rriskojnë me tërësinë territoriale të shtetit. Ky është një nga opcionet e vendosjes së rendit e të ligjit në veri. Investimet e shumta do të shtojnë punësimin. Njerëzit do të nisin një jetë më vitale e për pasojë elementi social gradualisht do ta dominonte elementin etnik. Ndoshta kjo duket se merr kohë, por koha ka fluturuar dhe do të fluturojë pa asnjë efektivitet e veriu i Kosovës do të mbetet përsëri një kancer në trupin e shoqërisë së Kosovës. Ky kancer ka ilaç, vetëm duhet përkushtim dhe të hiqet dorë nga loja e maces me miun.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora