E merkure, 24.04.2024, 06:48 AM (GMT+1)

Editorial

Adem Shahini: Shtetit laik i duhen shërbime dhe biznese laike

E premte, 25.11.2011, 10:04 PM


Shtetit laik i duhen shërbime dhe biznese laike

 

Nga Adem Shahini

 

Kohët e fundit bisedova me një të njohur të cilit i kishte vdekur shoku i ngushtë dhe nuk kishte qenë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të tij. Arësyeja: nuk kishte dashur ta dëgjonte hoxhën duke kënduar dhe duke folur arabisht. Argumentet: imami e konsideron një tokë tjetër të shenjtë e jo tokën shqiptare, e konsideron të shenjtë një gjuhë tjetër e jo gjuhën shqipe, nuk i rrespekton vlerat demokratike dhe institucionet shqiptare as edhe vetë kushtetutën (apo kushtetuat) shqiptare. Vetë i ndjeri në fjalë kishte kulturë evropiane, kishte jetuar e luftuar për këto vlera shqiptare me të cilat nuk pajtohet kleri musliman që e kishte udhëhequr ceremoninë mortore. Mund të nënkuptohet këtu se familja e të ndjerit e ka ftuar hoxhën duke mos ditur se çka të bëjë tjetër në mungesë të shërbimeve mortore laike apo civike.

Mosrrespekti i dëshirës dhe vullnetit të të ndjerit është problem i madh në shoqërinë shqiptare. Feja apo fetë e kanë monopolizuar këtë ceremoni duke e lidhur me Zotin. Për këtë arësye, qeveria do të duhej të nxiste dhe të ndihmonte krijimin e shërbimeve funerare laike sç janë sallonet ku mund të ekspozohet i ndjeri dhe ku familja mund të presë ngushëlluesit. Edhe bisnesmenët privatë mund të investojnë në këtë fushë sipas modeleve të shteteve demokratike.

Nuk diskutohet se bashkësia islame përpiqet ta mbajë monopolin në këtë fushë siç pretendon se e ka edhe ka monopolin e Zotit. Të gjitha fetë pretendojnë një gjë të tillë por në shoqëritë e pjekura, në gjuhën e drejtësisë, kësaj thonë uzurpim apo vjedhje me metoda dhelpërore dhe frikësuese.

Mos të harrojmë se njeriun si qënie e udhëheqin në jetë dy gjëra : dëshira për fitim dhe frika nga ndëshkimi. Sipas imamit, po nuk qe musliman, Zoti (apo “allahu” siç e quan në një gjuhë tjetër) nuk të jep pasuri, por i pagove bashkësisë islame anëtarësinë dhe po i dhe të holla imamit, atëherë Zoti t’i jep ty. Nuk ju vjen në mendje pyetja: Pse Zoti i nuk ia jep imamit të hollat vetë po do që t’ia jap unë? Kur imamët premtojnë shpërblimin nga Zoti dhe nënvizojnë ndëshkimin, shteti e ka për detyrë të ndërhyjë për t’i mbrojtur qytetarët nga manipulimet psikologjike me qëllim të nxejrrjes së përfitimit monetar.

Si çdo biznes tjetër, feja i ka simbolet, reklamat dhe mënyrat se si t’i gjejë klientët. Shamia, për shembëll, është një reklamë biznesi. Para ca kohe, në një gazetë pash një kuriozitet: Një i ri amerikan e lëshonte ballin me qira për të vënë në të një raklamë. Kundrejt pagesës, kuptohet. Ndërsa sipas imamëve dhe bashkësisë islame, vajzat shqiptare duhet t’i bëjnë reklamë falas biznesit të tyre duke ua vënë në përdorim jo vetëm ballin por tërë kokën.

Kohët e fundit bashkësia islame e Kosovës ka kërcënuar se do të organizojë tollovira kundër qeverisë, demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve me qëllim që ta ketë fushën e lirë dhe ta sigurojë monopolin e biznesit të saj ! Cili është reagimi i qeverisë ? Mendoj se, në këtë rast, siç i frikëson kleri islam të tjerët, edhe feja islame duhet të ketë frikë nga ndëshkimi. Nga bojkoti i qytetarëve. Institucionet jane pronë e të gjithëve dhe ato duhet të mbeten laike dhe neutrale.

Normalisht, qeveria ka mediat në dorë dhe duhet t’i përdor që t’i dërgojë publikut mesazhe për demokraci, laicitet dhe mbrojtje të kushtetutës. Nese qeveria nuk e mbron kushtetutën dhe institucionet demokratike, kush do t’i mbrojë? Edhe intelektualët duhet të dalin në media dhe ta vetëdijësojnë popullin që të mos bien në grackën e rebelëve fetarë kërcënues. Qytetarët duhet të vetëdijësohen se, nëse i paguajnë anëtarësinë bashkësisë islame, ata i ndihnojnë tollovirat dhe çrregullimet.

Disa thonë se në shtetet demokratike, feja dhe shamia lejohen nëpër shkolla. Nuk duhet harruar se në ato shtete, nuk ka më shumë 10% të praktikuesve të fese cilado qoftë ajo. Në ato shtete krishtere, kishat po u shiten sipërmarrësve privatë të cilët po i shëndërrojnë në banesa. Ekonomistët dhe intelektualët e këtyre shteteve e kanë kuptuar se nëse ka më shumë se 10% të besimtarëve në një shoqëri, ajo shoqëri nuk mund të zhvillohet ekonomikisht. Principi është i qartë: kur i pik kulmi, qytetari është i vetëdijshëm dhe i tërhequr psikologjisht ta riparojë atë në vend se të lutet që Zoti apo dikush tjetër ta bëjë atë punë në vend të tij.

Një gjë tjetër nuk duhet harruar: imamët janë kundër zhvillimit ekonomik dhë kundër demokracisë sepse e dinë se sa më shumë që një shoqëri është e zhvilluar ekonomikisht, aq më pak qytetarët e saj e mbajnë fenë. Pra, muslimanët e trojeve shqiptare sikur nuk i kanë punët mirë. Para pak viteve në Stamboll të Turqisë, janë bërë ca manifestime masive për laicitet. Ato kanë qenë të organiziuara nga njërëz të vetëdijshëm të cilët mendojnë se hyrja e Turqisë në Evropë do te ishte në dobi të ekonomisë shtetërore turke. Ndërsa ne shqiptarët jemi gjeografikisht në Evropë dhe nuk dimë të ta shfrytëzojë këtë rast.

Në fund të bisedës, i njohuri që e përmenda në fillim të këtij shkrimi, më tregoi se kishte pasur disa kohë me parë një përvojë të keqe me një hoxhë të cilit i kishte bërë një shërbim profesional. Hoxha kishte tentuar ta përdortë Zotin dhe botën tjetër për të evituar pagesën. Ofruesi i shërbimit nuk kishte pranuar t’i dërgojë faturën Zotit por klientit të cilit i kishte ofruar shërbimin. I zhgënjyer hoxha i ka thënë : “Unë jam hoxhë, unë do të të varros.”

Pas këtij manipulimi psikologjik, profesionali e ka paditur hoxhën për mosrespektim të kontratës e gjithashtu për fyerje dhe kërcënim me vdekje. Autoritetet e kane detyruar klientin e keq (hoxhën) ta nderojë kontratën por nuk e kanë konsideruar si kërcënim shprehjen “Une... do të të varros”.

Që nga ai moment, i njohuri im është betuar në simbole shqiptare që i ka në zemër që kurrë nuk do të marrë pjesë në ceremoni ku merr pjesë një hoxhë.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora