E merkure, 24.04.2024, 08:20 PM (GMT+1)

Mendime

Andrea Stefani: Shqiptaret, nje komb dhe dy popuj

E diele, 24.02.2008, 12:10 PM


Shqiptaret, nje komb dhe dy popuj

Andrea Stefani

Shpallja e pavarësisë së Kosovës duket se krahas gëzimit të natyrshëm ka ngjallur edhe shqetësimin se mos krijimi i dy shteteve shqiptare do ta bëjë më të lehtë përçarjen e kombit. Ekziston frika se tani shteti i Kosovës, i cili ka edhe një flamur tjetër nga ai i Shqipërisë, do të shërbejë si një "argument" më shumë për ata që pretendojnë se kosovarët janë një komb më vete nga shqiptarët. Si kjo frikë e re, ashtu edhe pretendimi i vjetër që rreket t‘i ndajë shqiptarët në dy kombe, janë krejt pa bazë. Burimi i tyre është në disa raste një qëllim i keq dhe antishqiptar, por në jo pak raste të tjera, ngatërrimi i konceptit "komb" me konceptin "popull". Është ky ngatërrim që në rastin e Kosovës së pavarur i bën armiqtë e shqiptarëve të nxitojnë për ta deklaruar popullin e Kosovës si komb. Ndërkohë, disa patriotë shqiptarë, duke ndjerë rrezikun, turren gjithashtu të deklarojnë se ndonëse tani kemi dy shtete shqiptare, kosovarë dhe shqiptarë, mbeten një komb i vetëm. Pohimi është i drejtë. Por gabimi i tyre vjen më pas. Janë po këta mbrojtës të zellshëm të kombit që deklarojnë se "nuk duhet të sajohen dy popuj të ndryshëm nga një komb i vetëm". Është një pohim që duke ngatërruar konceptet "komb" dhe "popull" çon si pa dashje ujë në mullirin e armiqve të kombit dhe pavarësisë së Kosovës. Sepse nëse kosovarët nuk janë një popull, atëherë mbi ç‘vullnet themelohet sovraniteti i shtetit të Kosovës? S‘ka asnjë dyshim që te vullneti i lirë i popullit të Kosovës. Të mohosh ekzistencën në Kosovë të një populli, do të thotë të mohosh sovranitetin, pra të drejtën për pavarësi. Ndërkaq, ky sovranitet nuk është vullneti i tërë kombit. Si komb, kosovarët janë vetëm një pjesë e kombit shqiptar dhe përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Kosovës mund të përfaqësojnë politikisht vetëm vullnetin e popullit të Kosovës. Sovraniteti që ata prezantojnë dhe shprehin është sovraniteti shtetëror i popullit të Kosovës, por nuk është sovraniteti i kombit shqiptar. Sepse shteti i Kosovës nuk përfshin në kufijtë e vet gjithë hapësirën kombëtare shqiptare që të mund të përfaqësojnë politikisht gjithë kombin. Po kështu edhe Republika e Shqipërisë. Aktualisht kombi shqiptar nuk ka një strukturë të përbashkët të përfaqësimit politik, nuk ka një shtet të përbashkët, pra as edhe një sovranitet të vetëm kombëtar që do të përfaqësohej nga organet e tij. Ndoshta do ta ketë nesër. Dhe krijimi i shtetit të dytë shqiptar në Kosovë jo vetëm që nuk e zbeh, por objektivisht e forcon mundësinë e unifikimit në një të ardhme të kombit të shqiptarëve. Mbetet të shihet sesi.

***

Ngatërrimi i "kombit" me "popullin" vazhdon të jetë mjaft prezent edhe sot e kësaj dite në literaturën politike. Duket se kombi vazhdon të ushtrojë një fuqi të madhe mbi psikologjinë e njerëzve, sa ju imponohet pavetëdijshëm si një zakon, duke i bërë ta shohin edhe atje ku nuk është. Dhe dallimi thelbësor mes kombit dhe popullit është se ndërsa i pari është thuajse një bashkësi biologjike që buron nga "gjaku" apo gjuha e përbashkët e trashëguar prej shekujsh, i dyti është thjesht një marrëveshje politike që mund të arrihet edhe mes njerëzve me kombësi të ndryshme. Kombet janë produkt i shekujve, ndërsa popujt mund të lindin edhe brenda një viti. Në shekullin XIX u bë e modës të krijoheshin shtete (popuj) mbi bazë kombesh, por sot tendenca është drejt krijimit të megashteteve (popujve) shumëkombëshe. Një i tillë është Bashkimi Evropian, ku mbi bazën e një numri gjithnjë e më të madh kombesh, synohet të krijohet një shtet, një sovranitet, një popull i vetëm, populli i Evropës së bashkuar. A do të mundet që mbi bazën e popullit të Evropës të krijohet kombi evropian apo kjo do të perceptohet në ardhmëri krejtësisht e panevojshme dhe arkaike? Mbetet të shihet.

***

Por të gjitha këto nuk mund të kuptohen nëse "populli" mendohet si sinonim i "kombit", pra në kuptimin thjesht demografik apo etnografik, dhe jo si një bashkësi politike që jo në pak raste, herë i kapërcen kufijtë e kombit dhe herë është më e ngushte se ato. Pamja qartësohet nëse "populli" shikohet si një kategori politike e kohëve moderne, si produkt i një marrëveshjeje politike mes qytetarëve të lirë që e ka zanafillën me revolucionin francez të shekullit XVIII. Jo rastësisht ishte Rusoi i pari që e formuloi popullin si të tillë. Në veprën e tij të famshme "Kontrata Sociale", ai në mënyrën më elokuente të mundshme shpjegon se populli nuk është gjë tjetër veçse një "trup kolektiv", një "person publik" i formuar nga bashkimi i të gjithë personave të tjerë. Është kjo bashkësi që sipas Rusoit quhet herë "shtet" dhe herë "sovran" dhe "ata që janë shoqërizuar me të marrin kolektivisht emrin e "popullit", dhe ndonjëherë quhen qytetarë, si pjesëmarrës në pushtetin sovran, dhe nënshtetas, duke qenë nën ligjet e shtetit". Dhe është vetë Rusoi që vëren se këto terma ngatërrohen shpesh me njëri-tjetrin dhe se është e mjaft të dish si t‘i dallosh kur duhet të përdoren me mjaft precizon. Pikërisht perceptimi i popullit si një sinonim i kombit dhe jo si një kategori politike që pasqyron një realitet politik, si një marrëveshje politike, bën që për shumë patriotë ajo që tani e përshkruajnë si komb, nis e i përqesh si popull pak më poshtë, po në rreshtat e tyre. Kështu ankohen se Serbia është përpjekur të shpikë "popullin" tjetër, duke i quajtur kosovarët shiftarë. Kuptohet qartë se ndërsa flasin për shpikjen e "popullit tjetër", në fakt kanë ndërmend kombin si të tillë, sepse edhe qëllimi i Serbisë, për të përçarë shqiptarët, ka qenë që të shpikë një komb tjetër dhe kurrsesi popullin e Kosovës që tashmë ekziston. Ndërkaq, të pranosh ekzistencën e shtetit të Kosovës nuk mund të mos pranosh ekzistencën e popullit të Kosovës. Sepse, me të drejtë sipas Rusoit, termat "shtet", "popull", "sovran" janë pikëshikime të ndryshme të së njëjtës dukuri, të së njëjtës qenie politike.

***

Rreth pesë vjet më parë një ngatërresë të tillë banale mes koncepteve të kombit dhe popullit bënte edhe autori i artikullit "Il Grande Vuoto" të publikuar në revistën "Limes". Duke ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë, autori i shkrimit arrinte në konkluzionin se "populli shqiptar nuk reagon si një komb i vetëm". Në fakt ishte krejt e kundërta. Një popull shqiptar ku të përfshihej i gjithë kombi nuk ekzistonte. Ekzistonin vetëm populli shqiptar i Republikës së Shqipërisë, populli i Kosovës, pjesë të kombit të ndara në shtete të tjera. Ndaj kombi shqiptar nuk reagonte dot si një popull i vetëm sovran, sepse edhe në atë kohë ndodhej i ndarë në shtete të ndryshme. Por jo vetëm autori i artikullit "Il Grande Vuoto" e bënte gabimin e ngatërrimit të kombit me popullin. Ritheksojmë se në letërsinë politike dhe historike, të djeshme dhe të sotme, ky ngatërrim është gjëja më e rëndomtë. Dhe sqarimi nuk do të kishte asnjë vlerë (ose do të ruante një të tillë thjesht teorike), sikur ngatërrimi i këtyre nocioneve të mos ishte bërë burimi i një debati mjaft të gjerë mes shqiptarësh lidhur me heraldikën e re të Kosovës dhe ndikimin e saj në kompaktësinë e kombit shqiptar. Një debat që përçarjen teorike mund ta kthente - në sajë pikërisht të këtyre ngatërrimeve që popullit i thonë komb dhe kombit i thonë popull - në një përçarjeje sa të kotë, aq dhe të rrezikshme praktike.

Vite më parë, shpallja nga Presidenti Rugova i një flamuri dhe një himni të Kosovës të ndryshëm nga ata të kombit shqiptar ngjalli, tamam si edhe sot në disa qarqe politike, frikën se mos ky identitet kosovar mund të keqpërdorej për ta përçarë kombin shqiptar. Dyshues u shfaqën edhe mjaft figura të shquara të politikës dhe letrave shqipe, të cilët bënë thirrje që "populli" shqiptar të mos konceptohej si i ndarë në "dy popuj". Kuptohej që me fjalën popull nënkuptonin kombin. Dhe vetëm duke zëvendësuar fjalën "popull" me fjalën "komb" kjo thirrje ruan vlerën edhe në ditë e sotme. Pa këtë redaktim ajo do të ishte krejt absurde, në kundërshtim me realitetin politik në Kosovë (ku kemi një shtet, pra një popull) dhe do të shtonte më shumë konfuzionin. Koha i dha të drejtë Rugovës, të cilit nevoja politike i kish treguar shtegun e duhur lidhur me simbolet e shtetit të Kosovës. Ndaj detyrohemi ta ritheksojmë si këtu e 5 vjet më parë: sot kombi shqiptar është një komb i përbërë, përveç pjesëve të tij të mbetura në shtete të tjera, edhe nga dy bashkësi politike, nga dy shtete, nga dy popuj. Populli i shqiptarëve të Shqipërisë dhe populli i shqiptarëve të Kosovës. Sakrilegj? Përçarje? Aspak! Është një e vërtetë. Elementi dhe tipari më thelbësor i një populli është vullneti i tij i shprehur lirisht në votime dhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Parlament. Shqiptarët e Kosovës kanë më në fund një shtet të tyrin, një vullnet të tyrin politik, të shprehur nga përfaqësuesit e zgjedhur të tij në Parlamentin e Kosovës dhe që nuk mund të mos jetë tjetër, nga vullneti i shprehur prej shqiptarëve në Shqipëri në Kuvendin e Shqipërisë. Një popull nuk mund të ketë dy parlamente. Por një komb po. E kemi parë një gjë të tillë me Gjermaninë, e cila, kur qe e ndarë, përbëhej nga dy realitete politike, pra nga dy popuj. Zhvillime të hidhura historike duket se kanë bërë që flamuri kombëtar i shqiptarëve t‘i paraprijë së sotmes, duke dizajnuar si një Nostradamus, shekuj më parë, një realitet që po e jetojmë tani: një shqiponjë me dy kokë, një komb me dy popuj.

Pra, që shqiptarët janë një komb me dy popuj kjo është tashmë një realitet, disi i çuditshëm, por ama një realitet. Dhe nuk mbart asgjë fatale për kombin. Dhe nuk ka qenë kjo gjendje synimi i propagandës serbe. Ajo ende synon që pikërisht kjo të shkatërrohet, shteti i Kosovës, populli i Kosovës. Ndaj është përpjekur, për më shumë se një shekull, të bënte që shqiptarët, andej dhe këtej kufirit, të mos konceptoheshin si një komb. Por jo vetëm kaq. Shteti serb është përpjekur t‘i asgjësojë, t‘i çrrënjosë kosovarët. Prandaj bashkëjetesa e kosovarëve si pjesë e kombit shqiptar, bashkëjetesa me kombin serb si pjesë përbërëse e popullit të ish-Jugosllavisë, ishte e pamundur. Prandaj dhe Pavarësia e Kosovës është një akt i ligjshëm i bazuar te humanizmi dhe liria dhe s‘ka rezolutë që ta hedhë poshtë.

***

Rrugët e krijimit të kombeve kanë qenë të ndryshme. Disa kanë krijuar fillimisht shtetin e nëpërmjet tij kombin. Amerikanët kanë mundur që nga një mozaik kombësish të ndryshme të krijojnë një popull, një shtet dhe, nëpërmjet tij, një komb. Zviceranët po ashtu, megjithëse më shumë flitet për shtetin zviceran, sesa për kombin zviceran. Muret e kantoneve duket nuk kanë lejuar atje një integrim aq të thellë mes kombësive përbërëse sa në SHBA. Ballkani është një rajon ku përgjithësisht është kaluar nga kombi te shteti dhe nëpërmjet këtij të fundit te populli. Rrethanat historike nuk e lejuan kombin shqiptar që t‘i përputhte kufijtë e shtetit të parë me kufijtë natyrorë të kombit shqiptar. Thuajse gjysma e kombit shqiptar u la jashtë kufijve të shtetit. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse kombi shqiptar nuk është në gjendje të reagojë si një popull i vetëm, ndërkohë që ka ditur gjithnjë të reagojë si një komb. Mjafton të kujtojmë solidaritetin gjatë luftës në Kosovë. Përpjekja e serbëve (dhe jo vetëm e tyre) për t‘i paraqitur shqiptarët e lënë jashtë shtetit shqiptar, jo si pjesë e kombit shqiptar, por si tjetër komb (p.sh. si myslimanë) synonte të fshihte gjurmët e krimit, të atij gjymtimi të pamëshirshëm, të asaj padrejtësie që iu bë kombit shqiptar në fillim të shekullit XX. Nuk është e rastit që sulmet më të tërbuara janë drejtuar kundër gjuhës shqipe, sepse gjuha është çimentoja e kombit. Por gjuha mbijetoi dhe, bashkë me të, edhe kombi. I dalë nga një izolim i gjatë komunist, një tiranas mund të udhëtojë në Prishtinë, në Shkup, në Ulqin; të takojë atje bashkëkombësit e tij shqiptarë dhe të flasë lirisht me ta, në gjuhën e kombit. Dhe anasjellas.

* * *

Deri në shpërbërje të RSF të Jugosllavisë, pjesët e shkëputura të kombit shqiptar në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni propagandohej se ishin pjesë e popullit jugosllav. Pra, në dukje, synohej të krijohej përshtypja se nga kombe të ndryshme ishte krijuar një popull, një vullnet politik i vetëm. Ishte e njëjta hipokrizi që ndodhi me kombet edhe në BRSS. E vërteta është se shqiptarët në RSF të Jugosllavisë, madje edhe më pas, deri me rënien e Millosheviçit, nuk arritën të bëhen kurrë pjesë e popullit jugosllav. Të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, nuk kishin kontribut në sovranitetin e shtetit; vullneti i tyre nuk u përfaqësua në parlamentet e Jugosllavisë, madje nën revanshin e ndërmarrë nga Millosheviçi, u asgjësua edhe ai sovranitet butaforik që ishte pikturuar mbi fasadën e krahinës autonome të Kosovës. Shqiptarët në Prishtinë, Shkup apo Ulqin, ishin skllevër dhe jo pjesë e popullit në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sepse nuk mund të jesh pjesë e një populli nëse nuk të njihen të drejtat qytetare, nëse je një individ pa liri. Ata ishin thjesht dhe tragjikisht një pjesë e skllavëruar e kombit shqiptar në kohët moderne.

Shekujt kanë treguar se kombi shqiptar është bërë një realitet i pashkatërrueshëm. Madje edhe në Çamëri, pjesa e kombit shqiptar që e popullonte atë, nuk u zhduk; ajo u përzu me dhunë. Sot është gjallë dhe po kërkon të drejtat e saj. Ndaj shqiptarët nuk duhet të harxhojnë energji duke trajtuar frikëra të kota. Shqiptarët duhet të kuptojnë se ndërsa dje historia i detyronte të shkonin nga kombi te populli, sot rezultatet e saj i detyrojnë të ecin nga populli te kombi. Ata duhet të dinë ta forcojnë demokracinë (tashmë si një vetëqeverisje reale e popullit) në Kosovë e Shqipëri. Dështimi në ndërtimin e realiteteve politike vetëqeverisëse, pra në ndërtimin e popullit (duke përfshirë dhe pakicat) do t‘u krijonte probleme shqiptarëve, fillimisht si popuj, si demokracira, si shtete dhe më pas edhe si komb. Suksesi do t‘u hapte perspektiva të reja jo vetëm si popull, por edhe si komb. Ata do të mund të plotësonin edhe ambicien e tyre më të largët (që konjukturat "diplomatike" jua censurojnë ende shprehjen e ligjshme), në përputhje të plotë me parimet e lirisë, të vetëvendosjes, të bashkëjetesës me kombet e tjerë dhe me proceset integruese euroatlantike. Larg çdo damke shoviniste apo shqiptaromadhe, shqiptarët mund t‘i realizojnë aspiratat e tyre kombëtare vetëm duke qëndruar besnikë të demokracisë dhe lirisë. Liria do të dijë t‘i riformatojë këto aspirata. Por nordi i shqiptarëve duhet të jetë Perëndimi. Banorë të lashtë të një gadishulli si Ballkani, që mbetet ende larg të qenit i çliruar nga shovinizmat, shqiptarët duhet të dinë t‘u kontribuojnë proceseve demokratizuese, edhe në Maqedoni, edhe Mal të Zi, për t‘u bërë pjesë integrale e popujve të këtyre shteteve, me të drejta të barabarta me kombet e tjera të tyre. Dhe nëse përsëri e drejta, liria për të qenë qytetarë si të gjithë qytetarët me kombësi të tjera të këtyre shteteve ju mohohet si kundër ndodhi në ish-Jugosllavi, duhet ta kërkojnë me zë të fortë mbrojtjen e saj, deri edhe në shkëputje. Koha e skllavërisë për shqiptarët kudo që ndodhen ka mbaruar. Por ata duhet të mësohen ta administrojnë lirinë, të jenë popull ose pjesë integrale e cilitdo populli në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Duhet hequr dorë nga një frikë e demoduar për rrezikun e përçarjes së kombit, frikë që do të pengonte zhvillimin e realiteteve politike shqiptare të lira. Shekujt kanë treguar se arteriet e kombit nuk i pret dot asnjë kufi. Mund t‘ia presësh trupin, por jo shpirtin. Dhe, në kundërshtim të plotë me frikën e lindur, është fuqizimi i realiteteve shqiptare si popuj, kudo që janë në Ballkan, që do të fuqizojë edhe realitetin e tyre si komb.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora