E enjte, 28.03.2024, 08:02 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: ''Besa, kod nderi'' ekspozohet në Vjenë

E marte, 22.11.2011, 08:05 PM


''Besa, kod nderi'' ekspozohet në Vjenë

 

Ekskluzive nga Hazir Mehmeti, Vjenë

 

Është kjo ekspozita e parë në Europë pas SHBA dhe Izraelit nga vijnë  edhe autorët e saj.

Pamjet  paraqiten  me 12 fotografi, portrete nga shqiptarët të cilët gjatë Holokaustit ndihmuan hebrenjtë duke i shpëtuar ata nga internimi e vrasja e sigurt. ,,Ndihma e tyre bazohet me Besën si princip etnik. Besa do të thotë ,,mbajtja e fjalës së dhënë”. Atij  i cili e mban fjalën (Besën) mund t’ia besosh jetën tënde dhe të atyre me të cilët gjendesh” thuhet në informatorin  për shikuesit.

Qendra për Përkujtim të 6 milion Hebrenjve  -Yad Vashem  me seli në Jerusalem deri në vitin 2010 i ka dekoruar 69 shqiptarë/e me medaljen ,,Të Drejtit Mes Popujve”. Është shpërblimi më prestigjioz në nderim të të zhdukurve, për ata që strehuan dhe mbrojtën hebrenj kudo në botë. Me këtë kombi shqiptar mund të krenohet si shembull i mirë i një kombi vogël por me zemër të madhe.

  Tubimin e hapi Anemari Türk, nga KulturKontaktAustria. Ajo i përshëndeti të pranishmit të cilët kishin mbushur sallën e teatrit Hamakom. Në mesin e të pranishmeve ishin edha Dr.Vili Minarolli, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Dr. Sabri Kiqmari, Ambasador i Kosovës në Austri.

  Me këtë rast fjalë  mbajtën: Federic Lion, drejtor i teatrit Hamakom; Spiro Koçi, ambasador i Shqipërisë në Organizatat e OKB në Vjenë; Aviv Shir On, ambasador i Izraelit në Austri; Hannah Lessing, drejtor gjeneral i Fondit Kombëtar të Austrisë; Arik Rav On, Drejtor i shoqata Yad Vashem në vendet gjerman-folëse; Andreas Mailath Pokorny, përfaqësues i kulturës nga Landi i Vjenës.

 Mbrëmja u shoqërua me muzikë të luajtur nga anëtarët e Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, violinë dhe Frantisek Jänoska, piano. Muzika ishte e zgjedhur nga krijimet burimore shqiptare dhe  izraelite.

Anemari Türk, në fjalën e saj tha se ekspozita ,,Besa – kod nderi” paraqet një kapitull interesant të hebrenjve në një vend siç ishte Shqipëria, ku populli i tij tregoi guxim, trimëri dhe  nder. Për Shqipërinë, ne dinim nga mjetet tona të informimit vetëm mbi vështirësitë ekonomike e problemet politike

Spiro Koçi: ,,Populli shqiptar është i njohur me kujdesin dhe tolerancën fetare, mirëkuptimin  dhe bashkëjetesën. Kjo u përcoll me gjenerata kështu që racizmi dhe antisemitizmi e urrejtja janë të panjohur për shqiptarët. Në këtë prizëm duhet shpjeguar edhe botëkuptimi që hebrenjtë u pranuan dhe shpëtuan si nga myslimanet, katoliket e ortodokset. Këto ngjarje pozitive njerëzor gjatë kohës më të vështirë në Europë duhet kujtuar dhe ato të jenë bazë e edukatës universale njerëzore .

Aviv Shir On, Ambasadori Izraelit, në fjalën e tij mes tjerash tha: ,, Çdo familje e hebrenjve mund të shkruaj libra mbi peripecitë dhe vuajtjet e tyre duke përfshirë këtu edhe hebrenjtë e Shqipërisë. Janë shkruar libra të shumtë, gjiruar filma njëra nga ato shkrime është edhe ekspozita e sotme. Këta njerëz ia kanë arritur të tregojnë historinë e shpëtimit të tyre nga shqiptarët. Yad Vashem sonte ka sjell një histori të jashtëzakonshme dhe të pa zakontë e lidhur me Besën si kod nderi e morali. Kjo  përmes ekspozitës ua mëson rrugën e drejtë gjeneratave dje e sot se njerëzorja nuk njeh dallime kombëtare e fetare kur njeriu është në rrezik. Kjo është porosia e kësaj ekspozite e cila  dëshiroj të shërbej për vëllazërimin e popujve”.

Hannah Lessing: ,,Ju të nderuar të ekspozitës Besa, keni sjell një projekt të veçantë në Vjenë. Besa është diçka  e pa njohur në Austri. Z.Norman Gershman  na sjell sonte historikun e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Një shqiptar mysliman i cili mbrojti hebrenjtë do të shprehet:,,Të shpëtosh një jetë është një dhuratë nga zoti”. Bërthama e kësaj ekspozite është njeriu, bamirësia e treguar me  tolerancën dhe respektin në ndihmë njeriut pa e pyetur për origjinën se nga vjen apo çfarë religjioni ka”

Arik Rau On: ,,Besa –kod nderi” nga ekspozitat e organizuara  në Amerikë dhe Izrael, ku u prit shumë mirë, si pikënisje e rrugëtimit të mëtejmë edhe në Europë u zgjodh  për të parën herë Vjena . Thënia e përsëritur ,,Një fotografi flet më shumë se njëmijë fjalë” vjen në shprehje edhe sonte. Shoqata jonë e ka detyrë që përmes dokumenteve të  sjellim përkujtimin, komunikimin dhe edukimin. Tek të rinjtë kudo të kultivojmë tolerancë e mirëkuptim . E gjithë kjo në shërbim të  njohjes së të vërtetës së hidhur e cila i ndodhi një populli e kjo të mos përsëritet kurrë më. Dje i ka ndodhur një populli nesër mund t’i ndodhë popullit tjetër”.

  Krahas ekspozitës fotografike rregullisht për  dy muaj, sa do qëndroj e hapur ekspozita, do shfaqet edhe filmi dokumentar i titulluar ,,Shpëtimi në Shqipëri”. Është një film dokumentar i realizuar në Shqipëri i cili e shoqëron ekspozitën që nga fillimi i saj para 3 vitesh në Njujork. Aty paraqitet me fakte ardhja dhe shpëtimi i hebrenjve nga disa shtete. Në Berat 36 familje shqiptare strehuan 600 hebrenj, tregon Johanna Neuman në Uashington DC. Jakob Altarat nga Telavivi i shpëtuar, tregon se në fillim ishin 200 hebrenj, pas ardhjes së tyre nga Maqedonia dhe vende tjera behën 2000,  dhjetë herë më shumë. Kjo lëvizje tregon mbi sigurinë dhe pritjen tejet njrëzore që u bëhej atyre në Shqipëri nga të gjithë shqiptarët pa marr parasysh besimin fetar. Ekspozita do të jetë e hapur deri me 17 janar të vitit 2012.

 

Besa virtyt i veçantë shqiptar

 

Vet fjala Besë në historinë e zhvillimit psikologjik e shoqëror në traditat e pasura shqiptare ka një domethënie të veçantë. Studiues të tërë nga etnologjia, antropologjia,  etimologjia e shkenca tjera u morën me këtë virtyt shqiptar, aq i veçantë dhe aq pozitiv në ruajtjen e kultivimin e nderit si çelësi më pozitive i personalitet. Besa ishte virtyt i lashtë që e përcolli jetën e shqiptarit në shekuj.

Në trevat tona, mjerisht sunduan armiq të egër me vite e shekuj. Ato sollën zakone, fe e kultura tjera, por besa mbeti Besë Shqiptare. Ajo ishte e të gjithëve e jo e një besimi fetar. Ajo mbeti  shqiptare si vlerë e si sjellje. Mbi parimet e Besës njeriu ynë e gjeti rrugën e duhur në situatat më të rënda të tij po edhe  ndaj të tjerëve. Besa  ishte gjithkund në shpirt, në pragun e derës, në sofër, në gjak e në jetë. Vlente sa të gjitha së bashku. Kjo u vërtetua edhe gjatë fushatës shfarosëse kundër hebrenjve në kohën e fashizmit para e gjatë Luftës së Dytë Botërore e njohur si Holokaust. Trevat shqiptare ishin vatrat e sigurta ku u strehuan me qindra e mijëra hebrenj. Ata e kuptuan këtë duke qenë të lashtë ashtu sikur ishin mikpritësit e njohur nga shekujt. Qe nga kohët e hershme u gjetën të mbrojtur jo vetëm hebrenjtë por edhe  grekët,  italianët  edhe pse shpeshherë  ishin ardhur për qëllime jo dashamirëse ndaj shqiptarëve. Të gjithë u mbrojtën sipas kodit zakonor shqiptar, Besës Shqiptare. Shabatai Zevi, një izraelit  gjenial, i cili do shpallet si Mesi dhe reformatori më i spikatur  fetar  sikurse kishte qenë Jezusi-Isa para tij, u soll në Ulqinin shqiptar para katër shekuj(v.1666) nga pushtuesit osmanli, si i internuar nga toka e tij që t’i shuhej zëri e nami. Ai jetoj në gjirin  shqiptar i mbrojtur  derisa vdiq. Edhe sot i është ruajtur varri i tij me emrin e konvertimit të tij me dhunë në islam Efendi Aziz Mehmeti i njohur si Dadai . Këtë duhet ta ketë ditur edhe Norbert Jockli, hebreu  themeluesi i  albanologjisë i cili dha shumë për gjuhën shqipe, jo vetëm si studim por ai fali edhe Bibliotekën e tij personale me mbi 3 mijë tituj. Ai u internua dhe u vra nga nazistet gjerman para largimit të tij për në Shqipëri, për çka ishin përpjekur intelektual e atdhetarë shqiptarë që nga Gjergj Fishta. Hebrenjtë duke njohur besnikërinë dhe trimërinë e shqiptarëve erdhën e u strehuan tek ta. Shumë prej tyre nga shtetet tjera Austria, Gjermania, Hungaria, Mali i Zi, Serbia, Italia, Greqia, Maqedonia, Kroacia. Trevat shqiptare dhe Shqipëria si territor shtetëror i ndarë ishin të vetmet ku nuk u vra e dorëzua asnjë hebre. Këtë mund ta bënin vetëm njerëzit trima e të besës ashtu siç ishin shqiptarët. Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri jetonin rreth njëmijë  hebrenj  kurse pas lufte sipas disa shënimeve disa herë më shumë, diku rreth tremijë. Ata jo vetëm që  nuk u dorëzuan por u mbrojtën si pjesëtarë familje deri me rënien  e fashizmit. Pas mbarimit të kohës së Holokaustit, që njihet si tragjedia më e rëndë  njerëzore e shkaktuar nga njeriu, shumica e hebrenjve u shpërngulën në vende të origjinës apo vende tjera por me vete marren kujtimet e pa harruara. Ato u bënë e do bëhen burim për skenar filmash, ekspozitash, romanësh, dramash e krijimeve artistike.

Pikërisht nga këta hebrenj të shpëtuar, nipat e mbesat e tyre u përcoll mesazhi i prindërve e gjyshërve që e mira kurrë të mos harrohet. Nga këtu filloi mbledhja e dëshmive, dokumenteve, fotografive e materialeve arkivore dokumentuese. Fotografi amerikan Norman H.  Geshman mblodhi fotografi nga vetë hebrenjtë që e provuan  ngrohtësinë e vatrës shqiptare me besë e nderë për mikun kur gjendët ngushtë. Ai ishte në Shqipëri të vërteton ato që kishte dëgjuar. I   mahnitur nga faktet dhe dokumentet ai organizoi një ekspozitë të llojit të vet në Hapësirat e OKB-së në Nju Jork ,  me rastin e Ditës në Kujtim të Holokaustit (v. 2008),  Washingoton DC   me fotografi autoktone të atyre që nën mbrojtjen e besës u strehuan nga shqiptarët gjatë pushtimit nazist. Ekspozita u hap edhe në Jerusalem ku u përcoll gjerësisht nga mediat vendore e të vendeve tjera. Familjet që strehuan hebrenj nuk ishin vetëm familje myslimane por edhe katolike e ortodokse të cilët i strehuan në vende të veçanta hebrenjtë ku i ushqyen e mbrojtën.

 Besa Shqiptare është institucion kombëtar shqiptare e jo fetare, është edhe më e vjetër se Muhamedi e Jesu Krishti. .  Ata mësuan nderë e besë më vonë se njeriu ynë i trojeve të lashta mijëra vjeçare. Andaj para Kuranit dhe Biblës vjen kodi i nderit, Besa.  Kjo është Besa Shqiptare, e veçantë dhe shenjtë e shqiptarëve.

 

Literatura:

1.Broshura informative ,,Besa-kod nderi” f.1,2

2. Viti 2011 Yad Vashem The Holocaust Martyrs' and Heroes' Remembrance Authority, Jerusalem

3.Schtewan Schwarz,,Besteller Sarajevo sose” f.255

4.H.Ulqinaku ,,Ulqin, ti kala” 2011, f.

5.WikiBooks: Letra e Gjergj Fishtës drejtuar Françesko Jakomonit ,7 prill 1939

6.Mechthild Yvon ,,Das Schicksal des Albanologen Norbert Jokl und seiner Bibliothek”-studim

7.Evelyn Adunka: Der Raub der Bücher. Über Verschwinden und Vernichten von Bibliotheken in der NS-Zeit und ihre Restitution nach 1945. Wien 2002, S. 102-105, 156-161, etj.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora