E premte, 19.04.2024, 12:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (VI)

E hene, 21.11.2011, 09:01 PM


HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI”

- Dom Nikollë Kaçorri -

 

(Pjesa - 6)

 

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

 

5. VITET 1910-1912

 

Në prag të Kryengritjes së përgjtihëshme të vitit 1911, xhonturqit, ma me egërsi se paraardhësit e tyne, ndërmorën një valë arrestimesh.

Ata ndiqnin me shqetësim veprimtarinë e Imzot Kaçorrit. Në selinë e tij në Durrës vinin atdhetarë nga të gjitha anët: nga Ohri e Tirana, Kruja e Shkodra, Kosova e Mati, Lezha e Mirdita.

Ndjekja e Imzot Kaçorrit nga ana e “hafijeve “ turke kishte fillue që më 1903, e sidomos gjatë Kryengritjes së Kurbinit në vitet 1905-1907, tue pa ndikimin e tij të madh në popull pa dallime fetare. Në fakt ai ishte njeriu ma i përfolun si në Stamboll, ashtu edhe në Vjenë, që në vend që ta mbronte, si shtet protektor i katolikëve shqiptarë, shikonte tek Imzot Kaçorri “të pabindunin”, që po përshpejtonte ngjarjet. Vetë Veziri i Madh (kryeminsitri) i kishte kërkue Vjenës të ndërhynte për të frenue veprimtarinë e tij.

Pjesëmarrja dhe roli i tij në Kongrese, mbrojtja që i bani alfabetit latin, roli i tij në ngritjen e shkollave në Durrës e Krujë, mosbindja haptas ndaj çdo urdhëni të pushtetarëve, çoi në arrestimin e tij me 18 qershor 1910.

Imzot Kaçorrit iu mohua e drejta e fjalës në gjyq, sepse e njihnin gojëtarinë dhe guximin e lurianit trim dhe e dinin se mund t’u nxirrte shumë telashe gjatë mbrojtjes. Por i kishin ba llogaritë gabim. Avokati gjirokastrit Dalip Efendiu i bani Atij një mbrojtje të shkëlqyeshme, aq sa proçesi i Tij u zgjat për rreth gjashtë muej e në të gjitha instancat, tronditi Durrës, Shkodër e deri Stambollin, aqsa u detyruen ta lironin nga burgu në mars 1911.

Imzot Kaçorri nuk humbi kohë: Sa u njoh me zhvillimin e ngjarjeve prej miqëve të shumtë që erdhën ta përgëzonin në Durrës, si vizitoi Kthellë, Selitë e Bushkash, u nis menjëherë në Lurën e tij, që të takonte atdhetarët e të ndihmonte në organizmin e Kryengritjes.

Para se të niste Kryengritja, Ai bani gjithçka, që me urtësinë dhe autoritetin e Tij, të ndikonte në dy drejtime:

a) Heqja dorë nga përçamja dhe gjakmarrja;

b) Bashkërendimi i veprimtarisë në mes krahinave, që kryengritja të ishte e përgjithëshme dhe një e vetme.

Hapi i parë që Ai ndërmori ishte organizmi i një kuvendi për një Besëlidhje të re, që u mbajt në Lurë me pjesëmarrjen e parisë së Matit, Dibrës, Kurbinit, Lezhës e deri Shala e Shoshi.

I shoqnuem nga dy djem besnikë, Hilë Kançi e Stefë Kaçulini, Ai shkeli pothuej gjithë Veriun, deri në zonat shqiptare në Mal të Zi. Tashma votrat e zjarrit që ishin  ndezë në mbarë vendin, duheshin bashkue. Ishte koha kur turqit, të gjendun nën zjarr të gjithanëshëm, u përpoqen të banin paqë me kryengritësit, një paqë dinake, me secilen krahinë veçmas, por kudo propozimet e tyne u hodhën poshtë e këtu pat një rol shumë të randësishëm mendja dhe guximi i Imzot Kaçorrit. Ai, përkundrazi, u kthye në Durrës më një mision shumë të randësishëm: të siguronte armë për kryengritësit.

Aksioni i çarmatosjes se popullsisë, i ndërmarrë gjatë vitit 1910, e kishte gjetë, veçanarisht sanxhakun e Durrësit, të çarmatosun. Gjithçka bani Imzot Kaçorri për sjelljen e armëve nga Trieste asht një vepër gjigande, që do të meritonte studim të veçantë. Po kufizohem të them se në këte ndërmarrje të jashtëzakonshme (ai siguroi armët për pothuej gjithë Veriun e Shqipnisë) pat mbështetjen poaq të jashtëzakonshme të atdhetarëve durrsakë Saida Kërtusha, Jahja Ballhysa, Hysen Fani, Sabri Dermani etj., të cilët besonin verbnisht tek idealet e Imzot Kaçorrit, e ndiqnin dhe e mbështetnin Atë pa iu trembë asnjë rreziku, qoftë edhe me jetë. Jo vetëm në kushtet e terrorit ma të egër turk, por edhe në rrethana të tjera krejt të favorshme, zbarkimi, transportimi dhe shpërndamja e armëve nga Shqipnia e Mesme e deri në Malësi të Mbishkodrës do të ishte një ndërmarrja e pamundun; natyrisht, jo për një gjigand si Imzot Kaçorri, që nuk e njihte të pamundunën kur fjala ishte për liri të Atdheut.

Si u asiguruen armët, me 3 qershor 1911, rreth 500 kryengritës, mirditorë, lurianë, matjanë, kurbinas etj., sulmuen forcat osmane në Lezhë, arrijtën të shtinin në dorë një depo armatimi tue marrë armatimin dhe municionin që gjendje aty. Ishte aksioni i parë i randësishëm i atij viti, që do të ndizte flakë mbarë vendin në luftë kundër pushtuesëve.

Si kundërmasë të parë turqit arrestuen pothuej të gjithë atdhetarët katolikë të Durrësit, tue mendue se kishin qenë ata që kishin mbështetë Imzot Kaçorrin për armatosjen e kryengritësve, pa u shkue në mend se atdhetarët muslimanë të Durrësit e të rrethinave kishin vu në dispozicion të Imzot Kaçorrit djemtë e tyne ma të mirë, anijet, pasuninë e gjtihçka tjetër që u kishte kërkue meshtari trim. Gjithçka e organizonte Ai, e frymëzonte Ai, edhe pse fizikisht ato dit gjendej në mes kryengritësve në krahinën e Fanit tue organizue përgatitjet për të përballue ushtrinë e Shefqet Durgut Pashës prej rreth 70.000 vetësh, që ishte drejtue kundër zonave kryengritëse.

Por me gjithë gjakun e derdhun, kërkesa kryesore e kryengritësve për autonomi të trojeve shqiptare nuk u plotësue nga Stambolli. Në këto rrethana, Komiteti i Përgjithëshëm i Kryengritjes, ku bante pjesë edhe Imzot Kaçorri, në vjeshtën e vitit 1911 u muer intensivisht me organizmin e një kryengritjeje të re e të përgjithëshme pranverën e vitit 1912. Duhet thanë se lëvizja e armatosun nuk kishte pushue një çast, por ajo nuk ishte e bashkërendueme: luftohej në Kosovë, luftohej në Hot e në Mirditë, në Dibër e në Kurbin, por pa një drejtim të unifikuerm, siç do të kishte dashtë e kambëngulte gjithmonë Imzot Kaçorri. Përpjekjet e turqëve për t’i përça kryengritësit nëpërmjet disa pashallarëve shqiptarë, dështuen, sepse ndikimi i fjalës dhe respekti që gëzonte Imzot Kaçorri tek ata, ishte shumë ma i fuqishëm sesa e disa pashallarëve të nënshtruem ndaj osmanëve.

Me 12 mars 1912 malësorët e Bregut të Matës, të Ishmit e të Kurbinit, kryen sulmin e parë të fuqishëm te Kepi i Rodonit. Sulmet vijuen në Shijak, Zadrimë, Kthellë e kudo ishte e mundun që të siguroheshin armë, që të bahej i mundun sulmi i përgjithëshëm.

Ndërkohë edhe Kosova, e prime prej legjendarit Isa Boletini, ishte ngritë rishtas në kreyngritje.

Administrata turke, e bindun për rolin e Imzot Kaçorrit në organizmin e kryengritjes, bante gjithçka të siguronte të dhana për ta sulmue, po ai lëvizte në të gjithë Veriun e kthehej herë mbas here në Delbinisht, qendër e përkohëshme e Arqipeshkvisë, i mbrojtun nga gjithë populli, sidomos bashkëpunëtorët e tij besnikë Hilë Kançi e Stefë Kaçulini.

Duhet thanë se Imzot Kaçorri gjatë kësaj periudhe nuk pat as përkrahjen e duhun të Vjenës, ashtu si do ta kishte për detyrë, si shtet protektor i katolikëve (H. Isufi këtu e tepron tue u mbështetë në relacionet e ndonjë konsulli, që nuk përfaqësojnë gjithmonë makropolitiken e një shteti, e thotë se “Qëndrimi i Vjenës ndaj Dom Nikollë Kaçorrit, nuk ishte më pak armiqësor, se sa ai që kishin qeveritarët e administratës osmane në sanxhakun e Durrësit dhe në vilajetin e Shkodrës”. Mbasi shtjellon disa intriga jo fort bindëse kundër Imzot Kaçorrit, Isufi sjell edhe pjesë nga relacioni i konsullit austriak në Durrës, Lovental, drejtue MPJ në Vjenë, lidhun me propozimin për emnimin e Imzot Kaçorrit arqipeshkëv i Durrësit: “... Marr leje që të rakomandoj nga ana ime për një mbështetje në mënyrën më të nxehtë .... që të bëhet një pëfrkrahje energjike e kandidatruës së Imzot Kaçorrit”.)

Pavarësisht nga mbështetja austrohungareze apo jo, lufta kundër sundimtarëve turq aty nga fundi i prillit bahet përditë e ma të shpeshta, qoftë në sanxhakun e Durrësit, ashtu edhe në Mirditë, Zadrimë etj.

Lidhja me Luigj Gurakuqin në Shkodër ishte gjithashtu një hap i randësishëm drejt kryengritjes së përgjtihëshme. Në këto marëdhanje, ashtu si në gjithë veprimtarinë atdhetare të Imzot Kaçorrit, një rol shumë të randësishëm pat rishtas Stefë Kaçulini.

Nga Durrësi e drejt Durrësit lëvizjet e atdhetarëve baheshin gjithnjë e ma të shpeshta. Një ndër ata që shkoi tek Imzot Kaçorri në atë periudhë ishte edhe Hilë Mosi, përfaqësues i Komitetit të Kryengritjes në Podgoricë, përfshi edhe një pjesë të madhe të Malsisë së Mbishkodrës.

Ndërkohë, lëvizja atdhetare në Durrës e rrethina vazhdonte ma me vendosmëni drejt kryengritjes së përgjtihëshme, por duheshin ende armë, një ndër arsyet kryesore që atdhetarët nuk përshpejtonin ngjarjet.

Imzot Kaçorri, që nga Biza, ku ishte strehue për t’i ikë një arrestimi tjetër, organizoj furnizmin me armë, kësaj here jo ma nga Trieste, por nga Korfuzi.  Pa hy në hollësi të kësaj ndërmarrje të jashtëzakonshme, mjaftohem të them se Ai ka qenë armatori numur një ne vitet 1905-1912 për zonën nga Durrësi deri në Lezhë, Mirditë, Fan, Lurë, Kurbin etj. Kjo dëshmohet edhe nga relacionet e shumta Durrës-Stamboll, apo Shkodër-Stamboll, të burimeve konsullore, por sidomos të administratës osmane.

Ndërkohë Ai lëvizte me bashkëpunëtorët e tij Saida Kërtusha, Hilë Kançi e Stefë Kaçulini nga një krahinë në tjetrën me synim bashkërenditjen e veprimeve nëpërmjet një lidhje të re e të fortë. Këtë qellim pat edhe Kuvendi i Zejmenit i datës 11 maj 1912 i organizuem me mbështetjen e vëllazënve Coku ku morën pjesë përfaqësues të Mirditës, Kthellës, Selitës, Malësisë së Lezhës, Kurbinit e Bregut të Matës, besëlidhje së cilës pak ma vonë iu shtuen edhe Dibra e Mati. Menjëherë filluen edhe sulmet kundër turqëve, si në Kurbin e në Breg të Matës.

Tashma qellimi kryesor i Imzot Kaçorrit i kapërcente shumë organizmin e sulmeve luftarake në zona të veçanta. Komiteti i Kryengritjes për Shqipninë e Mesme, me Imzot Kaçorrin mendje e frymëzues, e ku banin pjesë atdhetar si Abdi Toptani, Sali Nivica e Stefë Kaçulini, i vuni vehtes si qellim kryesor lidhjen në mes komiteteve ndërkrahinore. Këte detyrë jetike për kryengritjen e morën përsipër pikërisht Imzot Kaçorri dhe Sali Nivica.

Biri i Kurveleshit Sali Nivica, i emnuem mësues në gjimnazin e Durrësit më 1909 (atëherë vetëm 19-vjeç djalë), u lidh me mish e me shpirt me lurianin trim, që çashtjen e lirisë e kishte kthye në qellim të vetëm të jetës së tij. Askush, në vitet 1903-1912, nuk qé ma aktiv se Ai në lëvizjen kombtare për liri. Ndërsa lëvizja e armatosun në qershor 1912 kishte shpërthye pothuej se kudo, dy miqtë e bashkëpunëtorët, Imzot Kaçorri e Sali Nivica, shkelen anë e kand Shqipninë për të koordinue veprimet luftarake. Ndërsa i pari shkeli gjithë Veriun e deri në Kosovë, Sali Nivica nisej për në Berat, Vlonë, Delvinë e Gjirokastër. Korrispondenca e këtyne dy atdhetarëve gjatë asaj periudhe asht një burim autentik e shumë i randësishëm për historinë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora