Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Rrufjani

| E diele, 20.11.2011, 09:04 PM |


RRUFJANI

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E kam thënë edhe më herët në një shkrim timin për veprimet e fshehta nga UDBA jugosllave në lidhje me aktivitetet “patriotike” të Rrufjanit. Vetëmse, në atë shkrim i kam rënë kalimthi si shkrimtar, nuk i kam kushtuar gjithaq rëndësi si problem shqiptar. Bile, e kam “tepruar” pak me ndonjërin që e kam futur edhe si personazh në libër. Faji nuk ka qenë imi, po i atij partizani teknefes që nuk pushonte së vepruari edhe gjatë ndryshimeve demokratike, na merrte më qafë në polici me shpifje gjoja antishtetërore. Përmëtepër, Rrufjani është i përkëdheluri i shtetit policor. Dumdum i shëtitur nëpër parti politike e poste në Qeveri… Ministri… Institucione të shtetit... Universitete… Redaksi... Intelektual i përshtatshtëm me dy-tre vende pune. Anëtar i tre Akademive të Shkencave dhe Arteve. Veteran lufte me dy-tre pensione të shteteve ish Jugosllave. Dhe, honxhobonxho me honorare marramendëse si anëtar i komisoneve të ndryshme arsimore e kulturore në përpilimin e planprogrameve shkollore, Letërisë maqedonase, Enciklopedisë maqedonase, Antologjive të poezisë shqipe, Festivaleve të Mbrëmjeve të poezisë, rrumaduc i ndarjeve të çmimeve republikane...

       Qëllimisht, kësaj radhe nuk do të merrem me persosanzhet e mi nëpër libra, po do të rrokem fytas me një fenomen interasant shqiptar, do të ndalem pak më gjatë në “flijimet e tyre artistike” antishqiptare, që për fat të keq i vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

       Falë Zotit, erdhi koha që kësaj radhe të gërmoj pak më thellësisht në këto veprime të shërbimeve sekrete antishqiptare, gjoja në shërbim të popullit dhe shtetit. Faktet t’i nxjerr këmbëkryq mbi sipërfaqe për mejdani me argumente. Dihet, kam humbur shum kohë dhe pasuri të patundshme e të tundshme duke e vënë edhe jetën në rrezik për të ardhur deri te ky përfundim “policor-letrar”. Nuk ka gjithaq rëndësi kjo dukuri negative në këtë shkrim artistik. E rëndësishmja është, që unë mbeta gjallë dhe ia arrita qëllimit, hedhë gjithë marrëzitë e asaj kohe të errët në libër. E di edhe këtë pyetje, ju do të pyesni si lexuesë, si arrite deri te ky “zbulim shkencor”, kur gjithë jetën ke qenë jashtë sistemit?! E vërtetë, kam qenë jashtë sistemit, por me orë të tëra kokë më kokë me miq brenda “sistemit artistik” në bibliotekë, mes librave me kapakë të trashë nëpër rafte. Asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo kohë policore e shërbimeve sekrete, në krahasim me sistemin e sotshëm “demokratik”. Realisht,  kjo kohë e dalldisur është edhe më e rrezikshme, në emër të fjalës së lirë, mendimit ndryshe në “demokraci” me gjithë këto parti politike shqiptare. Shqiptari edhe në këtë kohë “demokratike” vazhdon të ndiqet hap pas hapi, dënohet me burg dhe vritet si qeni në rrush.

       Gjatë gjithë jetës time si shkrimtar i kam kaluar të gjitha provokimet policore: edhe spiunimin, edhe patriotizmin e rrejshëm, edhe bisedat informative në polici, edhe helmimet, edhe zjarret pasmesnate në banesë, edhe vdekjet klinike, edhe aksidentet e komunikacionit në rrugë… Edhe, Kopenë me zgjebe, që ende vazhdon ta ndjek Autorin. Uaaa, do të bërtisni ju nga gëzimi! Fitore e shekullit! Jo. Zoti ashtu deshi, që unë të mbetem gjallë mes gjithë këtyre përndjekjeve e fatkeqësive të papara deri më sot, të rrëfej për një histori të dhimbshme, që shqiptarëve u përsëritet brez pas brezi nëpër shekuj. Dorën në zemër, për raste të një historie të këtillë kanë shkruar edhe paraardhësit tanë rilindas, po jo si unë në këtë analizë publicistike që e kam përjetuar në shpirt dhe e kam pasur gjithë jetën pas shpine si hije.

       Interesant, shqiptarëve gjithmonë po u përsëritet historia. Edhe atë: jo vetëm historia, por edhe metodat e njëjta të përndjekjes policore. E kam thënë me qindra herë nëpër shkrime e libra: Sllavët e kanë studiuar shumë mirë nëpër institucionet e tyre akademike shtetërore mentalitetin shqiptar. Edhe, dinë më shumë për ne si popull, sesa vetë shqiptarët për historinë e tyre të bujshme luftarake.

       Përçudi, them prapë me vete, se si përsëritet historia: edhe koha e sotshme si e djeshmja. Përsëri, si në atë kohë, “spiunët” dhe “patritotët” edhe sot na i shpallë UDBA jugosllave. Dallimi, kësaj radhe na i shpallin me anë të Komisionit Lustror të miratuar nga Parlamenti me Ligjin për Lustrim. Shqiptarët, edhe në këtë kohë nuk mund të qahen se nuk kanë përfaqsuesë në këtë Komision për Lustrim me propozime të partive politike shqiptare. Tjetër punë është ajo se, kush janë ata emra të anëtarëve me “biografi të pastra politike”: ku kanë punuar në kohën e komunizmit, e ku punojnë sot në këtë “demokratike”. Punemadhe, edhe kjo nuk prish punë. Dëmi që u kanë bërë ata rrufjanë  me denoncime e shpifje shumë individëve të pafajshëm, nuk shpaguhet sot vetëm me “zbulimin” e spiunëve. Shqiptarët kanë pasur funksione të larta në ish shërbimet sekrete policore edhe të nivelit republikan jugosllav, po nuk u bë nami, nuk e zbuluan Amerikën. E, as patën guximin intelektual si funksionarë shqiptar të shpallin: Shqipëri Etnike.

       Fatkeqësisht, edhe ky Komision i Lustrimit nuk i ndryshoi metodat e punës policore, po mu si dikur UDBA jugosllave na i “shet” shumë lirë spiunët shqiptar si zarzavate të kalbura në Bit-Pazar. Herë me anë të “pëllumbave postier”, herë me anë të Komisionit të Lustrimit, e herë me anë të mjeteve të informacionit me tru neokomunist.

       Vite më parë spiun e shpallën edhe Menduh Thaçin, kryetarin e Prtisë Demokratike Shqiptare. Kohën e fundit Ali Ahmetin, Komandantin e ish UÇK –së dhe kryetarin e Bashkimit Demakoratik për Integrim. Musa Xhaferin. Dhe, Dajën. Spiun e shpallën edhe një ish gazetar dhe ish ambasador në Kroaci. Edhe, atë: Përçudi, kur njëri nga anëtarët e Komisionit Lustrues është shqiptar, bashkë me të kanë punuar vite me radhë si gazetarë e redaktorë në të njëjtën redaksi të një gazete të përditshme në gjuhën shqipe. Spiun e shpallën edhe një ish deputet dhe kryetar partie demokratike. Edhe ndonjë tjetër politikan, që hë për hë nuk më kujtohet emri. Edhe vazhdon shpallja e spiunëve. Mirë, them unë mes këtyre rreshtave, po këta personalitete politike kanë qenë dhe janë në sistem, nëpër funksione të larta të shtetit. Ndonjëri, edhe kryetar partie. Tjetri, ministër në Qeveri. Tjetri deputet i popullit me dy-tre mandate në Kuvend. Nuk e dinte shteti juridik se, këta kanë qenë ish bashkëpuntorë të shërbimeve sekrete, që pas njëzet vjetëve t’i shpallë spiunë?! Qerrja moti na është thyer në mes të rrugës. Vetëm zgjedha u ka mbetur qeve në qafë. Tashti gjetëm rrugë, po nuk kemi qerre. Në rregull, do të thoni ju: i kemi qetë. Zbulim i vitit, Komisioni Lustrues për t’i shpallur spiunë, pritet nga opinioni edhe dy akademikë shqiptar. Po, ja që deri më sot, Komisioni Lustrues ende hamendet, nuk i shpalli “pehlivanët” e Shkupit.

       Persëri, të mos përzihem shumë në punët e Komisionit Lustrues dhe shtetit “demokratik”, do të kthehem edhe pak te koha e “artë” komuniste. Sistemi i atëhershëm policor jugosllav, vërtetë për shqiptarët nuk hapte shkolla shqipe dhe universitete,  ama ndërtonte burgje. Shqiptarët dyert e burgjeve në atë kohë i kishin të hapura krah më krah. Mjaftonte ta dëgjosh Radio Tiranën, lexosh “Lahuta e Malcis” të Fishtës, “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, ndonjë libër këndimi që kishte mbetur ende i fshehur hatullave që nga koha e Ernest Koliqit si ministër i arsimit. Dhe, hop të nesërmen, të shpallnin “armik të popullit dhe shtetit”, të rrasnin më së paku pesë vjet në birucë. Në burg të rrasnin edhe për romanin “Tradhëtia” të Kapllan Resulit, që UDBA jugosllave nga njëra anë e ndalonte si “libër të rrezikshëm për shtetin”, e nga ata tjetër ta jepte përmes “patriotëve” kuqezi ta lexosh fshehurazi në shtëpi. Të nesërmen, papritmas të bastiste në shtëpi, të kapte me pelë për dore, libër të “ndaluar dhe të rrezikshëm” për shtetin. Punë të madhe afirmative propagandistike “armiqsore” bënte UDBA jugosllave për shkrimtarët e saj që kishin “ikur” në mes të ditës matanë kufirit. Librat e “ndaluar” të Kpallan Resulit ishin nëpër raftet e Bibliotekës Universitare “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, dhe mund t’i lexoje në çdo kohë pa asnjëfarë problemi politik. Një grep i rrezikshëm ishte edhe ky, të shënonin si lexues të dyshimtë në listën e irredentistëve, po së paku ta jepnin vetë në bibliotekë, nuk kërkonin pëgjegjësi dhe prova për të të rrasur me vite në burg. Mos flasim këtu edhe për raste edhe më të rënda “terroriste” kundër shtetit komunist. Vaj halli për ty, nëse lëvdoje para “patriotëve” kuqezi Shqipërinë. Ose, thërrisje në rrugë: Kosova - republikë! Patjetër, duheshte t’i lash duart një herë e përgjithmonë nga liria.

       Vonë, shumë vonë shqiptarët e kuptuan të vërtetën misterioze se, burgjet ishin vende përmisimi, nuk ishin universitete. Edhe, për atë kohë sipas sistemit të atëhershëm komunist, edhe më të nevojshëm se shkollat shqipe. Vite më vonë gjatë ndryshimeve demokratike, Partitë Politike Shqiptare burgën e morën si universitet shqiptar. Shumicën e të burgosurve i përqafuan si anëtarë në radhët e tyre politike. E harruan se, pak vetë nga ato burgje famëkeqe jugosllave dolën me mend në kokë. Shumica nga ta, kurrë nuk e panë lirinë, u kalbën ose vdiqën në qelitë e Goli Otokut dhe Idrizovës. Ndonjëri, në pleqëri  mezi doli nga burgu i çmendur. Tjetri, peder. E shumica spiunë…

       Mallkim kombëtar, përderisa “spiunët” dhe “patriotët” edhe sot na i shpallin të tjerët, si në kohën e komunizmit, kur të duan dhe sa herë të duan sipas rrethanave politike. Rasti ma kujtoi edhe një “spiun” të asaj kohe komuniste. E përhapën në gjithë katundin se spiun ishte shoku Mito. I gjithë katundi iknim nga ai si prej dreqit. I ruheshim në biseda rasti, nuk flisnim para tij asgjë politike. Vetëm, na vinte çudi nga e dinte policia çdo gjë që ndodhte në katund?! Flamurin kuqezi, kush e hipi në minare të xhamisë. Cili mbante armë pa leje në shtëpi. Kush e këndoi këngën e Kalosh Zajazit në dasëm. E, kush e shkrepi revolen për dritare, kur zbriti nusja në lëmë… Edhe, në fund e dini kush kishte qenë spiuni i katundit?! Jo, nuk e dini: Hoxha dhe “patrioti” kuqezi.

       Me siguri, ju doni të dini edhe për mua si shkrimtar, pse ende deri më sot nuk e bëra asnjë ditë burg?! E, në anën tjetër e lexoni kudo emrin tim nëpër organizata të ndryshme nacionaliste e irredentiste. Nuk e di as vetë, se si kam hy dhe kush më ka shti nëpër ato lista revolucionare, që sipas një bisede informative që pata në polici (1993), u binda edhe vetë se ato lista “armiqsore” i posedonin edhe shërbimet sekrete të shtetit. Në atë bisedë informative kuptova edhe se, unë isha i dërguar nga Kosova që të veproj në Maqedoni. Qindra mijëra marka i kisha dërguar Partisë Socialiste në Shqiperi. Qesharake, ishte edhe ajo se kisha pasur disa takime të fshehta në Bullgari, kur unë në atë kohë nuk kisha as pasaportë udhëtimi. Vitin e kaluar (1992) kisha botuar edhe një libër me satira (Trumbetat e Tellallit). Librin e kemi të përkthyer fjalë për fjalë në gjuhën maqedonase, është thikë me dy teha, tha inspektori që më mori në pyetje. Edhe, kulminacioni i bisedës informative se: unë isha ai kryesori që çështjen e shqiptarëve dua ta zgjidh me luftë. Qesha. Dhe, aty për aty iu përgjigja. Unë dua të jem ky që thoni ju, por fatkeqësisht nuk jam Ai kryesori. Fundi i fundit ju e dini se unë nuk kam edhe pasaportë udhëtimi. Jo, ndërhyri inspektori, ne kemi informata të sakata nga bashkëpuntorët tanë të sigurimit. Akuzën e  kanë nëshkruar njëzet veta, do t’i shohësh nënshkrimet e denoncuesve? Jo, ia prita nuk ka nevojë. E mora me mend se kush ishin ata “patriotë” kuqezi me të cilët kisha pasur edhe disa polemika të ashpra rreth librit, Trumbetat e Tellallit (1992)  në gazetën e tyre policore-shtetërore: gazetarë, shkrimtarë dhe redaktorë në redaksi. Fundi i një pjese të kësaj historie të hidhirr që në atë kohë ma përgaditën rrufjanët. Zoti siç duket është i madh, rastësisht shpëtova nga burgu.

       Vërtet, nuk bëra asnjë ditë burg, jo se i jam trembur burgut, po shkaku se më shumë u kam besuar “spiunëve”, sesa “patriotëve” kuqezi. Ndoshta, edhe kam humbur diçka të vlefshme në jetën time si shkrimtar, ta zëmë bilbiotekën e pasur me libra në Idrizovë. Ose, ndonjë zanat tjetër me vlerë, që do ta mësoja në burg dhe nuk do të më lente sot pa punë rrugëve. Nuk e di. Një gjë e di të sigurtë, bariu i katundit tim shkoi në burg analfabet, dhe nga andej u kthye piktor. Kushëriri im, poashtu gjysëm analfabet, u kthye nga burgu me gjuhë standarde letrare shqipe. Dhe, që në atë kohë komuniste, në dyqanet e maqedonasve pazarin e bënte në gjuhën letrare shqipe. Skënderbeun pa frikë e vizatonte mureve shtëpi më shtëpi nëpër katund. Përçudi, nuk e merrnin më përsëri në burg. Përgjegjësit e burgut thonin: nuk e marrim se na bën probleme me të burgosurit, i meson ta vizatojnë Skënderbeun qeli më qeli. Prandaj, më e arsyeshme është ta vizatoj Skënderbeun nëpër katund se sa bashkë me të burgosurit në qelitë e burgut. Ne ia sigurojmë fjetjen, bukën e ai na e përmbys kupën. Edhe në burg bën propagandë shqiptare. Nuk na duhet ky hallexhi. Merreni dhe bëni çka të doni me të në katund! Rast interasant ky me kushëririn tim se si i shpëtoi edhe ai burgut komunist.

       Tashti më kushëriri im nuk e ka atë problem politik, Skënderbeun e ka në Bit-Pazar me gjithë kalë me shalë. Vetëmse, përçudi sot Skënderbeun e duan maqedonasit, po nuk e duan halldupët shqiptar. Vështirë e kanë t’ia përmendin edhe emrin, vazhdojnë t’i lënë takimet e punës dhe për çaj rusi te “Kali”.

      Në këtë shkrim mos harroj t’jua përkujtoj edhe një thënie të gjermanëve në kohën e fashizmit, kur i pushtuan tokat shqiptare. Kohë kjo, e Marrëveshjes Historike Shqiptaro-Bullgare. Gojën plot, thanë për shqiptarët: Shumë para kemi harxhuar për spiunët nëpër botë. Përçudi, shqiptarët këtu qenkan spiunë pa pare. Frikë kam edhe se, halldupëve shqiptar u pëlqen nofka: spiun…

        Burra, ndaluni me shpifjet dhe denoncimet! Edhe spiunët, edhe patriotët do t’i shpallim vetë ne si shqiptarë. Mjaftë më na i shpallën para dyerve të oborrit rrufjanët e djeshëm komunistë dhe “vëllezërit” e Njerkës me anë të “pëllumbave postier”!

       Dhe, në fund: shqiptarët duhet t’ua zgjasin dorën e pajtimit “spiunëve”. Dhe, përzënë nga radhët e veta të partive politike shqiptare “patriotët” kuqezi…