E enjte, 25.04.2024, 01:35 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Ushqimet që na kurojnë sëmundjet

E diele, 24.02.2008, 01:26 AM


Shkruar nga Blerina Kaca  - TO  

Mjekësia moderne duket të ketë një lidhje organike jo vetëm me frutat dhe perimet që konsumojnë në përditshmëri, por edhe me punën tonë, me oraret e gjumit, me konsumimin e sasisë së alkoolit, përdorimin e kremrave, ndryshimin e stinëve e çfarë është më e çuditshmja edhe me deodorantët apo parfumet që në shumë raste bëhen shkak për zhvillimin e sëmundjeve kanceroze të lëkurës.Pak janë ata që e dinë, se arrat dhe bajamet pakësojnë diabetin apo që punonjësve të zyrave iu kërcënohet një rrezik i madh për shëndetin e tyre,
 
siç është trompoza, që meshkujt të cilët lahen me ujë shumë të ngrohtë rrezikojnë të mbeten sterilë, që peshku të shpëton nga hemorragjia cerebrale apo që shega ndihmon punën e zemrës, tetraciklina ndalon përhapjen e kancerit, vaji i ullirit të zgjat jetën, që pickimet e mushkonjave shërohen me lëkurën e bananes e shumë të tjera si këto. Pikërisht për këtë arsye, gazeta “Tirana Observer” sjell një përmbledhje në një suplement, të gjitha lidhjet e mjekësisë me frutat, sendet, objektet, mjediset e lartpërmendura. Ndër të tjera, në suplementin e sotëm janë sqaruar të gjitha medikamentet që duhet të mbajmë në shtëpi dhe ato që janë të dëmshme, dhe që nuk duhen përdorur kurrsesi pa rekomandimin e mjekëve pasi, mund të shkaktojnë ndërlikime shumë të rënda. Veç kësaj në numrin e sotëm do të gjeni edhe 28 shfaqjet e frikës, çfarë e shkakton atë dhe si emërtohen në gjuhën mjekësore.

Diabetikët, të rrezikuar edhe nga sëmundja e veshkave

Problemi më i shpeshtë tek personat që vuajnë nga diabeti është ajo që quhet nefropatia diabetike. Nefropatia diabetike është një ndërlikim tepër serioz i diabetit të sheqerit, që ka në bazë të tij dëmtimet specifike të arterieve të vogla të lëmshit klomerular të neuroneve, të cilat janë njësia bazë strukturore dhe morfologjike e veshkave. Nga nefropatia diabetike sëmuren si diabetikët me diabet tip një dhe ata me diabet të tipit dy. Nefropatia diabetike te diabetikët me tip një shfaqet të paktën 5 ose më shumë vitesh pas fillimit dhe diagnostifikimit të diabetit të sheqerit. Ndërsa te diabetikët me tip 2, ky ndërlikim mund të zbulohet në të njëjtën kohë kur diagnostifikohet dhe diabeti i sheqerit.

Vera e kuqe, aleate kundër helmimeve ushqimore

Vera e kuqe është aleate kundër helmimeve, që shkaktohen si nga bimët ashtu dhe nga mishrat. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer pranë universitetit të "Missouri-Columbia". "Studimi ynë është paksa i ndryshëm nga të tjerë që janë kryer deri më sot, që kanë treguar se nëse konsumon sasi të moderuara të verës së kuqe dhe gjithmonë gjatë vakteve ka veti mbrojtëse mbi sistemin kardiovaskular. Duke u nisur nga ky tip studimi, kemi pyetur veten, nëse vera e kuqe i bën mirë zemrës, çfarë efektesh mund të ketë mbi sistemin gastro-intestinal?", ka deklaruar një nga autorët e studimit. Studiuesit kanë matur në këtë mënyrë se si varion përqendrimi i baktereve si: Escheria coli, Salmonella typhimurium, Listeria monocytogenes, Helicobacter pylori, nëse shoqërohen vakte me verë. Kanë zbuluar se përqendrimi i këtyre baktereve, disa prej të cilëve përgjegjës të infeksioneve të rënda ushqimore, është i pakët në sistemin gastro-intestinal të atyre që kanë pirë verë. Sipas shkencëtarëve, përdorimi i verës ul pH gastrik dhe liron, pas procesit të metabolizmit, një polifenol që ndodhet te rrushi, që ka veti antioksidante dhe antibakteriale. Kombinimi i këtyre dy elementëve do ta bënte më të vështirë mbijetesën e baktereve në traktin gastro-intestinal dhe ka veti mbrojtëse mbi organizmin.

Meshkujt që preferojnë banjat me ujë të nxehtë rrezikohen nga papjelloria

Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Sipas specialistëve nga Universiteti i Kalifornisë, ku shkencëtarët, të tërhequr nga një thënie që sugjeronte se dushi apo banja me ujë të nxehtë e bën një mashkull jopjellor, kishin vendosur të gërmonin mbi të dhëna shkencore, të cilat mund të pohonin apo mohonin këtë mundësi. Edhe pse thënia e lashtë u vërtetua edhe me prova shkencore, meshkujt kanë akoma mundësi rikuperimi. Nëse qëndrojnë larg nga uji i nxehtë, atëherë organizimi i tyre rikthehet përsëri në pjellor. Studimi është drejtuar nga dr. Paul J. Turek. "Kam parë shumë çifte, të cilët nuk e kishin fare idenë e kësaj thënieje dhe kështu vendosa të shikoj mbi të dhënat e publikuara në raporte nëse do të mund të vërtetoja në bazë të tyre diçka të tillë", tha ai për "Reuters". Hetimet e skuadrës së shkencëtarëve kanë vlerësuar se cilësia e farës mashkullore para dhe pasi ata përdornin ujin e nxehtë ndryshonte, efektet e saj shfaqeshin për 3 apo katër muaj. Pas 3 deri në 6 muaj që u larguan nga uji i nxehtë, pjesa më e madhe e meshkujve të përfshirë në studim kishin një përmirësim të mundësisë për të qenë pjellorë në 491 për qind.

Punëtorët e zyrave, në rrezik të madh të preken nga tromboza

Punëtorët e zyrave që qëndrojnë gjatë të gjithë ditës të ulur, janë më të rrezikuar nga tromboza se të tjerët që janë në lëvizje, madje ata janë më të rrezikuar edhe se viktimat klasike të trombozës, pasagjerët e fluturimeve të gjata. Punëtorët e zyrave të cilët ngjiten pas ekraneve të kompjuterëve janë më shumë të rrezikuar nga mpiksjet e gjakut që formohen në këmbët e tyre. Studimi mbi trombozën ka zbuluar se 34 për qind e pacientëve që shtrohen nëpër spitale me mpiksjet e gjakut kanë qenë për një periudhë të gjatë në punë, që i impononte atyre qëndrimin ulur, ka treguar prof. Richard Beasley i qendrës mjekësore të Zelandës së Re. Tromboza e venave në thellësi apo DVT, është një sëmundje në të cilën gjaku mpikset në enët në thellësi të këmbëve. Sëmundja mund të jetë fatale, pasi arrin të bllokojë edhe venat në mushkëri. Kjo sëmundje është lidhur me fluturimet afatgjata, pasi pasagjerët që udhëtojnë shpesh dhe sidomos në klasat ekonomike nuk kanë mundësi që të shtriqen mjaftueshëm sa për të shmangur mbledhjen e gjakut. "Qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe, e zhvillon patjetër rrezikun e trombozës", tha prof. Beasley.

Stop rinitit alergjik me "super vitaminën C"

Në stinën e verës, konjuktivitetet, bllokimi i hundëve, dhimbja e kokës, kolla gjatë natës, janë shqetësimet kryesore te personat e predispozuar për të pasur probleme me alergjitë. Në stinën e nxehtë kjo patologji prek gati 15% deri 20% të popullsisë. Bëhet fjalë për një sëmundjeje inflamatore kronike e mukozës së hundës, që në fazën akute mund të kurohet fare mirë me medikamente antihistaminike. Por jo të gjithë dinë se për të qetësuar simptomat mund të përdoret një substancë antioksidante e zakonshme: Vitamina C. Në fakt, kjo substancë ka veti natyrale antihistaminike, të cilat janë evidentuar dhe më parë nga një sërë studimesh të ndryshme. Kështu është parë se vitamina C mund të veprojë në qetësimin e procesit të inflamacionit, që rrjedh nga reaksioni alergjik. Ekspertët këmbëngulin se për t'u mbrojtur nga riniti alergjik, mjafton të konsumohet rregullisht rreth 90 miligramë vitaminë C në ditë (75 për gratë), që mund të gjendet fare lehtë te frutat e freskëta dhe perimet me gjethe të gjelbra. Por jo gjithmonë dieta mund të garantojë marrjen e sasisë së nevojshme të këtij oksidanti. Për këtë arsye, së shpejti do të hidhet në treg një produkt i ri, "ESTER C", që do të garantojë "ushqyerjen" në masë të organizmit me vitaminë C, duke qenë mjaft e tolerueshme për stomakun dhe dhëmbët.

Arrat dhe bajamet pakësojnë rrezikun e diabetit 2

Diabeti 1 tipit 2 mund të bëhet shkak për sëmundjet të veshkave, zemrës dhe verbim. Por në një studim të kohëve të fundit thuhet se gratë që hanë çdo ditë 30 gramë arra kanë 30 për qind më pak gjasa për tu prek nga diabeti. Ndërsa tek gratë që konsumojnë çdo ditë një lugë vaj kikiriku rreziku ulet me 20 për qind. Përveç yndyrës së mirë, arrat përmbajnë edhe vitamina të shumta, minerale dhe fibra. Shkencëtarët ranë universitetit të Harvard në Boston përfshinë në studim rreth 83 mijë gra të moshave nga 34 deri në 59 vjeç. Pasi kanë analizuar të gjitha të dhënat, ata vunë re se arrat dhe vaji i kikirikut ulin rriskun e prekjes nga diabeti i trupit 2. Nga ky studim thuhet gjithashtu se arrat, bajamet dhe lajthitë nuk luajnë asnjë rol në rritjen e peshës trupore, siç mendohej deri më sot.

Peshku parandalon hemorragjinë cerebrale

Në një studim të botuar në një revistë të shoqatës amerikane për shëndetësinë thuhet se ngrënia e peshkut të paktën 2 herë në javë ul riskun nga prekja e hemorragjisë cerebrale në tru. Studimi të cilit iu nënshtruan 99 meshkuj të cilët më parë konsumonin vetëm mish në dietën e tyre dhe që ishin shtruar në spital si pasojë e shfaqjeve të simptomave që çojnë në këtë sëmundje, arriti në përfundimin se mishi i peshkut ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të hemorragjisë cerebrale falë acidit yndyror që ai përmban dhe që ndihmon në qarkullimin e gjakut. Gjatë këtij studimi shkencëtarët nuk u bazuan në ndonjë lloj të veçantë peshku, gjë që tregon se nuk ka rëndësi lloji apo madhësia, rëndësi ka përdorimi i tij më shpesh nga të gjithë njerëzit.

Kremi i tepërt shkakton infeksion

Shpesh gjatë periudhës së dimrit njerëzit përdorin krem për zbutjen e buzëve sa herë që lëkura e tyre thahet ose plasaritet. Por shkencëtarët pranë universitetit të Alabamës paralajmërojnë se lyerja e tepruar e buzëve me krem mund të bëhet shkak për infeksione. Ata tregojnë se kremi zbut lëkurën dhe e bën atë të pambrojtur nga bakteret dhe viruset e shumta. Pikërisht për këtë arsye ata këshillojnë që sasia e kremit ose pomadës kundër plasaritjeve të buzëve duhet të kufizohet në maksimum dhe mundësisht ky produkt të përdoret vetëm gjatë një moti tepër të ftohët. Madje po të njëjtën specialistët mendojnë se edhe gjatë stinës së verës, ku pluhurat janë me dendësi më të madhe, është më mirë që të përdoren buzëkuq ose shkëlqyes sesa krem zbutës. Sipas tyre, ky lloj produkti rezulton të jetë tepër i dëmshëm dhe shkaktari numër një i infeksioneve.

Depresioni "zhvillon" sëmundjet e kockave

Sëmundjet mendore ndikojnë rrezikshëm në ndikimin e sëmundjeve fizike. Sipas specialistëve, dobësimi i kockave është pasojë e depresionit, veçanërisht kur personi që vuan nga krizat nervore ose stresi i ekzagjeruar është nën 40 vjeç. Një tjetër e veçantë e studimit rreth sëmundjeve mendore dhe atyre kockore ka të bëjë me femrat, sipas studiuesve, 30 për qind e grave që kalojnë menopauzën, por që para kësaj kohe kanë pasur probleme mendore, stres, depresion, vuajnë më pas edhe nga sëmundjet e kockave. Depresioni është stres që vazhdon për një kohë të tejzgjatur, kjo bën që truri të prodhojë hormone në nivele shumë të larta dhe të rrezikshme. Pikërisht për këtë arsye mjekët rekomandojnë që të gjithë ata që kanë kaluar periudha depresioni të bëjnë analizat për matjen e densitetit të kockave, pasi sot ekziston jo vetëm ilaç për të parandaluar dobësimin e kockave, por edhe për t'i rigjenuar ato.

Tetraciklina pengon përhapjen e kancerit

Tetraciklina, ilaçi më i vjetër në botë, ndalon përhapjen e kancerit. Sipas mjekëve, provat që janë bërë me këtë ilaç të thjeshtë që ka ekzistuar në shekuj dhe kanë dalë të gjitha pozitive, aq më tepër që ai nuk kushton as shumë para. Të parët që kanë eksperimentuar me këtë medikament kanë qenë plot 60 gra në një institut në Kanada, të cilat vuanin nga kanceri i gjirit, ai i lëkurës. Dhe sipas të dhënave të para, tetraciklina parandalon përhapjen e sëmundjes në vende të tjera dhe bën të mundur mospërhapjen e sëmundjes në kocka apo infektimin e qelizave të shëndetshme. Megjithatë për të dhënë përgjigjen përfundimtare rreh efektit të tetraciklinës, mjekët kanë bërë studime të reja, në mënyrë që të dalin me një vendim të bazuar shkencor dhe mjekësor dhe me rezultate të shumëfishta.

Uji mineral favorizon veshkat

Uji është përbërësi kryesor në organizmin tonë. Është një nga elementët kryesore që e lejon trupin tonë të pastrohet nga papastëritë e tij. Uji favorizon funksionimin e veshkave. Zbut indet dhe zbardh lëkurën tonë. Hidratimi është funksioni kryesor i ujit, më pas ai ka veti tretëse, çka do të thotë se zgjedhja e ujit me përqindje më të madhe minerale e ndihmon stomakun tonë të rënduar pas një dreke ose një darke që të funksionojë normalisht. Lodhja, stresi, mungesa e imunitetit, tkurrja e muskujve mund të jenë shenjat e para të mungesës së magneziumit, duke e ditur se mangenzi nuk prodhohet nga trupi ynë, por atë duhet ta zgjedhim mes ushqimeve, është shumë i rëndësishme përdorimi i ujërave mineralë, pasi ato i japin trupit 50 për qind të nevoja për magnez.

Shega ndihmon zemrën, gjakun, tretjen

Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Me shumë sukses përdoret edhe në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Ai mund të përdoret edhe për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës. Lëkura e saj, e pasur me taninë, akoma edhe sot përdoret në Afrikën e Veriut si ilaç për diarrenë. Lëngu i shegës mund të quhet edhe ilaç i çmuar për zemrën. Sipas një studimi izraelit, pirja e një gote me lëng shege çdo ditë do të parandalonte në formimin e pllakëzave në enët e gjakut, duke ulur kështu rrezikun për t'u prekur nga arterosklerozat. Autorët e këtij studimi shpjegojnë gjithashtu se efektet e lëngut varen nga aftësia e organizmit për të përthithur dy gjene që aktivizohen nga substanca oksiduese, të cilat forcojnë muret e enëve të gjakut. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmojnë për aktivizimin e substancave oksiduese. Por vetitë e saj magjike nuk mbarojnë këtu. Shkencëtarët, pas studimit, zbuluan se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut. Për më tepër, ata vërtetuan se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë.

Vaji i ullirit zgjat jetën

Studimet e ndryshme kanë treguar se vaji i ullirit luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj sëmundjeve. Ndër shekuj është protagonist i padiskutueshëm i dietave mesdhetare, duke ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare e duke çuar në parandalimin e disa lloje tumoresh, sidomos atij të gjirit. Meqenëse është i pasur edhe me yndyra të pangopura, ai eliminon ndjeshëm rrezikun për t'u prekur nga sëmundjet e zemrës, pasi ul nivelin e kolesterolit të keq (LDL)-së që grumbullohet nëpër arterie. Po ashtu, dietologët dhe mjekët këshillojnë që, nëse dëshironi të keni një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, ky produkt fisnik i dalë nga ulliri duhet të jetë i pandashëm nga tavolinat tuaja. Për më tepër, ky "ilaç" është i njohur për ndihmën që i jep zhvillimit të trurit dhe kockave si te fëmijët, ashtu edhe te të rriturit, duke ruajtur metabolizmin e tyre gjatë humbjes së kalciumit. Shumica nuk e dinë se vaji i ullirit nga përmbajtja yndyrore është i ngjashëm me qumështin e nënës. Për këtë arsye ai luan një rol të madh në zhvillimin e sistemit nervor të mesëm te fëmijët. Në shumë vende të botës është e detyrueshme që në etiketat e produkteve të shënohen efektet që kanë mbi shëndetin e njerëzve, por vaji i ullirit bën përjashtim. Industritë e ushqimit, në bashkëpunim edhe me organet shtetërore për kujdesen e konsumatorit, kanë menduar që në etiketën e tij është më mirë të shkruhet: "Dy lugë vaj ulliri në ditë, ju mbrojnë nga shumë sëmundje, por sidomos nga ato të zemrës. Mos e ndani nga tavolinat tuaja". Të gjitha këto "mirësi" që na vijnë nga përdorimi i tij, na bëjnë të mendojmë: Sa mirë që të gjitha sekretet e natyrës janë zbuluar nga shkenca!

Fara e zezë parandalon reaksionet alergjike

Studiuesit amerikanë thonë se fara e zezë shëron çdo sëmundje, përveç vdekjes. Sipas tyre, ky ilaç bimor normalizon imunitetin e njeriut. Në Amerikë janë bërë analiza të sakta mbi përbërjen e kësaj bime dhe efektet e saj qendrore. Sipas tyre, është vërtetuar se të gjitha vajrat e lashta të saj të provuara janë ilaçe gjithëshëruese. Fara e zezë është një artikull ushqimor, i cili nuk ka efekte anësore apo negative. Kjo bimë mund të mënjanojë reaksione alergjike dhe ushtron ndikim drejt zbutjes së astmës, alergjisë së barit, alergjisë së pluhurit dhe infektimeve gripale. Mjekët rekomandojnë përdorimin e vajit të farës së zezë si masë mbrojtëse kundër sëmundjeve nga të ftohtit dhe gripeve të ndryshme. Falë përdorimit të saj sistemi i çrregullimeve të imunitetit do të normalizohet dhe do të funksionojë si duhet. Ky efekt i fuqishëm i vajit të farës së zezë për normalizimin e imunitetit është konstatuar edhe nga ana e studimeve amerikane.

Vitamina E parandalon sterilitetin tek femrat dhe meshkujt

Vitamina E është antisterile. Kjo substancë kimike është e njohur në shkencë edhe me emrin "tokoferol", që e ka prejardhjen nga një fjalë greke, domethënë "të lindësh". Kjo i është atribuuar vitaminës E, për funksionimin kryesor biologjik të saj, në parandalimin e sterilitetit, si te meshkujt, ashtu edhe te femrat. Kjo vitaminë ndikon në funksionimin normal të organeve të shumëzimit, si të njeriu, ashtu edhe te kafshët. Prandaj sot është pranuar shkencërisht se mungesa e vitaminës E në ushqimin e përditshëm të njeriut shkakton sterilitet (shterpësi). Për këtë arsye vitamina E është quajtur edhe vitamina antisterile. Vitamina E është shumë e përhapur në natyrë. Sasitë më të mëdha të saj gjenden në vajrat e farërave, në arra, lajthi, fasule, soje etj. Embrioni i grurit përmban sasi shumë të larta, për këtë arsye edhe prodhimi i kësaj vitamine bëhet nëpërmjet ekstraktimit nga embrionet e grurit. Kjo vitaminë gjendet edhe në mëlçi, veshka dhe sidomos në vajin e mëlçisë së peshqve të detit.

Është më mirë tension i lartë apo i ulët?

Mjekët thonë se në përgjithësi është më mirë të kesh tension të ulët sesa tension të lartë të gjakut. Megjithatë, një studim i ri tregon se ka një moment në të cilin është më mirë që njerëzit të cilët pësojnë infarkt të kenë tension të lartë, dhe ky është momenti kur ata arrijnë në spital. Në rubrikën "Mjekësi dhe Shkencë" do të flasim edhe për tubat e vegjël që vendosen në zemër për të parandaluar atakun. Shumica e këtyre tubave vishen me ilaçe të ndryshme, por të dhëna të reja tregojnë se tubat e veshur me ilaçe paraqesin mjaft rrezik. Sipas një studimi të publikuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, ekspertët analizuan tensionin sistolik të gjakut, që është presioni që ushtrohet kur zemra kontraktohet. Ata zbuluan se një njeri që vjen në spital me infarkt dhe të cilit zemra i pompon ende mjaft gjak për të pasur tension të lartë, ka më shumë mundësi për të jetuar sesa një njeri me tension të ulët. "Gjatë kohës që pacienti arrin në spital, duket se është më mirë që ai të ketë tension të lartë, të paktën për disa orë, sepse kjo tregon se zemra është më e fortë", tregojnë mjekët.

Puna natën shkakton kancerin në organizëm

Puna natën mund të shtojë rrezikun e prekjes nga kanceri. Një njoftim shqetësues për ata që punojnë gjatë turnit të natës: Një studim i ri thekson se ata janë nën një rrezik të shtuar për t'u prekur nga kanceri. Pas shpalljes së rezultateve të studimit që arriti në këtë përfundim, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime në Fushën e Kancerit, degë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se së shpejti do ta klasifikojë punën natën si një ndër shkaktarët e mundshëm të kancerit. Dhe ka gjasa që një hap të ngjashëm të ndërmarrë edhe Shoqata Amerikane Kundër Kancerit, e cila në të kaluarën i ka parë me dyshim pretendime të tilla të ngjashme. Dihet se qëndrimi në diell, pa masa mbrojtëse, mund të shkaktojë kancer në lëkurë. Tani thuhet se edhe qëndrimi nën dritë artificiale mund të shkaktojë kancer, jo në lëkurë, por në organizëm. Agjencia për kërkime në fushën e kancerit, thotë se së shpejti ka në plan të shpallë zyrtarisht se njerëzit që punojnë në turnet e natës, mund të përballen me një shkallë më të lartë rreziku nga kanceri. Edhe Shoqata Amerikane Kundër Kancerit thotë se ka të ngjarë të ndërmarrë të njëjtin hap.

Natriumi rrit presionin e gjakut

Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet konsumit të natriumit dhe presionit të gjakut. Vlerat e mëdha të natriumit në organizëm bëjnë që trupi të mbajë sasi të tepërta të lëngjeve, të cilat vështirësojnë punën e zemrës dhe ngushtojnë enët e gjakut, duke çuar në rritjen e presionit të gjakut. Natriumi ul efektivitetin e ilaçeve që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Ai gjendet kryesisht në kripën e tavolinës në formën e klorurit të natriumit. Shkencëtarët kanë gjetur se kaliumi dhe kalciumi kanë efekte pozitive në presionin e lartë të gjakut. Ato ofrojnë një mbrojtje kundër presionit të lartë të gjakut dhe kundërshton efektet e natriumit. Kaliumi gjendet në sasi të mjaftueshme te frutat dhe perimet e freskëta. Sasi të vogla kalciumi gjenden në perimet me gjethe jeshile dhe në disa lloje peshqish.

Obeziteti, shkaktar për hipertensionin

Obeziteti është i lidhur ngushtë me hipertensionin, sepse obeziteti vështirëson punën e zemrës për të furnizuar indet me gjak. Kontrolli i peshës është një faktor i rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Humbja e peshës ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe përmirëson efektivitetin e ilaçeve që përdoren për kurimin e presionit të gjakut. Po ashtu, njerëzit që bëjnë një jetë sedimentare kanë 50% më shumë mundësi që t'u zhvillohet hipertensioni sesa ata që bëjnë një jetë aktive. Aktiviteti fizik i rregullt mund të ulë presionin sistolik me rreth 10mmHg në pacientët me hipertension. Një dietë jo e pasur ushqimore si dhe mungesa e aktivitetit fizik bëhen shpesh shkaktarë të hipertensionit dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare.

Pirja e alkoolit rrit rrezikun për kancer

Konsumimi i alkoolit, duke përfshire verën, shton rrezikun e disa kancereve më të zakonshëm, megjithëse shumë studime tregojnë që ulin rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare. Në një artikull të dalë në "Journal of Thrombosis and Haemostasis" paraqesin fakte përfundimtare rreth efektit te tyre tek kanceret. "Pirja e alkoolit në sasi më pak se 25 gram në ditë, ka një rol të favorshëm në sëmundjet e zemrës", thotë profesor Carlo la Veçhia, por kjo është e shoqëruar me një rritje të rrezikut të kancereve të zonave të larta të aparatit tretës si dhe të laringut, si dhe të kancereve të mëlçisë, zorrëve dhe gjoksit. Artikulli vendos në listë në fillim kanceret e mëlçisë, të gjoksit të femrës, si të lidhura me pirjen e alkoolit. Po ashtu efekte të alkoolit janë edhe shumë sëmundje të tjera që nuk kanë lidhje me kanceret si p.sh cirroza (shkatërrim i arkitekturës së mëlçisë. Në këtë rast nuk mbetet gjë tjetër përveç operacionit osetrapiantit), pankreasit kronik, hipertensionit etj.

Temperatura e lartë, largohet me çaj dardhe

Dardha konsiderohej në Evropë si simbol i shëndetit, fatit dhe shpresës, dhe ishte mjaft e njohur që në periudhën e romakëve të lashtë, të cilët prodhonin prej saj një lloj vere e cila përdorej si antidot kundër kërpudhave helmuese. Gerard, një botanolog i shekullit të 16-të shkruan: "Vera e dardhës ndihmon ata persona që nuk janë mësuar të pinë, ngroh stomakun dhe lehtëson tretjen". Për kinezët, dardha simbolizon jetëgjatësinë, drejtësinë dhe gjykimin e drejtë. Sot ekzistojnë rreth 3000 lloje dardhash, të cilat janë të gjitha të ngrënshme. Në konsumimin e dardhave duhet pasur kujdes që të jenë të pjekura mirë, sepse në të kundërt, në vend që ta ndihmojnë sistemin tretës, e pengojnë funksionimin e tij normal. Lëngu që fitohet nga zierja e lëvores së degëve të dardhës ndikon pozitivisht në uljen e temperaturës. Për përgatitjen e çajit me lëvoret e degës së dardhës nevojiten 15-20 gramë lëvore të thara, ose 60-70 gramë lëvore të njoma. Këto hidhen në 250 ml ujë dhe lihen të ziejnë për gjysme ore. Çaji duhet të pihet njëherësh dhe të jetë i vakët.

Pickimet e mushkonjave, ikin me banane

Përveç vitaminave të shumta të ka fruti i bananes, ka edhe veti të tjera. Kështu, sipas specialistëve, pickimet e mushkonjave, skuqja, kruarja dhe enjtja largohen me banane. Para se të shikoni pjesën ku ju ka pickuar mushkonja, mjekët këshillojnë që të fërkoni pjesën e infektuar të vendit me pjesën e brendshme të lëkurës së bananes. Sipas mjekeve popullorë, përdorimi i lëkurës së bananes në këtë mënyrë zvogëlon efektin e ënjtjes dhe të të kruarit. Bananet kanë nivel të lartë të vitaminave B, të cilat ndihmojnë për të qetësuar sistemin nervor. Banania përdoret si ushqim diete kundër çrregullimeve të zorrëve për shkak të përbërjes së saj të butë dhe cilësisë lehtësuese. Ajo është fruta e vetme e papërpunuar që mund te hahet pa shqetësim në rastet e sëmundjeve kronike. Ajo gjithashtu neutralizon acidin e tepruar dhe redukton imitimin me lyerje te stomakut.

Niveli i kolesterolit ndryshon me stinët

Duket e çuditshme, por është më se e vërtetë. Nivelet e kolesterolit ndryshojnë me stinët, ky rezultat është arritur nga një kërkim i kryer nga universiteti i Masacusetit në mbi 517 persona të shëndetshëm. Dhe si përfundim rezultoi që nivelet e kolesterolit ishin më të mëdha në vjeshtë dhe në dimër dhe më të ulët në pranverë dhe verë. Nuk dihet mirë se cilët janë mekanizmat që çojnë në këtë rezultat, por matjet tregonin që vlerat më të mëdha për meshkujt arrinin në dhjetor, kurse për femrat në janar. Vlerat e regjistruara tregonin një rritje rreth 3.9 mg/dL te meshkujt (vlerat mesatare ishin 222 mg/dL) dhe 5.4 mg/dL te femrat (vlerat mesatare ishin 213 mg/dL). Disa nga këto ndryshime mund të përshkruheshin me variacionet që pëson plasma në stinët e ndryshme. Nga ky studim gjithashtu rezultoi që niveli i kolesterolit nuk kishte lidhje me dietën që përdoret në stinët e ndryshme.

Deodorandët favorizojnë kancerin e gjoksit tek femrat

Disa kërkues biologjistë molekularë britanikë kanë zbuluar në disa mostra të tumorit të gjoksit një numër të lartë të molekulave kancerogjene, që vinin pa dyshim nga përdorimi i disa lloj deodoranteve. Këto molekula (parahydroxybenzoate) të quajtura gjithashtu parabene përdoren si konservatorë në një numër të madh produktesh kozmetikë, gjithashtu në disa prodhime ushqimore për t'i zgjatur atyre konservimin. Problemi qëndron në faktin se të gjitha këto molekula imitojnë në trupin e femrës rolin e estrogenëve (hormone që rregullon ciklin e femrës) dhe kështu favorizojnë kancerin e gjoksit.
Studimet e bëra nuk e kanë pohuar akoma që substanca parabene të jetë origjina e kancerit, por sipas biologjistit britanik Philip Harvey, është e sigurt që kjo molekulë ndihmon në shumicën e rasteve kancerin e gjoksit të zhvillohet. Ekspertët kanë pohuar se substancat parabene, që ndodhen prezent në tumor, gjenden në formë esterlipide (molekule kimike që përmban një grup atomesh, si karboni, ku janë të lidhura 2 atome oksigjeni që metabolizohet në organizëm nga aditioni i acideve me alkoolet) dhe që supozohet që vjen nga produkti kimik që përdoret mbi lëkurë, sikurse deodorantët, një krem ose sprajte të ndryshme.

Llojet e frikës (fobisë)
 
 ARACHNOFOBIA -Frika nga araknidet (merimangat etj)
 AGORAFOBIA - Frika nga vendet e hapura
 ACROFOBIA - Frika nga lartësia
 KLAUSTROFOBIA - Frika nga vendet e mbyllura
 OFIDIFOBIA - Frika nga gjarpërinjtë
 AILUROFOBIA/CINOFOBIA - Frika nga qentë dhe macet
 ABLUTOFOBIA- Frika nga pastrimi dhe larja
 ACHLUOFOBIA- Frika nga terri
 AGLIOFOBIA- Frika nga dhimbjet
 AILURFOBIA- Frika nga macja
 ANUPTAFOBIA- Frika nga vetmia
 BIBLIOFOBIA- Frika nga librat
 CARNOFOBIA- Frika nga mishi
 CATOFOTOFOBIA- Frika nga pasqyra
 CHIONOFOBIA- Frika nga bora
 CLINOFOBIA- Frika nga shtrati
 DIKEFOBIA- Frika nga drejtësia
 DIDASKALEINOFOBIA- Frika për të shkuar në shkollë
 DYSTYCHIFOBIA- Frika nga aksidentet
 ECOFOBIA- Frika nga shtëpia
 ELEUTHEROFOBIA- Frika nga liria
 EUOROTOPOBIA- Frika nga gjenitalet femërore
 ERGOFOBIA- Frika nga puna
 GAMOFOBIA- Frika nga martesa
 GENOFOBIA- Frika nga seksi
 GERASCOFOBIA- Frika nga pleqëria
 GLOSSOFOBIA- Frika e mbajtjes fjalimit në publik
 HELIOPOBIA -Frika nga dielli

Kafja shton rrezikun nga abortimi spontan

Marrja e përditshme e dozave të mëdha të kafes gjatë shtatzënisë shton rrezikun nga abortimi spontan, ka dëshmuar studimi i publikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njëkohësisht ka vërtetuar rezultatet e hulumtimeve të mëhershme. Shtatzënat do të duhej "të mendojnë për të ndaluar pirjen e pijeve të cilat përmbajnë kafeinë", shkruajnë autorët e studimit të publikuar në numrin e fundit të gazetës amerikane për obstetrikë dhe gjinekologji (American Journal of Obstetrics and Gynecology). Për shkak të mundimeve të mëngjesit dhe vjellave të shkaktuara nga shtatzënia, shumë gra e ndërpresin konsumimin e pijeve me bazë kafeine, zbulon doktori De-Kun Li nga qendra Kaiser Permanente. Autorët e studimit i kanë përcjellë 1.063 gra shtatzëna gjatë dy vjetëve dhe kanë vërtetuar "se ekziston lidhje e fortë në mes të kafeinës dhe abortimit spontan, sepse hulumtimi për herë të parë ka përcjellë vetëm shtatzënat të cilat kanë vazhduar të konsumojnë pijet me kafeinë", shkruan Li.
Gratë të cilat kanë konsumuar së paku dy filxhanë kafe në ditë apo pesë kanaçe të pijeve të gazuar me kafeinë, që do të thotë 200 miligramë të kafeinës në ditë, kanë pasur dy herë më shumë gjasa për abortim spontan për dallim nga gratë të cilat nuk kanë futur aspak kafeinë në organizëm. Tek gratë të cilat kanë marrë më pak se 200 miligramë kafeinë në ditë, rreziku për të humbur frytin e tyre ka qenë prapëseprapë 40 për qind më i madh sesa tek gratë të cilat kanë hequr dorë tërësisht nga konsumimi i kafeinës. Rreziku nga abortimi spontan rritet pikërisht për shkak të kafeinës, e jo për shkak të përmbajtjeve tjera kimike të kafesë, sepse futja e kafeinës në organizëm nëpërmes pijeve tjera siç është qaji, pijet e gazuara apo çokolata e nxehtë, tregon për rrezikun e shtuar nga abortimi spontan, përfundon studimi.

Marihuana armiku më i madh i dhëmbëve

Njerëzit, të cilët pinë rregullisht marihuanë, janë më të prirë ndaj sëmundjes së dhëmbëve, që në rastin më të keq mund të sjellë deri tek paradentoza. Hulumtimi më i ri ka treguar se pirja e shpeshtë e marihuanës është drejtpërdrejt e lidhur me më shumë se 75% të rasteve të sëmundjeve të dhëmbëve, dhe atë tek personat më të rinj se 32-vjeç. Inflamacioni i mishit të dhëmbëve është shkaku më i shpeshtë i shkatërrimit të dhëmbit, menjëherë pas paradentitit.
Ekipi i shkencëtarëve nga Universiteti Otago, King's College London, universitetet Duke dhe North Carolina, kanë përcjellë shëndetin e dhëmbëve të 1.000 njerëzve të lindur në Dunedin, në Zelandë të Re, mes viteve 1972 e 1973. Sëmundjet e dhëmbëve dhe paradentoza më herët shpesh janë ndërlidhur me cigaret, por kjo është hera e parë që hulumtohet lidhja me pirjen e marihuanës. Studimi është publikuar në Journal of the American Medical Association, pas hulumtimeve, të cilat kanë lidhur marihuanën me problemet mentale dhe sëmundjet e mushkërive.

Vitamina C, ilaçi për personat me diabet

Studimet e reja kanë dëshmuar që vitamina C ndihmon në neutralizimin e të ashtuquajturve radikalëve të lirë, molekulave, sasia e të cilave është e shtuar te personat që vuajnë nga diabeti. Tanimë është fakt i njohur që këto molekula shkaktojnë dëmtimin e disa llojeve të lëkurës. Deri te shtimi i radikaleve të lirë te personat me diabet, vijnë për shkak të ndryshimit të mitohondrieve, pjesëve stacionare, që duhet ta prodhojnë energjinë. Po ashtu është konstatuar se pa ndërhyrjen nga jashtë, përkundër zbritjes së nivelit të shtuar të sheqerit në gjak, këto molekula shtojnë rrezikun për sëmundjet e zemrës dhe humbjen e shikimit. Shkencëtarët thonë se vitamina C është shumë e dobishme dhe kuruese në këtë drejtim, mirëpo efekti i saj nuk është i menjëhershëm, por afatgjatë.

Specat djegës lehtësojnë dhimbjet

Anestetikët e ri me bazë nga speci djegës mund të ofrojnë një qetësim më të mirë të dhimbjes gjatë lindjes, operacioneve ose gjendjeve tjera të shoqëruara me dhimbje, krahasuar me anestetikët konvencional. Testet preliminare me anestetikë të tillë kanë treguar se ajo në mënyrë efektive ka bllokuar dhimbjen pa shkaktuar humbje të plotë të ndjenjës në ato zona ku është përdorur. Hulumtuesit thonë se anestetikët eksperimentues veprojnë duke bllokuar në mënyrë selektive qelizat nervore të ndjeshme ndaj dhimbjes, pa i prekur qelizat tjera nervore që kontrollojnë lëvizjet ose ndjesitë tjera jo të dhimbshme. Nëse rezultatet vërtetohen edhe tek njerëzit, metoda mund të shfrytëzohet në procedura të ndryshme duke filluar që nga operacionet në gju deri tek nxjerrja e dhëmbëve. "Kjo metodë do të mund të transformojë tërësisht analgjezinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale dhe pas kirurgjikale, duke i lejuar pacientët të mbeten tërësisht vigjilent pa përjetuar dhimbje ose paralizë", thotë Clifford Woolf, njëri prej hulumtuesve. "Në fakt mundësitë duken të pafundme. Mund të imagjinoj shfrytëzimin e kësaj metode për të trajtuar kruarjen, pasi që neuronet e ndjesisë së kruarjes bien në grupin e njëjtë si ato të dhimbjes". Hulumtuesit thonë se megjithëse anestetikët e tashëm janë shumë efektiv, ata po ashtu paraqiten edhe me efekte të theksuara anësore, si humbja e vetëdijes në rastet e anestezisë së përgjithshme dhe humbja e pjesshme e ndjeshmërisë ose paraliza tek anestezia lokale. Në studimet e publikuara në "Nature", hulumtuesit kanë kombinuar anestetikun më të shpeshtë, lidokainën, me kapsaicinën, përbërës i cili e bëhet nga speci djegës, dhe kanë vërejtur efektet pozitive të këtij kombinimi. Krahas përdorimit në procedurat kirurgjikale të lindjes, hulumtuesit thonë se barnat eksperimentale mund po ashtu të çojnë edhe në trajtime më efektive të dhembjeve kronike.

Mjalti zbut kollën natën

Një lugë mjaltë mund të zbus kollitjen e natës dhe t'u ndihmojë fëmijëve dhe prindërve të tyre që të flenë më mirë, ka dëshmuar një studim në të cilin janë përfshirë 105 fëmijë, të cilët kolliteshin për shkak të ftohjes. Fëmijët janë ndarë në tri grupe nga të cilat njëri ka marrë shurup kundër kollitjes, i dyti mjaltë, ndërsa i treti asgjë, dhe është dëshmuar që mjalti është zgjidhja më e mirë. "Rezultatet kanë qenë aq të fuqishme sa mundemi të themi qartazi se mjalti është më i mirë, sesa të mos jepet asnjë lloj ilaçi, derisa përmbajtja e shurupit dextromethorphan nuk është i mirë", ka thënë doktori Ian M. Paul nga universiteti Hershey në Pennsylvania. Dextromethorphan përdoret me të madhe, mirëpo nuk ka fakte që reagon, dhe në vetvete bart rrezik të caktuar, ka thënë doktori Paul. Mjalti përdoret në mbarë botën si ilaç popullor kundër kollitjes dhe është alternativë më e sigurt dhe më e efektshme sesa mjekësia zyrtare. Ekzistojnë disa arsyetime pse mjalti ndihmon në lehtësimin e kollitjes, kanë sqaruar Paul dhe kolegët e tij. Mjalti është i ëmbël dhe në formë shurupi si dhe ndikon si relaksues në fytin e irrituar, e është i rëndësishëm ndoshta edhe për faktin që ka përqindje të madhe antioksidantit. Mjalti reagon edhe kundër mikrobeve. Mjalti nuk u rekomandohet fëmijëve më të vegjël se një vjeç, për rrezikun e rrallë, por serioz që mund të shkaktojë helmimin me ushqim të njohur si botulizam. Për fëmijët më të rritur është në përgjithësi i sigurt, por doza duhet rritur varësisht nga mosha e fëmijës. Gjysmë lugë është e mjaftueshme për fëmijët prej dy deri në pesë vjet, derisa luga e plotë me mjaltë duhet t'iu jepet fëmijëve më të vjetër se 11 vjet. Derisa dy lugë mjaltë duhet t'i hanë personat prej 12 vjet e më të vjetër.

Ndryshohet tradita, pica kundër plakjes

Pica kundër rrudhave. Është një picë e re e ideuar nga një ekspert i ushqimit dhe biokimist italian, ndërsa është bërë pjesë e një zinxhiri të picerive, por që në të njëjtën kohë ka nxitur edhe polemika te njerëzit, që thonë se është cënuar kuzhina nacionale. Pica prej miellit integral dhe zarzavateve, e emërtuar Primula, ka tri herë më shumë fije dietale sesa pica e zakonshme, si dhe më shumë magnez e hekur. Kjo picë nuk guxon të ketë më pak se tetë lloje të perimeve dhe ato nga perimet të cilat ndihmojnë në luftën kundër plakjes, si domate, hudhër, kërpudha, karota dhe spinaq. Pica kundër plakjes është vepër e ekspertit të ushqimit dhe biokimistit në Universitetin e Napolit, Eugenio Luigi Iori, i cili është bashkuar me pronarin e zinxhirit të picerive, Cosimo Mogavero.

Farmacia në shtëpi

Të gjithë familjet duhet të kenë në shtëpi ilaçe të ndihmës së parë, përdorimi i të cilave nuk kërkon rekomandimin e mjekëve dhe ndihmon të sëmurin në përmirësimin e sëmundjes dhe mos rëndimin e mëtejshëm të gjendjes. Por veç kësaj ka edhe një sërë medikamentesh, të cilat edhe pse mund të tregtohen në farmaci pa recetën e mjekut, është mirë që të mos gjenden në shtëpitë tona, pikërisht për t'i shpëtuar tundimit për t'i përdorur ato pa karar. Pasi në këto raste mund të ndodhin komplikacione të ndryshme, të cilat e rrisnin mundësinë për acarimin e sëmundjes, apo në rastet më të këqija edhe për fshehjen e saj, çka e bën edhe më të vështirë kurimin e mëtejshëm nga mjekët specialist. Pikërisht për këtë arsye në suplementin e sotëm kemi përmbledhur të gjitha ilaçet që dhe mjekët rekomandojnë të mbahen në shtëpi dhe ato që nuk rekomandohen.
 
ILAÇE QE DUHET TË MBAJMË NË SHTËPI

1-ILAÇ ANTIPIRETIK (në rast temperature): Ai më i përdoruri është paracetamoli. Është mirë të mbajmë në shtëpi, si një flakon shurup apo pikash, ashtu edhe një kuti me supozitorë. Kjo sepse në rast se fëmija ka diarre në të njëjtën kohë është e preferueshme që ilaçi të merret nga goja, kurse në rast të përzierash ose të vjellsh, është mirë që ilaçi të merret në rrugë rektale apo me supozitore.

2-QETESUES KOLLE: Mund të merret në rast se kolla është e thatë, e bezdisshme dhe jep shqetësim në gjumin e personit. Duhet theksuar që kolla gjithsesi është e dobishme për organizmin, i cili me anë të saj eliminon sekrecionet nga rrugët e frymëmarrjes. Në rast se kolla është e tipit aziatik, qetësuesi i saj është i kundërindikuar.

3-FLAKON ME PIKA (për rrufën): Mund të mbajmë solucion fiziologjik për të bërë lavazhe të hundës, që është e indikuar sidomos në foshnjat që akoma nuk dinë të shfryjnë hundët. Për fëmijët pak më të mëdhenj mund të përdoren edhe pikat vazokostritore, për një periudhë jo më shumë se 4-5 ditë dhe të përdoren vetëm në fazë akute, sepse "lirojnë" hundën dhe favorizojnë gjumin.

4-ILAÇ KUNDËR TË VJELLAVE: E vjella është një simptomë që shoqëron sëmundje të ndryshme. Zakonisht e vjella kalon në mënyrë spontane, por nëse nuk kalon marrja e një doze Domperidone (ilaçi me më pak efekte anësore) mund të jetë në ndihmë dhe duhet mbajtur gjithmonë në shtëpi.


 ILAÇE QE NUK ESHTE E NEVOJSHME TE MBAHEN NE SHTEPI

1-ANTIBIOTIKET: Veprojnë vetëm në rast të një sëmundje me origjinë bakterike. Pjesa më e madhe e sëmundjeve është me origjinë virale, ku edhe viruset mund të japin temperaturë të lartë, prandaj të gjithë njerëzit duhet të rezistojnë nga tentacioni për të marrë antibiotikë kur ai ka temperaturë duke menduar se po shërohet, pasi në këto raste duhet patjetër këshilla e mjekëve.

2-KORTIKOSTEROIDET ME ANE TE AEROSOLIT: Ka një tendence tek prindërit në përdorimin e këtyre ilaçeve gjatë sëmundjeve banale të rrufës, duke menduar që dhënia me anë të aerosolit është më e dobishme dhe më e pa dëmshme. Nuk është kështu: dobia e kësaj mënyre është demonstruar vetëm në disa kushte patologjike, dhe ka efektet anësore, të lidhura më shumë tek dozat e tepërta që fëmija mund të marrë.
 
3-ANTIINFLAMATORET: Nuk shërojnë nga sëmundjet as parandalojnë përkeqësimin e gjendjes në rast rrufe, dhimbje fyti, kolle etj. Në veçanti nuk duhet përdoret asnjëherë aspirina, tek të gjitha grupmoshat, por kryesisht tek fëmijët, përveç atyre rasteve që përshkruhet nga mjeku specialist. Pasi përdorimi i saj mund të e shkaktojë kompilikacione tek mëlçia apo edhe truri.
 
4-PIKA PER VESH: Për dhimbjen e veshit është mirë që në kushtet e shtëpisë të përdoret paracetamoli, i cili ka edhe veti kundër dhimbjes. Kjo pasi në rast të shpimit të timpanit (që ndodh shpesh në rastet e otiteve akute) pikat në vesh mund të jenë të dëmshme

Sëmundjet që kurojnë frutat dhe perimet

FIKU - Studimet të shumta mjekësore tregojnë se ky frut vë në punë aparatin tretës dhe i jep nxehtësi trupit, duke balancuar në këtë mënyrë temperaturën.
 
MOLLA - Pastron veshkat, shëron çrregullimet në aparatin tretës. Duhet konsumuar një mollë para se të flemë gjumë, pastron në thellësi dhëmbët dhe dhëmballët.

BANANJA - Bën pjesë në një nga ato fruta që kurojnë zemrën, forcon muskujt dhe çlodh trupin. Duhet përdorur të paktën dy herë në javë.

KAJSIJA- Prodhon gjak, zbukuron lëkurën dhe bën mirë për flokët. Ky frut bën të mundur edhe parandalimin e kancerit.

VISHNJA - Ndoshta jo të gjithë e dinë, por ky frut është depo vitaminash dhe mineralesh. Pikërisht për këtë arsye rekomandohet për të gjitha grupmoshat.

QITRO - Ndihmon tretjen. Pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishi i dhëmbëve, shëron ftohjen dhe stabilizon kolesterolin.

PORTOKALLI - Ky lloj agrumi shumë i dashur në të gjithë botën, të mbron nga ftohja, gripi, sëmundjet e zemrës dhe paraliza.

MANDARINA - Bën pjesë në frutat bazë të cilat ndihmojnë në luftimin e infeksionit të lëkurës, të syve, të organeve gjenitale etj.

RRUSHI- Pastron veshkat, mëlçinë e zezë dhe bën të mundur stabilizimin e rrahjeve të zemrës.

Çfarë kurojnë frutat dhe perimet

PJEPRI- Largon pagjumësinë, bën mirë për kancerin e zorrëve dhe të lëkurës. Duhet konsumuar i ftohtë.

QERSHIA- Bën të mundur uljen e nivelit të kolesterolit në trup dhe ndihmon në heqjen e kileve të tepërta.

DARDHA- Ky frut bën mirë për forcimin e zemrës dhe damarëve si dhe për presionin e ulët të gjakut.

SPECI -Është nga perimet bazë për organizmin e njeriut, rigjeneron lëkurën, bën shumë mirë për flokët dhe thonjtë.

BROKOLI - Pakëson rrezikun e kancerit të stomakut dhe të tubit të ushqimit. Gjithashtu bën të mundur evitimin e sëmundjeve të kockave.

LLAHANAJA- Është nga perimet që po përdoret gjerësisht edhe në vendin tonë. Pengon plakjen dhe bën mirë për lëkurën.

KARROTA- Jep energji dhe stabilizon nivelin e kolesterolit. Duhen konsumuar të paktën dy karota në ditë.

KASTRAVECI - Rinon muskujt dhe i jep elasticitet qelizave të lëkurës, mban të freskët memorien.

HUDHRA- Ul tensionin, ndalon mpiksjen e gjakut, bën mirë për zhdukjen e kancerit të stomakut dhe forcon qëndrueshmërinë e trupit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora