E premte, 29.03.2024, 06:28 AM (GMT)

Mendime

Bajrush Morina: Skënderbeu në Tiranë dhe në Prishtinë

E shtune, 19.11.2011, 07:27 PM


Skënderbeu në Tiranë dhe në Prishtinë

 

Nga Bajrush Morina

 

Rrugëtim përmes autostradës

 

Përveç shqiptarëve në të dy anët e kufirit, rruga e kombit apo autostrada Durrës-Kukës Morinë ia “shkurton” rrugën edhe Skënderbeut prej Tirane në Prishtinë.

Tridhjetë e sa vjet më parë të gjithë ata shqiptarë ata që ia kanë mësyrë kufirit të Shqipërisë kanë përjetuar sfidat më të rënda të jetës: janë vrarë në kufi nga ushtria serbe apo janë arrestuar nga policia shqiptare si “agjentë jugosllavë”. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë kufi me gjemba për më shumë se 5 decenie. Ka qenë kufi i ndarjes së shqiptarëve në dy anë, kufi i ndarjes së shqiptarëve në dy shtete.

 

Nuk duhet më pasaporta për Shqipëri

 

Njëzet vjet pa rënies së komunizmit në Shqipëri dhe dhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës nga okupimi i egër serb, kufiri mes Kosovës e Shqipërisë pothuaj është tretur fare. Një kontroll rutinor vetëm përmes letërnjoftimit vetëm në njërën anë të kufirit, e humb edhe më shumë ndjenjën e ndalimit kufitar. Ata që udhëtojnë nga Kosova për në Shqipëri nuk ndalojnë fare në pikën kufitare të Kosovës ndërsa ata që vijnë nga Shqipëria në Kosovë nuk ndalojnë fare në pikën kufitare shqiptare.

Para se t’i afrohemi pikës kufitare në Vërmicë, në fillim të këtij nëntori, si me shaka flasim për mungesën e pasaportave me vete. “Do të na kthejnë në kufi se nuk kemi pasaporta!” Por kjo frazë përcillet me buzëqeshje e me shaka. Nuk duhet më pasaporta për të udhëtuar në Shqipëri, mjafton letërnjoftimi dhe “porta” hapet për në vendin e shqipeve.

Nuk është hera e parë që marrim rrugën për në Shqipëri përmes autostradës në pjesën shqiptare por është hera e parë që duëhtimi përmes autostradës bëhet edhe përmes pjesës së Kosovës, autostradës “Ibrahim Rugova”. Ky udhëtim bëhet edhe më i shpejtë, edhe më i shkurtë. Shqiptarët udhëtojnë më shpejtë, më lirshëm nëpër trojet e tyre etnike të cilat për më shumë se 5 decenie u ndanë nga telat e kufijve komunistë andej e këndej kufirit.

Sot prej Prizrenit për vetëm 2 orë arrin në Tiranë, në ndërkohë që më parë, për kaq orë rrugë bëhej prej Prizrenit në Prishtinë kur nuk ishte autostrada dhe kur trafiku ishte i ngarkuar. Prizreni po bëhet gjithnjë e më i afërt për Tiranën në ndërkohë që përmes autostradës “Ibrahim Rugova” edhe Prishtina po i afrohet gjithnjë e më shumë Tiranës dhe anasjelltas.

Miku im Alfons Zeneli ka dëshirë më shumë të thotë se Tirana po i afrohet Prishtinës në ndërkohë që unë insistoj të them më shumë se Prishtina po i afrohet më tepër Tiranës. Megjithëse po i bëjmë tre vjet shtet, ndjenja e amësisë ndaj shtetit shqiptar “piqet e nuk hiqet”. Si “kompromis” me Alfonsin e gjejmë konstatimin: Skënderbeu i Tiranës po i afrohet më shumë Skënderbeut të Prishtinës.

 

Një gjuhë, një komb, dy shtete, dy flamuj!

 

Kryekuvendarja shqiptare Jozefina Topalli me plot gojën thotë se “kosovarët’ janë vetja ime, janë shqiptarët si unë dhe si gjithë shqiptarët ndërsa shton se të gjithë shqiptarët kanë një flamur, atë kuq e zi. Si politikane ajo megjithatë thotë se krenohet me pavarësinë e Kosovës.

Por është një politikan i ri shqiptar që ka hedhur një ide të re kohëve të fundit. Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi ka hedhur idenë e “mbrumit” me flamurin kuq e zi të të gjitha trojeve shqiptare. Ai është tepër kritik ndaj Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Të parët i akuzon se po “shiten lirë” te Beogradi ndërkaq të dytët se po bëjnë “pazare të këqija” me Greqinë. Spahiu do të flasë më gjerësisht në një intervistë ekskluzive për Bota sot që do ta botojmë në numrin e ardhshëm, ndërsa tregon vetëm për “Bota sot” se më 28 nëntor dot ë shpalos flamurin kuq e zi në mes të Prishtinës.

Derisa kthehemi mbrëmjes së vonë për në Prishtinë na bëhet se ishim për një vizitë njëditore në një nga qytetet e Kosovës. Kjo rrugë e kombit, kjo autostradë në të dy shtetet tona po bëhet vërtetë rrugë e bashkimit kombëtar.

Merrni rrugë prej Prishtine për në Tiranë, atje do të ju mirëpret Skënderbeu.

Merrni rrugë prej Tirane për në Prishtinë, këtu do të ju mirëpret Skënderbeu.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora