E enjte, 25.04.2024, 02:50 PM (GMT+1)

Editorial

Grekët: Vorio-Epiri, vetëvendosje si Kosova

E shtune, 23.02.2008, 03:50 PM


Tedi Blushi - GSh

Vorio-Epirin nuk e shesim, nuk e lëshojmë”. Me këtë pankartë gjigande në duar, qindra protestues ultranacionalistë grekë në qendër të Athinës kanë kërkuar pak ditë më parë autonominë e Jugut të Shqipërisë, të cilësuar prej tyre si “Kosova” e Greqisë. Protestuesit, në parullat e hedhura gjatë këtij mitingu që zgjati për rreth një orë e 30 minuta, kanë kërkuar prej autoriteteve ndërkombëtare dhënien për minoritetin grek në Shqipëri të së njëjtës të drejtë për vetëvendosje, sikundër shqiptarëve të Kosovës. Ata kanë paralajmëruar qeverinë Karamanlis se, në rast të njohjes së pavarësisë së Kosovës para se i ashtuquajturi “Epiri i Veriut” të fitojë autonominë, atëherë e gjithë Greqia sipas tyre, do të përfshihet në protesta tepër të ashpra. Në fjalimin e mbajtur para godinës së Parlamentit grek, një nga drejtuesit e protestës, njëherësh përfaqësues i shoqatës Panepirotike, është shprehur se “Kosova dhe Epiri i Veriut janë raste të ngjashme, dhe si të tilla nuk mund të ketë dy qëndrime të ndryshme në dy çështje të njëjta”. Referuar agjencive greke të lajmeve, bëhet e ditur gjithashtu se gjatë protestës janë hedhur edhe parulla “për të çliruar me çdo mënyrë nga zgjedha shqiptare Vorio-Epirin”. Duke përdorur pothuajse të njëjtën terminologji sikundër protestuesit huliganë serbë në Beograd në lidhje me pavarësinë e Kosovës, edhe gjatë kësaj proteste në Athinë, tokat në Jugun e Shqipërisë janë cilësuar si “zemra dhe shpirti i kombit grek”.

Precedenti

Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano ka qenë i pari zyrtar në Shqipëri që ka kërkuar pavarësinë e Vorio-Epirit. Një vit më parë, pasi kishte deklaruar se “Himara është minoritet grek”, në emër të OMONIA-s, ai përshkallëzoi dukshëm qëndrimin e tij duke kërkuar edhe pavarësinë e Vorio-Epirit, një term që përdoret në Greqi nga qarqet ultranacionaliste për Shqipërinë e Jugut. Në një intervistë televizive, Bollano argumentoi se “kjo gjë që kërkohet nga OMONIA, nuk është aspak më shumë se ajo që duan shqiptarët për Kosovën”, duke nënkuptuar kështu shkëputjen e pjesëve të territorit shqiptar që banohen nga minoriteti grek, i njohur si i tillë apo i vetëshpallur. “Kjo është në të mirë të Ballkanit dhe të pakicave greke në Shqipëri”, - u shpreh asokohe kryetari i Bashkisë së Himarës. Bollano deklaroi gjithashtu “se çdo krahinë që e konsideron veten minoritet, mund të vetëvendosë për fatin e saj territorial”. I pyetur për reagimet që mund të shkaktojë deklarata e tij, Bollano tha një vit më parë se nuk kishte asgjë për të shtuar.

Zyrtari grek: Epiri i Veriut, si Kosova

Një artikull që kërkon autonominë e “Vorio-Epirit” në këmbim të mbështetjes së Greqisë për pavarësinë e Kosovës, është publikuar në të përditshmen më të madhe greke, “Elefth-erotipia”. Shkrimi mban si autor një zyrtar të Ministrisë greke të Mbrojtjes, dhe është botuar si opinion në datën 18 janar. Në këtë shkrim të bërë publik edhe në një të përditshme shqiptare, autori Dhimitris Gjeorgjiu, drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes së vendit fqinj, bën thirrje që pavarësia e Kosovës duhet të pasohet nga një autonomi për “Epirin e Veriut”. Në këtë opinion, ai shprehet se “Greqia duhet të kërkojë me ngulm të drejtën e vorio-epirotëve për vetëvendosje, ashtu sikurse kërkojnë kosovarët për veten e tyre”. Sipas Gjeorgjiut, Kosova dhe “Epiri i Veriut” janë raste të ngjashme, dhe si të tilla nuk mund “të ketë dy qëndrime të ndryshme në dy çështje të njëjta”. Ai e argumenton këtë duke thënë se “vorio-epirotasit” janë çliruar nga “zgjedha” shqiptare tri herë deri më tani.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora