E marte, 19.03.2024, 08:18 AM (GMT)

Kulturë

Monro, mes politikës e spiunazhit

E premte, 22.02.2008, 10:45 PM


Si u gjend aktorja në majën e piramidës së pushtetit e informacionit konfidencial

Monro, mes politikës e spiunazhit

Vazhdojnë teoritë konspirative për bionden e Hollivudit dhe vdekjen e saj enigmatike, që thonë se e bënë Kenedët

Ai korrik i mallkuar i vitit 1962 po shoqërohej me një të nxehtë mbytës. E mbyllur në shtëpinë e saj në Brentwood, Merilin nuk e kishte marrë ende veten nga trauma për dhunën e marrë gjatë pritës në apartamentin "Cal-Neva Lodge" në Las Vegas. Mbi trupin e saj vëreheshin ende shenjat e torturave, të bëra nga batakçinjtë nën urdhrat e Sem Xhiankana dhe nën vëzhgimin e Frank Sinatras. Ajo që i dhembte më shumë ishte ideja që kishte pësuar atë sulm pikërisht nga njerëzit prej të cilëve nuk e priste kurrë një sjellje kaq të keqe dhe të dhunshme. Ndiente një zhgënjim të madh që po i digjte shpirtin. Kishte reflektuar shumë, sidomos gjatë netëve të gjata pa gjumë, mbi arsyet që kishin shtyrë miqtë e saj të ndërmerrnin një akt aq të dhunshëm karshi saj. Në pasditen e një gushtit, siç tregon FBI-ja, i kishte telefonuar Bobi. Ajo u lumturua kur i dëgjoi zërin, të paktën ai i telefononte përsëri, pavarësisht asaj "lamtumire të hidhur" në mbrëmjen e 29 majit. Megjithatë Bobi e kishte me nxitim, dëshironte vetëm t‘i kujtonte detyrën: të mos fliste me askënd për marrëdhënien e tyre, të mos i tregonte absolutisht asnjë njeriu sekretet e saj dhe të vëllait të tij. Vetëm atëherë Merilin e kuptoi se shkaku i atij makthi të tmerrshëm ishin vëllezërit Kenedi, dashnorët e saj më të famshëm. Për të parën herë ajo e kuptoi se me kë kishte të bënte në të vërtetë dhe një drithërimë e lehtë i përshkoi të gjithë trupin. Megjithatë, pas gjithë kësaj gurguleje, arriti të merrte edhe një kënaqësi të vogël, në fundin e jetës së saj. Për mbrëmjen e 1 gushtit kishte marrë nga Bobi një ftesë për darkë, në një restorant të Las Vegasit, për të festuar me Peter Leuford dhe bashkëshorten e tij, Patricia. Në këtë darkë të vogël do të ishte e pranishme edhe gruaja e Bobit, një eveniment i jashtëzakonshëm. Ish të dashurit të saj i kishte dërguar një telegram: "Të dashur Prokuror i Përgjithshëm dhe zonjë, do ta kisha pranuar me gjithë qejf ftesën tuaj të nderit, të Patit dhe Peterit. Për fat të keq jam e angazhuar në një manifestim për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe i përkas yjeve të fundit që mbeten të lidhur me tokën. Në fund të fundit, për gjithçka që luftojmë, është e drejta jonë të ndriçojmë. Merilin Monro". Ndërsa kur Leuford e kishte ftuar më 4 gusht, në mbrëmjen e organizuar në vilën e tij në plazhin e Santa Monikës, Merilin i ishte përgjigjur në telefon: "As mos e mendo! Nuk do të vij. Pse duhet të vijë? Që të më kalojnë dorë më dorë si një copë mishi?! Kam kaluar mjaft, nuk dua që të më ndihmojnë më Frank Bobi, kunati yt dhe Presidenti".

Historia tregon që muaji korrik i vitit 1962 shfaqte një moment tensioni alarmues për Amerikën dhe gjithë botën. Ishte periudha e përballjeve të rrezikshme mes Perëndimit dhe botës komuniste. Bashkimi Sovjetik kishte deklaruar se do të mbronte Kinën nga çdo lloj agresioni. Amerikanët po vdisnin në Vietnam. Marrëdhëniet me Fidel Kastron ishin si mos më keq, ndërkohë që Kremlini mbështeste maksimalisht Kubën. Të gjitha tentativat e CIA-s për të eliminuar liderin e madh, duke i hedhur helm në ushqim, dështuan. Dhe në testin e atij muaji, Shtëpia e Bardhë kishte dhënë urdhër të shpërthenin disa bomba bërthamore të zhvilluara teknologjikisht. Dikush ka shkruar se, që pas Luftës së Dytë Botërore, bota nuk kishte përjetuar një moment kaq kritik, si atë korrik, pasi ishte në prag të një konflikti të ri. "Faji është i komunizmit", kishte paralajmëruar Edgar Huver, "dhe i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në depërtimin e tyre në pikat strategjike të politikës amerikane". Alarmi i Huverit kishte mbërritur edhe në Shtëpinë e Bardhë, shoqëruar nga një ndjesi rreziku real. Edgar Huver po përgatitej të "vilte frytet" e alarmimit të tij. Tani mund t‘i jepte goditjen e tij finale Shtëpisë së Bardhë. Dukej e pabesueshme, por drejtori i FBI-së, në momentin më të vështirë të verdiktit politik të Shteteve të Bashkuara, vazhdonte një luftë personale kundër armikut, të përfaqësuar nga një aktore e famshme dhe e zgjuar hollivudiane.

Huver ishte i bindur që Merilin paraqiste tashmë një rrezik të vërtetë për sigurinë amerikane. I kishte kuptuar sekretet nga të dashurit e saj dhe këta të fundit i kishin treguar Frederik Vanderbilt Field. Imazhet e agjentëve federalë të Uashingtonit dhe Meksikos kishin zbuluar se "miliarderi i kuq" ishte mik i Fidel Kastros, i njohur në Kubë. Lideri i famshëm dhe stërnipi i komandantit të skuadrës ishin lidhur shumë me njëri-tjetrin, duke gjetur shumë të përbashkëta në vizionin e tyre politik ndërkombëtar. Veçanërisht sa i përkiste marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, Vanderbilt i kishte treguar në kofidencë Fidelit urrejtjen për qeverinë amerikane, e cila ishte fajtore për mbështetjen e diktatorit Batista. Sipas FBI-së, "miliarderi i lindur me këmishë", punonte për dy fronte, BRSS-në dhe Kubën. Aktiviteti i tij si spiun kishte pësuar ndryshime, duke filluar që nga shkurti i 1962-it: ishte Vanderbilt Field ai që e kishte njoftuar Fidel Kastron që efektivisht, ashtu siç dyshonte, CIA në bashkëpunim me një degë të mafies italiane po përgatiste një atentat për të marrë në dorë Kubën. Dhe jo vetëm kaq. Kishte qenë sërish ai që e kishte njoftuar Kastron për prapaskenat e sulmit të dështuar në Gjirin e Derrave, pas ndërhyrjes së Shtëpisë së Bardhë. Veç të tjerash rezultonte që Frederik u kishte zbuluar shokëve të tij në Moskë, përmes sekretarit të ambasadës Vassili Zubilin, planet e fshehta të programit bërthamor amerikan. Vetëm në pak kohë, nga shtëpia e tij në Meksiko, Vanderbilt Field kishte arritur t‘u jepte shumë informacione të rëndësishme miqve të tij në Moskë dhe Havanë. FBI-ja i kishte regjistruar të gjitha. Raketat, sulmet, zbarkimet klandestine, bombat atomike, planet e pushtimit në juglindjen aziatike dhe shumë sekrete të rëndësishme për sigurinë e Amerikës, të cilat Presidenti dhe ministri i Drejtësisë ia kishte besuar Merilinit në shtrat mes një përqafimesh. Ajo ofronte seks, ndërsa ata i rrëfenin sekretet e shtetit, për t‘ia treguar më pas të dashurit të saj miliarder dhe të "zjarrtë". I tregonin gjithçka pa frikë, ndrojtje dhe dyshim.

Huver ishte i bindur se kishte ardhur dita e gjykimit. Merilin, spiunia bionde, do të paguante çmimin e fajeve të saj. Më në fund vëllezërit Kenedi do ta njihnin identitetin e vërtetë të dashnores së tyre. Dinin, ose mendonin se njihnin gjithçka të sajën. Që kishte qenë dashnorja e mafiozëve të rëndësishëm dhe rreckamanëve të çfarëdoshëm, që kishte pasur marrëdhënie me gra, që nuk u kishte refuzuar producentëve të vjetër, me qëllim që të shkelte në ekranin e madh. Tashmë e dinin që nuk mund t‘i besonin më asgjë, pasi vazhdimisht përsëriste me një fiksim monoton se dëshironte të bënte një skandal kombëtar, duke u treguar gazetarëve historitë e dashurisë së tyre sekrete. Por që të ishte një spiune e shërbimit komunist dhe e dashura e miliarderit Vanderbilt Field, të cilit i kishte treguar me detaje sekretet e tyre, duke filluar nga Moska dhe Kuba, këtë nuk e prisnin kurrë. Kur e kishin marrë vesh këtë lajm, Xheku dhe Bobi ishin shokuar, jo vetëm për faktin se kishin vërejtur një ndryshim rrënjësor të personalitetit të gruas që i kishin besuar gjithçka, duke e kujtuar një kukull të brishtë, por edhe sepse për këtë prapaskenë kaq poshtëruese ishin informuar pjesëtarë të tjerë të shtetit. Për faj të Merilinit po rrezikonin të bëheshin karagjozët e botës politike të Shteteve të Bashkuara.

Më 26 korrik, divizioni i Inteligjencës Kombëtare të FBI-së, pra Departamenti i Kundërspiunazhit, i kishte dërguar një dosje Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë dhe për njoftim, adresës së redaksisë së CIA-s ku ndodhej republikani Xhon Mekon. Dokumenti prej 500 faqesh mbante numrin "105", kodi i caktuar "çështjeve të inteligjencës së jashtme" dhe deri në atë kohë ishte mbajtur i fshehur si "B1". Kjo sigël u referohej dokumenteve të shërbimeve sekretet që i përkisnin çështjeve të sigurisë kombëtare. Dosja numër "105" përmblidhte një marrëdhënie shpërthyese dhe voluminoze mbi ato që kishte thënë dhe bërë Merilin Monro muajt e fundit, veçanërisht prapaskenën e qëndrimit të saj në Meksikë. Brenda tij ishte e gjithë historia e saj, treguar nga vetë Edgar Huver. Gjithçka e kishte shkruar vetë me makinën e tij të shkrimit, "romanin", së bashku me lajmet e mbledhura në shumë vite kërkimesh, hetimi dhe manipulimesh të djallëzuara.

Në momentin e fundit, Huver kishte shtuar në "dosjen 105" një informacion tjetër, i cili kishte ndodhur tri ditë më parë. Më 23 korrik, dy agjentë federalë kishin informuar që Monro në qytetin e Meksikos kishte folur me Vanderbilt Field edhe për një takim tjetër me Presidentin: "Tha që do të darkonte në rezidencën e Peter Leufordit me Presidentin Xhon Kenedi, vetëm pak ditë në fund të janarit. Ishte shumë e kënaqur, madje i kishte bërë Presidentit shumë pyetje me përmbajtje sociale që i përkisnin moralit të testeve atomike". Ndërkohë miqve të saj të "Grupit Komunist Amerikan në Meksiko", kukulla bionde u kishte treguar gjithçka që vëllezërit Kenedi kishin zbuluar për argumentin në fjalë, madje edhe atë që do të ndodhte aty pas pak muajsh. Në korrik, do të shpërthente bomba e parë me hidrogjen mbi territorin e Shteteve të Bashkuara dhe më pas do të vijonin shumë teste të tjera.

Dosja e Edgar Huver pati një efekt shpërthyes. Dyshime, mosbesim, shqetësim, frikë: këto ishin ndjesitë që provokoi "dosja 105" te të gjithë ata që e morën në duar, CIA-s, republikanit Xhon Mekon, i cili në publik shfaqte keqardhje dhe shqetësim. Ndërsa kur ishte në ambiente private me miqtë e tij, ndodhte krejt e kundërta, ishte i qeshur dhe dëfrehej. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një President i SHBA-së dhe ministri i Drejtësisë, vëllai i tij, të përfshiheshin në një skandal planetar. Edhe në Departamentin e Shtetit, ku thuajse të gjithë ishin shkrirë me vëllezërit Kenedi, mbretëronte habia dhe trishtimi. Me pak fjalë, krerët më të lartë të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin magjepsur nga aktorja e famshme, që fillimisht i kishte çuar në shtrat, i kishte bërë të flisnin për gjëra sekrete të shtetit dhe më pas u kishte servirur gjithçka një grupi spiunësh komunistë të udhëhequr nga stërnipi miliarder i komandantit të flotës ushtarake detare Kornelius Vanderbilt. Dukej vërtetë një situatë aq tragjikomike, saqë edhe miqtë nuk dinin ç‘të bënin, të qeshnin apo të qanin.

Dy vëllezërit kishin vendosur të reagonin. Ndërkohë i kishin ndërprerë marrëdhëniet e tyre me Marilin, por nuk ishin në dijeni për rrezikun e zhvillimeve të tjera. E kush i siguronte ata që ajo e çmendur nuk mbante një konferencë për shtyp, shumë kërcënuese, duke provokuar një konfuzion të madh ndërkombëtar? Në atë moment, Xheku dhe Bobi, kishin dy armiq për të luftuar: Marilin Monro dhe Edgar Huver. Do të kishin dashur t‘i neutralizonin, për të shmangur qarkullimin e të dhënave të tjera dhe përhapjen e tyre në dosje të tjera. Huver ishte i paprekshëm, i mbrojtur më së miri nga një kafaz i çeliktë, i krijuar rreth vetes. Nëse dikush do të guxonte t‘i afrohej do të ndeshej me një furtunë të madhe balte. Kështu mbetej vetëm Merilin.

Presidenti kishte organizuar një tjetër takim me Merilinin. Bobi e kishte refuzuar: pas disa orësh do të informoheshin nga Huveri, që nënshkrimi mes Presidentit dhe së dashurës së tij komuniste ishte regjistruar e sistemuar në arkiv. Sipas Bobit do të ishte e pahijshme të reagohej në ditën me diell. Ndërkohë Huver nuk do të befasohej dhe aq shumë, nëse do të regjistronte një tjetër takim me Merilinin. Fundja, ende rezultonte që ata ishin të dashur.

Kështu vëllezërit Kenedi, të nxitur edhe nga këshilli i familjes, kishin zgjedhur të pranonin një tjetër takim që Bobi i kishte propozuar Merilinit. Regjia e "takimit të fundit", i ishte besuar Peter Leuford. Kunati kishte menduar për një takim jo shumë intim. Më tepër konfidencial, jo edhe aq sekret. Kështu që ishte zgjedhur një restorant, nga ata elegantët dhe të këndshmit, në zonën e bulevardit "Sunset". Takimi ishte për një darkë, në restorantin italian "La Scala". Leuford kishte filluar të tregonte se marrëdhëniet e Marilinit me Foksin ishin vështirësuar aq shumë, sa ajo shumë e dëshpëruar i kishte kërkuar ndihmë mikut të saj, Bob Kenedi. Në të vërtetë, kishte zbuluar Leuford, nuk ishte vërtetë Merilin që kishte thirrur ministrin në Uashington. Për këtë problem ishte angazhuar zëdhënësja e tij për shtyp, Patricia Njukomb.

Kështu, mbrëmjen e së premtes, më 3 gusht, në tavolinën e një restoranti italian, së bashku me Merilinin ishin ulur Robert Kenedi, Peter Leuford dhe Patricia Njukomb. Federalët që po regjistronin ngjarjen, i kishin bërë të ditur drejtorit se aktorja i kishte sytë të skuqur, sikur të ishte e dehur apo e droguar. Fliste me mundim dhe koka i tundej sa nga njëra anë në tjetrën. Ndërkohë që të pranishmit në tavolinë bisedonin me njëri-tjetrin, ajo nuk arrinte as t‘i dëgjonte. Gjithçka të jepte përshtypjen e një gjyqi, se ata po e detyronin Monronë të tregonte, por e pandehura dukej krejt e hutuar. "Procesi" ishte mbyllur natën vonë, kur tashmë restoranti ishte zbrazur dhe Merilin nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë. Miqtë e saj të mbrëmjes e kishin shoqëruar për në shtëpi me ndihmën e Leuford. Një ditë më vonë, më katër gusht, pasi Merilin e kishte marrë disi veten, po mendonte me gjakftohtësi për atë mbrëmje të pamundur dhe kishte dalë në përfundimin se miqtë e saj e kishin kërcënuar dhe kjo as që kishte dyshim. "Nëse do t‘i tregosh njeriu ato që di, do të pendohesh!". Me një mendjemadhësi fëmijënore, e refuzonte atë mësim. Kishte vendosur të hakmerrej.

Më 6 gusht kishte njoftuar disa gazetarë, miq të saj nga Los Anxhelos, në një hotel të Hollivudit. Merilin do të mbante një konferencë shtypi mbi temën: "Unë dhe Kenedit". Madje edhe disa kanale televizive kishin siguruar praninë e tyre aty. Zëri i asaj nisme ishte në Hollivud në pak orë. Madje lajmi kishte arritur deri në Uashington. Konferenca për shtyp e 6 gushtit u anulua në momentin e fundit. Kishte qenë Sidnej Skolski, gazetari i rëndësishëm i Hollivudit, që i kishte njoftuar kolegët e tij. Do të takohej me Merilinin të dielën, në një restorant të Hollivudit, për një bisedë miqësore. Do të flisnin për shumë gjëra, veçanërisht për projektin e një filmi që Merilin kishte në plan për ta realizuar mbi jetën e aktores së saj të preferuar, Xhoan Harlou. Pasi nuk ishte paraqitur në takim, ai kishte telefonuar në shtëpinë e saj, ku kishte marrë edhe lajmin e vdekjes. Tashmë, Merilin kishte pushuar së foluri dhe duke ngatërruar njerëzit e rëndësishëm. Edhe këtë herë e kishin trajtuar keq, ashtu si Frank Sinatra dhe Sem Xhankana në Las Vegas. Por vetëm me një ndryshim, që atëherë ishte për ta e paralajmëruar, ndërsa tani ishte përgjithmonë. Për këtë ngjarje Den Martin tha: "Merilin vdiq 37 vjeçe. Më mirë kështu. Ndoshta do të kishte më qenë e lumtur, nëse do të kishte pasur kohë të takonte njerëzit e dashur".

Lamtumirë gjithçkaje, Hollivudit dhe filmave të saj, burrave dhe kushedi se sa të dashurve, nënës së çmendur dhe babait që nuk kishte ekzistuar kurrë, të dashurit Frank Sinatra, psikologut të saj, Ives Montand, që e kish dashur deri sa e mori partia komuniste, Artur Miller burrit shumë të zgjuar dhe egoist.

Lamtumirë të dashurve Xhek dhe Bobi, shokët e mrekullueshëm të mbrëmjeve të paharrueshme dhe armiqtë e urryer të orëve të fundit. Lamtumirë aktorëve të famshëm, idhullit të saj Xhoan Harlou dhe Greta Garbos. Lamtumirë të dashurit Truman Kapote dhe të gjithë atyre gangsterëve që e kishin bërë të dukej një trofe shumë të lakmuar. Lamtumirë këngëtarëve dhe shkrimtarëve që do të bëjnë historinë e "Brezit të ri", miqve komunistë të shpërndarë në qytete e fshatra meksikane në kërkim të aventurave dhe sekreteve për t‘i dërguar në Moskë dhe Havanë. Lamtumirë edhe Meksikos së dashur. Lamtumirë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora