E marte, 16.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Mendime

Veton Surroi: Udhetimi i gjate per ne ngjyren gri

E shtune, 23.02.2008, 10:41 AM


Udhetimi i gjate per ne ngjyren gri

Margaret McMillan; "Parisi 1919", glasat në Nauru dhe mediokriteti i Prishtinës

Nga Veton Surroi

1.

Koreanët e Siberisë kishin dëgjuar, në të mbaruar Lufta e Parë Botërore, se po përgatitej një Konferencë e madhe e Paqes, ku do të parashtroheshin kërkesat e popujve të shtypur. Do të nisej për në këtë konferencë, dëgjuan, vet Presidenti amerikan, i cili kishte shpallur se popujt kishin të drejtën e vetëvendosjes, e do të niseshin edhe ata vet për në Paris.

Siberia është e madhe dhe këtë e kuptuan koreanët kur mbërritën në portin e Arhangelskit, në Paqësor, dhe në vend se të hipnin në vapor, duhej të ktheheshin mbrapa, sepse tashmë Konferenca kishte mbaruar.

E me të, edhe historia. Së paku ajo e shkurtër dhe e trishtë e koreanëve të Siberisë si aktorë të vetëvendosjes.

Ndërsa lexoja këtë rrëfim bizar në librin voluminoz e fascinues të Margaret McMillan "Parisi 1919" (në një përkthim të dobët shqip), ndjeja një simpati për këta koreanë, si simbole të dyfishta. Nga njëra anë, përfaqësonin të humburit e historisë, ata të cilëve jeta u shenjëstrohet me një ngjarje, siç ishte Konferenca e Paqes më 1919. Në anën tjetër, janë simbole të përpjekjes individuale për lumturi, sado e largët dhe e paarritshme të jetë.

Natyrisht, nuk kisha si të mos krijoja dhe një analogji, sado surreale, mes koreanëve të Siberisë dhe kosovarëve të asaj periudhe. Ndonëse ne mbërritëm në Konferencë nëpërmjet Hasan Prishtinës (i cili nuk përmendet me emër) efektet e kërkesave tona do të ishin të njëjta me ato të koreanëve që as që ia kishin mbërritur, zero. Sipas percepsionit të autores McMillan, kosovarët figurojnë si një grup burrash që kanë ardhur të ankohen se Serbia e Pashiqit po ua shkel të drejtat në përdorim të gjuhës.

Në analet diplomatike të prodhuara pas Konferencës, më shumë vend zënë glasat e ishullit Nauru, në Paqësor. Ato, pra glasat, duke u akumuluar në këtë ishull prej 20 kilometrash katrorë, ishin bërë burim fosfatesh, të nevojshme për pleh artificial në vende me bujqësi të zhvilluar. Në fund të Luftës së Parë Botërore, kur kishte ardhur në radhë ndarja e kolonive gjermane, këtë ishull e kishin kërkuar Australia dhe Zelanda e Re, ndërsa e kishte mbajtur për vete Britania e Madhe.

Në vitet gjashtëdhjetë, për ta bërë historinë më interesante karshi Kosovës, Nauru do të pavarësohej dhe do të bëhej anëtar i Kombeve të Bashkuara. Duke u zhdukur rezervat e glasave, ky vend gjatë të nëntëdhjetave do të bëhej vend i pastrimit të parasë së mafies ruse.

2.

Pas gati nëntëdhjetë vjetësh, Kosova përjetoi apo jetësoi, më 17 shkurt, njërën prej ideve fondamentale të Presidentit Wilson, me të cilën ai ishte nisur për në Konferencën e Paqes atë të vetëvendosjes, gjegjësisht të vetëqeverisjes, siç thuhet në 14 pikat që shërbyen si parime të Fuqive të Mëdha. Por, ashtu siç shpjegohet në libër, asokohe nuk ishte shumë e qartë, as për vetë Wilson-in, se cili do të ishte subjekti, i cili kualifikohej për vetëvendosje: territori, populli, një pjesë e tij? E pasqaruar kjo dilemë, mbeti gjatë i pasqaruar edhe fati i Kosovës. Në fakt, debati që po zhvillohet tash rreth legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe ai i ardhshëm mbi përpjekjet e Kosovës për t‘u bërë vend anëtar i OKB-së, rrjedh m‘u nga dilemat që i hapi asokohe Presidenti Wilson, e që u integruan së pari në Lidhjen e Kombeve (të iniciuar po nga ai) e pastaj në OKB.

Por, pse nuk u arrit zgjidhja që atëherë, pse nuk u aplikua parimi i vetëvendosjes në formën më të natyrshme, atë të bashkimit të popujve nën një shtet kombëtar?

Ajo që del qartë nga ky libër është se parimet për vetëvendosjen kanë qenë në konkurrencë të ashpër me interesat e shteteve fitimtare të Luftës së Parë Botërore, interesa që përpiqeshin që të përfitohej sa më shumë nga rrënimi i shteteve humbëse dhe të interesave të tyre territoriale dhe ekonomike.

Këto ishin kohët moderne. Dy popujt fqinj të mëdhenj të shqiptarëve këtë e kishin kuptuar. Serbia kishte një negociator të jashtëzakonshëm në krye të shtetit e të delegacionit, Nikolla Pashiqin, ndërsa Greqia kishte njeriun më të respektuar nga vetë Presidenti Wilson dhe Kryeministri britanik Lloyd George, Kryeministrin Lefteros Venizellos. Që të dy prezantonin, me inteligjencë dhe sharm, zgjerimin e territoreve të tyre me gllabërimin e territoreve të të tjerëve si interesa strategjike të Fuqive fitimtare në luftë.

Shqiptarët jetonin në kohë të kaluara. Në emër të shqiptarëve fliste Turhan Pasha (në kohën kur kryesuesit e delegacioneve evropiane kishin mbiemra), ish-administrator otoman i dështuar i Kretës dhe ambasador afatgjatë otoman në Shën Peterburg. Sipas autores, kur ai paraqiti arsyetimin shqiptar, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha e përcollën me gajasje, shpërfillje a llomotitje mes vete.

A mund të ketë pasur kaq ndikim personaliteti i njeriut, a është e mundur që mënyra se si na perceptojnë dikton kaq shumë në vendimet politike?

Një këmbim mendimesh mes Lloyd George-t dhe Presidentit Wilson mbi Shqipërinë, këtë do ta ilustronte më së miri. Në kohën kur ende ishte dilema, a duhet të ekzistojë apo jo një shtet i quajtur Shqipëri, Kryeministri britanik argumentonte se shqiptarët, të ndarë në fiset e tyre, do të silleshin si skocezët në shekullin XV.

Presidenti amerikan ia përkujtoi britanikut se ai kishte prejardhje skoceze dhe atëbotë shprehu vendosmërinë e tij se Shqipëria do ekzistonte.

E, nëse kështu shpëtoi Shqipëria, mund të kuptohet më lehtë konteksti i përgjigjes se pse mbeti Kosova jashtë saj.

3.

Një mik imi, jurist dhe diplomat i njohur amerikan, më pyeti vjet se a është "mbledhur Grupi i të Urtëve kosovarë" që ta shkruajnë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, e cila qartazi do të bëhej së shpejti?

Iu përgjigja me një gjysmë të vërtetë. I thash se po mblidhej, por jo edhe se dija që më së paku do të kishte kosovarë në të, e varet edhe si e definon konceptin e urtësisë.

Nëntëdhjetë vjet pas Konferencës së Parisit ka qenë kohë e mjaftueshme për të bërë një Deklaratë Pavarësie (ndonëse në gjysmën e parë të shekullit XX, ideja fondamentale do të ishte Deklarata e Bashkimit me Shqipërinë) dhe kohë e mjaftueshme për të dizajnuar simbolet e shtetit të ri.

Deklarata do të duhej të ishte Trakt i thelluar mbi Lirinë, si koncept, si synim, si kod. Simbolet do të duhej të kishin përmbajtjen e kësaj treve, historisë së saj, njerëzve, aspiratave të tyre.

Në vend të tyre, Kosova fitoi një Deklaratë Pavarësie, që ishte përshkrim burokratik i obligimeve që po i merr shteti i ri nga Paketa e Ahtisaarit dhe një flamur, që i ka hije vetëm si shenjë distinktivi në uniformën e shërbimit policor të Kosovës. Një Deklaratë pa thellësinë e filozofisë e pa shprehje poetike. Një flamur pa kritere heraldike dhe pa as më të voglin kriter estetik.

Kur të shkruhet historia e këtij akti madhor për popullin e Kosovës nuk di a do të mbijetojnë edhe fjalimet e krerëve që pos rrahagjokësjes, vështirë se kanë për çka të mbahen në mend. Një akt që do të duhej të mbahej mend për nga energjia e krijimit u shënua me një ndjekje fanatike të ngjyrës gri.

A ka përgjigje në librat e historisë për këtë obsesion të manifestuar me mediokritet nga institucionet kosovare? Më 1919 doli në shesh një koncept i ri në relacionet mes popujve të zhvilluar dhe atyre të pazhvilluar, në shumicën të kolonizuar. Presidenti Wilson nxori idenë e Mandateve, me të cilat Lidhja e Kombeve (më vonë u interpretua si Fuqitë e Mëdha, veç e veç) merrnin mandat për të administruar një territor a popull. Bile, nxorën kategorizimin A, B dhe C, me të cilin vlerësonin gatishmërinë e një populli për t‘u bërë i pavarur.

Kjo shpikje e mandateve e vitit 1919, ndonëse e transformuar, mbërriti në Kosovë. Së pari me UNMIK-un tetëdhjetë vjet më pas, e tash së fundi me EULEX-in. Me këto mandate bashkëkohore Kosova dëshmonte ecjen prej njërës në kategorinë tjetër të gatishmërisë për sovranitet të plotë.


4.

Një ndihmëskuzhinier i një restauruesi parisien, do të hyjë në librin "Parisi 1919". Edhe ai kishte parë delegacionet se si shkonin e vinin, kishte dëgjuar për bisedimet që po zhvilloheshin dhe kishte vendosur se duhej t‘i qante hallin. Shkroi një letër për të drejtat e popullit të vet.

Quhej Ho Shi Min. Mbas shumë vjetësh do ta shihte, me sytë e prijësit, lirinë e vendit të tij dhe duke dëshmuar, si me rastin e Kosovës, se këtyre punëve të bërjes së shteteve as u dihet fillimi e as fundi.

Por, se mbetet, rrëfimi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora