E shtune, 20.04.2024, 01:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Qartësia e zjarrmisë në kthjelltësinë poetike

E hene, 14.11.2011, 08:59 PM


QARTËSIA E ZJARRMISË NË KTHJELLTËSINË POETIKE

 

Nga Nexhat Rexha

 

Poeti dhe prozatori Sabit Rrustemi këto ditë doli me veprën më të re poetike me titull “Zjarrmi e kthjelltë” në Botim të Shtëpisë Botuese ”Beqir Musliu”.

Vëllimi poetik hapet me poezinë  “ Arnimi i shtëpisë” e shpërblyer  me vendin e parë nga  Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Poezi e botuar në revistën Fjala, më  24 dhjetor 1994, e rigjetur  këtë vit. Sabit  Rrustemi librin e ka konceptuar në  këto cikle:  I. Nëpër krahët  e shqiponjës, II. Plisi i dhembjes, III. Mos qoftë thënë, IV. Zbrazja e të pathënave,V. Po shumë më paske braktisur,VI. Merre ma shtruar dhe  cikli i fundit  që ka vetëm një poezi. VII. Më vetëton në sy.

Poezia e shtruar në këtë vëllim përfshinë krijime të shkruara  që edhe nga në vitet e tetëdhjeta, mirëpo pjesa me e madhe e poezive janë të shkruara në këto dy vitet e fundit.

Poezitë e para të këtij libri, si: Arnimi i Shtëpisë, Dita kur e çliruam Shkupin, Dokument i grisur, e ndonjë tjetër kanë ruajtur integritetin poetik të kohës kur janë shkruar dhe më pastaj bukur komunikojnë  me të ardhmen e evoluimit në kontinuitet të zhvillimit të ngjarjeve, por edhe si proces në çështjet e ngritura. Brendia e këtyre poezive  sjell ritmin e mirëfilltë  në ndërgjegjen fundamentale të idealizmës sonë kombëtare, e cila ka peshën e vet në përditshmërinë aktualizuese, sepse komunikon dhe shfaq  tendencën për një modernitet  sa më të avancuar.

Tematika dhe motivet ndërthurin lidhjet e saja nëpër kohë  e faza të ndryshme, me  reflektim të qëllimit aktualizues dhe të ruajtejes së efektshmërisë për  të shpalosur karakterin dhe identitetin e protagonistëve për të cilët autori ka parashtruar skena të ngjarjeve të ndodhura, kuptohet gjithnjë me kujdesje, që vargu i tij të jetë  funksional e i paisur me mjete e shprehje artistike si dhe figuracioni i zgjedhur shton kuptimësinë   vargut dhe njëkohësisht mesazhi  del më afër lexuesit.

Për të ruajtur dhe kultivuar ndër breza, ngjarjet dhe emrat e të dëshmuarve, Sabit Rrustemi në disa poezi të këtij vëllimi dhe në disa të libra të tjerë ka lidhur  fatet e njerëzve dhe ngjarjeve tona historike i ka dhënë shpirt poetik, duke i gjallëruar ato  përmes botëkuptimit  tradicional dhe identifikimit jetësor, gjithnjë në proces të transformimit  shoqëror të ruajtur për atë që duhet ruajtur.

Lidhja e ngjarjeve dhe fateve të heronjve në poezinë e Sabitit kanë intencën e unifikimit  tematik dhe atë të ruajtjes së brezave nëpër faza të ndryshme historike, të cilat kultivojnë dhe shpalosin etninë tonë, e këta  janë artikulues dhe fanar të kohëve.Në këto vargje Sabiti ka  shpalosur pjesë të të bëmave të tyre dhe këto përkushtime rishpalosin  faqet e ndritura  të këtyre personaliteteve, siç janë: Isë Boletini, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Ramë Bllaca, Shaban Polluzha, për të lidhur pastaj brezat e ditëve më të reja, me disa nga këta Sabiti edhe ka bashkëvepruar dhe domosdoshmërisht veprimet e përjetimet i ka  ruajtur, por edhe i ka shkrirë në vargun tij të sintetizuar, si për: Agim Ramadanin, Sali Çekun, Nekibe Kelmendin, Abedin Gashin, Bekim Fehmiun etj., gjithnjë këta emra dhe këto ngjarje ai i ka saktësuar edhe me toponiminë burimore, sepse vetë jeta dhe ngjarjet e kanë këtë kirareki natyrore dhe Sabiti  artikulon në ruajtjen e kësaj kierarkie edhe në vazhdimësi, pa marrë parasysh rrjedhat e pa dëshirueshme  të së  kaluarës.

E folmja njerëzore e sidomos ajo poetike krijon fuqinë e kësaj bote  dhe artisti i afron njeriut shijen për të provuar atë, dhe pastaj  njeriu vetvetiu krijon parafytyrimin e  të madhërishmes së kaluar apo edhe të ardhmes, kuptohet vetëm me vlera estetike, e këto vlera  Sabiti i ka vënë në kontinuitet të funksionalizuar.

Në poezitë i librit “Zjarrmi e kthjelltë” dallojnë dhe specifikojnë disa poezie, të cilat  nuk janë vetëm imagjinatë e autorit, por ato janë  realitete të përjetuara nga Sabiti e gjenerata e tij, që rrjedhimisht kanë funksionalizuar  si shenja identifikimi për të keqen tonë dhe këto poezi kanë qartësi në vazhdën e përjetimeve të jetës  së njeriut tonë për disa dekada.. Mirëpo, jeta dhe ngjarjet në shumë raste kanë rrjedhën e  vetë  të shpejt e në ndonjë rast ato mund të mos kuptohen më qartësi, sepse kjo vjen edhe si rezultat i mos njohjes së kohëve prej gjeneratës në gjeneratë apo edhe pse disa emërtime edhe mund të koincidojnë dhe paralelizmi i tyre pastaj mund të keqkuptohet apo keqinterpretohet. Këto rrjedha  koinciduese  nëpër fatkeqësit tona janë shpalosur  bukur në vargjet e poezisë “I pambrojtur dëshmoj”.Brendia e shtjellimit të problematikës së shtruar në këtë poezi, ruan në kujtesën e autorit “Shtëpinë e Verdhë”, nga e cila dolën shumë breshri e të shtëna ogurzeza për rininë studentore të 1981 dhe atë të viteve të 1990 –ta.  Përmes vargjeve identifikohet koha dhe koincidenca .

Aty në Breg Diellit

Një Shtëpi e Verdhë

Lëshonte kobra helmues

Mbi pëllumba të rinj

 

Ua them dhe ditën dhe vendin

Njëzetegjashtë Mars Tetëdhjetë e Një

Qyteza Studenti në Prishtinë

 

Atë kohë Haga s`na shihte me sy

Një mur ndante dhe Brukselin

Nga mua nga ty

Fq.66.

Kjo shtëpi helmi me protagonistin  Deli Kobrashiqin ” ende aty është” , sikur  autori na  rikujton se  kërkesat tona i përjetojmë edhe sot për atdhedashuri, sikur ende na trazojnë  këto fantazma të së kaluarës. Dhe si dëshmi për këtë pjesë lirie që kemi arritur autori shprehet ”Dëshmi keni një det lotësh, prej tonave nëna ”.

Ndërsa, titulli i librit vjen nga poezia “Furtunë mbi tokën time” saktësisht nga  vargu i parë i kësaj poezie, e cila specifikon  ngjarje nga nënqielli  ynë. Në tërësinë poetike të këtyre vargjeve burojnë ndjenjat e ngjarjet, të cilat marrin karakterin e fuqisë së konpenzimit mbi fatin e individit dhe të kolektivitetit, autori në  brendin e vargjeve qartëson kuptimin e mesazhit për t`i dhënë imazhe e kolorit origjinal tokës për vetëmjaftueshmërinë e saj  si dhe për teprimet që prodhon jeta deri në skajshmërinë e saj. Mirëpo, Sabiti sjell dashurinë për këtë tokë edhe kur ajo godet edhe kur ajo të sjell fat e dashurinë fatlume,të gjitha këto ndodhi e të bëma kanë dëshmitar qiellin dhe dashuria e njeriut arrinë në përjetësinë e ëndrrës  ëndërrimtare. Konsideroj se poezia ”Furtunë mbi tokën time”,ka vlera antologjike dhe pasuron fondin e avancimit të letërsisë kombëtare.

Një cikël poetik i këtij vëllimi konkretizon në mënyrë harmonike dhe shpalos çdo pjesë të tokës që e shkel e ledhaton për çdo ditë Sabiti, ai është Çepuri, sintagmë e  përbërë nga ajo që ekziston, në të nuk kemi mllef, por kemi dashuri, kur dashuria fuqizohet me  mallin e nostalgjin e përditshme, ajo të përvetëson e të kthjellon për ditët që ikën e për ato që vijnë.

Trajtimi i këtyre ndjenjave  në brendi ka substancialitet  të farkuar me mjeshtri e dashuri dhe  ambienti në Çepurin e Sabit Rrustemit të jep jetë e gjallëri dhe vargu i tij del i ngjeshur dhe krijon pastaj kozmosin për të pa Çepurin sa real, po aq edhe artistik. Këtë, shfaqje me bukuri të rrallë mund ta prekësh vetëm nëse arrinë të depërtosh në brendësinë e vargjeve dhe në botën imagjinative me tërë kompleskitetin që prodhon jeta .

Këto parafytyrime të perspektivës prodhojnë efektin edhe të kthimit në retrospektivë, e cila te jep dhe të merr botën tënde. Distanca në kohë paraqet ngjarjet e publikut me të gjitha nënshtrimet dhe arritjet e kapshme  nëpër të cilat ne hapërojmë sot apo nesër. Për këtë arsyeshmëri  universale, poezia e këtij vëllimi ka harmonizim të idesë në komunikim dhe në të kemi edhe optimizmin, edhe këshillën e mobilizuar për dashuri e mirëkuptim në intelektin e simetrisë sa më afër ndjenjës së madhërishmes në pushtimin e të bukurës sa më reale.

Nëpër faqet librit “Zjarrmi e kthjelltë”, lexuesi me ëndje  mund të lexojë poezinë, e cila  është shkruar me një gjuhë  të pastër, të qartë si dhe me artikulim e tingëllimë të rrjedhshëm poetik. Vargënimi  i përmbajtjes  ka harmonizonim  estetik, përmes të cilës dëshmon se pena poetike e Sabit Rrustemit, ka krijuar tanimë autencitetin krijues dhe dinamika e shtjellimit të vargjeve  ka konceptimin origjinal si në kontekstin e kohëve, poashtu edhe në relacionin e përpjekjeve  për avansim sa më  praktikë  si në brendi dhe  në mbarështrimin e figuracionit në përputhje me orbitën  poetike.

Rëndësia e vargut hapëron me kujdes në optikën  e rrjedhshme edhe për lexuesin, edhe  për tematikën e paraqitur në tërësinë e saj.

Edhe në këtë vëllim poetik Sabiti ka  arritur avansimin në përsosshmërinë e qasjes artistike, sepse tematika e shtruar ka një heterogjenitet të pranueshëm për vetë lexuesin dhe  koloritin e brendshëm, duke i dhënë kuptimin tërësisë së shtruar edhe si objektivë artistisike, edhe si realizim brenda kopertinave të librit. Ai ka funksionalizuar  vrojtimet e problematikës së  shtjelluar në vepër. Fuqia e fjalës  komunikon me pavdekësinë e jetës, sepse  ai edhe kur shkruan për dëshmorët, edhe kur shkruan për përditshmërinë aktualizuese objektivizon qëllimin më  figura të realizuara, përmes të cilave i jep jetë e gjallëri mesazhit përcaktues dhe identifikon atë me konkreten aktualizuese  të kohës. Këto lidhje krijojnë  ndërgjegjësimin e njeriut për të ardhmen, duke synuar gjithnjë në shpirtin kreativ dhe përjetësimin e dallueshëm ekzistencial me dimensione  sa më afër imagjinatës dhe reales. Kjo edhe  e bënë këtë vëllim poetik sa funksional, po aq edhe komunikues si në përmbajtje, poashtu edhe në vlerën e saktësisë  si dhe për të ruajtur  shkallën  e mendimit të konsoliduar artistik.

Frymëzimi dhe gjetja e figuracionit  metaforik janë hallka domethënëse, që shpalosin angazhimin në bashkërenditje e bashkëveprim me idetë poetike ,të cilat  konkretizojnë aktualen në frymën e modernitetit poetik, për të  arrirë shkrirjen e imazhit në objektivitetin  burimor  dhe në krijimin e ambientit sa më origjinal, si edhe për gjetjen e mikrotoponimeve si ilustrim praktik.

Në vëllimin “Zjarrmi e kthjelltë”, Sabiti  ka shfaqur idenë e konkretizuar, duke e motivuar atë në mosshterjen e frymëzimeve te tija poetike si dhe në angazhimin e mëtejmë edhe për krijime e vlera sa më të arrira estetike në botën  e letrave shqipe, të cilat edhe janë të pranishme  në këtë vëllim poetik.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora