E shtune, 20.04.2024, 01:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (III)

E hene, 14.11.2011, 08:59 PM


HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI” –

- Dom Nikollë Kaçorri -

 

(Pjesa - 3)

 

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

 

(Ripublikim për shkak të humbjes së faqes së vjetër nga ndërhymje piraterike).

 

3/1. KRYENGRITJA E KURBINIT

    DHE DOM NIKOLLË KAÇORRI

          (1905-1907)

 

“Mendja dhe zemra asht gjithnji

në Kurbin e me kurbinas”.

Dom Nikollë Kaçorri

 

Imzot Kaçorri ishte përthithë i tani në veprimtari nga ma të ndryshmet, gjithmonë i nxitun nga motive atdhetarie të pashoqe: nga shërbimet meshtarake me theks kryekëput atdhetar, në shoqnitë kulturore, përsëri me theks e qellim veprimtarinë kombtare, tek shpërndamja e librave e gazetave shqip, tek pjesëmarrja aktive e me rol të dorës së parë në çashtje të alfabetit e deri të njësimit të normës gjuhësore, deri tek pjesëmarrja direkte në veprimtari politike, sidomos mbrenda juridiksionit kishtar të Durrësit. Kjo e ndihmoi të ngrihej në shkallët ma të nalta të Lëvizjes Kombtare Shqiptare.

Vala e trazinave politike kishte fillue qysh në fund të shek. XIX nën drejtimin e Murat dhe Refik Toptani, që në vitet e para të shekullit të ri do të arrinte kulmin nën udhëheqjen e atdhetarit të shquem Abdi Toptani, Kryetar i Komitetit të Rezistencës, formue në Valias në dhjetor 1901. Përfaqësues të Durrësit në këtë lëvizje ishin Imzot Kaçorri dhe Mustafë Ali Beshiri.

Komiteti e shtriu ndikimin e lidhjet e tij në gjithë Shqipninë e Mesme, ate Veriore e deri në Prizren, Pejë e Gjakovë.

Ishte hera e pare në historinë e kombit tone, mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një bashkëpunim kaq i gjanë ndërkrahinor.

Do të pyesë lexuesi: A i dinë historianët tanë këto, se nuk i kemi lexue kund? Natryrisht që i dine, dhe i dinë shumë ma mire se unë, por na vazhdojmë ta trajtojmë historinë me paragjykime.

Kërkesat e qarta politike dhe bashkëpunimi me armë në dorë ndaj çdo përpjekjeje raprezaljesh nga autoritet turke, siç ishte ajo e Shëngjergjit, e detyruen adminsitraten të tërhiqej përkohësisht.

Por paqja e rremë nuk do të zgjaste shumë. Valiu i Shkodrës vendosi të fillonte shtypjen e lëvizjes me nënshtrimin e kurbinasve, zona ku tyrqit kishin humbë krejtësisht autoritetin shtetnor. Ekspedita barbare iu ngarkue pinjollit ma të mbrapshtë të fisit të Toptanëve: Esat Pashë Toptanit, që në shkurt 1903 ndërmori një nga aktet ma të turpshmë të të shitunve. Forcat e tij jo vetëm vranë njerëz të pambrojtun, dogjën e plaçkitën gjatë ekspeditës në zonën e Kthellës, por edhe përdhunuen vajza e gra të traumatizueme nga barbaria e tyne.

Imzot Kaçorri, tue u veshë e mbrojtë nga një mandate i misionit austriak për verifikimin e ankesave që arrinin nga çdo anë, me 26 mars 1903 niset drejt Kurbinit dhe “grumbulloi shumë fakte rrënqethëse të veprimtarive të dhunëshme, që kishte kryer Esat Pasha me forcat e tij”, na thotë historiani ynë.

Gjatë misionit të tij, që zgjati deri me 5 prill 1903, ai çfrytëzoi rastin të vihej në kontakt me parinë e Kurbinit për organizmin e kryengritjes. Ajo filloi menjëherë, porsa u kthye në Durrës Imzot Kaçorri, aq sa forcat osmane të udhëhequna nga faqeziu Esat Toptani, u detyruen të tërhiqeshin me turp, por tue lanë mbrapa një gjendje tejet të randë, qoftë ekonomike, ashtu edhe morale.

Bashkimi e bashkërendimi e veprimtarive luftarake u ba edhe ma i fortë në  zonat ku kaluen hordhitë esadiste, si në Krujë, Tiranë etj. Tashma shqiptarët e kishin të qartë se historia i kishte thirrë të shpreheshin me grykën e armëve.

Kulmin e këtij rebelimi do të ndeshim pak ma vonë, në Kryengritjen e gjatë dhe heroike të Kurbinit në vitet 1905-1907.

Kurbini, që bante pjesë në Kazanë e Krujës, jetën e mbrendëshme e kishte organizue simbas dokeve të veta, i njohun si “Kanuni i Kurbinit”. Përpjekjet e Turqisë që ta detyronin popullin e panënshtrueshëm të Kurbinit simbas ligjeve kuranike, normave të administrates osmane, dështun për gjithë shekujt me rradhë; përpjekja e tyne e fundit, raprezaljet e vitit 1864, e kishin përgjakë, por jo përulë. “Kurbini – thekson historiani Hajredin Isufi – vazhdoi të qeverisej rregullisht në bazë të Kanunit të vet. Kurbinasit nuk paguanin as taksa, as nuk jepnin ushtarë. Ata i paguanin pushtetit qendror osman vetëm tributin vjetor tradicional”.

Jeta e kurbinasve rregullohej simbas vendimeve (të detyrueshme për të gjithë) të Kuvendit Krahinor të Kurbinit, krejtësisht i pavarun nga adminsitrata turke.

Me kalimin e Kurbinit nga vartësia prej sanxhakut të Shkodrës në vartësi të Sanxhakut të Durrësit, u dekretue edhe “që të vendoste në Kurbin adminsitratën shtetërore turke dhe t’i detyronte banorët të dërgonin nizamë, … të dorëzonin tatimin e së dhjetës mbi prodhimin bujqësor dhe të paguanin taksat e tjera shtetërore …….. të cilat ishin pezulluar që nga viti 1846.

Aksionin për likuidimin e venomeve të Kurbinit e drejtoi personalsiht valiu i Shkodrës, Hajdar Pasha…...

Përfshirja e tyre në sistemin e administrates burokratike perandorake, nënkuptonte …. Fundin e vetëqeverisjes, fundin e autonomies së tyre locale dhe fillimin e zgjedhës administrative osmane. ……….

Krerët e Kurbinit e njoftuan mytesarifin e Durrësit se nuk kishin ndër mend të pranonin asnjë qeveritar turk .……”.

Konflikti politik i pranverës 1903 mbas dy vjet mosnënshtrimi do të kthehej në një nga konfliktet ma të ashpra ushtarake, që do të trondisnin perandorinë e kalbun osmane.

Në ato çaste jetike Kleri Katolik, si gjithmonë, u gjend pa mëdyshjen ma të vogël pranë besimtarëve.

Do të duhej, si e kërkonin marëdhanjet e kohës, që Arqipeshkvia e Durrësit t’i kundërvihej mosbindjes së armatosun.

Kundër mosbindjes? Natyrisht, por në një mënyrë tjetër. Imzot Kaçorri doli haptas për luftë të armatosun deri në çlirimin e plotë. Me të u rreshtuen plot klerikë të tjerë atdhetarë, prej të cilëve na ban nder të kujtojmë të madhin At Shtjefën Gjeçovi.

Rreth tij e me të, në mbrojtje të popullsisë katolike të Kurbinit, nuk ishin vetëm luftëtarët e shquem vendas, me në krye Gjin Pjetër Pervizin e Skurajve, por edhe disa atdhetarë durrsakë, që nuk kursyen asgja në ndihmë të tyne, si Neki Libohova, Stef Kaçulini, Hafiz Ali Podgorica, Pavli Terka, Abaz Çelkupa, Saida Kërtusha, Sabri Dermani, Sulejman Kadiu, Musta Haxhiu, Jahja Ballxhini, Ilia Llavda etj. I shënova disa prej tyne, sepse i kërkova në famëkeqen Enciklopedi Shqiptare, ku mjelses Lenka Çuku i kushtohet një faqe, kurse këtyne atdhetarëve të flaktë s’u zihet në gojë as emni.

Imzot Kaçorri gjet menjëhjerë edhe mbështetjen e trimave të Shëngjergjit, me në krye Xhafer Shtërpanin, vëllazënve atdhetarë tiranas Abdi e Refik Toptani; përkrah tyne u gjenden edhe Ishmi, Shijaku, Kruja e Hajdar Belegut, Mati, Dibra, Lura e tij, Mirdita, Kavaja, Lezha, sepse kudo ai kishte miq, kudo e donin dhe e nderonin.

Edhe pse përkohësisht, u detyruen të tërhiqeshin si Valiu i Shkodrës, ashtu edhe mytesarifi i Durrësit.

Ajo tërheqje i kushtonte shumë në karrieren e tij Teofik Pashës, prandaj edhe ndërmori një sulm të përgatitun me kujdes ndaj anmikut të tij numur një, Imzot Kaçorrit. Administrata e tij, nëpërmjet hafijeve, kishte mbledhë informata të mjaftueshme për lidhjet dhe rolin e Imzot Kaçorrit me kryengritësit kurbinas. Tentativat për arrestimin e tij qysh në vitin 1903 kishin dështue, veç prej cilësisë së tij të rrobës ekumenike, edhe pse ai kishte përkrahje të plotë jo vetëm nga pjesa e krishtenë, por edhe nga muslimanët e Durrësit e deri tek familja e bejlerëve të Tiranës, familje me autoritet në popull, por edhe në administraten osmane.

Më anë tjetër, randimi me taksa, pse vendosja e autoritetit adminsitrativ turk kishte dështue, vështirësonte shumë gjendjen e kurbinasve të vorfën, ashtu si edhe të zonave të tjera.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora