E enjte, 28.03.2024, 06:37 PM (GMT)

Mendime

Arben Llalla: Përse Kryeministri i Shqipërisë injoroi figurat kombëtare në Tetovë?

E hene, 14.11.2011, 07:59 PM


Përse Kryeministri i Shqipërisë injoroi figurat kombëtare në Tetovë?

 

Nga Arben Llalla

 

Më në fund, pas kaq vitesh kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bëri një vizitë disa orësh në qytetin ku kanë selitë të gjitha partitë politike shqiptare, në qytetin ku është themeluar Universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni, në Tetovën heroike të luftës për desovjetizimin e republikës, më 2001. Historia për një vizitë të Berishës në Maqedoni është e kahhershme dhe interesante. Për herë të parë u deklarua për vizitën e kryeministrit shqiptar në FYROM në maj të vitit 2010, por më 10 maj të atij viti policia maqedonase vret në rrethana të dyshimta liderin e partisë së Armatës Kombëtare, ish-komandant i UÇK-së, Harun Aliun, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë, ish pjesëmarrës në luftërat e UÇK-së. Atëherë Berisha e shtyu takimin sepse nuk ishte çast i duhur. Në të njëjtën kohë, një universitet privat në Strugë, deklaroi se ka marrë vendim që gjatë kësaj vizite Prof. Dr. Sali Berisha do të shpallet "Doctor Honoris Causa". Një çmim që asnjëherë nuk mbërriti në duart e Kryeministrit shqiptar.

Në shtator të këtij viti u deklaruar se Sali Berisha do vizitojë Shkupin më 26 tetor, por pas shumë kritikash, Berisha e shtyu vizitën sepse në atë periudhë në Maqedoni do bëhej regjistrimi i popullsisë. Kishte shumë gjasa që kjo vizitë do shfrytëzohej nga pala maqedonase pasi do falsifikonte numrin e saktë të shqiptarëve duke ulur përqindjen e tyre. Diplomacia shqiptare deklaroi më tej se Sali Berisha do bëjë vizitën më 4 nëntor, por edhe për këtë datë u shty kjo vizitë për 9 nëntor. Pra, pse gjithë këto data shtyrjesh? Pse vizita e Kryeministrit të Shqipërisë është caktuar në data që janë ditë të fatkeqësive për shqiptarët e Maqedonisë?

Më 9 nëntor Berisha bëri vizitë në Tetovë, ditën kur katër vjet më parë në Malësinë e Tetovës forcat e policisë dhe të ushtrisë së Maqedonisë bastisën fshatin Brodec duke vrarë 6 shqiptarë dhe arrestuar 13 të tjerë. Sa ironike! Pse kaq naivitet nga diplomacia shqiptare dhe stafi i kryeministrit? Kryeministri Sali Berisha vizitoi Tetovën, por ai nuk pati guximin të vendosi kurora me lule në përmendoren e Mehmet Pash Derrallës, ish-ministri i Parë i Shqipërisë së Pavarur. Besoj se kryeministri Berisha e kishte detyrë morale të përkulej përpara bustit të ministrit të qeverisë së Ismail Qemal Vlorës. Përmendorja e Mehmet Pash Derrallës gjendet vetëm 500 metra nga Komuna dhe Universitetet në Tetovë që e vizitoi Berisha.

Kryeministri Berisha nuk vendosi kurora me lule në bustin e Hoxhë Rexhep Vokës i cili ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe njëri nga drejtuesit e tij. Kur Sali Berisha ka qenë Kryetar i Republikës së Shqipërisë, ai më 26.1.1993 i ka dhënë Mirënjohje të lartë Rexhep Vokës për kontributin e dhënë në të mirë të Shqipërisë dhe çështjes kombëtare. Do të ishte një nder i madh që Berisha vetë nga afër të vizitonte Shipkovicën e njeriut që dikur e ka vlerësuar me mirënjohje të lartë shtetërore.

 

Prapaskenat e vizitës së Berishës

Stafi i Berishës dhe diplomacia shqiptare kishin parashikuar që kryeministri shqiptar do takonte 15 minuta kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçin, duke lënë pa takuar kryetarin e RDSH-së, Rufi Osmanin, si dhe vizitën në qytetin e Tetovës. Stafi i Berishës dhe diplomacia shqiptare nuk dëshironin që Berisha të vizitonte Tetovën dhe Institucionet shqiptare atje.

Thuhet se është bërë lobim i fort që Berisha të mos e vizitonte Harabatin Baba Teqe ku shërben Dede Edmond Brahimaj, kryegjyshi i Bashkësisë Botërore Bektashiane, si dhe Xhaminë e Larme mesjetare në Tetovë. Sali Berisha dhe stafi i tij duhet ta dinë mirë se këto dy Institucione historike fetare i kanë vizituar shumë kryetarë shtetesh që kanë vizituar Tetovën, kurse kohëve të fundit, para një muaji, këtë objekt vlerash të larta arkitektonike e pat vizituar edhe kryeministri i Turqisë, Taip Erdogan.

Që të jemi të sinqertë. duhet të shkruajmë një të vërtetë, dhe nuk bëjmë asnjë gabim apo servilizëm kur themi se Sali Berisha injoroi kryetarin e RDK-së, Rufi Osmanin, i cili më 1997 u burgos për dy vjet pse e ngriti flamurin shqiptar në Gostovar. Rufi Osmani përfaqësohet në Kuvendin e Maqedonisë me dy deputetë, dhe momentalisht është kryetar i Bashkisë së Gostivarit. Vetë zt. Osmani u shpreh: “Në një bisedë para disa ditësh me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, u konfirmua se do të realizohet takim mes meje dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, mirëpo të martën dhe të mërkurën nuk mora kurrfarë përgjigje, as negative e as pozitive, nga ana e ambasadorit Çejku. Mund të jetë kjo ndonjë dallavere e ambasadorit Çejku, vallë? Nuk e kam ndjerë si ofendim personal sepse unë disa herë kam patur rast të takohem me kryeministrin Berisha. Përgjegjësia i takon ambasadorit Çejku”, deklaroi për “Zhurnal plus”, kreu i RDK-së, Rufi Osmani.

Prof.dr. Berisha u respektua nga tetovarët si Kryeministër, por vizita e tij nuk e pati jehonën e madhe që ka patur para një viti vizita dyditore e Kryetarit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi. Të gjithë në Tetovë ende jetojmë me emocionet e shtërngimit të duarve me President Topin dhe respektin që ky i bëri të gjitha institucioneve kombëtare dhe fetare të Tetovës, pa bërë asnjë dallim politik dhe fetar.

 

Çfarë nuk guxoi Berisha t’u thoshte pushtetarëve maqedonas?

 

Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, gjatë takimeve që pati me drejtuesit e FYROM, nuk guxoi t’u thotë këtyre për vrasjet enigmatike që kanë ndodhur në kufirin shqiptaro-maqedonas gjatë 20 viteve të fundit. Përse Sali Berisha nuk guxoi të kërkojë llogari nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, e cila pa fakte i shpall intelektualët dhe bizesmenët nga Shqipëria si Persona Nongrata? Përse rreth 50 mijë shqiptarëve u mohohet shtetësia e Maqedonisë pa të drejtë? Përse injorohet gjuha dhe flamuri shqiptar? Përse 15 mijë shqiptarë nga Shqipëria që punojnë “ilegalisht”, Maqedonia nuk i pajis me leje qëndrimi ashtu siç i pajis Greqia dhe Italia emigrantët ekonomikë?



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora