E shtune, 20.04.2024, 01:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Raimonda Moisiu: Flet gazetari, publicisti, shkrimtari Albert Zholi

E hene, 14.11.2011, 08:58 PM


Shkrimtari e publicisti që ndërton raportet mes të bukurës e të përditëshmes njerëzore

 

Flet gazetari, publicisti, shkrimtari Albert Zholi

 

Ai është gazetar, publicist dhe shkrimtar që ndërton raportet e besueshme dhe me ndjenjën e humanes, ku streset e mosmarrëveshjet e ditës dhe  e bukura enden mes të përditëshmes e njerëzores, të pashkëputura nga filozofia për të njohur e përshkruar karakteret  me gjuhën e pastër, stil të gjallë, lirizëm, humori shpirtëror  dhe koloritin mes reales dhe imagjinares  për përshkrimin e potreteve njerëzore. Me një “Univers të pasur publicistiko – letrar”,  Albert Zholi  ia ka dalë të na japë maksimumin e kontributit për të merituar respektin dhe ndjeshmërinë në letrat shqipe. Takimi dhe pjesëmarrja në disa aktivitete në muajin shtator –tetor në  Shqipëri, më dhanë fatin që unë të intervistoja atë që sfidon me intervista dhe  është shëndrruar tashmë në Simbolin e Intervistimit në publicistikën shqiptare duke mbajtur një rekord absolut prej 1650 intervista.  Për  gazetarin, publicistin dhe shkrimtarin Albert Zholi, pena të shquara të letrave shqipe janë shprehur :

 

Albert Zholi edhe kur bën analiza edhe kur zhvillon intrevista, i bën në mënyrë poetike.
Xhevahir Spahiu


Alberti shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë tk rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë.
Helena Kadare


Albert Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzon. Ai hyn në shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë duke na e prurë pranë të gjallë dhe të freskët.
Dritëro Agolli 

Përshëndetje të veçanta, i dashur Berti!

I lexova menjeherë me kureshtje kolegu skicat dhe tregimet e tua, dhe përjetova kenaqksi të papritur. Nuk e teproj se s'më shkon në këtë moshë -duhet të jesh krenar për prozën tënde! Njëherësh më kujtuan skicat e Migjenit - parahyrje për tregimet e fuqishme dhe aq të hijëshme të tij. Ti ke tënden; për mua ke dhe mjaltë blete nga Bohotina; dhe ngrohtësi nga shpirti i dridhshëm njerëzor. Sa bukur e vënçe e thua: "shqeto, kafè pa sheqer"! Në tërë prozën tënde lëvizin dramat njerkzore të ditës, një pikkllim tragjik që është edhe më tronditës kur njerëzit e shprehin me sy pa e thënë plotësisht me gojë! Portretet njerëzore, kryesisht në mërgimin e arratisur janë ulkrima njeriu në hall, të ngjashme me ujvarat që rjedhin në fund humnere pa u dukur! Bota njerëzore e rënë përmbys që pena e hollë e ngre më këmbë për ta shikuar tek gjithë!...Megjithate nuk mungon lirizmi që përballë mjerimit bën kontrastet e pikturave dritë-hije të Rembryndit! "Zjarri i gjirit djeg kadifenë e jelekut"! Në ç'dasëm Progonati e ke parë që unë s'e kam vënë re kështu. Meriton fjalë të mira po ashtu për gjuhën e kursyer, disi fisnike në zgjedhjen e saj (sikur të mos
kish aty këtu dhe fjalë të rëndomta: "nga momenti në moment", "meriton respekt" etj...që janë për "baçè" të tjera bisedash). Por s'ka mish të pjekur në hell pa një qime (edhe këtu më afrohet fshati me dasma)!! Mbi të gjitha, tregimet-skica kanë në shumë prej tyre një frymë fisnike Shqipërie, shqetësim fisnik të një biri të saj me penë të hollë në dorë...E të tjera...

Përgëzimet më të mira! -Agim Shehu- “

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

-         A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar? Cfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur që ju zgjodhët të jeni gazetar?

-         Më kujtohen. Kur mora këtë vendim përfundimtar isha në Greqi. Shkruaja në disa organe shtypi shqiptar por pa një synim përfundimtar, Shkruaja më shumë për hobi. Ishte vitit 1992. Nëndor ka qenë dhe në ambasadën tonë në Athinë festohej dita e flamurit. Aty takova dy persona që më shtynë përfundimisht në rrugën e ëndërruar që në fëmijëri. Këta ishin i madhi Artistidh Kolja (arvanitas) shkrimtar, piktor, avokat, mik i shqiptarëve, mbrojtës i flaktë i të drejtave të emigrantëve dhe një burrë i vjetër Gaqo, nip i Koto Hoxhit që lufta e dytë botërore e la në Greqi. Atyre u dhashë disa skica nga jeta e emigrantëve në Greqi. Më inkurjauan. Xha Gaqua më tha që sa më shumë të shkruash aq më i fortë bëhesh. Duhen baskuar shkrimet që të formojnë një kurorë. Eshtë si puna e bashkimit të trimave rreth Skënderbeut. Edhe shkrimet e shumta të konsolidojnë dhe më tha dy vargje:

-         Me një fill të hollë peri

-         Nuk ngre dot asnëj gjëlpërë

-         Por me shumë që është litari

-         Do të ngresh botën e tërë.

-         Ndërsa arvanitasi i shquar Aristidh Kolja më tha: Albert, këto skica janë pjesa më e dhimbshme e jetës së emigrantëve në Greqi. Këto dikush duhet ti hedhë në letër. Njëri prej tyre je dhe ti se ke të dhëna që shkruan mirë. Nqs do lihen në heshtje këto halle dhe probleme në momnetin që ndodhin, athere një pjesë e historisë shqiptare do të ngelet bosh. Askush s’do ti imagjinoj dot se si ndodhën në këtë kohë. Kjo ditë shënoi ditën e fillimit të gazetarisë sime si profesionist. Të jesh gazetar në Shqipëri do të thotë të ecësh mbi autostradë stresi, ku dihet rruga, por s’dihet çfarë ka poshtë asfaltit në dukje të bukur. Mes tyre mësova se sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet. Në gazetari duhet të jesh vetvetja, pra gazetar, ta duash si profesion ashtu si duan të tjetërt profesionet e tyre. Më përshtat shkon thënia e Ajshtajnit “Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit”.

-Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj?

 

Momenti më i vështirë ka qenë kur unë isha në sheshin Omonia (Athinë) në një demostratë në mbrojtje të  luftës së drejtë vëllezërve tanë kosovar kundër regjimit diktatorial serb. Ishte shoqata “Vllazërimi” që unë e kisha krijuar dhe drejtuar për 5 vjet që e zhvilloi këtë demostartë. A e kuptoni?! Demostartë në mes të Athinës. Askush nuk mund ta besoj sot. Diku lash cantën e gazetarit që kam 20 vjet që se heq nga krahu pasi aty mbaj që nga gjëlpëra dhe deri tek luga , afërsisht 46 sende të domosdoshme. Kur u shpërndamë më kapi policia. Më kërkoi dokumentat. S’po gjeja çantën. Më futën në birucë 8 ditë. Vetëm me një avokat dhe pasi u gjendën dokuemnatat mundën të më lironin por duke lënë pas shumë drithije. Kisha shumë foto dhe filmime nga ajo ditë që s;munda ti gjeja. Pas këtij momneti dhe miqësisë me Aritidh Kolën qëndrimi im në Greqi ishte jo i favorshëm për mua. Pas vdejkes së Aritidh Koljës edhe unë u detyrova të kthehesha në atdhe. Ndërsa momenti i dytë ishte kur policët grekë arrestuan dy emigrantë dhunshëm sepse ishin pa dokumanta dhe i qëlluan me shkelma. Ata ishin të pangrënë, të palarë sapo kishin ardhur (1993). Athere isha me vizë dhe ju luta policëve të mos i qëllonin. Ata më panë me inat, por duke më parë me kollare dhe duke treguar kartën e gazetarit i ulën shkopinjtë. Veprime të tilla janë me dhjetra pasi telefonatat për ngjarje të tilla mirrja çdo ditë nga të katër anët e Greqisë. Nuk mund të them se kishte faj vetëm policia greke..Por asnjë veprim dhune nuk ishte i justifikushëm kishte mënyrë të tjera ndëshkimi, jo me shkopinj gome. Mbaj mend kur shkova një ditë në ishullin Salamina (Athinë) dhe dy polic kishin futur në mes një emigrante shqiptar të lidhur me pranga. Këtë e mora vesh nga biseda me policët. Pranë meje ishin dy arvanitas, burrë dhe grua. U futa në bisedë me ta. Kur do ndaheshim burri më thotë: Sa të jeni të varfër, kështu do të jeni të lidhur me pranga”. Pa koment. Të gjitha këto i kam hedhur në librin “Vite emigracioni”. Me këtë dua të them që gazetari duhet të jetë gjithmonë në lëvizje, të njohë probleme dhe fenomene të reja. Jam me parimin Volterian “S’duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës”.

 

-Kam lexuar diku se ju kanë cilësuar si gazetari:”Mbret i Intervistave” Parasëgjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e intervistimit, -si  pjesë narrative jetësore e  personazheve që përzgjidhni të vijnë në  jetën e përditëshme?

 

Unë në pjesën dërmuese të aktivitetit tim gazetaresk jam marrë me problemet e emigracionit, informimin e tyre mbi procesin e legalizimit nëpërmjet radio Tiranës, TVSH apo gazetës Telegraf dhe shume gazetave të tjera. Kam bërë 3 libra publicistikë për emigracionin. Por krahas tyre nuk lija dhe intervistat. Më pëlqen jeta e figurave të shquara. Pasi zhvillova intervistat e para duke marrë disa lavdërime u ndjeva mirë. Ju futa më me vrull. Zhvillimi i intervistave është shkolla më e madhe e jetës time. Nëpërmjet tyre unë kam bërë disa universitete. Kam bërë intervista me akademikë, shkrimtarë, poetë, pedagogë, mjekë, futbollistë, sportistë të ndryshëm, aktorë, këngëtarë, njererëz të thjeshtë, studentë, inxhinjerë, agronomë, ushtarakë. S’kam lënë intelektualë të çdo fushe pa bërë intervistë. Në biseda me ta kam mësuar se sa shumë PAK di, por kam mësuar sa të kem bërë disa universitete. Jam munduar të plotësoj në biseda me ta shumë boshllëqe që egzistojnë në formimin tim. Kurrë nuk do të mësoja kaq sa me këto intervistë në sa do shumë universitete të mësoja. Por kryesorja është se, kur shkoj të marr në intervistë, një akademik, detyrimisht kam lexuar 4 ose 5 orë rreth proefesionit apo CV së tij. Sot numëroj në arkivin tim rreth 1650 intervista dhe them sa pak di nga dijet e këtyre njerëzve. Nuk e di ku e kam lexuar disa herë  në internet:”Mbret i Intervistave”, por dua të them që gjithmonë mbetem nxënës në to. Intervista do shumë dije dhe bagazh. Për mua intervistat nuk kanë një rregull të artë. Ato janë të ndryshme. Rregulli i artë është se nuk ekzistojnë rregullat e arta. Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh; të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh shpesh.

-Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë, ku dhe kush ka qënë ai/ajo? Na tregoni si arrin ta bësh intervistuesin,  procesin e mbledhjes dhe vënien së bashku të  gjitha elementet intervistuese? Cilat janë disa nga sfidat?

S’mund të them se jam ndjerë keq kur kam bërë intervistën e parë si profesionist (pasi intervista të dorës së dytë kisha bërë). Por kam bërë një intervistë të shkurtër sponatne me ish Ministrin e Jashtëm të Greqisë Karolos Papulos në vitin 1993. Ai erdhi në ambasadën tonë në Athinë me rastin e ditës së Flamurit që e festonte ambasada. E pyeta për mardhëniet shqiptaro greke dhe një pyetje për arvanitët. Të gjithë më panë me habi për guximin. As unë se di se e mora guximin. Intervistën e dytë e bëra me ambasadorin shqiptar në Greqi. Por këtë të dytën u përgatita dy ditë. Z Çabej më priti me shumë përzemërsi. Eshtë më vështirë të bësh një intervistë profesionale se sa një analizë profesionale (për mua). Pasi duhet të lexosh shumë rreth personit dhe jo të pyesësh atë për të gjitha ato që ti si di fare. Mendoj se në këtë drejtim me gjithë defektet mund të kem një rekord. Kam pas dy momente që edhe kam gabuar...Por... Një jetë e kaluar me gabime jo vetëm që është më e ndershme, por më e vlefshme se një jetë e kaluar duke mos bërë asgjë. Këto janë sfidat e intervistave…Dua të theksoj se intervistat në gazetarinë e shkruar janë shumë më të përgjegjshme dhe më të vështira se intervistat fonike apo vizive (mendimi im). Ato mbeten në letër. Mbeten dokument.

 

-Si kanë reaguar lexuesit pas leximit të intervistave tuaja?

Vetëm tre herë e kam ndjerë veten keq në këtë mori intervistash. Kur një aktor më tha pse ke vënë një foto ku nuk evidentohem dukshëm unë por njëlloj si të tjetrët,.... kur një personazh nuk i pëlqeu renditja në faqen e parë të gazetës dhe të një femre që më shumë i jepte përparësi fotove se sa përgjigjeve. Ndërsa urimet kanë qenë të pafundme. Në fund të fundit kemi nevojë për një f.l.m. Intervista është një pasqyrë e shpirtit të personazhit. Me to nuk duhet abuzuar...Kjo pasi gazeta është pushtet.  Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete, ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi thotë Volteri.

-Para se të bëni intervistën tuaj me personazhe të profileve të ndryshme, a bëni kërkime në sfondin e tyre? A e keni të vështirë për të artikuluar pyetjet?

Kush shkon të bëjë intervistë me një person publik pa lexuar rreth veprës dhe jetës së tij është njëlloj sikur të shkosh të bësh pazar pa lekë në xhep. Kur ke të bësh me persoanlitete përgjegjësia është e madhe, siguria jote duhet të jetë në maksimum, ndryshe mos e merr atë rrugë se të del e gjatë dhe pa bereqet. Duhet të bësh një fletore me pyetje që të dalin 8 pyetje. Pyetjet duhet të jenë korrekte që të mos marrësh përgjgije evazive apo të pa argumantuara që i shmangen së vërtetës. Kjo sidomos me politikanët që e kanë kthyer në art gënjeshtrën. Pasi... gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës rreth e qark botës, kur e vërteta sapo është nisur

-P.sh., kur intervistoni një personalitet të letrave shqipe. Mendoni se lexuesit do të mësojë  më shumë rreth “X” apo “Y” shkrimtari, me një intervistë apo ka më shumë gjasa për të blerë librin e tij?

Intrevista është një minimonografi. Tek intervista jeta e personazhit del si në nëj film me metrazh të shkurtër. Po realizove një intervistë të plotë personazhit ike bërë një monumnet të vogël mbi të cilin mund të ngrihet një vepër e madhe. Libri të jep vetëm një ide dhe jo një kurorë rreth figurës së intervistuarit. Kjo s’duhet harruar. Tek libri është shkrimtari artist, jo shkrimtari njeri.

-Sa shpesh ju merrni e-mail nga autorë, intelektualë, këngëtarë, publicistë, personazhe publikë të profileve të ndryshme që kërkojnë të intervistohen?

Si kam numëruar. Tashmë me shumicën kemi nja pakt të heshtur. Sa herë ata kanë diçka të re më lajmërojnë. Formimi i besimit është shumë i vështirë. Po fitove atë ke fituar personalitetin e vetevetes. Them se dhe unë ende se kam formuar plotësisht këtë bindje dhe jam në kërkim të konsolidimit të besueshmërisë së emrit tim. Njëherë po gabove në intervistë, rrugën duhet ta nisësh nga e para.

-Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni lexuar apo vënë re?

Gazetaria shqiptare dhe ajo ballkanike vuan ende nga reminishencat e së kaluarës. Shpeshherë ngjarja humb vërtetësinë pasi nuk ruhen burimet, karakteristikat, cilësitë e lajmit apo interpretimet pa ndikime politike. Në shtypin shqiptar akuzohen politikanë për korrupsion galopant dhe nuk dënohet as politikani as autori i lajmit. Asnjë nuk është fajtor?! Në shumë raste për vetë numrin e madh të gazetave vihet re një gazetari diletante ku profesionalzimi lihet në plan të dytë. Realisht jemi larg  gazetarisë profesioniste dhe të përgjegjshme perëndimore. Shkolla e gazetarisë punon pak në këtë drejtim. Shpesh herë për lajmin thuhet “hë mo se në Shqipëri jemi”.

 

- Cfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetar profesionist e i karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore   dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit??

Ballkani është shumë i trazuar. Është një rajon me njerëz gjaknxehtë që krenohen kur u thua ke lindur me dyfek në krevat. Lajmet më sensacionalë janë ato që bazohën mbi përkatësinë fetare. Shqiptarët ndonjëher indetifikohen me myslimanët ekstremistë dhe nuk analizohen si komb shqipfolës në zemër të Europës. Etiketimi ortodoks mysliman, katolik sikur humbin atë erën e bukur të natyrës së të qënit njeri. Këto në Ballkan janë më të theksuera për vetë faktin e pretendimeve teritoriale të secilit shtet ndaj shtetit tjetër, Dhe është politika e këtyre shteteve që hedh në tryzë përkatësinë fetare për të hequr vëmendjen nga problemet e përditshme , nga kurrupsioni, varfëria. Gazetarët ballkanikë duhet te jenë më realistë dhe jo të bien pre e politikave të partive të caktuara që i ushqejnë me para jo të fituara me punë dhe lajm të saktë, për të ndarë edhe njerëzit brenda të njëjtit shtet sikur të jenë në dy kontinete të ndryshme. Gazeta është ushqimi i përditshëm shpirtëror i njeriut. Nqs ky ushqim do serviret në pjata të pista populli do helmohet. Përkatësitë fetare janë të tejkaluara në kohë në botën e qytetëruar, janë dicka personale që ska pse e shpreh si indetitet evidentues. Në plan të parë duhet të dalë elementi njeri i qytetruar, emancipuar, dhe jo të qënit mysliman, katolik apo ortodoks. Dallimet ndaj besimeve fetare asnjë të mirë nuk sjellin dhe gazetarët duhet të jenë të parët që ti luftojnë ato.

-Cilat janë aftësitë profesionale që gazetarët e rinj kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?

Do ta artikuloja pak ndryshe pyetejen. Pra si duhet të jenë gazetërëte rinj sot. Duhet të jenë më studiues, më këmbngulës, më të vëmendshëm dhe të respektueshëm ndaj më të vjetërve, Ndodh jo rrallë që një gazetar i ri, sapo bën një artikull i thotë një gazetari me një përvojë 20 vjeçare “si je koleg”. Vetë se kam provuar as e kam cytur tek vetja këtë ndjesi as pas 5 vjetësh kur nisa rrugën si gazetar. Gazetar nuk të bën vetëm shkolla por shkrimi, artikulli, analiza, investigimi, mënyra e ndertimit të lajmit.  Ka gazetar që nuk kanë mbaruar për gazetari por me punë dhe përkushtim janë bërë gazetar të shkëlqyër. Kush do të bëhet gazetar në radhë të parë duhet të ushtrojë gazetarinë e shkruar. Ajo të bën gazetar të mirëfilltë. E shkruara mbetet dhe të ve para përgjegjësisë. Gazetaria televizive apo ajo fonike është më e lehtë se ajo e shkruar. Kush do që të bëhet gazetar duhet të bëjë këmbët dhe të ndenjurat me kallo. Gazetaria është ushqim që helmon ose shëron. Kush di ta gatuaj lajmin mirë jep ushqim të shëndetshëm. Aftësitë e gazetarit janë intuita, studimi, prefeksionimi, qëndrimi rigoroz ndaj rregullave të lajmit. Por kryesorja është që gazetari duhet të guxojë. Aktualisht në Shqipëri ka pak gazetarë që guzojnë ndaj dhe gazetaria nuk është në nivelin e duhur. Një gazetar që nuk guon quhet tellall sepse e jep lajmin si ja servirin dhe jo si e ka kapur ai. Këshillë për gazetarët? Lexuesit hyjnë në gazeta si në banjo të nxehta ka thënë Makluani. As teologët që predikojnë në kishë, as oratorët në parlament, as profesorët në shkollë nuk kanë aq ndikim sa ka shtypi. Ndaj kujdes kur merrni përsipër këtë mission kaq fisnik por shumë të vështirë.

-Cfarë libri me publicistikë keni për të ardhmen?

·         Eshtë futur në botim vëllimi i dytë i librit publicistik “Sekretet e gazetëreve të RTSH”. Pas suksesit të vëllimit të parë besoj se dhe ky vëllim do të ketë të veçantat e veta. Flitet për ato personazhe dhe për atë institucion që shënoi fillesën e medias vizive në Shqipëri në Prill 1960 nga dyert e së cilit kanë dalë kuadro dhe prezantues të papërsëritshëm. Historiku i RTSH është historiku më i bukur I medias por edhe të një pjese të artit shqiptar. Pa atë media qindra filma, teatro, drama, cirqe, apo tetaër për fëmijë do kishin kaluar në heshtje, pa gjurmë. Kur lexon historikun dhe personazhet që janë lidhur me TVSH befasoshesh. Ky është libri im i fundit publicistik….kam dhe projekte të tjera por le të mos flas para kohe. Nxitimi është disfatë, ose krenari pa themele. RTSH është nëna, ëshët metalurgjiku, është fidanishtja e të gjithë mediave fonike dhe vizuale shqiptare ndaj ai edhe sot duhet respektuar. Kush e mohon atë mohon vetveten. Rruga e librit për mua mbetet e hapur. Letërsia është republikë ku çdokush do që të jetë mbret thotë Këstneri.

 

-Është një rastësi e mrekullueshme që ne kemi mundësi për të diskutuar rreth krijimtarisë tuaj. E them këtë sepse përvec gazetarisë, ju lëvroni; prozën, skicën, tregimin  e romanin,  dhe kjo tregohet nga shifrat e librave tuaja në këtë gjini. Unë  vecanërisht, do të përmendja romanin  më të fundit “Kush e vrau dashurinë”- që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i  vlerësuar nga kritika e kohës,  e i  promovuar në pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Cfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë roman? Përse ky titull? Si kini arritur ta realizoni botimin e tij?

Jetojmë në një botë ku duket se etja për pasuri i ka bërë njerëzit më të ndarë, më të largët, më të akullt, më të ftohtë, më pak njerëzor, Sikur është larguar nga qëniet njerëzore idelaizmi dhe miqësia e pastër. Rendja pas parasë i ka bërë disa njerëz në mekanizma të etjes për kartmonedha. Na mungon shumë sinqeriteti, mirësia, Duket sikur ecim në nëj rugë ku njeriu njeri na duket shumë i largët i pa takushëm. Jetojmë në një ambient ku shohim më shumë ngjarje se parime. Ku ligjësitë e natyrës po shpërfytyrohen. Përmbysja e regjimit komunist si një sistem i dështuar na hapi horizonte të reja por dhe na zbuloi dhe anë të tjera të karakterit deri dje të pa dukshme nga diktatura. Në këtë mjegullnajë shqiptare, gëluan dhe vese që ishin fshehur brenda qënies dhe që na bënë të tregoheshim si njerës me bishtë në rrugër e Evropës. Dolën në pah dhe fenomene të tjera, si tegëtia e mishit të bardhë, droga, prostitucioni, kriminalitetiti por edhe emigrimi. Janë të gjitha këto plagë që stisën mendimin të hidhja dhe të skicoja këtë roman ku personazhet janë disa miqtë të mi dhe një pjesë e jetës time. Titulli është në sikron me këto probleme. Sot janë vrarë shumë dashuri. Eshtë vrarë dashuria për njeri tjetrin është vrarë dashuria për prindin, dashuria për të afërmit, por dhe dashuria si ndjenjë fisnike mes gjinive. Me qindra ndarje familjesh, martesa mbi baza intersash, pazare për shitje femrash, grindje për një copë shtëpi...dhe këto janë të gjitha dashuri të vrara. Por kryesorja ëshët vrarë dashuria njerëzore ajo dashuri që e bën solide një shoqëri. Eshtë vrarë dashuria e sinqetë intime femër mashkull e cila është kthyer në biznes dhe interes... Ky është me pak fjalë subjekti i këtij romani që është bërë shumë i diskutueshëm. Në roman gëlon jeta shqiptare në dy sisteme me të gjitha ngjyrat. Ku dashuria zë pjesën më të madhe.  Ku ka dashuri ka dhe intrigë ka dhe peozi. Ka dhe ngjarje, ka dhe befasi, ka dhe imagjinatë të shfrenuar, ka dhe pengje...këto janë të gjitha brenda romanit.

 

-Cilat janë disa nga sfidat për të shkruar në gjininë e prozës? Dhe...cilat janë sfidat për të përshkruar jetën e atyre personazheve në romanin “Kush e vrau dashurinë”  por edhe në romanet e tjerë?

Romani është një gjini e vështirë e krijimtarisë letrare (e theksoj letrare jo publicistike). Roamanin “Kush e vrau dashurinë” që është romani im i parë e kam nisur në vitin 1990 kur sapo filluan proceset demokratike. Dhe kjo mund të provohet shumë thjeshtë nga dorëshkrimet dhe llojet e fletoreve ku janë hedhur shkronjat. Pra e nisa krijimtarinë me një gjini tepër të vështirë kur nuk kisha botuar asnjë libër. Se di se si e mora këtë nismë, sepse deri në atë kohë  në bangat e shkollës kisha tentuar me ndonjë tregim, fabul apo poezi, pa arritur sukseset e ëndërruara. Dhe për çudi romani i parë u botua i fundit, pas plot 20 vjetësh kur unë kisha botuar 15 libra të tjerë. Pra gjatë rrugës pashë që ende nuk isha pjekur, ende nuk isha përgatitur për këtë sfidë. Ishte një dëshirë rinore. Ishte një ëndërr e madhe për supet e mij të vegjël të asaj kohe.  Të arrish deri te romani duhet të kalosh male espkeriencash në krijimtari, duhet të njohësh suksese dhe dështime ndaj dhe unë e mbylla në sirtar për ta hedhur në treg pas  dy dekadash. Mbaj mend se në vitin 1996 kur isha gazetar në Athinë kam pritur në shtëpin me qera si emigrant shkrimtarin Dritëro Agolli. Atij i thashë dhe për planet e mija krijuese. Më thotë mos u nxito se një dështim në roman do të ketë shumë pasoja. E dëgjova këtë këshillë. Ndërsa nxitjen më të madhe për të vazhduar në rrugën e publicistikës në atë kohë dhe që s’isha pjekur ende për prozën letare ma dha Helena Kadare në një takim që pata po në Athinë në vitin 1997, kur kishte ardhë së bashku me Ismalin për promovimin e librit “Spiritus” Unë i dhurova asaj librin tim të parë “Ikja e madhe” ku mora prej saj urime dhe sygjerimin për të vazhduar më gjatë rrugën e publicistikës për të shkuar më tej në letërsinë artistike. E ruaj dhe sot letrën e saj që më dërgoi nga Parisi në lidhje me librin dhe krijimtarinë time. I falënderoj këta dy shkrimtarë të talentuar për ndihmën e madhe. Në sajë të tyre gjeta rrugën e duhur dhe romanin e botova në momnetin e përshtatshëm ku sot shoh se po korr sukeses dhe pritet ribotimi i dytë. Romani “Kush e vrau dashurinë”  ishte një sfidë me veten, ku ngjrajet janë reale dhe imagjinata është në raport të sfumueshëm.  Romani me tematikën që ka  i shërben popullit im të shumvuajtur. 
Arti që nuk i sherben popullit ështe vetëm argëtim i njerzve të papunë thotë
Majakovski Të flasësh dhe të shkruash të vërtetën ështe arti më i rëndë nga të gjitha artet.

 

-A kanë diçka nga jeta reale në librat tuaj? Cfarë lloj kërkimi keni bërë për to?? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?

 

Sigurisht. Në shumë tregime jam dhe unë, është një pjesë e jetës sime, është rrugëtimi im brenda dhe jashtë Shqipqërisë. Shkrimtari nqs nuk është në lëvizje, nqs nuk është në kontakt, shteron sado imagjinatë të fuqishme të ketë. Bota është e bukur se është e shumllojshme, dhe sa më shumë vende apo shtete të shohësh, sa më shumë njerëz të profesioneve të ndryshme të takosh, aq më shumë krijimtari të pasur do të kesh. Letërsia bëhet e bukur kur ka lëvizje dhe dhimbje, Nuk bëhet letërsi në  vetura lluksoze apo në vila rrethuar me objekte arti, ku vezullimi të verbon, nuk ta provokon ndjenjën por ta stopon atë.  Dhe unë në tregimet e mia sidomos në Greqi kam kërkuar aty ku kishte dhimbje, ku kishte probleme, ku kishte fyerje, poshtërime, por dhe punë për të mbijetuar, ndaj besoj se duke qenë pranë dhimbjes së vërtetë krijimtaria mund të ketë dalë jetësore, e besueshme.

-Pas disa librave shumë  të sukseshëm për të shkruar prozë të mirë, me shkrim të qartë e gramatikisht korrekt. Cila është lidhja midis veprave tuaja në prozë dhe publicistikë, të këtij lloji dhe natyra e të shkruarit tuaj?

Secili shkrimtar apo poet që do të indetifikohet qoftë dhe brenda atdheut të vet kërkon që gjithmonë të krijoj individualitetin e vet. Edhe unë këtu kam konsistuar. Nuk dua të jem përsëritës. Kam parë që dhe poetë të mëdhenj në Shqipqëri disa herë kan pas si pikë referimi poet të huaj. Në këtë drejtim e them me bindje jam Alberti me të mirat dhe me të këqijat e mia. Natyra time e të shkruait është ndjenja. Pra shkruaj kur ndjej dhe më pas mendoj. Dua të jem larg skematizmit të botimeve të realzimit socialist kur të jepnin direktiva dhe të orientonin ku dhe përse të shkruaje. Pra kur mendimi vihej në plan të parë përpara ndjenjës. S’ka krijimtari të bukur nqs nuk është primare ndjenja. Letërsia është ndjenjë e shpirtit. Ajo mund të lind kur se pret, në rrugë, në avion, në det, në mal,  duke bërë dashuri,,,,Kur ti mendon se si të krijosh i ke hequr letërsisë, krijimtarisë të vërtetën, organiken, pjalmin, esencën. E ke kornizuar...Ajo del diçka e thatë pasi s’ka ndjenjë..Ndjenja e para, mendimi e dyta kjo është letërsia...

 

-Si ndjeheni pas gjithë kësaj periudhe që shkruani si publicist apo shkrimtar?

Ndjehem edhe i gëzuar edhe i hidhëruar, por më shumë i motivuar. Ndjejem i gëzuar sepse të bësh 15 vepra të gjinive të ndryshme në 16 vjet nuk është pak, por kur ndonjëherë nuk merr atë sadisfaksion që ke menduar kalon në plogështi, kalon në një stepje. Çmimet jepen sipas grupimeve pa ditur se kur dhe ku jepen këto çmime (!!) Sot egziston një xhelozi mes shkrimatrëve apo poetëve. Shihen grupime që i shërbejnë njërit krah apo një krahu tjetër të politikës. Jam ndjerë keq kur dhe shokët më të afërm nuk më kanë thënë urime për një libër të ri, apo nuk kanë shkruar qoftë dhe dy fjalë kritikuese për librat. Personalisht nuk di që të ketë shkrimtar në Shqipëri apo jashtë atdheut që të ketë bërë një vepër letrare dhe unë të mos  kem bërë një kritikë apo të mos i kem marrë një intervistë.  Ndoshta se kam merituar një intervistë por dy fjalë sa për sy e faqe i meritoj...Por megjithatë disa herë heshtja e miqve më motivon më shumë. Ndaj nuk ndaloj së shkruari. Kaq. Koha të bëj të sajën...

- Cilat kanë qënë uljet dhe ngritjet në karrierën tuaj publicistike dhe në prozë? A ka ndonjë gjini tjetër që ju e lëvroni dhe do të dëshironi ta provoni??

Për fatin tim të mirë (por mbase dhe të keq) i kam lëvruar të gjitha gjinitë e letërsisë. Ndoshta ndër të paktit, por kam botuar edhe fabula, poezi, tregime, romane, publicistikë, skica etj...dhe së fundi dhe monografitë. Secila gjini ka të mirat dhe të këqijat e saj, por për mua monografia ëshët gjinia më e vështirë pasi do shumë përkushtim, do shumë studim, lëvizje, shfletime, ballafaqime, saktësira kohore. Psh për monografinë e aktorit Luftar Paja kam punuar katër vjet e gjysëm. Ndrësa letërsia e lirë, proza apo poezia është jotja, ideja, mendimi, apo lëmimi i fjalës. Këtu nuk ka korniza në monografi egzistojë këto korniza deri në njëfarë mase pasi ke personazhin që të jep datat apo mbresa srtikte. Kërkesat e shumta që kam kohët e fundit për monografi të ndryshme më kanë thënë brenda vetes që po mer një hap të vështirë, se është një punë tejet e lodhshme që edhe mund të të çojë në dështim. Një vepër ka tre elementë, elementin estetikë, artistikë dhe mesazhor (mesazhi). Jam munduar që në krijimtari ti ruaj këto raporte, por se di deri ku...? Kjo smë përket mua ta them por kritikës dhe lexusit. Ulje ngrtijet kanë ardhë si rrjedhojë e botimeve në gjini të ndyshme të krijimtarisë...Se ku jam më mirë ende se di vetë.

-A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

·         Ajo që i mungon sot letërsisë shqiptare është mungesa e kritikës. Nuk ka kritikë të mirëfilltë profesionalsite. Shihet se çdo njeri që ka lexuar nëj libër mer përsipër të bëjë kritikë. Jo, Për mua kritika është profesioni më i vështirë, profesioni më i specifikuar. Ajo ëhstë përçuesi më i saktë i krijimtarisë së saktë te lexuesi. Aktualisht nuk ka ndonjë  kritik të ri që të jetë spiktaut dhe ata të vjetrit janë tëhequr përpara deteve të botimeve pa kriter. Krtika është esenca e fjalëës së krjimtarisë që ndërgjegjëson lexuesin. Mos egsistenca e saj e ka bërë leuxesin të shpërqënruar, të pa orinetuar, të turbulluar, dhe të çoroditur që të mos di kë libër të kapë. Kjo ka bërë që të botojë kush të dojë, pasi dhe shtëpitë botuese në kuadrin e ekonomisë së tregut si japin rëndësi cilësisë por sasisë. Pra shtëpitë botuese botojnë çdo libër pavarsisht sa vlera ka mjafton që të japi lekët e botimit në dorë. Nuk ka shtëpi botuese me ekip kritikësh që të krehin librat që do kalojnë në shtypshkronjën e shtëpive botuese, ndaj sot ka 1milion e 300 mijë poetë dhe 720 mijë prozatorë, Kështu nuk dallohet në dëngun e madh të botimeve krijuesi i mirëfilltë nga ai diletant. Kjo edhe për vetë faktin se përpos krikës mungon edhe një element tjetër i ërndësishëm i leëtrsisë përkthyesit. Kjo ka bërë që shumë libra me vlerë të shkrimatrëve të rinj shqiptarë ti njohin vetëm në Tiranë.

Kritiku duhet të thotë vetëm të vërtetën. Mirëpo, më parë, këtë të vërtetë duhet ta njohë mirë.
Renardi
Ku e heton se kritika nuk shkruan budallallëqe për ty, mos shkruaj më. Do të thotë, ke filluar të biesh dhe të përseritësh, e kjo është fillimi i mbarimit.
Ibseni

Ne jemi të gatshëm të bëjmë vetekritike, por me kusht që askush të pajtohet me ne lidhur me këtë.
Ebner-Eshenbahu

Këto janë tre pikpamje të ndryshme për kritikën, ndoshta edhe unë jam kontraditor. Pra perfektja nuk arihet kurrë,. 



 

-A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetar dhe shkrimtar?

Unë kam përjetuar një fëmijëri të bukur dhe pse me privimet e regjimit, ku liria ishte nëj ëndërr e largët. Liria ime dhe gëzimi ishin librat që më shoqëronin deri ën orët e vona të natës kur babai më qortonte do qorrohesh dhe ëm fikte dritën. Lexoja Tolstoin, Mopasanin, Gëten. Gorkin, Eseninin, Kadarenë, Remarkun, Naimin, Migjenin, Çajupin,  e shumë shkrimtarë të tjerë dhe vetja më dukej i vogël për të zhbiruar fjalët dhe veprat e këtyre njeërzve të ëmndhenj. Këto libra më ngjizën dëshirën dhe ëndrrat për të shkruar, por sa herë lexoja shkrimet e mia më dukeshin si krijime vocrrakësh përpara gjenive. Dhe megjitahtë shkruaja dhe shkruaj pa papushim dhe nuk e di se ku kanë shkuar dhejtar fletore me tregime, skica, poezi, apo dhe ndonjë novelë. Disa i kam grisur vetë, të tjera i kam lënë ën ëmshirë të faitit. Sot ndihem keq kur e mendoj këtë lloj shpërëdorimi. Ëndrra ime për të shkruar u bë pjesë e pandarë e jetës kur kam leuar romanin Nëna dhe më pas romamin shqiptar “Lulja e kujtimit”. Me këto dy romane u shtruan shinat e ndërtimit të trasesë sime të krijimtarisë letrare, Vendimi ishte marrë mbas çdo dështimi do punoj dhe do ngrihem më me forcë. S’njoha më kthim mbrapa dhe pse dështimet më ndoqëën pas dhe pse shumë herë dyert e redaksive m’u mbyllën. Letërsia është shumë nazike, ajo të jep motivin e jetës por jo  çelësin e suksesit. Atë duhet ta gjësh vetë në morinë e gjinive të krijimtarisë letrare.

-Cfarë është dashuria për ju?

Dashuria është ndjenja më e bukur njerëzore, ku fjala si në letërsi ngrihet në art, ndjenja në piedesatlin e pathyshmërisë. Aty ku është dashuria e vërtetë nuk ka kala që nuk mposhtet, nuk ka pengesë që s’kalohet, nuk ka det dhe oqean që të të thotë ndalu. Ajo ka një magji që mposht dhe vetë magjinë. Kush di të dashurojë di të jetojë. Jeta pa dashuri është si bima pa lule, si druri pa fruta. Jeta pa dashuri është e zhveshur dhe pa asnjë mister. Por dashuria është e bukur kur dihet vetëm nga dy vetë. Aty është misteri. Si puna e sekretit, që kur del nga kasaforta si kushton më askush rëndësi.

-A është i lirë shtypi sot?

Sot nuk ka shtyp të lirë. Por jo sot. Besoj ansjëherë nuk do të ketë shtyp të lirë. Çdo gazetë ka politkën e saj, ka formatin e saj, sikundër dhe intersat e saj. Por edhe nqs nuk ka një pavarësi të plotë njëlloj pavarsie ka, pasi shtypi është i vetmi faktor opozitar në Shqipëri. Pa të politka do të hidhte vallen pa ju dridhur shamia, pa le më dora. Pa shtypin problemet në Shqipëri do të ishin të shumfishta. Pa shtypin kontrabanda dhe tregu i “mishit të bardhë” do kishin përmasa galopante. Dhe nqs janë arriur rezulatte në këto drejtime paraprijëse dhe sensibilizuese për të mos thënë nxitëse dhe mbledhje provash ka qenë pikërisht në shumë raste shtypi se sa drejtësia apo policia, ku vetë shtypi për këto dy institrucione të fundit ka bërë prezent korrupsionin. Shtypi në Shqipëri është më i pa korruptuari , më afër problemeve dhe halleve të shoqërisë dhe pse jo tërësisht i pavarur. Të gjithë duhet të luftojmë për nëj shtyp të pavarur. Ku nuk ka shtyp të lirë nuk mund të zhvillohen as strukturat demokratike pasi nuk ka luftë të mendimeve midis alternativave politike, midis qeverisë dhe opozitës nuk ka hapësirë për shoqërinë civile dhe organizatat e saj joqeveritare që ato të kenë ndikim në politikën zyrtare.

-Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare e publicistike?

Leximi dhe të afërmit e mi në familje.

-Kanë thënë për Albert Zholin...

Kanë thënë dhe ndoshta shumë, por unë i marr me rezerva. E di mirë se deri ku arrij dhe çfarë mund të bëj. Jam racional dhe ruaj një raport të ekuilibruar mes modestisë dhe mëndjemadhesisë: Menjdemadhësia është injorancë ndërsa modestia e tepruar mëndjemadhësi.

-Cfarë nuk do të falnit në jetë??

Tradhëtinë ndaj atdheut

 

-Mesazhi për inteligjencën shqiptare...

Të jenë në vendin që u takon, aktiv dhe jo servile e politikës mediokre. Inteligjenca ndoshta dhe pë r arsye ekonomike (ska pavarësi) është në gjumë letargjik, e pa motivuar, jo në opozitë me politkën antikombëtare që ndjek politika shqiptare në këto 21 vjet. Inteligjenca shqiptare është ndarë në grupe ose është përfshirë e tëra në politikë dhe nuk jep shembullin si pararojë e mendimit të përparuar dhe atij shkencor. Fantazia e intelektualit dhe artistit është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë.
Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s'e bën këtë për vete, ai e bën këtë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë thotë 
Fisheri

-Cfarë dëshironi të shtoni...

Shkrimtarët duhet të jenë në ballë të lëvizjeve progresiste të shoqërisë shqiptare. Ata janë ajka e mendimit dhe promotor të zhvillimit në çdo shoqëri.

Ju faleminderit



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora