E shtune, 20.04.2024, 04:00 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Logjika e një çmendurie

E shtune, 23.02.2008, 01:19 PM


Logjika e një çmendurie

Nga Arbën XHAFERRI 

Sot, kur e shkruaj këtë tekst, është ditë e enjte, 21 shkurt 2008. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në minierën e Stantërgut u ngujuan minatorët e turnit të tretë, me qëllime të qarta politike. Ata thjeshtë refuzuan të dalin nga thellësitë e tokës, duke dërguar mesazhin se janë roje të themeleve, të shqiptarësisë së Kosovës që donte t’i lëvizë regjimi i ri serb, i drejtuar nga Millosheviqi. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, nacionalizmi serb kishte arritur kulmin e forcës. Mbaheshin mitingje që ishin prelud për fushatat e ardhshme politike që synonin t’i detronizojnë, mënjanojnë udhëheqësitë politike legale të njësive të tjera federative që ende ishin besnikë të parimeve politike jugosllave. Në atë kohë, popujt e tjerë të Jugosllavisë ishin të heshtur, të ndruajtur dhe prisnin të lemerisur se çka do të ndodhë. Pandehnin, ç’është e vërteta, parapëlqenin që oreksi nacionalist serb të kënaqet me kafshatën e Kosovës, mirëpo Kutia e Pandorës pandalshëm hapej. Minatorët e Stantërgut, me karakterin e tyre burrëror, paralajmëruan se kosovarët do të jenë një kafshatë e pa kapërdishme për nacionalistët serbë. Këtë cilësi të parët e kuptuan sllovenët, të cilët nga tubimi në Cankarjev Dom (Shtëpinë e Cankarit) dërguan mesazhin e solidarizimit të tyre me kërkesat e minatorëve. Politikanët serbë kërcënoheshin me ndërhyrje të policisë, por asnjë kërcënim nuk i luhati minatorët, që u bënë simbol të një rezistence të gjatë të shqiptarëve. Shumë analistë mendojnë se, nga aspekti kohor, shpërbërja e Jugosllavisë filloi pikërisht në Stantërg dhe përfundoi me 17 shkurt 2008 , me mëvetësimin e Kosovës.
Sot, kur përkujtojmë aktin burrëror të minatorëve të Stantërgut, në Beograd, pinjollët e nacionalistëve serbë të formatit millosheviqian, mbajnë një miting të madh me të njëjtën ikonografi, argumente dhe retorikë si para 19 vjetësh. Slogani i tyre kryesor është “Kosova është Serbi”. Të gjithë folësit klithnin se Kosovën nuk do ta japin. Sa më shumë që e përdorin këtë slogan, aq më shumë e humbin Kosovën. Politikanët serbë tashmë aq thellë janë zhytur në kënetën e cinizmit saqë nuk hetojnë atë që të tjerët e shohin me qartësi të madhe: aftësinë e tyre delirante për vetëmashtrim.

Prijës i këtij cinizmi që arrin t’i detyrojë edhe politikanët tjerë të veprojnë si ai, është kryeministri aktual i Serbisë, V.Koshtunica. Ai në vazhdimësi harton kushtetuta, ligje, deklarata, rezoluta për ta mbrojtur Kosovën nga shqiptarët. Si alkimistët dikur, ai ka krijuar një laborator ku bën eksperimente të kota. Sa më shumë që dështon, aq më neurotik bëhet. A duhet të brengosemi nga lajthitjet, neurozat e një individi? Natyrisht, jo, nëse ato janë individuale, por siç shihet ato, ashtu si pritej janë kolektive. Pas humbjes së të gjitha betejave, duke mos pasur shpresa reale, duke mos kuptuar faktin elementar se problemi që është krijuar me një metodë nuk mund të zgjidhet pa e ndryshuar atë, popullit serb nuk i ka mbetur rrugëdalje tjetër, pos të besojë në mrekulli, në premtimet e alkimistit. Dhe alkimisti s’ndalet së premtuari. Një ditë i shkrepi mendja që nëse përmes referendumit miratohet Kushtetuta më e re e Serbisë, ku me të zezë në të bardhë shkruan se Kosova i takon Serbisë, atëherë ashtu edhe do të bëhet. Votimi në këtë referendum zgjati dy ditë. Megjithatë, populli serb, si çdo popull i botës, tregoi shenjat e lodhjes.

Paraardhësi i alkimistit të shushatur, dr.Koshtunicës, Millosheviqi vepronte njësoj si pasardhësi i tij. Kur faktori ndërkombëtar ofroi që problemi i Kosovës të zgjidhej me ndërmjetësimin e kryeministrit spanjoll, Gonzales, Millosheviqi refuzoi me arrogancë tipike serbe dhe shpalli referendumin, ku grigja e tij votoi që të mos pranohen ndërmjetësues për zgjidhjen e çështjeve të brendshme të Serbisë. Këto taktizime nuk ishin në favor të interesave të popullit serb, por ishin në funksion të mbrojtjes së imazhit të Millosheviqit, prijësit të fortë, politikanit që nuk e çan kokën për presionet e Evropës dekadente. Mirëpo, presidenti jodekadent i fuqishëm serb, Millosheviqi, që sot është varrosur në oborrin e shtëpisë së gruas së tij, meqë vend tjetër nuk pati për të, dy muaj më vonë lejoi ardhjen e 2 mijë verifikuesve, 2 mijë gonzalësave që filluan t’i skenojnë jo vetëm ngjarjet, por edhe terrenin. Siç dihet, pas tërheqjes së tyre filluan bombardimet që e thyen kurrizin e ushtrisë së mbetur jugosllave. Pra, udhëheqësit politikë serbë përdorin një retorikë, përmes së cilës ata vetveten e paraqesin si prijës të fuqishëm, për ta fshehur faktin dëshpërues se ata nuk janë në gjendje të marrin vendime të rënda historike, që do t’i lironin vetë serbët nga doktrinat anakronike, jorealiste, që një kohë të gjatë funksionojnë si bllokues të perspektivave të tyre. Me këtë politikë jorealiste, megalomane, refraktare, bllokuese ata shpeshherë e sillnin popullin e vet në buzë të greminës. Shkaktuan dy luftëra botërore dhe sërish përpiqen që t’i nxisin antagonizmat globale, herë ndërmjet SHBA-ve dhe EU-së, herë ndërmjet shteteve perëndimore me Rusinë, Kinën dhe Indinë, herë ndërmjet katolicizmit dhe ortodoksisë, herë krishterimit dhe islamit. Por, megjithatë në këtë marrëzi ka një logjikë, ka një sistem: të paaftë, të pafuqishëm që t’i denoncojnë botëkuptimet e tyre si të shpifura, të pranojnë se kanë dështuar, në vend që të kërkojnë falje për vlerësimet e gabueshme, ata vazhdojnë me të njëjtën dinakëri, logjikë çmendurake: e detyrojnë faktorin ndërkombëtar që, në vend të tyre, të marrë përgjegjësinë, vendimin për zgjidhjen e problemit të krijuar nga politika e tyre e gabuar. Në këtë mënyrë ata, me vetëdije e bëjnë bartjen, transferin e përgjegjësisë. Në vend të tyre, armiku i jashtëm i ka fajet, prandaj sot në Beograd digjen ambasadat e “fajtorëve”. Të “pafajshmit” , pastaj shkojnë në kishën qendrore dhe i luten Zotit që ta shpëtojë marrëzinë e tyre.

Këtë truk, këtë shpikje djallëzore, përmes së cilës e gjithë bota bëhet fajtore e zbulon në mënyrë shumë të qartë edhe ambasadori Hollburk, i cili pak kohë para fillimit të sulmeve të NATO-s kërkon nga Millosheviqi që të zmbrapset, mirëpo ai, për ta ruajtur fytyrën, filozofinë e tij politike, premtimet e dhëna e refuzon në mënyrë qyqare propozimin e diplomatit amerikan. Pikërisht në këtë mënyrë u sollën edhe politikanët e sotëm serbë që refuzuan seriozisht të impenjohen, zhvillojnë dialog me z.Ahtisaari, ashtu si paraprakisht në Konferencën e Rambujesë. Në këtë mënyrë ata i ikin fajit dhe njëkohësisht fitojnë të drejtën e kritikës. Të gjitha projektet e kësaj gjenerate të politikanëve serbë, të cilësuar si anti-millosheviqistë, por në fakt epigonë të tij, Tadiç, Koshtunica, Nikoliç të hartuara për mbrojte të Kosovës, përfundimisht, më 17 Shkurt 2008 dështuan.

Një antagonizëm ndërmjet jetës, realitetit, të vërtetës me mitologjinë morbide, me të shpifurën përfundoi në favor të së parës. U pa qartë se argumentet shqiptare ishin më të rënda, më bindëse në krahasim me ato serbë, që nuk arrinin të bindnin askënd që mendon paanshëm. Nuk duhet harruar se vlerësimin e bënë faktorët më demokratikë, më qytetërues, më të zhvilluar të botës, pikërisht ata që në fillim të shekullit XX ishin në krah të Serbisë.

Politikanët serbë, në vend që të japin llogari për dështimin e tyre, ata e bëjnë të kundërtën: e radikalizojnë retorikën, diskursin demagogjik dhe cinik për Kosovën duke arritur në këtë mënyrë që përgjegjësinë ta bartin nga vetja te shqiptarët dhe te faktori ndërkombëtar. Populli serb, i shushatur nga retorika mjeshtërore dhe gjithëpërfshirëse nuk arrin të parashtrojë pyetjen se si u bë që Kosova, më në fund, nuk u mbrojt, por u mëvetësua. Pyetjeve të këtilla të vështira politikanët e vegjël serbë që nuk kanë kapacitete morale për ta kumtuar të vërtetën, sillen njësoj si klerikët e parë të besimeve monoteiste, që në fillim të paraqitjes së tyre e bindnin popullin se, po qe se do të pranonin këtë apo atë besim, mjerimi i tyre do të shndërrohet në lumturi të pafundme, bota e tyre do të shndërrohet në parajsë. Në dallim nga klerikët që parajsën e transferuan, e bartën në botën tjetër, politikanët serbë realizimin e parajsës serbë, ose thënë më konkretisht mbrojtjen e Kosovës së humbur e bartin në të ardhmen, kur konstelacioni i faktorëve ndërkombëtarë do të jetë në favor të tyre, kur Rusia do të forcohet dhe Amerika bashkë me Evropën e “degjeneruar” do të kolapsojnë. Kjo metodë e bartjes së realizimit të premtimeve në një kohë të padefinuar, në të ardhmen përdoret shpeshherë në debatet politike: ai që premtimin nuk e mban dhe që s’ka guximin të pranojë se ka dështuar, shërbehen me këtë teknikë. Shpeshherë edhe nga shqiptarët dëgjohet argumenti se në Evropën e Bashkuar do të bashkohen edhe shqiptarët.

Me 17 shkurt 2008, Serbia u zbua nga Kosova, mirëpo serbët dhe doktrinat e tyre ende janë të gjalla. Është gabim të mendohet se Millosheviqi ishte ai që e devijoi politikën serbe që për pasojë pati shpërbërjen e Jugosllavisë dhe humbjen e pozitës hegjemoniste, që pa të drejtë ishte rezervuar për faktorin serb në këtë pjesë të Evropës Juglindore. E vërteta është e kundërt: doktrina nacionaliste serbe e prodhoi Millosheviqin dhe modalitetet e ndryshme të tija, qofshin ata paraardhës apo pasues të tij. Pra, politikanët serbë burojnë nga doktrinat romantike, mitologjike serbë dhe jo e kundërta. Karakteristika kryesore e kësaj doktrine është ekstra-temporaliteti, jashtëkohësia e mitit të tyre, si çdo mit tjetër. Rrëfimet, personazhet, ngjarjet, relacionet shfaqen si kategori jashtëkohore, të pandryshueshëm, aktuale deri në amshim. Ngjarjet e Mesjetës trajtohen sikur të kishin ndodhur tani dhe ato përmenden si modele për zgjidhjen e problemeve të sotme.

Shqiptarët, faktori ndërkombëtar, por edhe vetë serbët do të kenë probleme të mëdha me këto bindje mitologjike, ekstratemporale (jashtë kohore) serbe. Këto bindje tashmë janë bërë pjesë e identitetit serb. Patriarkët e këtij nacionalizmi, e këtij irracionalizmi, që prodhon vazhdimisht kriza përmasash botërore janë shkrimtarë (D.Obradoviç), etnologë (Vuk Karaxhiç), historianë (Jovan Rahiç), hartografë (Savo Tekelija), gjeografë (Jovan Cvihiç) etj., të cilët prodhonin fakte të sajuara, që kanë luajtur rol të madh në ndërtimin e memories (mbamendjes) kolektive të serbëve. Këta ideologë, që nga fillimi e përhapnin idenë se të gjithë sllavët e jugut, pos sllovenëve dhe bullgarëve janë në fakt serbë, ose siç pohonte historiani Rahiç se krahas Serbisë, edhe Bosnja edhe Dalmacia pastaj Sllovenia janë toka serbe. Këtë përkufizim të përkatësisë nacionale të territoreve të ndryshme hartografi Tekelija e stampoi në hartën e tij për tokat serbe. Këta ishin shpikësit e ambicieve megalomane serbe, të eskatonit nacionalist serb. Pas tyre vinin elaboratet zbatuese, duke filluar nga Garashanini e deri te Çubrilloviqi dhe Akademia Serbe.

Sa për ta ilustruar pikënisjen e këtij procesi megaloman, hegjemonist, do të përmendja Vuk Karaxhiçin, librin e tij “Kovcezic iz istorije, jezik i obicaje srba sva tri zakona” (“Arkëza e historisë, gjuha dhe ritet serbe të të tre besimeve”), botuar në Vienë, më 1849, ku ai e shpall dialektin e shtokavishtes së re si gjuhë serbe me çka arrin që pjesën dërmuese të kroatëve t’i trajtojë si serbë, ndërkaq me tezën mbi identitetin serb të tre konfesioneve, përforcon argumentin për serbizim, për asimilim të kroatëve katolikë, të boshnjakëve myslimanë apo të malazezëve, vllehëve, maqedonasve ortodoksë. Me këtë rast ai merr shembull traditën shqiptare; “arnautët kanë të njëjtin identitet pa marrë parasysh përkatësinë fetare”.

Etnologu Karaxhiq përdor skemën përvetësuese që në gjuhën latine përkufizohet si “Quius lingua eius regio” (“E kujt gjuha, e tij toka”) ose “Quius religio eius regio” (“E kujt feja, e tij toka”). Mbi këto parime ngrihet projekti i ekspansionizmit serb.

Në dallim nga epigonët e tij fanatikë, Vuk Karaxhiqi ishte pragmatik, ai hartoi metodën, shpiku mënyrën se si mund të zgjerohet një popull dhe territori i tij. Ai vetë, sipas burimeve kishtare vjeneze ishte konvertuar në katolik. Pasuesit e tij, të fanatizuar nga miti, prijës apo pasues, sot në konferenca a tubime klithin: “Kosova është shpirt i serbëve. A mund të jetojë një popull pa shpirtin e tij?”. Përgjigjen e serbëve e dimë. E imja është pak ironike: ashtu si keni jetuar pa shpirt, të paktën 500 vjet gjatë sundimit osman, do të jetoni edhe më tutje, derisa nuk kuptoni se shpirti i njeriut është brenda tij dhe jo në objekte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora