E enjte, 25.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Mendime

Martin Leka: Sa mirë për kosovarët, sa mirë për serbët…!

E shtune, 23.02.2008, 01:08 PM


Sa mirë për kosovarët, sa mirë për serbët…!

Nga Martin Leka

Edhe pse pjellë e një momenti “fantazie” apo “trill”-i, një shkrim i para një jave, botuar në “Panorama” nga Arian Çani me titull “Po mua përse duhet të më vijë keq për serbët…!”, ka zënë vend të dukshëm në debatet në faqet e forumeve të internetit, aty ku njerëzia bëjnë muhabet e krijojnë trille e fantazi sipas qejfit.
Edhe unë, të them të drejtën e lexova, por nuk e mora seriozisht, jo shumë për aq sa shkruante miku im Arian, por më shumë duke patur parasysh emisionin e tij, ku jo rrallë, i bën “telef” disa nga të ftuarit e “zonës së tij të lirë”. Por shkrimi dhe ndërmarrja  që merret në “analizë”, është vërtetë jashtë zonës së lirë. Madje, për vetë specifikën, kohën dhe kushtet, duhet konsideruar si një “zonë e rrezikshme”. Për këtë shkak, kjo “zonë” nuk e duron dot as humorin, as fantazinë, as trillin, as papërgjegjshmërinë.
Kush më tepër se ne, shqiptarët, duhet ta kuptojë e vlerësojë se Kosova si rast, nuk mund të përbëjë precedent dhe është një rast i veçantë, “sui generis”?!... Këtë e thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, madje edhe vende që nga Japonia e largët apo Australia. Për më keq dhe për më tepër, krahasimi me Dropullin (e Sipërm apo të Poshtëm), qoftë edhe burim fantazie, është jashtë çdo lloj vlerësimi që ka sadopak lidhje me realitetin dhe objektin që shqyrtohet.
Mjafton të marrësh në konsideratë historinë, numrin e popullsisë apo gjithë elementët përbërës për shtetformim, për të kuptuar se të krahasosh Dropullin me Kosovën, (e përsëris: qoftë edhe për fantazi(!) është vetëm një gabim i madh (mos o Zot ta quajmë një provokim). Duket absurde tani, por Enver Hoxha duket se e kishte kuptuar mirë ndjeshmërinë që shkaktojnë pakicat kombëtare apo minoritetet në një shtet. Për këtë arsye, regjimi i tij u kujdes që këto pakica të kishin një status më të vëmendshëm, krahasuar me popullsinë në përgjithësi. Edhe pse i detyruar apo për demagogji, por të paktën ai regjim këtë ide krijoi: që minoriteti të ishte më i privilegjuar. Krejt të kundërtën krijuan udhëheqësit dhe regjimet serbe, që nga Pashiq, Tito (më pak) apo Milosheviç. Këto regjime, miku im Arian, statusin politik të Kosovës, të banuar nga rreth 2 milionë shqiptarë dhe me 95 për qind të saj popullsi e pastër shqiptare, e kishin deri në “Krahina Autonome e Kosovës”. Përveç kësaj, miku im, ata i konsideronin qytetarët e Kosovës si shtetas të dorës së dytë apo të tretë, po të kemi parasysh trajtimin që u bëhej atyre. Ndërsa nga burimet natyrore, Kosova ishte mjaft e begatë, investimet që shteti sllav dërgonte në Kosovë ishin të papërfillshme, duke e lënë këtë vend e këtë popullsi në një mjerim ekonomik permanent. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, regjimet gjakatare serbe ushtruan dhunë dhe genocid të pashembullt mbi shqiptarët e Kosovës. E kam të vështirë të përmend tani masakrat e makinës shtetërore serbe mbi popullsinë e pafajshme në Kosovë, pasi po të kujtosh vetëm disa nga ato, si të Racakut, për shembull, kujtdo do t’i dukeshin serbët (jo populli i thjeshtë) më keq se “vemje të poshtëruara”! Shikoni se çfarë paradoksi ndodh me këta politikanët dhe politikën serbe: nga njëra anë thonë se “Kosova është djepi i Serbisë”, por nga ana tjetër e lanë këtë vend dhe qytetarët e saj, në mungesën e plotë të vëmendjes dhe trajtimit dinjitoz, siç do ta meritonte çdo “djep” i kulturës dhe historisë.
E di miku im Arian pse po shkruaj?
Për të treguar se ka ardhur koha për të gjithë të reflektojmë mbi disa tema dhe të mos manipulojmë me to. Siç është rasti historik i Kosovës, shtetit më të ri dhe që po njihet si shtet në mënyrë spektakolare që nga më të mëdhenjtë e rruzullit. Natyrisht unë jam përqafues i parimit human, i përqafimit dhe përjetimit të dhimbjes së tjetrit, por jo për dhimbjet kriminale. Më vjen keq ta them, por e kam detyrim ndaj realizmit tim, se në keqardhjen tënde, ishe më afër Koshtunicës se sa edhe pranë liberalëve serbë të Tadiç, të cilëve vetë huliganët e Koshtunicës u dogjën pardje selinë në Beograd. Natyrisht, këtë nuk e them për shkak të përkatësisë sime etnike, apo për patriotizëm, siç bëjnë shumica e atyre që të janë vërsulur virtualisht nëpër forume. Këtë gjë, miku im mund ta bëjë çdo shqiptar, si 100 për qind, si “50 për qind”?!....
Shkrova, sepse ka ardhur koha të jemi të gjithë më të përgjegjshëm për tema të tilla. Sepse, miku im, tema të tilla serioze, si kjo e Kosovës, kërkojnë më shumë dinjitet në trajtimin e tyre dhe nuk mund të durojnë as fantazi, as trille, as rimel e tanga e silikon…
Fundja, shkrova edhe për të treguar se pas shpalljes së Kosovës si Shtet i Pavarur, është koha për të thënë: sa mirë për kosovarët, sa mirë për serbët…!

* * *
Nuk do ta merrja mundimin të shkruaja, nëse ti, i dashur Arian, në shkrimin e djeshëm nuk do të provokoje kundërshtarët e mendimeve tuaja të forumeve në internet apo ata lexues të gazetës ku shkruajmë edhe unë, edhe ti, me “argumentin” se asnjë prej kolegëve të tu gazetarë, nuk të ka kundërshtuar?!
Duhet t’i kesh parë pardje serbët, ata për të cilët mua nuk më vjen keq aspak pse Kosova u shkëput përfundimisht nga regjimi i tyre dhe harta e tyre gjeopolitike, të cilët sulmuan dhunshëm ambasadat dhe ç’objekte të tjera u doli përpara, gjer edhe “Mc’Donald’s”-et, a thua të ishin antiglobalistë?!... Këta njerëz, o miku im, kanë nevojë vetëm për një gjë: për “vaksinën” antiMilosheviç apo antiKoshtunica.  
Ne, i dashur miku im, shpesh ledhatojmë e makiazhojmë njëri-tjetrin, si të ishim ndonjë “sekt”, apo si të ishim “mendimtarë kozmopolitanë”…
Së fundi, ka plot “karagjeorgjevicë” në Serbi, që mendojnë me stilin e ndryshkur të nacionalizmit primitiv. Nëse ka ndonjë “karashqiptar”, (dhe duhet të ketë), mendjet e hapura e të lira, nuk duhet t’i lejojnë të nxisin dhunën, forcën dhe mungesën e arsyes!
Pas 17 vjetësh, Arian, ka ardhur koha të mos bëhemi si pazarxhinjtë e rëndomtë, nga ata që shesin urinën për fanta portokalli…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora