E enjte, 18.04.2024, 11:42 AM (GMT+1)

Mendime

Luan Pacani: Bashkëbisedim me emigrante dëshnicare

E diele, 13.11.2011, 08:58 PM


Bashkëbisedim me emigrante dëshnicare

 

Nga LUAN PACANI

 

Flamur Xhako: “Emigracioni ynë, një provë e vështirë”

Ulemi shpesh per kafe me bashkefshataret tane deshnicare ketu ne emigracion,e kafen nuk e vleresojme nga lengu i zi ne filxhan, por nga biseda qe ka brenda ,ajo  kafe apo gote birre. Kafet tona me teper jane shkembime mendimesh, bashkebisedime te ngrohta ,shmallje, kujtime per vendlindjen,por dhe per rrugen e gjate e te veshtire te emigracionit tone. Biseda me Flamurin rrodhi e natyrshme pa ditur gje qe ajo po regjistrohej ne diktofonin tim.

Flamuri eshte bir dëshnice dhe emgrant i hershëm në Greqi që punon e jeton prej vitesh në ishullin e Kretës së bashku me familjen e tij. Si të gjithë të tjerët dhe Flamuri ruan thellë në mëndje e në shpirt historitë e jetës së tyre në emigracion,ardhjen në Greqi,vështirësitë e para dhe përpjekjet e vazhdueshme për një integrim dinjitoz në shoqërine  ku punojnë e jetojë.

Megjithëse kanë kaluar shumë vite që atëherë, plot 21 vjet, ai e mban mjaft mirë mënd herën e parë kur shkeli në Greqi. E kush nuk do ti mbante mënd ato ditë e ato vite te vështira kur  pyjet e malet e jugut të Shqipërisë caheshin nga karvanet e njerëzve që në krah mbanin nga një thes të bardhë me pak ushqime për rrugën e gjatë e të panjohur, ndërsa në mëndje e shpirtrat e vrarë  ëndrrën për një jetë më të mirë. Cdokush mendonte se përtej kufirit do ishte parajsa do të gjente dicka magjike, ndaj dhe shumica sidomos moshat e reja, i provuan dhjetra herë rrugët e Greqisë, pavarësisht se u kapën, u rrahën, u torturuan barbarisht,u kthyen mbrapa me shpresa të vrara për momentin, por kokën e kthyen përsëri nga mali. Historitë e ngjarjet rrënqethëse të emigracionit mund të duken pothuajse të ngjashme,mbasi gjithecili prej nesh shkeli pothuajse në të njëjtat monopate, provoi të njëjtat vështirësi e tortura në ato vite që me plot kuptimin e fjalës ishin vitet e mbijetesës.

“ Ishte fundi i vitit 1990 kur së bashku me dy shokë e vëllain e vogël u nisëm drejt Greqisë. Kur i thashë nënës se do iknim, ajo vuri kujen:  “Aman, ju bëftë nëna mos ma bëni këtë gjë, zëmrën e kam të përvëluar njeherë,nuk duroj dot më mandate”.  Kishte të drejtë e shkreta zëmrën e kishte vërtet të përvëluar, mbasi para disa vitesh një vëllai ynë që kryente shërbimin ushtarak në kufi me Greqinë ishte vrarë në krye të detyrës e ajo as që donte ta dëgjonte emrin Greqi. Por ne e kishim ndarë mëndjen. Futëm në thesin e bardhë nga një bukë, pak sheqer e nga një kavanoz recel qershie nga ata 66 lekshit, qe i bleme te dyqani i Kadesë  e u nisëm. Vjosa ishte si e tërbuar, por ne u kapëm me njëri-tjetrin dhe kaluam matanë. Me vete kishim dhe balon, një qën besnik që shoku ynë ,i cili kish qënë njëherë më parë matan kufirit, e një grek e kish porositur t`ia sillte qënin. Do ti që ai qën na ndihmoi shumë gjatë rrugës sidomos natën kur kapiteshim nga lodhja e na zinte gjumi,ai na ruante dhe një lëvizje të vogël po të dëgjonte në pyll, na kuiste te veshi si për të treguar se ndonjë rezik po na kanosej. Udhëtuam dy-tre ditë, kur, sa kishim kaluar Sanmarinën, shikojmë dy makina në anë të rrugës, në fillim nuk iu dhamë rëndësi, por kur dëgjuam sinjalet e radiomarrësit e kuptuam se ishte policia. Ia dhamë vrapit nëpër pyll si të marrë nga frika se mos na kapnin. U bëmë kokrra-kokrra si i thonë fjalës. Policët na ndiqnin pas. Isha larguar goxha.  Mbrapa meje vinte vëllai. Papritur  dëgjoj një “Oh” të thellë  e shoh trupin e vëllait të shtrirë përtokë. Fillimisht mendova se mos e qëlluan me ndonjë armë pa zhurmë. Pranë tij shkuan tetë policë. U ktheva mbrapa e shkova atje. Ishte penguar e kishte thyer këmbën e cila i varej si “cingël”.  Sa shkova aty, dy policë m`u lëshuan me shqelma e grushta e sikur të mos i kish ndalur një polic i mirë me emrin Manol,do më kishin bërë lakër. Na futën në bagazhin e makinës së policisë e na cuan në spitalin e Grevenasë. Aty im vëlla dënjti i shtruar rreth një muaj e ca e bashkë me të dhe unë që i shërbeja. Brënda mureve të spitalit pamë njerëzillëkun, respektin për njeriun në nevojë. Dhe mua më vunë në normë ushqimi sikur isha i shtruar. Pastaj atë policin e mirë nuk do ta harroj kurrë. E vërteta duhet thënë, or mik. Ai polic pothuajse cdo mbasdite vinte shihte vëllain tim në spital, interesohej tek doktorët e nuk harronte të sillte cdo ditë amita, korosan, biskota për vëllain tim të sëmurë. ‘Më vjen keq për vëllanë tend,- më thosh,-është i vogël e sikur të mos ju ndiqnim atë ditë me aq egërrsi nuk do të kish ndodhur ajo që ndodhi”  Kjo më bënte përshtypje të madhe. Pothuajse kish kaluar muaji e një mbasdite  i thashë policit që të më ndihmonte. Kur të dilte vëllai nga spitali të mos na nisnin në Shqipëri, por të kishim mundësi të vinim te vëllai tjetër në Damasko të Larisës. Ashtu u bë. Erdhi një tasixhi te cilin e kish derguar polici i mire Manol e na mori, por ai kërkonte 70 mijë dhrami. Atje na priste vëllai, të cilin e mori në telefon polici. I dha taksixhiut jo 70, por 80 mijë dhrami. Ndenjëm disa kohë te vëllai. Ku ta shpinim vëllanë e vogël të sakatepsur në Shqipëri. Prindërit pastaj vetëm të cmëndeshin fare”. E historitë e perpecitë e Flamur Xhakos s’kanë të mbaruar. Ku nuk shkeli ai në ato vitet e para. Nga Sanmarina në Grevena, në Larisa, Patra, Lamia e së fundi në ishullin e Kretës.

“Kur isha në Larisa e flinim në pompat e ujit të mbuluara me ramallinë një natë na sulmoi një bandë shqiptarësh për të na grabitur. E habishme! Grabit vëllai vëllanë e ku në dhe të huaj. Ia futa vrapit e shpëtova, por protofolin me 150 mijë dhrami e fotografinë e djalit e lashë nga hutimi aty. Mbasi vodhën e rrahën mirë e mire, cubat ikën, por fati im i keq e solli që të takohesha me ta në rrugë. Filluan të më rrihnin e shanin me soj e sorrollop, por e keqja qe se më kërkonin me ngulm t`ju tregoja vënde të tjera ku rrinin shqiptarët. Sa herë më pyesnin e nuk iu përgjigjesha më shqelmonin me radhë. Ju thashë të bënin c`të donin, vetëm të mos më vrisnin, mbasi zemra e nënës sime ishte plagosur tek s’mbante më. Një pjesëtar i bandës më njohu mbasi para disa ditësh kisha punuar bashkë me të e ia kisha treguar ngjarjen e hidhur me vëllanë që ma kishin vrarë në kufi.. Ai u tha të tjerëve me një zë urdhërues : “Këtë s`do ta prekni më, mbasi është në besën time, hej burra”.  Dhe portofolin tim me dhramitë e foton e djalit ma dhanë përsëri. Kështu që isha me fat. Kam shumë për të thënë ,por c`të të them më pare, or mik i nderuar ”Greqia na kaliti durimin e na bëri njerëz të sakrificës. Ngjarjet e këqia që më bënin të vuaja dua t`i fshij nga kujtesa”-thotë Flamuri.

Në ishullin e Kretës ai jeton për reth 18 vjet së bashku me familjen e tij. Në fillim u mor me punë nga më të ndryshmet si bujqësie ndërtim, por me kalimin e viteve duke qënë dhe njëri shumë punëtor dhe i apasionuar pas mjeshtërisë së gurit, krijoi skuadrën e tij të ndërtimit. “Kam patur punë plot, or burazer, sa më parë nuk i përballoja dot vetë dhe ua jepja dhe mjeshtrave të tjerë, por tani me këtë krizën ekonomike gjërat janë shtërnguar shumë dhe punë nuk ka, por dhe kur gjejmë punë nuk paguhemi më kohën e duhur, na japin ceqe afatgjatë , por ne kemi nevojë sot.  “Po deshe”,-thote greku. Punët e tij janë të pëlqyeshme për bukurinë e cilesinë e mirë të punimit.Flamurit i këndon puna në duar. Është dhe një aktivist i mirë i emigracionit. “Na duhet shpirti patriotik e bashkimi i zërit tonë në një zë të vetëm, që të mbrojmë e respektojmë njeri-tjetrin para atyre padrejtësive që kemi hequr në të kaluarën e po heqim dhe sot. Përsa i përket kthimit në atdhe ai na thotë : “U mbushën kaq vite e gjithnjë kemi thënë se do ikim, por unë mendoj se rugës së gjatë e te vështirë të emigracionit tonë, i dihet vetëm fillimi, ndërsa mbarimi nuk i dihet. Për ne emigracioni ishte një provë e vështirë, të cilës mirë a keq  mendoj se ia dolëm mbanë. Malli per vendlindjen na djeg e na pervelon ,por dhe atje gjerat nuk shkojne mire, pagat jane te ulta, cmimet te larta e papunesia eshte shume e madhe”

Udhët e jetes bashkojnë e ndajnë njerëz, i kthejnë ata mbrapa ne kohë e hapësirë, duke rëmuar thellë në kujtesë e duke bashkuar kujtimet e historite e jetes emigrante sic bashkohet palë-palë toka e ardhur në pranverë nga plori e veshi i plugut, duke ekspozuar ngjyrën e vërtëtë, atë që mbledh e percjell jetë.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora