E merkure, 24.04.2024, 11:19 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Hashim Thaçi intervistohet nga prokurori

E diele, 13.11.2011, 07:14 PM


Një “mysafir” jo i rëndomtë e ka vizituar të martën kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për ta pyetur atë rreth disa zhvillimeve që kanë ndodhur dymbëdhjetë vjet më parë në Kosovë.

Ky “mysafir” është prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro, i cili në retrospektivë dëshiron të dijë se cili ka qenë roli i Fatmir Limajt gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me çka është marrë ai në këtë kohë dhe cili ka qenë roli i Limajt në hartimin e operacionit “Shigjeta”.

Thaçi kësaj here nuk është pyetur si politikan, por si drejtues politik i UÇK-së dhe si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Intervistimi i Thaçit në cilësinë e dëshmitarit është bërë pasi një gjë të tillë e ka kërkuar shoku i tij i luftës, Fatmir Limaj, përmes mbrojtësve të tij.

Limaj, bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë dhe gjykimi ndaj tyre pritet të nisë të premten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Tri ditë para mbajtjes së kësaj seance kryesore, burime të gazetës, me kusht anonimiteti, kanë treguar se prokurori që udhëheq rastin Kleçka, italiani Maurizio Salustro, ka qenë në ndërtesën e Qeverisë, ku ka marrë në pyetje Hashim Thaçin në cilësinë e dëshmitarit.

“Në ditën e martë, kryeministri Thaçi për një orë paradite e për një orë pasdite është marrë në pyetje nga prokurori i EULEX-it në lidhje me rastin për krime lufte, ku i akuzuar është ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj”, ka treguar një burim i gazetës në kusht anonimiteti.

“Intervistimi është mbajtur në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën plenare, ndërsa gjatë punimeve Thaçi është shkëputur disa herë nga Kuvendi, ndërsa vetëm dy herë është takuar me prokurorin e rastit”, ka shpjeguar më tutje ky burim.

Gazeta gjatë gjithë ditës së enjte ka tentuar për të kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit për të marrë informacione rreth kësaj çështjeje, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), prokurorët e të cilit kanë ngritur dyshimet mbi Limajn, nuk e kanë mohuar, por as pohuar marrjen në pyetje të kryeministrit Thaçi.

"Prokuroria Speciale e Kosovës në përgjithësi nuk i bën publike informatat rreth veprimeve hetimore, si dhe emrat e personave që intervistohen", thuhet në një përgjigje të kthyer nga Zyra për Informim e misionit EULEX.

Sido që të jetë, emri i Hashim Thaçit si dëshmitar në rastin “Limaj dhe të tjerët” është shkruar nga vetë mbrojtja e Fatmir Limajt.

Thaçi dhe më shumë se dhjetë ish-pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, të propozuar nga mbrojtja, duke përfshirë edhe dëshmitarët tjerë: Jakup Krasniqin, Azem Sylën, Kadri Veselin, Agim Çekun e të tjerë, tashmë janë marrë në pyetje nga prokuroria.

“Janë më shumë se dhjetë deklarata që tashmë i kemi marrë. Janë dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, për t’u dëgjuar gjatë procesit gjyqësor, ndërsa prokurori i ka marrë shumicën nga ta apo ndoshta të gjithë në pyetje pasi që e ka ngritur aktakuzën, do të thotë pasi që janë kryer hetimet”, ka thënë mbrojtja e Limajt, avokati Tahir Rreci, duke mos e ditur nëse Thaçi është marrë në pyetje.

“Na janë sjellë disa dëshmi të dëshmitarëve që mbrojtja i ka propozuar, por jo edhe dëshmia e personit të cilit i referoheni”, ka thënë më tej Rrecaj.

Ai ka pohuar se prokurori i EULEX-it nuk ka pasur të drejtë ligjore të intervistojë në këtë fazë dëshmitarët që janë propozuar nga vetë mbrojtja.

“Ai i ka marrë në pyetje pasi që e ka shkruar aktakuzën dhe ne i kemi propozuar dëshmitarët që të dëgjohen në proces gjyqësor dhe jo tek prokurori. Marrja në pyetje e dëshmitarëve është veprim hetimor”, ka thënë Rrecaj, i cili ka konfirmuar se sot (e premte) në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë do të fillojë seanca gjyqësore, ku Limaj me bashkëluftëtarët e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” do të përgjigjen për krime lufte, me të cilat i akuzon EULEX-i.

Rrecaj ka njoftuar se gjatë të martës pritet të bëhet leximi i aktakuzës dhe të detajizohet agjenda për seancat e radhës ngase, sipas tij, për rastin e Limajt është caktuar një kryetar tjetër i trupit gjykues dhe jo Gianfranco Gallo, që ka qenë gjer tani.

“Nesër ne do të kërkojmë shtyrjen e seancës deri në janar të 2012-tes për shkak se ende nuk e kemi marrë dhe nuk e dimë se kur do ta marrim raportin e autopsisë mbi vdekjen e dëshmitarit “X” në Gjermani, dëshmitar ky, mbi dëshminë e të cilit është ngritur edhe aktakuza në fjalë”, ka thënë Rrecaj.

Aktakuza, e cila pritet të lexohet nesër para të akuzuarve, i ngarkon Fatmir Limajn, Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën, Naser Krasniqin, Sabit Shalën, Refi Mazrekun, Arben Krasniqin, Shaban Shalën, Behlul Limajn e Besim Shurdhajn për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës në fshatin Kleçkë të Lipjanit gjatë luftës së vitit 1999.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora