Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Liria dhe magma poetike

| E diele, 13.11.2011, 08:58 PM |


ArtPamor

 

Liria dhe magma poetike

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Mjeshtri i dikurshëm Mikelanxhelo figurën e Davidit e ka huazuar nga Bibla, por Davidi i Mikelanxhelos paraqitet ndryshe, ai është shumë me tepër muskulor, me shumë burrëror. Mirëpo, artisti Preshevar i cili jeton dhe vepron në Itali Hevzi Nuhiu, inspirimin e gjen në natyrë, bëhet mjeshtër dhe përkthyes superior i fenomenit-natyrë. Ai ndihmon natyrën, shushurimën e gjetheve, vetminë e drunjve, të bimëve, meloditë më të ashpra, kujdesshëm i gdhend, u jap formë tredimensionale duke i lakuar në pakufizim, nën shoqërinë e mitit, historisë dhe tragjedisë së ndodhur, e cila lulëzon ardhmen nën kafshimin e ashpër pushtetar. Kur artisti nis e piqet ai hedh sytë nga fillesat, aty ku ka nisur rruga e të parëve, ku janë rrënjët etnike, oxhaku, gjaku, miti. Të gjitha këto, dukshëm reflektojnë në ekspozitën personale të këtij krijuesi e cila u hap para disa ditësh në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Qëllimi nuk është vetëm prezantimi i skulpturave, por ngacmimi i një shpirtëzimi fluid i cili të dërgon deri në përshpirtërime poetike që ne esencë posedojnë shpërthime. Arti i tij nuk është vetëm gjendje, e as lojë formash dhe lakime vijash, e as proporcionesh, madje as sqimë e formë, por shpirt dhe sundues si Akili, i cili pikë të dobët nuk ka thembrën, por ndjenjën. I prekur shpirtërisht nga lufta e fundit në Kosovë, ai mjeshtërisht përmes portretit të një femre të munduar, të lodhur, mes ankthesh, pasigurish, rrënojash, dështimesh, përshpirtjesh, fatalitet, shprehë atë pasqyrën e dëshpëruar, por në thelb fshihet  besnikëria, krenaria, dhe fuqia madhështore e gruas që në dukje demaskon pamjen ilire. E gdhendur në dru, shikimi i saj, tregon stërmundimin, kryqëzimin, poshtërimin.  Qëndrueshmëria, fundin e një torture të pamerituar. Ikonën e humanizmit, e cila i dha shkëlqim botës, sikurse Prometheu që solli zjarrin, ajo shprehu humanizmin, u sakrifikua për të tjerët, vodhi urrejtjen, për ta mbjell buzëqeshjen. Bëhet fjalë për Nënën Terezë, të gdhendur dhe ringjallur mjaftë bindshëm. Ajo lutet për botën, për dishepujt e saj, për muzat, për globalizmin, për mjerimin që paraqitet nga poeti Migjeni si kafshatë që s’kapërdihet. Ajo në formë lutje proteston, kërkon nga grushti njerëzor ndihmë, ngrohtësi, buzëqeshje. Lotët nuk janë të saja, por të tjerëve në sytë e saj, duke puthitur fytyrën e rrudhur nga mallkimet, shfrytëzimet e padrejta të njerëzve. Të gjitha ajo i spastron në zemrën e saj, sikurse klithë në vete dhe tinëzisht i rrëshqet mendimi i ujërave të epifanisë dhe pagëzimit që duhet t’i jap shqiptarëve të stërmunduar paqen, gëzimin dhe lumturinë e munguar.

 

Skulpturat, paraqesin kaosin, ngufatjen dhe qëndrueshmërinë e gurit (Të malit), por edhe të drurit. Një betejë të vërtetë, të afërt të ngjashëm me një situatë kaotike apo shpresëdhënëse, ku si bazë ka realitetin, heshtjen dhe imagjinatën nga një mendim i pastër dhe i dirigjuar qëllimisht nga mjeshtri. Edhe pse qëndrojnë të heshtura si një bimë, ato ngërthejnë përplasje, lëvizje të shpejta si të futuristët. Mund të ekspozohen edhe në ambient të hapur, duke u shoqëruar me qiellin, rrezet e diellit dhe hijet. Kozmosi i tyre, ka rregull, sikurse meteorët të cilët kalojnë me shpejtësi të madhe pranë njëri tjetrit, dhe nuk prekën fare, po ashtu punimet, të mbështjellura dhe lakuara rreth vete, duke pozuar bindshëm, ose duke shprehur energjinë, dinamikën, lëvizjen, puqen me shpirtin, futen si personazhe mitike, duke zbritur ngadalë në tokë.  Lirisht mund të them se autori shëtit në kopshtin poetik, i vetmuar në parajsë, ai duke u dehur nga arti, ai krijon shoqëri me artistin tashmë të ndjerë, me renome ndërkombëtare Ibrahim Kodra, i cili luan një rol të madh në jetën e Nuhiut. “Nuhiu e ka bërë përvojën e tij, e ka arritur një formë dhe paraqet një tipologji që buron nga arti informal, nga një liri poetike e veçantë për t’u trajtuar, dhe shqyrtohet si një nxënës primar i Henry Moore-ut”, shënon mjeshtri Kodra. Poetika dhe liria e tij, është si një magmë e cila depërton në mendjen, gjakun, shijen, dhe zbutë çdo padrejtësi duke e rrënuar në fatalitet.