E enjte, 25.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Dosti: Kur u vra Mehmet Shehu personazhit tim ia ndryshuan emrin nga Xhafo Mehmeti në Xhafo Idrizi

E shtune, 12.11.2011, 07:19 PM


Flet regjisori, aktori i estradës dhe i teatrit, Bajram Dosti

 

Kur u vra Mehmet Shehu personazhit tim ia ndryshuan emrin nga Xhafo Mehmeti në Xhafo Idrizi

 

Roli i rojës së shalqinjve më bëri popullor

 

Nga Albert ZHOLI

 

Dhe të vinit deri këtu si aktor i Teatrit Kombëtar të Komedisë s’ishte e rastësishme….

Unë e kam dashur aktrimin që në vegjëli. Por më shumë doja këngën labçe. Sa herë shikoja filma mendoja dhe mundohesha të interpretoja artistë të mëdhenj. Ishte ëndërr që dhe më pengonte në shumë drejtime pasi thoja do të ngelet gjithmonë në sirtar.

 

U rritët në një ambient mes këngës labe?

Po. Ndërsa arsimin e mesëm e kreva në shkollën e mesme bujqësore të Libohovës. Tjetër kërkoja tjetër më çuan. Por Libohova e Avni Rustemit ishte më e bukur se Kalivaçi im i Tepelenës megjithëse fshati im ka të veçantat e tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme më doli arsimi i lartë për ekonomi agrare, të cilën nuk e kisha qejf dhe nuk shkova. Për këtë arsye më detyruan të shkoja tre vjet ushtar. Edhe në ushtri mendjen e kisha tek aktrimi. Për atë refuzova dhe shkollën e lartë ekonomi agrare.

 

Kur konkurruat për aktrim, cilat pjesë interpretuat dhe kush ishte në juri kur konkurruat?

 

Unë për aktrim kam konkurruar pas ushtrisë. Për mua ka qenë fat (sepse kam lindur me fat në ditën e Bajramit), që në juri kanë qenë burra të shquar si Esat Oktrova (Shef Katedre), Vangjush Furxhi dhe Viktor Zhusti. Ishte një ditë plot emocion. Në këtë konkurim unë interpretova poezi të Dritëro Agollit si Partizani Meke, dhe monologun e Rrapo Tabanit. Nga pjesët e huaja kisha Oleg Koshevoi. Por pjesët  e Dritëroit më pëlqyen shumë dhe  unë u mundova të jepja maksimumin.  Këta tre pedagogë më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës sime në Institutin e Arteve (atëhere).

 

Gjatë  periudhës së studimeve çfarë roli keni luajtur|?

 

Kam luajtur tek filmi “Këneta” rolin e mësuesit kam luajtur dhe një rol tek “Donkishoti”, me teatrin Institutit të lartë të Arteve.

 

Pas përfundimit të shkollës, ku ju emëruan?

Më emëruan në Tepelenë regjisor të Shtëpisë së Kulturës. Nuk e prita me kënaqësi këtë vend pune pasi jeta artistike në qytetin e origjinës ishe e vakët. Unë më shumë doja të isha aktor se regjisor. Doja të luaja. Lëviza çdo levë sa më në fund më çuan aktor në Estradën e Fierit. Sikur u çlirova. Aty mund të kisha hapësira më të mëdha, pasi në atë periudhë Estrada e Fierit ishte ndër më të mirat në vend. Njëkohësisht, aty ishte dhe teatri, pra aktorët e estradës luanin dhe në teatër.

 

Sa vjet keni punuar në këtë institucion të artit skenik?

Plot 20 vjet. Dy dekada. Nuk janë pak. Aty dhashë dhe mora gjithçka. Aty luajta rolet më të mirë dhe aty u përmirësova si aktor. Ato vite pune ishin vite universiteti special për mua. Kjo trupë estrade dhe teatri ishte shumë e mirë

Për ne që shkonim si aktorë të rinj, sepse aty nuk  kishte një plejadë aktorësh shumë të vjetër që të na mbulonin fare ne të rinjve. Estrada dhe teatri i Fierit u formua më vonë se të tjerët ndaj dhe për mua u krijuan shumë hapësira.

 

A gjete atmosferë të mirë në këtë trup?

Sigurisht. Gjeta ngrohtësi. Aty kishte dhe aktorë të shquar si: Luftar Paja, Fuat Boçi, të cilët jo vetëm më mirëpritën, por dhe më ndihmuan shumë në ecjen time përpara.

 

Si i keni pasur marrëdhëniet me regjisorin Pëllumb Kulla?

Shumë të mira. Pëllumbi më ka dhënë 4 role në dramat që i ka pasur krijuar vetë. Mi dha me besim dhe unë e justifikova. Unë kam punuar dhe me regjisorin Roland Çarka, i cili ishte i heshtur, por shumë punëtor. Njëkohësisht ka qenë regjisor edhe Fatos Sela, i cili është dhe një aktor i talentuar.

 

Të kalojmë tek filmi. Sikur s’jeni i dhënë aq shumë sa je dhënë ndaj teatrit

Unë kam luajtur tre filma. Në bashkëpunim  me kinostudion “Shqipëria Sot”. Një ndër ta është filmi “Koha e Kometës” e Fatmir Koçit, tek filmi “Sekretet”, një rol të një çmenduri, ku partner kam pasur Enver Petrovcin,

 

Megjithatë qoftë në estradë, teatër apo film ju keni një rol të spikatur që ju identifikon si çdo aktor. Cili është ky?

Roli më i bukur për mua është roli që kam pasur tek drama “Dy krisma në Paris”.  Unë kam pasur rolin e fshatarit Xhafo Mehmeti, që më vonë u quajt Xhafo Idrizi. Ai ishte një rol që zbërthente tamam në detaje burrin lab, të sertë, të mendueshëm plot mendim. Patriot. Me këtë rol kujtoja babanë tim dhe pleqtë e fshatit me të njëjtat karakteristika dhe veshje. Atë figurë e njihja në çdo hap që hidhja sikur të qe enkas për mua.

 

Ju thatë që personazhi quhej Xhafo Mehmeti pastaj ja ndryshuan Xhafo Idrizi. Pse ky ndryshim emri në teatër?

(qesh). Sot duket paksa e çuditshëm, por s’ishte e tillë dje. Kur u dhanë shfaqjet e para dolën pikërisht me këtë emër, por më vonë kur vrau veten (u vra) Mehmet Shehu, u dha urdhër që të ndryshohej mbiemri i personazhit. Edhe regjistrimi pra filmimi u bë me këtë emër me emrin Xhafo Idrizi. Paradokse shqiptare mos të të vijë çudi. Unë këtë rol e kam luajtur në 45 shfaqje. Dihet tashmë se kjo dramë ka qenë ndër më të realizuarat në teatrin e Fierit. Ka qenë një dramë që ka bërë bujë për kohën.

 

Po në estradë, cilin rol do të veçonit?

Roja i bostanit (qesh). Dihet atëherë se si vidheshin shalqinjtë e fermave apo kooperativave nga të rinjtë. Ishte një rol që fliste për këtë problem të kohës.

 

Ku jeni ndjerë më mirë në dramë apo komedi?

Me thënë të drejtën s’mund t’i ndaj. Ndoshta emërimi im si aktor në Teatrin e Komedisë ta legjitimon pyetjen, por unë i dua njëlloj. Por role më shumë kam luajtur në estradë. Sidomos kohët e fundit kam realizuar disa kinokomedi.

 

Keni ndonjë peng në jetën tuaj artistike?

Jo. S’kam peng. Mendoj se, kërkesat dhe objektivat e mia deri tani i kam realizuar. Kohën e kam para. Edhe ndonjë rol që e kam dëshirë ndoshta do të realizoj.

 

Sa role keni realizuar gjithsej?

Kur flitet për rolet gjithmonë kujtesa nuk të mban me hatër. Aktori asnjëherë si numëron rrolet për vetë faktin se e ndjen se të gjithë rolet janë brenda tij dhe se sa lë një rol mendon të fillojë një tjetër. Por mund të them se kam 20 role në teatër mbi 30 role në estradë dhe 3 role në kinema.

 

Kë do të veçoni nga shokët që ke pas në bankat e Institutit të Arteve?

Arben Imamin. Ishte një djalë kurajoz, i zgjuar, i talentuar. Kam shkuar shumë mirë me të dhe angazhimi i tij që në shkollë ishte shumë premtues. Por jeta bën të vetën, preferencat ndryshojnë.

 

Ç’do të thotë të jesh aktor?

Të jesh i mbushur me përgjegjësi. Artisti n.q.s nuk shkon tek zemra e popullit ka dështuar. Aktori është gjithmonë në përballje me popullin dhe ai ta jep notën dhe nota duket në rrugë që ose të flet ose kthen kokën anash.

 

Mendimi juaj për shkollën shqiptare të aktrimit?

Për mendimin tim, në kohën që e kam bërë ka qenë një shkollë shumë e mirë, me pedagogë shumë të talentuar, me kërkesë të lartë. Shkolla e Stanislavskit mbetet edhe sot me emër. Nuk e di si është sot kërkesa e llogarisë. Besoj të jetë në ato nivele.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora