Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Preçi: Shteti që nuk funksionon dhe Kanuni që vret njerëz

| E shtune, 12.11.2011, 07:58 PM |


Shteti që nuk funksionon dhe Kanuni që vret njerëz

 

Nga Ndue Preçi*

Prof. Assoc. Dr.  & publicist

 

Fenomene nga më të ndryshmet si gjakmarrja, prostitucioni etj. vazhdojnë të rëndojnë mbi shoqërinë e sotme shqiptare. Edhe pas 20 vitesh demokraci vendi ynë mbart me vete mjaft probleme të së shkuarës, veçmas në zonat veriore të vendit, aty ku në rastin më të mirë ligji është shumë më i zbehtë dhe i pazbatueshëm dhe nga ana tjetër në rastin më të keq dhe fatal, ku organet dhe strukturat e shtetit bashkëpunojnë me mafian dhe njerëz të inkriminuar. Gjithsesi, në këtë analizë të shkurtër kërkojmë të mësojmë diçka më tepër se si Kanuni i Lekë Dukagjinit vazhdon ende të marrë jetë njerëzish të pafajshëm dhe se si shteti shqiptar endet i qetë dhe i pa trazuar.

 

Kanun do të thotë ligj, kushtetutë. Pikërisht, ky Kanun funksionin mbi ligjet e shtetit shqiptar. Mes të tjerash Edith Durham mbi Kanunin do të thoshte: «Lekë Dukagjini duhet të ketë pasur një personalitet imponues që ka ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja "Kështu ka thënë Leka", ka më tepër forcë detyruese se sa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit e të Krishterimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t'i nënshtroheshin Kanunit të Lekës… Fama e tij midis fiseve që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar edhe famës së Skënderbeut.» Kjo ka dërguar që në vendin tonë të kemi mjaft vetëgjyqësi, ç'ka do të thotë se njerëzit marrin përsipër mbi supe t'i zgjidhin çështjet dhe problemet e tyre sipas ligjeve të Kanunit, gjoja për të vendosur nderin e humbur në vend, në të kundërt «turpi nuk hahet me bukë». Si rrjedhojë logjike edhe pse kërkojmë me këmbëgulje të bashkohemi me familjen e madhe europiane, absurditete të tilla mbartin shqetësim për ne, e jo më për Europën e bashkuar, e cila aktualisht ka edhe mjaft probleme të brendshme financiare dhe të mbartin brenda tyre edhe peshën e problemeve që sjell Shqipëria, edhe pse e vogël në popullsi, me një numër të lartë kriminaliteti në vend është më se e pamundur. Vendi ynë të ngjan sot me Afganistanin apo edhe Libinë e pasluftës. Përveç aksidenteve të shumta automobilistike që kanë marrë qindra jetë njerëzore, atentateve mafioze në qendrat e qyteteve, krimi në familje, vetëvrasje etj, ne vazhdojmë të kemi edhe krime të cilat lidhen me ligjet e shenjta të Kanunit. Të shenjta dhe të shtrenjta për zbatuesit e tyre, ato të cilët ndjekin me fanatizëm çdo ligj të shkruar në këtë kanun.

 

Në zonat e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, zonat rreth Shkodrës, por edhe Lezhës, Laçit, Mirditës, Milotit, Krujës etj. ka ende shumë familje të ngujuara, si rezultat i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Një fenomen edhe më i rëndë është edhe ai i moslejimit të vajzave për të zgjedhur vetë njeriun e jetës së tyre, bashkëshortin me të cilin duan të kalojnë jetën. Në Kanun thuhet që vajza nuk ka tager për të menduar për lidhjen, fejesën dhe martesën. Gjithashtu, thuhet që nuse pa shkusi (mblesëri) është e ndaluar për të dhënë. Dhe më tragjike në Kanun na shfaqet ndalimi i lidhjes së një djali dhe një vajze me besim të ndryshëm. Pikërisht, nga kjo pengesë e fundit për femrat vazhdon të rrjedh edhe mjaft gjak në vendin tonë. Realisht është më shumë se e turpshme një situatë e tillë dhe për më tepër paradoksale. Ndërkohë nga mosveprimi i ligjeve të shtetit shqiptar dhe nga injoranca e thellë tek këto njerëz, që zgjedhin Kanunin përpara ligjeve institucionale të vendosura nga shteti, rrjedhin edhe të gjithë problemet e tjera deri tek jetët e humbura njerëzore.

 

Kështu, pas shumë e shumë ngjarjeve të rënda në vendin tonë do të veçonim atë të fundit fare të ndodhur në Shkodër në mesin e muajit tetor, nga ku babai rreh paturpësisht vajzën e tij në mes të qytetit, duke tronditur dhe shokuar një opinion të tërë. Lidhja e vajzës së tij me një djalë të besimit musliman shikohet e ndaluar për nderin e familjes. Kështu, si ky prind që mendon se ka të drejtë me dhunue vajzën e tij dhe me patun autoritet të plotë mbi jetën e saj, duke shkelur me të dyja këmbët çdo konventë europiane dhe ndërkombëtare që garanton liritë dhe të drejtat themelore të individit, ka plot e për plot në vendin tonë. Kjo është një arsye më shumë se pse shteti ynë nuk funksionon dhe se ligji nuk njeh zbatueshmëri njëlloj në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë. Si kjo vajzë 20- vjeçare e dhunuar ka sa të duash të tjera në Shqipëri. Ndërkohë që shteti ynë nuk garanton as mbrojtjen e tyre fizike, duke rrezikuar kështu edhe jetën e kësaj vajze, por edhe duke lënë të lirë të bëjë ç'të dojë babain e saj, thue se e drejta dhe ligji janë nën autoritetin dhe të drejtën e tij! Përfundimisht shteti shqiptar ka rënë, definitivisht shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare nuk i thotë ndal krimit, qoftë kur ai vjen edhe nga vetëgjyqësia sipas mendjes së rrënjosur tek e kaluara dëmtuese, e cila rrjedh nga këto ligje të mbrapshta të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

 

Në mbyllje, shteti nuk i bën dot ballë ligjeve të shkruara në Kanun. Zbatimin e ligjeve të Kanunit e ndjekin një numër relativisht i konsiderueshëm njerëzish në vendin tonë. Krimi nga Kanuni po njeh përmasa të mëdha, kështu që si rasti i vajzës në fjalë, e cila do një djalë të besimit tjetër nga ajo apo edhe çdo i prekur nga paudhësitë e këtij kanuni që zë e fle në këto qenie njerëzore, mbeten dy rrugë për viktimat e Kanunit «ose të vdesin ose të ngujohen përjetësisht», pasi shteti nuk mund të bëjë asgjë për to.