Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Tipologjia e poezisë së Haxhi Shabanit

| E shtune, 12.11.2011, 08:57 PM |


Tipologjia e poezisë së Haxhi Shabanit

 

Nga Ndue Ukaj

 

Poezia, si art i evokimit, gjuhën e ka esencë, nëpërmjet së cilës konstrukton imazhe,  ndjenja,  mendime,  emocione,  tablo jetësore,  perceptime për jetën e  metafizikën. Është ligjërimi poetik i pazakontë,  ajo gjuhë e figurshme e konotuese, si tipar qenësor i qenies së letërsisë,  veçmas i poezisë,  që e bën këtë art të veçantë. Pra,  gjuha duke qenë esencë e komunikimit poetik,  kuptohet si njëri nga tiparet më  të çmueshme,  më thelbore i artit të poezisë.  Duke qenë e tillë,  ajo shprehjen poetike e përpunon mjeshtërisht dhe e ngjesh me figura stilistike të ndryshme dhe i jep kështu tekstit poetik karakter polisemantik. Pra,  poezia si art i evokimit lidhet pafundësisht me figurat, me gjuhën që krijohet nga modeli poetik i asociacionit të shenjave dhe simboleve, që në gjuhën poetike, krijojnë situata e imazhe emocionale të posaçme,  duke sublimuar të bukurën dhe të këndshmen (Horaci), brenda një qerthulli poetik origjinal.

 

1.     Diskursi poetik

Poet me shije të hollë artistike,  me një leksik të veçantë që vjen nga freskia e aromës së detit dhe evokimeve për të bukurën,  Haxhi Shabani del para lexuesit shqiptar tanimë me përmbledhjen e re poetike Jam ai që nuk jam,  përmbledhje kjo që të ngashnjen me tiparet stilistike e gjuhësore, që kanë burimin nga deti dhe janë të përpunuara në laboratorin krijues, të një poeti të frymëzuar.

Filozofia poetike e autorit Haxhi Shabani është e ndërtuar përmes një strukturimi poetik që e dyzon tokësoren me metafizikën, duke e shpërqendruar tekstin nga ligjërimi i drejtpërdrejtë, në atë implicit, ku goditëse janë metaforat e krahasimet e zgjedhura, sikur që del te poezia Ndjenja ,  në të cilën shpërfaqen fuqishëm klithmat poetike autoriale,  karshi furtunave të jetës e sfidave të poezisë: Si një rrebesh shiu/ Si një furtunë ere/ Hyre në mua/ Duke vënë peshën tënde të  lehtë mbi mua/ Më thoshe/ S’ka gjë më të  bukur/ Dhe ike.  Ky tip i diskursit lirik përshkon poezinë fuqishëm, ndërkaq del në një instancë poetike, te poezia Magji , në vargjet e së cilës, transfigurohet në lirikë, një gjendje poetike e tendosur, që kërkon shpërthimin, atë katharsisn shpirtëror aristotelian, që prehjen e gjen më së miri te poezia, te amshueshmëria e fjalëve: O sa kam nevojë të braktis/ Burgun e njëtrajtshmërisë/ Burgun  e përditshmërisë/ Të pushtohem nga liria e magjisë. Dhe kjo liri e magjisë, si kërkim lirik, është sublimim i përceptimit për dashurinë (femrën) dhe lirinë universale,  si frymëmarrje për jetë,  si inspirim për poezi e çka jo tjetër. Së këndejmi, autori bukur do t’ i këndojë gruas te vjersha Floçkë deti, grua tokeS’i lidh flokët/ i lë të jetojnë/ në gjatësinë e dendurinë  e tyre/ Ti Floçkë Deti, sydet moj. Një modus të tillë lirikë, të fuqishëm dhe thellësisht inspirues, e gjejmë edhe te poezia tjetër, Veç  me synë të cilën poeti përmes një tablo dashurie,  shkrin ndjenjat e tij poetike për aktin erotik, duke lartësuar atë me përjetshmërinë e fjalës së brumosur me figura  të gjetura stilistike.  Perceptimet poetike të autorit për dashurinë janë të zjarrta. Ai Edhe symbyllur e sheh objektin e tij letrar, qenien femër, e përfytyrimi për atë, është i zjarrtë, shpërthyes. Ai e sheh  edhe kur nuk e ka pranë, brenda një hapësire gjeografike që shkëlqen me pamjen e detit dhe figurat e mrekullueshme poetike që dalin nga gjiri i tij herë i qetë e herë i tendosur. Prandaj,  atëherë kur janë të portokalltë dielli e hëna, në muzgun e detit, ai përjeton dashurinë deri në amshueshmëri, për të lindur një djalë e një vajzë, të krahasuar me diell e hënë, te poezia me të njëjtin titull.

Me një trajtshmëri tjetër topike,  ky model ligjërimi shpërfaqet te poezia Ha trurin tim, ku objekti zhvendoset në dimensionet metafizike të kërkimeve letrare, për gjetjen e identitetit,  si shenjë dhe shënjues të kësaj poezie,  si kërkime autoriale karshi tekstit e kontekstit.  Për të sforcuar këtë tip të diskursit lirik, autori kërkon gjurmët që e mbështesin drejtpeshimin e tij në kohë e hapësirë, si domosdo: Unë hyj në trurin tim/ në atë masë të zorrtë e të pistë/ me dëshirë që të  vë në vend/ dërrasën që e kam mangut/kërkoj gozhdat për gozhdim/ ato janë shtrembëruar/ janë ndryshkur.

Një poezi interesante, ku del në pah dufi dhe shpirti i pasionuar i Haxhi  Shabanit pas të bukurës dhe fjalës poetike, është vjersha që poeti i kushton Lasgush Poradecit, me titull  I padukshëm për të  padukshmit.  Si çdo poezi kushtimi,  edhe kjo,  bart në vete emocionin e adhurimit,  mirëpo jo duke rënë teksti lirik në retorikë fjalësh,  përkundrazi adhurimi dhe dashuria për poetin, bëhen shtytëse për të ndërtuar trupin e një poezie,  e cila sintetizon shumë dimensione semantike dhe njëherësh shpreh intencionalitetin tekstor të autorit,  si projeksion kulturor e letrar. Në këtë vjershë,  ndjehet një fuqi stigmatizuese për përbuzësit e poetit,  për ata që indiferencën e kthejnë në normë,  e kështu përmbysin poetin e madhërishëm, të dashurin e autorit: Duhet të jesh mërzitur/Tmerrësisht duhet të jesh mërzitur/ Në qetësinë e liqenit/ Në plotëninë dhe zbrazëtinë  e tij/ Nuk kam parë liqe me faqe aq të qeta/ Unë në qytetin tënd të  lindjes/ Të kërkoj/ Por ata që i pyes/ ty shtëpinë saktësisht nuk ta dinë/ Thonë atje dikund/ Duhet të jetë/ Duke u rindërtuar është/ Duhet të jesh shastisur.  Ndërkaq, ligjërimi poetik,  duke stigmatizuar indiferencën,  thur lavdinë për poetin,  ngase ai mbetet I padukshëm,  por jo për të dukshmit,  por për të padukshmit,  kështu teksti lirik konstituon një gjendje ideore poetike të triumfit,  i vetëdijshëm se poeti është në lartësi dhe thellësi,  aty ku të padukshmit nuk mund të nuhasin e shohin. Thellësitë janë të  thella/ Nuk gjenden në cektinë/ Prandaj mos u mërzit .

 

2.     Motivet e detit

 

Një ndër tiparet me karakteristike të poezisë së Haxhi Shabanit është prania e përhershme e detit,  në variacione të ndryshme,  si topikë dhe ligjërim i brendshëm poetik,  pra,  janë motivet e detit që sublimojnë të bukurën,  harmoninë, të përhershmen, madhështinë,  ato elemente që e përshkojnë poezinë si tematikë dhe ligjërim.  Në të vërtetë,  teksti poetik i Haxhi Shabanit,  duke pasur një sistem të tillë poetik të konfigurimit,  bëhet dinamik,  me një shprehje të kondenzuar poetike,  me drithërima vibruese e që përshkohen mjeshtërisht nga inspirimi i subjektit poetik karshi objektit.  Poezia e Shabanit  është e brumosur fund e krye me motive deti dhe këto motive konotojnë gjithashtu fuqishëm në dimensionet semantike dhe stilistike të kësaj poezie,  e pasurojnë tekstin poetik me një sistem figurativ interesant,  që thith mjeshtërisht lëndën e pasur të detit,  me një leksik të përzgjedhur poetik që funksionalizon këto shenja poetike në gjithë trupin e kësaj poezie,  sepse kjo frymë,  e përshkon atë si Erë Maestrali dhe pa të autori predestinohet të mos frymojë,  ndërkaq  poezia e tij,  të mbetet pa lëngun e nevojshëm,  pa frymën e inspirimit:  Pa këtë erë/Mendimet do t’më ishin ngrirë. Në të vërtetë,  janë pra tiparet e detit,  si shenjë e shënjues të kësaj poezie, që tekstit poetik i japin një konotim universal në kohë,  ndërkaq shprehjen poetike e bëjnë dinamike,  emocionin më shpërthyes,  gjuhën më subtile,  sikur ta zëmë tek variantet lirike të vargjeve  Shi në bregdet, ku autori këndon bukur: Zgjohen herët në brigjet e Bunës/ Lajnë kokën me ujë të  ëmbël/ Shpupurishin rërën me nxitim/ Dhe ngrihen në qiell. (Pulëbardhat e qytetit).  Këtë model të diskursit lirik,  e gjejmë edhe te poezia Kushtesa,  në të cilën,  Ulqini nuk është vetëm simbol i poezisë,  por një kodeks kulturor,  një kushtesë që dhemb,  si një reminishencë e një kujtese të trishtë, nëpër të cilën zhbërja ishte e madhe, prandaj kërkimet identitare janë të forta.  Nga ky kontekst,  poeti shprehet:  Në Mol të Madh/ Në Mol të Vogël/ Duke dënesur, ju thoshte/ Ky është Zoti im. Në poezinë e Shabanit ndjehet fuqishëm tendenca për të transfiguruar në vargje jetën e bukur të detit, mrekullitë e tij, të simbolizuara në Ulqinin e dashur të tij poetik, ku e bukura përjetësohet në pafundësitë e përjetshme dhe krahasimet që gjen autori në poezinë E  marta e Parisit, e marta e Ulqinitndërkaq teksti poetik rrëshqet në dimensionet intelektuale, e poeti portretizon Parisin e poezisë, në Parisin e librit, aty ku: Poetët kishin projektuar/ më shumë se një shekull më parë/ shtëpinë e librit.

 

3.     Motivet dashurore

Poeti botën emotive e transfiguron në art me një ndjeshmëri emocionale, nëpërmjet gjuhës së brumosur që objektin poetik e ka të qartësuar,  qoftë kur hedhet në ujërat e pafundme të përsiatjeve, sikur në vargjet: Nuk kishe sesi të mos kishe dhimbje koke/ Përpara lumit të qetë  të Senës/ Që ngjallet e del nga shtrati vetëm çdo njëqind vjet ( Buzëqeshja e Ilit dhe Kulla e Ajfelit).  Dhe këto imazhe poetike,  Shabani i zhbiron thellë,  duke krijuar tablo të fuqishme emocionale, që shpërfaqin një ligjërim lirik të çiltër, karshi objektit poetik,  që është femra në këtë rast,  dashuria për të,  ndjesimet e përjetshme që sjell kjo qenie/objekt poetik.  Në këtë konstituim poetik,  teksti lirik bëhet instancë e subjektit poetik,  ndërkaq objekti është naltësia e naltësive,  prandaj poeti sikur anashkalon edhe mrekullitë e botës,  për ta përjetësuar mrekullinë e dashurisë, atë që e personifikon me femrën. Heq dorë nga ngjitja në majën e Kullës së Ajfelit/ Atë kullë gjithsecili po të dojë mund ta ngjisë/ Dua të ngjitem në kullën tënde/ Ti që ke buzëqeshjen më  të bukur në këtë botë/ Ti që ke buzëqeshjen me drithëruese në këtë tokë. Lirika e Shabanit është lirikë e inspiruar,  prandaj vargjet e tij dridhmojnë nga emocionet,  figurat janë aq shumë të ndërlidhura me objektin poetik,  ndërsa ligjërimi është rrëmbyes,  sikur mund ta vërejmë te poezia Kujtomë,  në të cilën autori tekstin lirik  ndërton përmes krahasimeve të gjetura dhe të goditura:  Edhe kur të jem midis shkretëtirës/ Me shpirtin e tharë/ Duke ngritur rërën e përflakur përpjetë/ Me pëllëmbët e përvëluara/ I etur për sytë e tu/ KUJTOMË!/ Se do të çahet qielli/ Nga sytë e tu/ Do të pikojë ujë  burimi/ Nga ata sy qielli.   Pra,  lirika e Haxhi Shabanit është tipologjikisht lirikë e përshkuar fuqishëm nga motivet e dashurisë,  mirëpo, ato tejkalojnë dimensionet e prekshme të retorikës monotone dhe kështu bëhen shënjues të përjetësive universale. Sikur një kopsht bregdetar, me fryta të gjithfarshme,  është poezia e Shabanit, e pasur,  me figura të bukura poetike,  me ndjesi subtile,  të përshkuara nga emocione të fuqishme.  Autori di të luaj me fjalët, t’i shoshit dhe të krijojë tablo poetike të këndshme,  sikur në vargjet me dendësi poetike: Dhe vjen eklipsi/ Për t’iu kujtuar njerëzve/ Se mund të dashurohen/ Edhe ditën.  Dashuria është fusha ku poeti lëviz pa kufi,  ku vargjet rrjedhin si uji i lumenjve të qetë,  në detin e një poezie që gufon me metafora e krahasime,  me vargje të tendosura e të ëmbla,  nga perceptimet për dashurinë,  për gruan.  

Bota poetike e Haxhi Shabanit është e pasur,  e dendur me figura poetike dhe e veçantë për mesazhet që ngërthen. Ajo është një poezi që filozofinë e mbijetesës e përçon kudo, ndërkaq e himnizon dashurinë pa masë, me një ritmikë të kumbueshme e gjuhë të çiltër.  Poezia është një lloj qielli i zemrës,  që e ekzalton dhe e fisnikron, në momente të trishta, kur poetit i duhet të   Ik nga robëria e botës së  njerëzve,  për t’u ngritur në qiellin e zemrës.  Kjo metaforë poetike,  është tipizim për poezinë si çlirim shpirtëror.

 

4.     Topika (ndër) kombëtare

 Tipin e lirikës kushtuese, autori e krijon në disa raste, sikur për shembull në poezinë për poetin kombëtar, Gjergj Fishta, në poezitë Letër Gjergj Fishtës dhe Zhvarrimi i Gjergj Fishtës. Në poezinë e dytë, poeti bënë një thyerje paradoksale, që del mjaft e fuqishme: Po të të varrosim edhe një herë që të të/ Zhvarrosim përgjithmonë. Tash e këndej/ Në letrat tona do të  thërrasim me Emrin tënd/ Gjergj Fishta. Poezi me karakter kushtues, me shenja të fuqishme identitare, ku teksti është i karakterit historik, mbetet edhe poezia Jam ai që nuk jam  (Te krojet e Ali Pashë Gucisë). Në këtë ketagorialitet të diskursit lirik, hyn edhe poezia Gjirokastra, që rikthen imazhin e një vendi që prodhoj diktatorin e tmerrshëm, gjuhëtarin erudit dhe shkrimtarin gjenial.

Një segment me rëndësi në poetikën e Shabanit paraqesin poezitë me tematikë të historisë,  të politikës,  të identitetit,  të qenies e metafizikës. Në këtë aks,  do të veçoja poezinë Emri dhe vargjet koncize,  por të thella që evokojnë tragjedinë e qytetit/objekt poetikËshtë një qytet me shumë emra/ gjeografia e quan Tivar, Bar/ historia Tivarvarr.  Mbase,  e gjithë kjo ndodh pse koha për poetin është e sëmurë,  prodhon dhimbje,  atë dhimbje që poeti e transfiguron në poezitë,  Sëmundje kohe,  Jeta do ta mund vdekjen,  Dielli vdiq etj  

Topika e fatit nacional,  ashtu sikurse të gjithë poetët shqiptarë, e brengos edhe Shabanin. Mërgimi është temë e pashmangshme,  për një rajon me karakteristika specifike,  sikur që është Ulqini i autorit. Këtë botë të dhembshur autori e paraqet te poezia Amerika më  merr me të mirë Pra, siç shihet shqetësimet poetike të Shabanit janë të shumëfishta, ato prekin dimensionet etnike dhe universale,  temën e përhershme të dashurisë,  të vuajtjes,  të mallit,  të kërkimit.

 

 Leximi i poezisë së Haxhi Shabanit të futë në një botë të bukur poetike dhe origjinale, e cila konstruktohet përmes një leksiku specifik, që lëndën e merr nga deti, aroma e tij,  nga shenjat dhe simbolet që ndërlidhen me detin,  si shenjë poetike funksionale, me kodet poetike dhe simbolet e tjera,  si portokalli, pulëbardha etj. të cilat funksionalizohen e bëhen prototipe letrare,  të veçanta si në dimensionet stilistike po ashtu në ato tematike.

Gjuha poetike dhe një stil  poetik i rrjedhshëm,  janë tipare shenjëzuese të komunikimit poetik të Haxhi Shabanit. Do të doja të sillja në vëmendje të lexuesit, një pasues të vlerësimit që i bën  Basri  Çapriqi poezisë së tij,  për të përmbyllur këtë lexim të poezisë së autorit nga Ulqini,  Haxhi Shabanit. “Futja në kombinim inventiv poetik të një bagazhi të gjerë stereotipesh gjuhësore dhe të një pasurie leksikore e frazeologjike të regjionit të Ulqinit e Anës së Malit e bën librin e Haxhi Shabanit interesant dhe origjinal në poezinë  e brezit të ri”.

Haxhi Shabani me gjuhën e së bukurës, sfidon kohët e pavolitshme për të qenë shkrimtar në një vend ku mundësitë janë të kufizuara. Ai, më një plejadë të autorëve të tjerë në  Malin e Zi, e bën të gjallë letërsinë shqipe atje dhe i japin frymë letërsisë shqipe në përgjithësi.

Për fund, duhet përmendur se kjo përmbledhje poetike e Haxhi Shabanit është e përpiluar nga dy përmbledhjet e botuara të autorit, Të kërkoj (1995), Nata e portokalltë (1998) dhe  nga dorëshkrimi Vibrimi i venave, dorëshkrim ky që përbën esencën e kësaj përmbledhje të zgjedhur poetike Jam ai që nuk jam

Ky libër poetik, i ofrohet lexuesit shqiptar me freskinë e tharmin e valëve të detit dhe ekzaltimet poetike, që rrezaton bukuria, harmonia dhe kënaqësia, përkatësisht madhështia e detit dhe po i ofrohet lexuesit shqiptar, në Malin e Zi dhe kudo që kultivohet letërsia shqipe,  si një vepër interesante për poezinë shqipe përgjithësisht.

 

(ky tekst eshte shkruar si paratheni e librit, Jam ai që nuk jam)