E premte, 19.04.2024, 02:04 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Letra e Daut -ogllus

E shtune, 12.11.2011, 09:03 PM


Letra e Daut -ogllus 

 

Lulia qe stepur kur pa pllakatin e madh para Katedrales në Prishtinë, ku policët turq ua uronin Kurban bajramin myslimanëve. Ajo priste që policët e Turqisë t’ua uronin shqiptarëve 28 Nëntorin, apo Ditën e Pavarësisë së Kosovës, por t’i ndanin bashkëkombësit e saj në mysliman e katolik, këtë s’duhej t’ua lejonim. 

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Vjeshtë e vonë. Shiu s’pushoi mëngjes e muzg. Sa nxirrte kokën nga dera e dyqanit për të shikuar nëse mund të nisej në fakultet, prapë futej brenda. Shiu binte sixhim. Duke u hamendur të shkonte apo jo në ligjërata, jo pse mendonte që do të humbiste gjë po nuk i dëgjoi fjalët e profesorëve, por sepse donte të ishte e rregullt, i doli para postieri. Një herë iu duk njeri i kohës tjetër me një uniformë si të punëtorëve të hekurudhës. Postieri asnjëherë nuk ndalonte para dyqanit të saj, prandaj edhe më shumë e hutoi kur ia la në dorë një letër. Iku i mbështjellë më mushama.

Kurrë nuk merrte as nuk çonte letra Lulia. Letërkëmbimet i bënte me postë elektronike, kështu që s’i shkonte mendja që dikush do t’i dorëzonte letër të postuar nga një institucion turk. Nga zyra e këtushme apo nga Turqia nuk e pa më vëmendje, i interesonte përmbajtja. Të jetë vallë Daut- ogllui, i hajthëm e imcak me kokë të vogël selxhuku, e mendonte zyrtarin që kohë më parë vizitoi Prizrenin, duke e shpallur kasaba turke kryeqytetin historik të shqiptarëve. Lulia e indinjuar me indiferencën e institucioneve tona dhe me heshtjen e  intelektualëve të varur e të pavarur, që tallur me te.

Dhe ajo në atë rrëfim donte t’u thoshte në mënyrën e vet, që s’mund të livadhisnin si t’ua dojë qejfi në tokën e shqiptarëve turqve e as serbëve. Por e mësuar me vetë censurën në shtetin e pavarur e demokratik, nuk u tha edhe shumë gjëra të tjera që duhej t’ua thoshte dikush. Turqit i patëm shpall popull vëlla, pa i pasur në fis as në far. Të këqijat ua harruam me një fjalë goje, prandaj mund të bënin ç’të donin në atdheun tonë, pa na pyetur: mund të ndërhynin në histori, të mbaronin xhami, ndërsa ne s’kishim ku i fusnim fëmijët në shkolla e çerdhe, të përvetësonin monumente, të ndërsenin hoxhallarë e ish-oficerë jugosllav kundër heronjve tonë kombëtar, të fyenin shenjtorët tanë e ç’ mos tjetër. Të gjithë shohin të hutuar sikur gjërat që ndodhin para tyre s’kanë të bëjnë fare me ta. Ato ditë ishte atmosferë e nderë inkuizicioni oriental në gjithë atdheun e pavarur e demokratik, tregonte Lulia, ku s’flitej tjetër pos për shami e mësim fetar, thua ishim në mesjetë dhe çështjet tjera i patëm vënë për vi si asnjë shtet tjetër oriental e perëndimor.

Kur hetoi që të gjithë në dyqan e shihnin më frikë i vuri fre gojës. Druante që do të dilte ndonjë hoxhë i sertë me çallme të palarë e mjekër edhe më të palarë, i frymëzuar nga fryma e shenjtë e lirave turke e dinarëve serb, ta shpallte armike të islamit e të gjithë beduinëve të shkretëtirës. Dhe ajo ishte e ndjeshme në kësi gjërash. Parajsën e lakmonte, megjithëse as që i shkonte mendja të nxitonte. Edhe po t’i kalonte të njëqindat, s’do t’i bëhej vonë. Por ç’të bënte po mori mërinë e hoxhës së sertë, i cili jepte viza për parajsë, ndërsa Lulisë do t’ia mbyllte dyert para hundës si Cerberi. Ai ia kishte mbyllur dyert edhe Nënës Terezë, thua se shenjtorja jonë do t’i pyeste mjeranët me çallme se ku do të shkonte në botën e përtejme.

E cytur nga kërshëria, i shkroi një shoqeje në Stamboll, duke e lutur të interesohej a flasin hoxhallarët e Stambollit dhe të Turqisë kundër Nenës Terezë nëpër xhamit e tyre. Nuk vonoi shumë dhe shoqja e saj, Turkan quhej, i tha që ajo kurrë në xhami nuk shkonte: në xhamit turke shkojnë burrat, zejtarë e katundarë, pra njerëzit e varfër e ata të çarshive. Për çfarë me di ti mua? Pyeste e indinjuar Turkani, duke ia bërë me dije se ajo ishte e kamur dhe studente, që dmth i vizitonte diskotekat e bibliotekat. Lulia i kërkoi falje për keqkuptim. Kur mori këtë kërkim falje, sepse turkesha ishte e ndjeshme ndaj akuzave për fetarizëm e orientalizëm, turqit e qytetëruar gjakonin Perëndimin, Turkani, ia ktheu përgjigjen: Argati që ua sillte çdo mëngjes sallatat dhe pemët e freskëta, i kishte treguar që në xhamitë e tyre nuk dinin as nuk flisnin keq as mirë për Nënën Terezë. 

Lulia u step para ekranit të llap-topit derisa lexonte përgjigjen e mikeshës turke. Pse  atëherë të ne flasin keq kundër shenjtores sonë? Pyeste edhe më e habitur. Kush i paguan, nëse jo turqit e arabët? Serbia e Rusia?  

Sepse, arsyetonte ajo me kokën esëll: të lejosh të t’i shajnë heronjtë kombëtar në shtetin tënd dhe të mos vepronte shteti e institucionet, kjo s’mund të kuptohej as në vendet më të humbura afrikane.

Kush do të toleronte të thoshe në xhami se Skënderbeu është armik, sepse ashtu propagandonin serbët e turqit, që e kishin pasur armik. Shqiptarët e kishin heroin më të madh në histori. Kush do të lejonte të t’i fyejnë personalitetet më të mëdha dhe prapë të mos reagoje institucionalisht, e as privatisht. 

Lulia qe stepur po ashtu kur pa pllakatin e madh para Katedralës në Prishtinë, ku policët turq ua uronin Kurban bajramin myslimanëve. Ajo priste që policët e Turqisë t’ua uronin shqiptarëve 28 Nëntorin (të parin a të dytin s’kishte rëndësi), apo Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por s’priste që xhandarët turq t’ua uronin Kurban bajramin me një foto të deleve e deshve. Kush janë delet e kush deshët, në këtë rast, nuk e zbërthente dot, megjithëse e mendoi gjithë pasditen e së dielës. Ajo kishte dëgjuar që policët turq nuk ishin policë islamista, por polici qytetare. E paskan mashtruar, me tha e habitur, sepse ata qenkan polici fetare.

Pastaj u mllefos, sepse policët e Anadollit i ndanin shqiptarët në mysliman e katolik. Pse nuk ua uruan shqiptarëve edhe Pashkët e  Krishtlindjet? Me pyeste mua, thua se unë duhej t’i jepja përgjigje.               

Të gjitha këto i përftuan nëpër kokë, derisa ia përkthyen letrën në medrese jo shumë larg shtëpisë së saj, meqë përkthyes turk në qytet vështirë të gjeje, të gjithë përkthenin nga gjuhët perëndimore: anglishtja, gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja, s’kishin kohë të merreshin më një gjuhë që s’ua kërkonte kush, i thanë kur ajo u premtoi shpërblim vetëm t’ia përkthenin letrën shpejt. 

Nga përkthimi mori vesh copa-copa se një person me një emër që i doli nga mendja, thoshte se akëcilit institucion turk fetar a jo fetar, nuk e kuptoi, sepse nuk dallonin në qëndrimin ndaj atdheut të saj, i kishte mbetur hatri që ajo tallej me ideologun dhe arkitektin e ngjalljes së fantazmës otomane në Ballkan. Si mund të tallej Lulia me këtë projekt që përpiqej t’u jepte shpirt lugetërve, dhe të pushtonte sërish Ballkanin, duke e bërë një federatë të përbashkët sllave e shqiptare. Serbët ishin fascinuar me ringjallesin e fantazmave, turkun imcak, sepse prapë do t’i kishin nën sundim shqiptarët, fërkonin duart në Beograd. Sllavët e Maqedonisë gëzoheshin edhe më shumë, sepse shqiptarët etnik i paqësuan në emër të fesë: nuk merreshin më me komb e atdhe, por me fe e parajsë, që u premtohej po hoqën dorë nga shqiptarësia dhe po e mohuan Skënderbeun e Nënën Terezë. Dhe ata këtë gjë kanë filluar ta bëjnë. 

Serbia u shpall nga i pari i turqve shtetin më i privilegjuar në Ballkan, përkthyer në shqipen e Lulisë, shteti loçkë i Turqisë!

Daut -ogllus i kishte mbetur hatri për vërejtjet sarkastike të Lulisë, prandaj kërkonte sqarim, thua se ajo ishte qeveri a ambasadë dhe e obligonin konventat ndërkombëtare. Po të ishte përfaqësuese diplomatike do t’i thoshte hiqe një herë marrëveshjen me Serbinë për shpërnguljen e shqiptarëve, mos i pengo boshnjako-shqiptarët e Sanxakut që ta kundërshtojnë diktaturën e Serbisë, hiq dorë nga shpërngulja e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja, Bujanovci e Sanxhaku, sipas marrëveshjes serbo-turke. Sikur të kishte mundësi do ta pyeste sajuesin e federatës fantazmë, pse e bëre Serbinë shtetin më të privilegjuar në Ballkan, duke i ofruar lehtësira, ndërsa neve na bënë presione kolonialiste përmes institucioneve fetare e jofetare, Do t’ia numëronte edhe shumë gjëra të tjera.

Në mungesë të institucioneve tona dhe institucioneve turke që Lulia si dinte as s’i pranonte, letrën e grisi. Copat e grimcuara notonin vijës së ujit që vazhdonte tutje rrugës së asfaltuar e të dëmtuar nga shiu e bora.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora