Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Kur shkrimtarët kuvendojnë e recitojnë në Kulla

| E premte, 11.11.2011, 09:05 PM |


Manifestim letrar në Kullën e Ali Gecajt në Llukë të Ulët të Deçanit

 

Sejdi BERISHA:

 

KUR SHKRIMTARËT KUVENDOJNË E RECITOJNË VARGJE NË KULLA...!

 

Në Kullën e Ali Gecajt në Llukë të Ultë të Deçanit, të martën (01 nëntor 2011) u tubuan shkrimtarë dhe artistë nga Klina, Peja, Malisheva, Deçani dhe Gjakova për të kuvenduar, për të këmbyer përvoja e për të recituar vargje kushtuar jetës, historisë, kushtuar tërë asaj që njeriun e bën të lumtur.

Në këtë manifestim letrar i cili kishte për qëllim bashkimin e krijuesve nga këto qendra, por edhe këmbimin e përvojave në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike dhe përhapjes zërit krijues me theks edhe në afirmimin e vlerave shpirtërore dhe historiografike, u shënua edhe 60-vjetori i lindjes së shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit, Prend Buzhala nga Klina.

Prend Buzhala, është një krijues i veçantë dhe me një energji, e cila është përjetësuar në shumë vepra të fushave të ndryshme, të cilat sinjalizojnë peshën krijuese dhe filozofike por edhe studiuese të një shkrimtari po ashtu të veçantë dhe të një drite prej eruditi që rrugëtimin e shndërron në vlera dhe dokument mos harrese, ka thënë shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA.

krijuesi Prend Buzhala, që në fëmijëri qe i brumosur me idetë kombëtare, të ndjeriut i cili nuk e do as nuk e duron robërinë dhe as padrejtësinë. Për këtë arsye, ai, edhe si i ri pastaj e “ndërtoi” karakterin rebeles, i cili ia detyroi edhe angazhimin prej njeriut kombëtar në shkollë, në studime, pastaj si mësimdhënës dhe në pozitat e punët tjera që i ushtroi. Gjatë kësaj periudhe nga përndjekjet, burgu dhe nga maltretimet nga më të ndryshme, vetëm sa kalitej dhe shpirti i tij piqej e bëhej më i madh, theksoi Ajdin Morina.

_____________

 

Në organizim të Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës dhe të Ali Gecajt, drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Deçan, dje në ambientet e Kullës së Ali Gecajt në Llukë të Ultë të Deçanit, që është simbol i qëndresës dhe i historisë së kësaj ane, u tubuan shkrimtarë-poetë e artistë nga komuna e Klinës, Pejës, Malishevës, Deçanit dhe Gjakovës, në të cilën paraprakisht me një ceremoni artistike dhe frymë poetike u shënua 60-vjetori i lindjes së  shkrimtarit, publicistit dhe i studiuesit, Prend Buzhala. Kjo formë e organizimit, e cila kishte peshë e mesazh të shumëfishtë tuboi shumë krijues nga këto komuna, të cilët bashkërisht shprehën gatishmërinë për  prezantimin dhe unifikimin e vlerave krijuese.

 

Në ambientet e odës në këtë kullë, e cila ishte e stolisur me shumë simbole që shprehnin historinë e kësaj kulle dhe të familjes Gecaj nëpër periudha historike dhe të luftërave, por edhe qëndresën e popullit të kësaj ane dhe të kombit përgjithësisht, në një atmosferë të ngrohtë, u shpalosen shkrimet dhe kujtimet për jetën dhe veprën e Prend Buzhalës, i cili kishte rrumbullakuar gjashtëdhjetë vjet jete. Duke e hapur këtë ngjarje kulturore, Ahmet Krasniqi, drejtor i Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport të Klinës vuri në qukje qëllimin e tërë asaj për çfarë ishin tubuar shkrimtarët në kullë, atje ku dikur, në ditët më të vështira janë biseduar dhe janë marrë edhe vendime dhe qëndrime historike. Pastaj, tha se jo pa shkas është zgjedhur Kulla e Ali Gecajt në Llukë të Ultë për një takim letrar.

 

Pastaj, Ajdin Morina, krijues nga Klina foli gjerësisht për jetën dhe krijimtarinë letrare të Prend Buzhalës. Ai vuri në dukje se ky krijues, që në fëmijëri qe i brumosur me idetë kombëtare, të njeriut i cili nuk e do as nuk e duron robërinë dhe as padrejtësinë. Për këtë arsye, ai, edhe si i ri pastaj e “ndërtoi” karakterin rebelues, i cili ia detyroi edhe angazhimin prej njeriut kombëtar në shkollë, në studime, pastaj si mësimdhënës dhe në pozitat e punët tjera që i ushtroi. Gjatë kësaj periudhe nga përndjekjet, burgu dhe nga maltretimet nga më të ndryshme, vetëm sa kalitej, dhe shpirti i tij piqej e bëhej më i madh.

Tani, këtë krijues të mirëfilltë e shohim në pozitën e një shkrimtari i cili deri me tani ka botuar një mori veprash nga fusha të ndryshme, i cili ka dhënë e kontribuar shumë në zhvillimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore në Klinë, për çfarë dëshmojnë rezultatet e Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, të Shtëpisë të kulturës “Jehona e Dukagjinit”, Bibliotekës së qytetit dhe të arriturat në shumë manifestime e festivale kulturore të cilat i kanë tejkaluar caqet lokale dhe rajonale.

Përkitazi me jetën dhe veprën folën edhe shumë krijues të tjerë. Prend Buzhala, është një krijues i veçantë dhe me një energji, e cila është përjetësuar në shumë vepra të fushave të ndryshme, që dëshmojnë peshën krijuese dhe filozofike por edhe studiuese të një shkrimtari po ashtu të veçantë dhe të dritës prej eruditi, që rrugëtimin e shndërron në vlera dhe dokument mos harrese, ka htënë shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA.

Në pjesën e dytë të manifestimit, u organizua një orë letrare, në të cilën poezitë e tyre i lexuan krijuesit nga komuna e Malishevës, Pejës, Klinës, Gjakovës dhe të Deçanit, Sejdi Berisha, Imer Gashi, Tahir Bozhani, Hasan Gjonbalaj, Izet Shala, Agim Kastrati, Mihrije Daci, Agim Desku, Gjon Gjergjaj, Ali Geci, Mehdi Krasniqi, Musë Kastrati, Ismet Krasniqi, Ali Cufaj, Mahir Morina dhe Alisa A. Geci.

Këtë ngjarje kulturore e madhështoi edhe aktori Sylejman Lokaj, i cili recitoi vargje në një nga veprat e P. Buzhalës dhe një shkrim autorial përkitazi me çështjen dhe flamurin kombëtar.

Në fund, aktori dhe krijuesi klinas, Ismet Krasniqi, nikoqirit të tubimit, Ali Gecajt ia dorëzoi disa dhurata modeste por me vlerë nga Klubi i shkrimtarëve “Vorea Ujko” .

Për ta përforcuar edhe më shumë traditën dhe rolin e kullave në Rrafshin e Dukagjinit, e dëshmoi edhe dreka e shtuar nga nikoqiri, Ali Gecaj.

Në fund të këtij takimi letrar,  rapsodët Mustafë Rama e Cenë Vishaj i kënduan disa këngë të vjetra folklorike që ishte kënaqësi për të gjithë të pranishmit.

Në të përshëndetur e për të vazhduar këtë traditë edhe në të ardhmen, në katin përdhes të kullës, për një kohë shkrimtarët, poetët dhe artistë nga Klina, Peja, Malisheva, Gjakova dhe Deçani u ndalën në pjesën ku janë ekspozuar materiale historike të kësaj kulle, të familjes Gecaj dhe të luftës së UÇK-së në këtë anë.