Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Doktor, Adem Harxhi, analizon identitetet alternative dhe si të flasësh me fëmijët për seksin

| E enjte, 10.11.2011, 08:26 PM |


Gratë i kanë gënjyer të jetojnë jo në sinkron me natyrën

 

Nga Albert ZHOLI

 

Jeta e tij është lidhur pazgjidhshmërisht me mjekësinë por së fundi nuk heq dorë as nga publicistika. Pas botimit të librit të parë të suksesshëm “Seksologjia për fëmijë” Harxhi ka në shtëpinë botuese dhe dy libra të tjerë të cilët suksesin e kanë të padiskutueshëm për vetë natyrën e librave që në Shqipëri thuajse janë inekzistent. Një prej librave “Në sinkron me natyrën” jep udhëzime dhe shembuj për jetën e femrës sot që i shmanget ligjeve të natyrës duke u dhënë shumë pas operacioneve , përdorimit të ilaçeve të panevojshme etj…Në këtë bisedë ekskluzive dr. Harxhi hap siparin  e të veçantave në dy librat e tij ku gazeta “Telegraf” do të ketë ekskluzivitetin e botimit në pjesë.

  

-Doktor Harxhi, në 20 vjet demokraci ju keni folur më shumë për seksologji. Përse i ka mbaruar në fakt studimet Adem Harxhi?

(Qesh). Keni të drejtë të pyesni sepse shumica e dinë sikur kam një profesion të veçantë si kjo që përmendët ju. Në fakt unë kam studiuar për mjekësi të përgjithshme. Ky ishte profesioni im i parë. Kur mbarova studimet e larta për mjekësi të përgjithshme më caktuan mjek këtu në Tiranë. Dihet se atëherë të caktoheshe me punë në Tiranë nuk ishte gjë e vogël. Dhe kjo ka ardhur për vetë faktin se unë dola me rezultate të shkëlqyera.

 

-Ku i morët mësimet e para për seksologji?

Në Hungari. Aty mjekësia ishte shumë e përparuar. Aty mësova shumë gjëra pasi kishte kulturë për seksin, që sot e kësaj dite në Shqipëri shumë gjëra duken tabu.

 

-Doktor, ju po përgatisni dy libra. Mund të na thoni diçka më shumë rreth tyre?

Së pari dua të flas për librin “Jetoni në sinkron me natyrën”. Ky libër u dedikohet vetëm femrave ose grave. Dua të them se poshtë titullit  kam shkruar në kllapa “Një vështrim politikisht i gabuar”. Pse? Do të them disa statistika. Për shembull, po ta marrim me brezni…Gjyshet e moshës time, sëmureshin në 91 prej tyre një me kancer të mitrës ose të gjirit, mamatë e brezit tim sëmureshin me këtë sëmundje 28 gra një me këtë kancer, në gratë e brezit tim, në çdo 5 prej tyre njëra sëmuret me kancer. E kupton? Si do të shkojë në brezin e ri. Këto janë statistika botërore nuk janë shpikje të mijat. Për këtë libër jam bazuar mbi disa të dhëna të disa shkencëtareve (pra femra) që kanë punuar shumë në këtë drejtim. Por mbi të gjitha ato duhen besuar se shumë nga këto probleme i kanë përjetuar vetë. Janë 15 femra shkencëtare që kanë punuar mbi këto probleme dhe që kanë arritur në këto përfundime. Unë i citoj këto personalitete, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe që duhet të merren në konsideratë për atë çka kanë bërë për femrat. Shumica e tyre janë akademike, profesoresha, ku unë jam mbështetur tek to dhe kam nxjerrë një sintezë për këto probleme dhe shqetësime. Ndër këto studiuese do të veçoja, profesoren Delgadoo nga Bostoni. Gjithë farmacitë në SHBA i luteshin të shkruante tre receta për përdorimin e ilaçeve kundër barrës (shtatzënisë), sepse po të shkruante ajo doktorët e tjerë ishin gati. Ajo dhe pse i ofruan shuma të mëdha nuk pranoi. Edhe pse ndikuan tek burri i saj duke ofruar shuma marramendëse ajo s’pranoi kurrë që të mbushte recetë me këto ilaçe. Ajo nuk dilte kundër natyrës. Sipas saj, gratë në menopauzë që i mjekojnë me gastrogjen  (estrogjene) me hormone, industria farmaceutike bën reklamë që  këto ilaçe i shërojnë gratë në këtë periudhë jetësore (menopauzë). Këto janë reklama të kota thekson Delgadoo sepse ata janë të blerë, por s’e dimë në ç’masë. Prandaj përdorimi i tyre, përdorimi hormoneve për gratë është shumë i dëmshëm. Kjo periudhë që fillon nga mosha 45 vjeç (kryesisht 48 vjeç) ka shumë probleme për gratë. Si përfundim, ky libër ofron një të vërtetë, një realitet jetësor. Një problem kaq të rëndësishëm. Shikohet se femrave duhet t’u japin një status që nuk u takon. Një status që u jepet në mënyrë artificiale. Natyrën e femrës duan ta largojnë nga realiteti dhe e deformojnë.

 

 

-Atëherë sipas jush, cili është shkaku që po shkon në këtë drejtim brezi i ri i femrave?

Shkaku është se gratë i kanë gënjyer të jetojnë jo në sinkron me natyrën. Pra, të jetojnë në të kundërt me çka u ka ofruar natyra. Shikohet një përpjekje e grave që të bëhen më të zonjat se burrat për ca parametra që natyra ja ka falur burrit, s’ja ka falur gruas. Pra, shihet një përpjekje e grave që të dalin mbi burrat në përgatitje fizike, në matematikë, në astrologji. Në jetën e  përditshme dhe për këtë dalin teori të ndryshme si: Mos u martoni fare, mos bëni fëmijë, mos i mbani fëmijët në gji. Mos, mos, mos…! Mirëpo të gjitha këto bëjnë që gruaja sot të dali kundër natyrës dhe duke jetuar kudër natyrës unë shpjegoj pse ndodhin gjithë ato ndryshime në trupin apo jetën e femrës apo të gruas. Të gjitha këto bëjnë që gruaja të sëmuret nga kanceri. Kështu të dashura gra natyra “hakmerret” me ju.

 

-Pra, shihet një tendencë, që gratë duan në një mënyrë të barazohen me burrat?

Po. Në të gjithë jetën vihet re kjo tendencë. Natyra  tregon që nga fillimi i menstruacioneve (puberteti) dhe deri në lindjen e parë duhen 36 muaj. Pra kjo është këshilla e natyrës. Që do të thotë tre vjet pas fillimit të periodave femra duhet të lindë. Kjo është ligjësi e natyrës. Duke marrë shembullin e mësipërm, në kohën e gjysheve të moshës time, periodat fillonin në moshën 17 vjeç, në moshën 18 martoheshin dhe 19 ose bënin fëmijë. Deri këtu në rregull. Sot menstruacioni fillon që në moshën 10 vjeç…

 

-Por kjo nuk do të thotë, që femrat duhet të lindin 13 vjeç..

Jo…patjetër. Unë sjell dhe specifikat e martesave. Por nga mosha 10 vjeç që fillojnë menstruacionet deri në moshën 30 vjeç që martohen (ose nuk martohen femrat sot) thyhen shumë ligjësi të natyrës. Pra natyra të ka lejuar 3 vjet pas periodave lindjen ti e kalon 20 vjet kohën e lindjes. Atëherë për këtë shkelje të ligjësisë së natyrës do të mbash përgjegjësi. Do ndëshkohesh. Pra, do përgjigjet me kancerin. Kjo është përgjigja që i kam dhënë të gjitha femrave. Këtë përgjigje ja kam dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë një gruaje këtu në Shqipëri, e cila drejtonte një revistë për planifikimin familjar. Kjo revistë dhe kjo grua janë në oponencë me mendimet e mia mbasi planifikimi familjar  thotë që merrni ilaçe që të mos ngeleni me barrë. Pra, bëni seks dhe mos mbeteni me barrë. Kjo është e pakuptueshme.

 

-Doktor, vitet e fundit po flitet haptas për identitetet seksuale, të cilat kanë qenë tabu vite më parë.  Termat më të lakuara janë transseksualizmi dhe homoseksualizmi. Mund të na flisni rreth tyre?

Fjala transseksualizëm vjen nga latinishtja . Kjo fjalë përdoret për ata njerëz që e ndjejnë veten se i përkasin gjinisë tjetër. Ka një divergjencë midis asaj që ata e identifikojnë veten dhe anatomisë së tyre. Një burrë me trup tërësisht burri, ndjen se është një grua. Një grua me trup femëror, ndjen se është mashkull. Në këto raste zgjidhja është një seri mjekimesh hormonale, disa procedura kirurgjikale dhe konsultime psiko-analitike që njihen si procedura për “ndërrim të seksit”. Personi që i nënshtrohet këtij ndryshimi të seksit quhet transseksual. Kjo nuk duhet ngatërruar me homoseksualitetin. “Transseksual” dhe “homoseksual” nuk janë sinonime. Një burrë homoseksual e ndjen veten seksualisht mashkull  dhe një grua lezbike e ndjen veten seksualisht femër. Çdo njeri ka në trupin e tij ose të saj, rudimente të gjinisë tjetër. Gratë kanë një organ seksual që ngjan nga ndërtimi dhe funksioni  me penisin e burrave. Ky është klitori, organi me shumë rëndësi për jetën seksuale të gruas.  Shumë autorë e quajnë klitorin, padrejtësisht rudiment penisi. Edhe burrat kanë rendimente të gjinjve dhe të thumbave. Çdo njeri prodhon hormone mashkullore dhe femërore. Shumica e transseksualëve  kujtojnë ndijimet nga fëminia e tyre e hershme. Ata, ndjejnë se janë mbyllur gabimisht brenda trupit të tyre. Transseksualët janë të pakënaqur me anatominë e tyre femërore ose mashkullore. Ata dëshirojnë të jetojnë si gjinia tjetër. Ata bëjnë çdo përpjekje dhe pranojnë çdo sakrificë vetëm që të arrijnë të ndryshojnë anatominë seksuale, për ta përshtatur atë me ndijimet e tyre, me identitetin e tyre.  Që nga koha kur Jorgensen u bë e para “femër kirurgjikale” më 1953, shoqëria ka kaluar një rrugë të gjatë për të pranuar dëshirat seksuale të këtyre njerëzve.

Homoseksualiteti, vjen nga greqishtja “homos” që do të thotë i ngjashëm. Homoseksualiteti i vërtetë, është preferencë për marrëdhënie seksuale me një person me gjini të njëjtë. Në familjen e sotme diskutimi i këtij termi nuk duhet të jetë më një tabu. Homosekualiteti sot ka shumë variacione. Një mbetet i “fshehtë”. Shumica janë homoseksualë të hapur që nuk bëjnë dot marrëdhënie seksuale me persona të gjinisë tjetër. Të tjerë janë homoseksualë dhe heteroseksualë ose siç quhen biseksualë (të aftë të kënaqen me persona të dy sekseve). Shpesh homoseksualiteti mund të jetë e përkohshme, pasojë e papjekurisë emocionale që më vonë kapërcehet. Ka shumë raste kur homoseksualiteti zhvillohet në situata të caktuara, kur nuk ka kontakte normale me seksin e kundërt (burg, ushtri etj..).

 

"Si ti përdorim librat e seksit tek fëmijët?

Kur fëmija është më i vogël nga gjashtë vjeç, librat për seksin, duket sikur ndihmojnë më shumë prindërit, se fëmijët e tyre. Jo pse ju nuk dini asgjë, por sepse mund të gjeni në to informacione, që u lënë gojë hapur. Ju, gjeni aty mënyra më të lehta, për të thënë gjëra më të vështira nga sa i mendonit. Shpesh, prindërit dinë më pak, nga sa mendojnë se dinë. Ata dinë shumë për gatimin dhe politikën, për sportin dhe filmat, për idetë e ndryshme dhe ndodhitë jashtë vetes. Disa prej tyre, janë çuditërisht të pasigurt për strukturën e trupit të tyre, dhe për funksionet e pjesëve të veçanta të trupit. Për këta prindër, librat shërbejnë për t'u familjarizuar, dhe për t'u ndjerë më mire me faktet, që ata duan të diskutojnë më fëmijët e tyre, tani dhe në të ardhmen. Librat e seksit për fëmijë, janë më të vlefshëm për fëmijën, kur ai i lexon me prindin. Kjo shërben si një trampolinë, për të kërcyer në subjektet dhe pyetjet me interes për fëmijën. Kjo, është veçanërisht e vërtetë, për librat, që ndihmojnë të kuptohet ardhja e një fëmije të ri në familje. Por vetëm librat, kurrë nuk do ta bëjnë dot punën tuaj. Ndonjëherë, një grup nënash të ndrojtura dhe të pasigurta për të diskutuar problemet e seksit me fëmijët e tyre, mund ta fitojnë besimin, duke folur për problemet e seksit me njëra-tjetrën. Ka mundësi që ato të ndihmohen në klinikat dhe organizimet për prindërit. Filmat informativë të mirë, si dhe diskutimet me doktorët dhe konsulentët e mbrojtjes së fëmijëve, janë një ndihmë e madhe.

 

A është ndrojtja diçka natyrale?

Po. Diku midis moshës tre dhe shtatë vjeç, fëmija zakonisht fillon të dojë privatësinë kur shkon në tualet, dhe nuk do ta shikojnë të paveshur. Kjo është e shëndetshme dhe natyrale. Kjo do të thotë, se ai filloi të ndjejë zakonet e ambientit ku jeton, dhe se përpiqet ti përshtatet atij. Ndrojtja, është shenjë e rritjes. Siç e dini, një fëmijë shumë i vogël, në mënyrë të pavullnetshme mund ta tregojë veten lakuriq. Por kur fëmija është shtatë ose tetë vjeç, dhe kalon para prindërve ose të rriturve të tjerë lakuriq, ky veprim i tij, nuk është as i thjeshtë as natyral. Ekzibicionizmi- ekspozimi i trupit- pas viteve të fëmijërisë së hershme, është mënyra me të cilën fëmija u thotë prindërve, "është vështirë të merreni me mua". Duke i kushtuar shumë kujdes, fjalëve dhe bëmave të fëmijës, ju do të zbuloni problemin që ka fëmija. Kur kjo sjellje vazhdon, fëmija mund të ketë nevojë për ndihmë profesionale.

A duhet që fëmija të qëndrojë në krevatin dhe dhomën e prindërve?

Fëmija nuk duhet të flejë në krevatin dhe dhomën e prindërve. Fëmijët, që rregullisht flenë me prindërit, bëjnë kontakte fizike, që mund të jenë një ftesë për lojë seksuale. Ndërsa për shumë fëmijë, kjo lojë kalon pa u vënë re, për të tjerë ky aktivitet "seksual" nxit ndjenjën e fajit. Duhet bërë kujdes, që vëllezërit dhe motrat të kenë dhoma të veçanta, kur ata bëhen pesë vjeç. Të flesh në një dhomë me prindërit, nuk është një gjë e mençur. Shpesh, fëmijët bëjnë sikur flenë, kur gjumi akoma nuk i ka zënë. Në këto kushte ata frikësohen, kur marrin vesh aktivitetin seksual të prindërve. Edhe errësira në dhomën e gjumit, nuk i mbron fëmijët, sepse ata mund të shqetësohen nga zërat, që për ata janë të çuditshme. Pavarësisht vështirësive, ia vlen, që fëmijët të kenë një dhomë të veçantë, veçanërisht, kur fëmija nuk ka nevojë për kujdes gjatë natës, çojeni krevatin e fëmijës në dhomën e ndenjes, kur ju do të shkoni në shtrat, ose po qe se dhoma e gjumit shërben si vend për t'u rritur fëmija, vendosni një shtrat portativ në dhomën e ndenjes, për ju.