E premte, 29.03.2024, 08:30 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Debati për Lidhjen, Maks Velo: Agolli e Buza, dyshja e krimit

E enjte, 10.11.2011, 07:49 PM


TIRANE- Maks Velo thotë se dënimi i tij u dirigjua drejtpërdrejt nga Lidhja e shkrimtarëve.Ai e sheh atë institucion, si një vend krimi.

 

Madje dyshja e hekurt e Lidhjes Dritëro Agolli- Kujtim Buza sipas tij ishte dyshja më e sukseshme e krimit artistik. Në valën e shkrimeve për Lidhjen e shkrimtarëve, arkivat e saj të zhdukura, dhe dënimet e bujshme në fushën e artit dhe letërsisë, Maks Velo, ka parapëlqyer të sjellë në kohë, për lexuesit, kutjimet e tij rreth kohës së dënimit dhe një analizë mbi rolin që pati Dritëro Agolli si kryetar i Lidhjes në dënimin e tij si dhe gjithë jetën letrare të kohës.

 

Velo ofron për “Shqiptarja.com” këtë rrëfim, shkëputur nga një vepër autobiografi ke e tij “Kohë antishenjë”, si një përpjekje, për të zbardhur gjithë dritë-hijet e dënimit të tij, dhe të kolegëve artistë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Akuzat e pakursyera për ish-kryetarin e Lidhjes Dritëro Agolli, ngjajnë mjaft të ashpra sot, edhe pse si një anë e medaljes mbi atë histori të pushtuar nga hijet e krimit.

 

RRËFIMI I MAKS VELOS

“Më 24 dhe 25 korrik u mbajt Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Dhimitër Shuteriqi lirohet nga detyra e kryetarit, emërohet Dritëro Agolli, po ashtu hiqet Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Hamide Stringa. U vunë Xhemal Dini, Kujtim Buza, Anastas Kondo. Fillon periudha më errët e Lidhjes. Në raraportin e tij të parë si kryetar, Dritëroi artin e quajti ideologji dhe gjeti gabime të rënda në krijimtarinë e artistëve dhe në veprimtarinë drejtuese të Lidhjes. Ndër piktorët

përmenden tre: Edison Gjergo, Ali Oseku dhe Maks Velo. Unë përmendem për peisazhin “Selvitë” në ekspozitën e Pranverës, si shtrembërues dhe nxirës i realitetit”.

 

Është interesant fakti se ne të tre u arrestuam po sipas këtij rendi. I pari Gjergoja, i dyti Oseku, i treti unë.

Më 13 nëntor, në aktivin e partisë së rrethit të Tiranës, Manush Myftiu sekretari i Parë, mban raportin ku ka 13 rreshta për mua: më cilëson se nxij dhe deformoj realitetin, se jam kundër traditës dhe kombëtares.

 

Aty Mehmet Shehu bërtet me histerizëm se ata që bëjnë në shtëpitë e tyre piktura abstraksioniste janë hipokritë e frikacakë, kandidatë për rrufjanë politikë…asnjë mëshirë për zëdhënësit e armikut të klasës… rroftë diktatura e proletariatit! Organizata e Partisë në Komitetin Ekzekutiv ku punoja, shqyrtoi rastin tim dhe kërkuan sqarim mbi rëndësinë e pjesëmarrjes time në këto gabime. Mendova të shkoj tek kryetari i Lidhjes, Dritëro Agolli.

 

Po ngjisja shkallët, dorën e djathtë e lëvizja duke u mbështetur tek parmaku. E kisha shumë të vështirë

të shkoja për ankime ose kërkesa në zyrat qeveritare dhe zonën më të papërballueshme

e kisha tek ngjitja e shkallëve. Me përtim ngrija këmbët për të ngjitur çdo këmbë shkalle dhe stepesha kur takoja dikë që zbriste nga sipër poshtë. Në fytyrën e tij mund të kuptoje menjëherë a e kishte zgjidhur problemin apo kthehej duarbosh. Vazhdova të ngjitem në heshtje, një poshtërim i pashpjegueshëm më pushtoi. Kjo nuk është organizatë artistësh, është repart ushtarak, është degë e Brendshme.

 

Atë atmosferë të ngrohtë që krijoi Dhimitri, Vilsoni, Ksenofoni, Hamideja, po e zhduknin.

Megjithëse Dhimitër Shuteriqi ishte më i moshuar ai dinte të tregonte dashuri dhe mirëkuptim për artistët, atij i pëlqente shumë edhe piktura, merrej nga pak edhe vetë. Më pat ftuar në shtëpi t'ia shihja vizatimet. Dritëroi e ngurtësoi menjëherë atmosferën. Më dukej sikur kishte frikë, por nuk e tregonte dhe sillej me artistët si një sekretar partie nga Devolli. Dritëroi më priti në zyrën e tij, mbrapa tavolinës.

 

I shtrova problemin dhe i kërkova të bisedonte me sekretarin e Partisë. Unë nuk jam piktor profesionist, i thashë. Lidhja nuk më ka dhënë asnjëherë as leje krijuese, as çmime, as tituj. Lidhja nuk më ka dhënë studio.

Vërtet merrem me pikturë, por krijimtaria ime nuk është nga ato që ka zënë vend të rëndësishëm nëpër ekspozita kombëtare. Nuk kam mbaruar Institutin e Artit dhe zyrtarisht kam tjetër profesion, kështu që kritika juaj më duket pak e tepruar. Unë vërtet punoj, por nuk kam si qëllim të krijoj problem, prandaj do t'ju lutesha të bisedonit me sekretarin e Partisë të Komitetit, përndryshe ata do të marrin masa. Më dëgjoi dhe papritur më tha: Aty sipër te apartamenti im, a mund të hapet muri që të bashkohen të dy dhomat, ta bësh si te Kadareja? -Jo, aty poshtë te studioja e Kadaresë traun e kam bërë që në projekt. Kurse te ju çdo gjë është ndërtuar, tani është vonë. Ai që do ta merrte, Llambi Ziçishti nuk e kërkoi këtë gjë.

 

- Ashtu… mirë do të mendohem, do të mundohem të flas…

Dritëroi nuk bisedoi asnjëherë me sekretarin e Partisë. Ata morën vendim të më largojnë. Mbas një mbledhjeje të gjatë në Kolektivin e Byrosë së projektimit ku punoja, të drejtuar nga Sokrat Mosko, më transferuan në kooperativën bujqësore të Ndroqit. Kështu do të merrte fund edhe puna ime si arkitekt.

 

Nga burgu i Spaçit ndiqja me vëmendje veprimtarinë e Lidhjes... Që nga vitit 1970 filloi një rënie e përgjithshme e ekonomisë që u finalizua me kolapsin në fund të viteve '80.

Shteti komunist dhe veçanërisht diktatori Hoxha duke e kuptuar këtë aktivizoi fuqimisht artet dhe letërsinë për të krijuar një iluzion tjetër të realitetit. Filmat, dramat, baleti, piktura, skulptura, romanet, poemat, këngët, kantatat krijonin një përfytyrim tjetër. Një prodhim kolosal që shkoi dëm më kot. Në kundërshtim me ekonominë që ishte në një rrugë pa krye, arti dhe letërsia mund të kishin bërë vepra që t'i rezistonin kohës. Veç Kadaresë që nuk dëgjonte asnjë direktivë, veç koshiencës së tij artistike, të tjerët u nënshtruan plotësisht. Për këtë qëllim ishte ai diskutim i ashpër i D.Agollit ndaj "Pallatit të ëndrrave" në shkurt 1982.

 

Këtu është ndihma e madhe që Lidhja i dha diktaturës dhe dëmi i madh që Agolli i shkaktoi artit shqiptar. Ai e militarizoi artin shqiptar. Si mbaroi punë me gjyqet, Lidhja ndiqte me kujdes çdo hap të artistëve, çdo vepër, çdo shfaqje. Dritëro Agolli arriti apogjeun e fuqisë komanduese. Dyshja Agolli-Buza do të mbetet në artin shqiptar si më e suksesshmja e krimit artistik. Në historinë e Lidhjes dallohen veçanërisht dy periudha të nxehta krimi. E para është periudha 1945-1955 kur u pushkatuan dhe u burgosën shkrimtarë, gazetarë, përkthyes dhe artistë antikomunistë. Periudha e dytë është 1973-1990. Kuptohet të dyja kanë pasur arsyet e tyre.

 

E para ndërpreu prurjen e letërsisë dhe artit me një mendim europian, kurse e dyta ishte më shumë artistike sesa politike. Ndikimi perëndimor u ringjall në art dhe kjo nuk duhej lejuar.

Ata që qëndruan më gjatë në udhëheqjen e Lidhjes kanë qenë DH.Shuteriqi, F.Stamo, D.Agolli dhe K.Buza, dy shkrimtarë dhe dy piktorë, të katër komunistë.

 

Më jetëgjati ishte Dritëro Agolli. Me të lidhet periudha më represive e Lidhjes. Por Agolli nuk është vetëm shkrimtar profesionist, është edhe politikan profesionist...

Ka qenë anëtar i K.Q. të Partisë në periudhën kur Partia e Punës bëri ekzekutimet e grupeve të artit, të ushtrisë, të industrisë, të ministrisë së Brendshme. Fjalimet e tij në K.Q kanë qenë të pamëshirshme.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora