E shtune, 20.04.2024, 02:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Sh. Berisha: Harmonizim i suksesshëm i kontrasteve poetike

E merkure, 09.11.2011, 08:57 PM


Harmonizim i suksesshëm i kontrasteve poetike

 

Nga Ali Sh. Berisha

 

Sadik Krasniqi lindi në Llukar të Prishtinës më 1961. Studioi Letërsinë dhe Gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Jeton dhe krijon në Gjermani.

 

Me vargënim nisi që nga bangat e Universitetit, që nga simpatia e parë që kulmoi me një dashuri skofiare, por e përfunduar tragjikisht gjatë Pajtimit të Gjaqeve. Botën ndiesore të tij e rriti, e poqi dhe e brumosi edhe më jeta në kurbet, ku në vend se të mirret me profesionin e tij detyrohet të bëjë punë argati e krahas kësaj jo që mungoi, por ngriti edhe më përgjegjësinë ndaj familjes plotësisht i vetëdijshëm se ajo është qelizë e kombit dhe kjo qelizë sa më e shëndoshë që është, kombi është aq më i fortë. Për çudi në poezinë e tij pak mund të gjesh imazhe familjare, sepse ato i shkrinë në rrafshin e tij poetik në segmentin historik dhe gjeografik të atdheut, ndërlidhur në të shumtën me fije dhembjeje kurbeti.

 

Ende pa shijuar librin vetanak, poezia e tij gjeti vend tek poezidashësit dhe si krijime poetike me vlera të padiskutueshme u kurorëzuan me çmime letrare si dhe u përkthyen në rumanisht, frengjisht dhe gjermanisht. Përveç vështrimeve kritike dhe shkrimeve publicistike, Sadiku shkruan edhe tregime.

 

Libri i parë me poezi „Ofshamë në urnë“, botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, shënon hapin e parë me bërjen libër dhe jo vetëm kaq, por me dellin poetik të derdhur në vargje, me lirizmin e shprehur, me temat e rrahura u fut shpejt në historinë e vargënimit shqip si shembull se si duhet të krijohet poezia.

 

Në librin e dytë „Oazë palmash të djegura“, të botuar në të njejtën shtëpi botuese, jo vetëm që tregoi pjekurinë e tij poetike nisur nga libri i parë, por avancoi në tematikë, në lirizëm, në fantazinë narrative tashmë vetanake, në muzikalitetin e këndshëm dhe në porosinë që del në formë fabule, në formë të një fjale të urtë gjithëherë mveshur me petkun artistik.

 

Nuk do të mbështetesha në krahasimet midis poezisë së tij dhe një analize që mund të bëhej nga kushdoqoftë, nuk do të mbështetesha as tek strukturalistët e as te eseistët e kritikët, por do të mbështetesha kryesisht në botën time të perceptimit të një poezie, e cila i ikë metrikës tradicionale, ndërsa në vete futë muzikalitetin e paimponuar ashtu siç era lazdrane krijon fijuket herë të ëmbla e herë kërcënuese e të idhëta me fijet e barit të shkrumuar, me fijet e barit të blertë, me lotin e nxjerrë nga vala e shikimit nga një ngjarje reale a e trilluar. Ilustrim:

 

“Në tërë atë mal të huaj

 

Gjej drurin e vendlindjes

 

Me qyqen në rrem

 

 

 

Ia marr gjethin e blertë

 

E luaj një baladë

 

 

 

Me vaj në buzë

 

Gjuaj guralecë të zinj

 

Në liqenin gri

 

 

 

E mbi ujë

 

Bëj unaza mërzie”

 

(shkëputur nga poezia “Vaj në buzë”)

 

Përmbledhja e poezisë „Oazë palmash të djegura“, është sistemuar nga këto cikle poetike: Lutja e zemëruar, Perde loti, Kujtimi i shastisur, Alkimia e nënës, Sfond i akullt, Engjëlli i nëmur. Këtyre cikleve u prinë një epitaf si prolog dhe epilog. Lexuesi mund të mendojë se poeti ka frikë nga vdekja, se për mbrojtës ka një engjëll. Megjithatë, poeti jo që nuk ka frikë nga vdekja dhe pamja mbi varrin e vjetëruar të mëveshur me fije bari, por e sfidon atë me kryeneqësinë e tij të dhembjes, me ndjenjën e pikëllimit për jetën që bëhet dhe për nismën e një jete pas përfundimit, u muar vesh me fijet e barit. Po cilin mërgimtarë nuk do ta mundonte kjo, vallë? Ec e i shpëto mendimit të hijezuar larg atdheut, larg varreve ku gjenden të dashurit, larg ambientit ku kishte nisur fillimisht bota ndijesore, e cila nuk do të bjerrej asnjëherë nga vargu i poetit. Kjo mosbjerrje poetin e hedh në pozita grindjeje me veten dhe me më të dashurit e tashëm, por vazhdimisht i vetëdijshëm për aktin e kryer dhe për kërkimfaljen. Pra, në poezinë e tij kaq të thellë e ndiesore përfton ndjenja e sinqertë e poetit.

 

Imazhet e përmendura në poezinë e këtij libri nga autori stisen në krijimet që gërshetojnë një tufë motivesh ekzistenciale që përfshijnë vertikalen historike të ngjarjeve nacionale dhe horizontalen gjeografike të vendndodhjes së ngjarjeve që i shohim si burim frymëzimi. Nisur nga kjo, poezia e tij del e larmishme tematikisht, por unike e mjaft specifike stilistikisht. Në poezinë e tij është lindja, është vdekja, qëndresa dhe detaje të tjera të cilat autori artistikisht i nxjerr si tabllo pikture ekspresioniste e herë si një këngë moderne që rrjedh në heshtje si lumi, pra një harmoni si rezultat i kontrastit, megjithatë ndërtuar me figura sitilistike si metafora, por edhe me antiteza të shumta që poezinë e bëjnë tërheqëse, interesante me dinamizmin dhe shqetësimin krijues.

 

Ilustrim:

 

„Kam puthur vetëm buzët e tua

 

Të zjarrta të ftohta

 

Të kuqe të kafta

 

 

 

E do buzë të tjera janë djegur

 

Vetëm për një puthje të afshët prej cubi

 

 

 

Kam puthur vetëm sytë e tu

 

Të qeshur si lumi

 

E të trembur si sytë e kalit në greminë…“

 

(shkëputur nga poezia „Engjëll i nëmur“)

 

Shqetësimet lirike të poetit  i mundësojnë lexuesit të bëhet pjesë e tyre, pjesë e humanizimit të përvojës jetësore dhe krijuese, të cilat i japin artit poetik të autorit vlera të larta.

 

Veçanti krijuese e poetit Sadik Krasniqi, nuk eshte egoja për të botuar, por përtypja mirë e secilës fjalë, e secilit varg, shestimi e pastaj krijimi i një bote ku nuk ka idilë, por realitet jetësor përzier me shqetësimet e vazhdueshme, arti i figurës letrare poetike, i frymës dhe i gjuhës autoriale specifike, të cilat lexuesin e mbajnë kurreshtar deri në fund të imazheve të ofruara.

 

Derisa lexuesi i kapërdinë shpejt vargjet e tij, qëndron në ankth deri në ballafaqimin me librin tjetër, që të shijojë edhe më e kurrë të mos ngihet, të shijojë edhe më e në vargjet e tij të shkrihet, me vargjet e tij të ushqehet, me vargjet e tij të prehet.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora