E shtune, 20.04.2024, 07:17 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Serbët kërkonin ndryshimin e librave shkollor!

E marte, 08.11.2011, 09:04 PM


Serbët kërkonin ndryshimin e librave shkollor!

 

Në makthi që e mbërtheu Lulinë dikush kërkonte ta ndryshonim historinë: s’patëm armiq, por vetëm vëllezër, në lindje e në veri, përpiqeshin ta bindin më këmbëngulje mushku.

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Ëndrra që pa Lulia mbrëmjen e kaluar e tronditi. Kthetrat e makthi nuk e lëshonin as të nesërmen kur më tregonte, ndërsa fërgëllonte nga çoroditja. Gjumin zakonisht e bënte të qetë si qengj: në atë anë që flinte, në atë krah zgjohej. Por kësaj here qe ndryshe. Ditëve të fundit kishte lexuar shumë gazeta. Televizorit e internetit nuk ua hiqte sytë. Ngjarjet  rridhnin njëra pas tjetrës, kështu që koka i vlonte, ma pranoi që në fillim.

Nga shprehja e fytyrës sime, apo nga ndonjë pengesë tjetër emocionale me luti të mos e ndërprisja, as mos ta gjykoja sikur ajo është besëtyte dhe shesh gjëra që s’kanë të bëjnë më realitetin. “Ëndërr  ishte, por ëndërr e tmerrshme që desh me çmendi. Nuk mund t’i kundërvihesha atyre që me flisni dhe të pabërat që ndodhnin para meje, ndërkaq i nënshtrohesha vullnetit të të tjerëve që s’të pyesnin, pos të tregonin veprimet. Prej natës së mbrëmshme i  kuptojë politikanët tonë sa vështirë e kanë, kur të tjerët u rrinë si gjelat mbi kokë, ndërsa ata s’mund t’u rezistojnë ”, bëri hyrjen e nevojshme për të më treguar makthin që e kishte mbërthyer, sipas saj gjithë natën derisa u ndriçua horizonti tej për tej nga Kodra e Diellit deri në Kodrën e Trimave, dy lagjet më të mëdha të periferisë së kryeqytetit.

Ajo mu betua që asnjëherë nuk pajtohej me gjërat e çuditshme që ia propozonin.

“Nuk e di si u gjeta në takimin e fshehtë. Nuk ishte përbetim ndaj askujt. Më vinte mirë që më besonin, meqë isha pjesë e një delegacioni për të cilin thuhej se do të bënte gjëra të mëdha. Do të hynim në histori! Nga ky entuziazëm me këndelli një pëshpërimë: do të takoheshim me delegacionin serb, pa praninë e ndërkombëtarëve dhe pa dijen e medieve. Djersë të ftohta filluan të ma vërshojnë ballin. Kisha frikë ç’do të thoshin bashkëkombësit? Si do të reagonin amerikanët? Në çastin kur provova ta bëja një pyetje, kryetari i delegacionit ma drejtoi gishtin kërcënueshëm: mos gabo ta hapësh gojën?”. Shtanga.

Nga turbullira e parë, se si u gjenda pastaj në një sallon që shkëlqente: tryeza e rrumbullakët, llampadarët e mëdhenj të kristaltë, parketi i vjetër prej abanozi dhe dritaret e mëdha sa një faqe muri. Derisa unë mahnitesha  me këto ambiente si në filma, dikush pëshpëriti: Serbia do ta pranonte pavarësinë. Nuk e di pse fërgëllova: nga gëzimi që do të na hiqej mbikëqyrja apo nga dëshira që ta kishim kontrollin mbi të gjitha fshatrat e gërnjat. Megjithatë, frikësohesha mos kjo njohje kishte bisht prapa. E dija se serbët nuk të pranonin kot pa ta kërkuar një çmim të lartë. Derisa unë vuaja nga dyshimi, pëshpërima triumfuese me eufori u përhap në sallon. Mbajë mend se në fillim nuk doja të bëhesha pjesë e delegacionit jo pse nuk kishte qejfi, por frikësohesha që serbët kanë njerëz të zgjuar në delegacion. U thash se nuk kam përvojë, as shkollën e duhur. Sakaq, dikush ma ktheu: lere moj modestinë, se mos janë të tjerët më të përgatitur- me medrese e shkolla për përpunimin e ushqimeve janë. Heshta. Por edhe u frikësova akoma më shumë.

Njerëzit bisedonin, qeshnin e pinim kafe me delegacionin serb si të ishin miq të vjetër. Dolëm edhe para kamerave televizive. Dikush nga gazetarët ma futi mikrofonin para gojës, unë e largova me butësi. Për një çast kryetari i delegacion të tyre nxori një letër, kopjet ua dorëzoi të gjithëve dhe e tha publikisht përmbajtjen e saj: “kërkojmë që historia e shqiptarëve të Kosovës të ndryshonte nëpër librat shkollor. Nga mediet kërkojmë të pushonin fyerjet kundër nesh, të transmetohen në radio e në televizion këngët serbe si më parë, të organizohen koncerte me yjet e folkut tonë, ndërsa të propagandohet demokracia e shtetit tonë, më të avancuar në rajon.  Njerëzve t’u thuhet dhe t’u shkruhet në ballë se serbët nuk ishin pushtues të Kosovës, por çlirimtar, serbët nuk bënë krime, ata e sollën lirinë, luftuan nacionalistët e irredentistët shqiptar, sepse ishin të dëmshëm edhe për shqiptarët”. Ai vazhdonte të fliste, të tjerët heshtnin, ndërsa mua gati me ra të fikët. Me duket i thash dikujt afër meje: “Ne nuk u morëm vesh kështu”.

“ Hesht moj, s’të pyeti njeri, çka u morem vesh”, ma ktheu dikush prapa veshit. Nuk kthehesha dot, koka ime nuk e lëvizte qafën.

Kryetari i tyre fliste me zjarrmi, ndonjë herë shkumëzonte, unë shihja të tjerët, mos do të ngriheshin në këmbë dhe t’ia ndërprisnin fjalën. Për habinë time, ata rrinin dhe e dëgjonin më vëmendje, ia kishin hapur sytë, miza nuk pipëtinte.

Kur ai foli derisa u lodh pa e ndërprerë askush, u ul duke rrëkëllyer një gotë të madhe raki kumbulle. Pas tij u ngritë kryetari i delegacionit tonë. Pasi i thuri një varg lëvdatash, në etër lëshoi fjalët: “Populli vëlla serb gjithnjë ishte krah nesh, na ndihmoi në fazat më kritike të historisë sonë, na e solli ushtrinë e tyre të çliroheshim nga Turqia, u kujdes që ta mbanin sa më larg perëndimin, na dha krah të shpërnguleshim në Turqi e gjetiu nëpër botë. Rroftë miqësia serbo-shqiptare. Rrofshin serbët”, ndërsa duartrokitjet i dridhen xhamat.

Unë sa nuk shqeva sytë. Shihja kryetarin tonë të delegacionit, shihja edhe të tjerët memece, ndërsa nga delegacioni serb u ngritën në këmbë dhe ia rrahën supet shefit tonë si fëmijës kur e reciton vjershën pa gabime.

Kryetari i delegacionit serb, sikur të ma kishte lexuar habinë në sy, kërkoi të sqaronte: “Nuk pati presione, as kushtëzime. Pala kosovare u pajtuan në të gjitha pikat. Nuk patën asnjë vërejtje, pos që na lutën t’ua përkthenim kërkesat në gjuhën shqipe, sepse serbishten e kishin harruar ca në këto dhjetë vjet”.

Nuk e di se si u gjendem para Kishës Shën Sava në Beograd. Dikush tha: do të merrnim pjesë në meshën e së dielës. Unë kundërshtova. “Nuk jam fetare”, thash. Të tjerët me panë me përbuzje e nënçmim, sikur të më thoshin mos na kushton gjë. Shkova pas tyre si qengji pas deleve. Njëri i painformuar, pyeti: a duhej të zbathnim këpucët? Shoku prapa qeshi me sarkazëm dhe i pëshpëriti: “Jo more hajvanë, nuk jemi në xhami”. Disa pasi kishin zbathur këpucët sërish i mbathën.

Dikush nga mjekërzinjtë e tyre, priftërinj në mes të meshës tha: ne kërkojmë të ndërtojmë kishën serbe përballë Katedrales Katolike në Prishtinë. Asnjëri nuk foli. Dëgjonin me kokë të përkulur mbi karriget e drunjta sikur të qemë në ekstazën e lutjeve. Tjetri ia ktheu: varët prej komunës a do t’ua caktojnë vendin për ndërtim. Ne s’kemi gjë kundër.

Nuk e di çfarë kohe ishte. Orët e ditët më ngatërroheshin tmerrësisht, por e di se dolëm para vorbullës së gazetarëve, në një konferencë për medie. Prijësit e delegacioneve ua çelen platformën e re politikë, ua përsëritën edhe një herë qëndrimin për librat e historisë që duhej të shqyrtoheshin me urgjencë. Do të hiqeshin pjesët ku populli vëlla serb, (sepse tashmë e shpallën popull vëlla) fyhet apo u thuhet kinse bënë masakra; do t’ua caktojmë një qytet në Kosovë ku zyrtarët serb do të bënin pelegrinazhe, duke e ndjerë vetën si në Serbi. E kërkonin Prizrenit. Dikush tha: Prizrenin e kërkonin edhe turqit. Ishte edhe kërkesa e Tiranës që ky qytet të bëhej Muze i Pavarësisë shqiptare. Jo more, edhe Shqipëria paska pretendime territoriale a? Pyeti dikush tjetër nga salla. Kryeministri shqiptar e bëri rrugën deri në Prizren, nga do të hynë turqit e serbët në qytet- me anije kozmike? Qeshi dikush kumbueshëm

Gazetarët nuk dukeshin të befasuar, ishin më të informuar, ose ua kishin bërë me dije të mos befasoheshin më asgjë. Regjistronin kokulur dhe përpinin deklaratat e të dy delegacioneve.

Dola në anën e gazetarëve dhe debatoja me dike, nuk me kujtohet fytyra, por e di se ai me tha: ”serbët çdo herë i patëm vëllezër, ata erdhën në Kosovë për të mirën tonë, gabuam që luftuam kundër tyre. NATO nuk bëri mirë që i dëboi”.

Me kujtohet si nëpër mjegull që dikush mëdyshej: “Do të hidhërohen turqit. Edhe ata i shpallëm popull vëlla, edhe ata kërkuan të mos i quanim pushtues, por çlirimtar”.

“Edhe ata vëllezër i kemi”, u përgjigj një tjetër.

“E grekët?”

“Edhe grekët çlirimtarë ishin”, ma ktheu i njëjti zë. “Ke e kishim armik?”, pyeta si e damllosur nga habia.

“ Nuk patëm armiq asnjëherë”, më përgjigjej flakë për flakë i njëjti zë, pa me dhënë mundësi ta kundërshtoja.

Djersija ta bindja atë prapa meje që e kishte gabim, sepse s’kisha mundësi të kthehesha e të shihja. Nuk e di çka me pengonte dhe ma bllokonte trurin dhe qafën.

Dikur ai që me rrinte prapa, me doli para me ngërdheshje, sikur të më thoshte kot e ke, ashtu do të bëhet dhe pikë. Me erdh një siklet i madh, saqë me kujtohet që e lëshova një britmë zemërimi në kupë të qiellit duke brofur para për ta goditur a për ta kundërshtuar atë që më ngërdheshej, nuk e di saktë. Kur e pashë vetën në dysheme, qull në djersë dhe me kokën që donte të më qahej.

Isha e lumtur që kjo ëndërr s’kishte të bënte me realitetin. Ku s’të nxjerre ëndrra e keqe”, me tha e lehtësuar Lulia e preokupuar ëndërr e zhgjëndërr  me çështjen kombëtare.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora