E premte, 29.03.2024, 04:47 AM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Fjalime të shqueme (V)

E marte, 08.11.2011, 08:03 PM


FJALIME TË SHQUEME (5)

 

NGA DANIEL GAZULLI

 

TË JESH I LUMTUN E TË BAJSH TË LUMTUN TË TJERËT

MESAZHI I FOLLERÒ

 

“Viti 2000: kohë frike apo pranëverë  dashunie”

1967

 

PERSONAZHI

 

            Raul Follerò (Raoul Follereau, 1903-1977), i lindun në Nevers të Francës në një familje industrialistësh, qysh heret do të bahej “afarist i shquem i mirësisë”. Poet, gazetar, konferencier, por mbi të gjitha njeri me zemër të madhe, që ua kushtoi jetën luftës kundër vorfnisë, mbrapambetjes, deskriminimit, do të bahej i njohun në botë edhe për përpjekjet e tij në luftën kundër sëmundjes së randë të lebrës. Qysh në vitin 1954 themeloi Ditën botënore kundër lebrës (e djela e fundit e çdo janari), ngriti spitale e fshatra kurimi, ishte mik e bashkëpunëtor ndër ma të afërtit e ndër ma të zellshmit të Nanë Terezës. Në letërsinë dokumentare botënore emnat e tyne gjenden pothuejse gjithmonë bashkë, si shembull i bamirësve e luftëtarëve ma të shquem, përherë pranë ma të dobtëve. Isha me fat të gjeja këte fotografi të herëshme të të dy njerëzve të mëdhej.

Ndrroi jetë në vitin 1977.

 

VLERA E FJALIMIT

 

            Follerò kishte një dialektikë të thjeshtë, por që godiste në zemër me ambëlsi e forcë çdo njeri që e njohu. Ka hy në fjalorin e socologjisë e të filozofisë si proklamues i “grevës së egoizmit” në saje të shembullit të tij personal, një jete në shërbim të të tjerëve. Asht e njohun fushata e tij shumë domethanëse “kostoja e një ditë lufte për paqën”, në të cilën aderuen miliona njerëz nga e gjithë bota, sidomos të rijë, që vazhdojnë edhe sot këte vepër të nisun nga njeriu i madh i paqës.

            Të paktë janë ato shtete në botë ku nuk arrijti të krijonte shoqata që ndërmorën e vazhdojnë edhe sot, 44 vjet mbas vdekjes së tij, preojektet e themeluesit për përmirësimin e kushteve të jetesës, sistemin sanitar, arsimimin, barazinë në mes njerëzve, sidomos në vendet ma të mbrapambetuna.

            Shkrimet dhe fjalimet e Follerò janë bërthamë jete. Le të kujtojmë disa thanje të tij që kanë hy në fjalorin e kohës sonë: “Një pikë ujë mund të ngrejë nivelin e oqeanit: banu edhe ti ajo pikë ujë”; “Kam arrijtë në një moshë të tillë që do të isha një frikacak i keq nëse do të tregohesha i matun”; “Hidhuni me gëzim në sulm për të ardhmen”; “Qeshuni në fytyrë atyne që ju flasin për matuni, për oportunizëm, atyne që fusin jetën në kuti për ta ruejtë e që mendonin për pensionin që kur thithnin biberonin”

            Në luftën kundër lebrës ai ka qenë, përkrah Nanë Terezës, një ndër pionierët e luftës totale për zhdukjen e sëmundjes në botë.

            Të shkruesh edhe faqe të tana për Follerò, përsëri do të ishte pak. Po e mbyll me një paragraf nga një fjalim i mbajtun në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku shpalosë shpirtin e tij të madh, një ndër ma të mëdhejt e shekullit XX: “Derisa të ketë mbi tokë edhe një të pafajshëm që do të ketë uri, që do të ketë të ftohtë, që do të persekutohet, derisa do të ketë mbi tokë zi buke që mund të shmanget apo qoftë edhe një burg despotik, as ju, as unë nuk do të kemi të drejtë të heshtim apo të pushojmë”.

            Përulem para fjalëve të tij.

            Fjalimi që po sjell ma poshtë, me një impostim në dukje fetar, ka në thelb të qenit njeri e dashuninë për njeriun, për jetën e tij.

 

FJALIMI:

 

Lutje për vitin 2000.

Viti 2000: kohë frike apo pranëverë dashunie?

Atomi: triumf i njeriut apo gijotinë për njerëzimin?

Zot, na ndihmo: Tashma pronarë të një pjesëze të fuqisë tande, ja ku jemi para Teje, të dobët, të brishtë, ma të vorfën se kurrë, të turpnuem për ndërgjegjen tonë të arnueme e zemrat tona të coptueme.

Zot, kij mëshirë për ne: na kemi ndërtue Kisha, por historia jonë asht një histori luftnash të pafund. Na kemi ndërtue spitale, po mandej, kemi pranue urinë e vëllazënve tanë.

Na fal, o Zot, për dhunimin e natyrës, pë vrasjen e pyjeve, për lumejt e ndotun; na fal për bomben atomike, punën zingjir, makinën që gëlltit njeriun, për fyemjet ndaj dashunisë.

Na e dijmë që Ti na do, e se kësaj dashunie na i detyrojmë jetën. Na nxirr nga kjo asfiksi zemrash e trupash, që ditët tona të mos jenë ma të njollosuna nga smira e nga mosmirënjohja, nga skllavnia e tmerrshme e pushtetit.

Na dhuro lumtuninë që të duem detyrën tonë.

Në botë mungojnë miliona mjekë: frymëzo bijtë tuej që të kurojnë; në botë mungojnë miliona mësues: frymëzo bijtë tuej që të na mësojnë.

Uria po këputë tri të katërtat e njerëzimit: frymëzo bijtë tuej që të mbjellin.

Prej njëqind vjetësh njerëzimi ka ba pothuej njëqind luftna: mëso bijtë tuej që të duan, sepse, o Zot, nuk ka dashuni pa dashuninë Tande.

Ban që çdo ditë, e për gjithë jetën, në gëzim e në dhimbje, na të jemi vëllazen, vëllazen pa kufij. Atëherë spitalet tona do të jenë edhe katedralet Tueja, laboratorët  tanë do të jenë dëshmitarë të madhështisë Tande.

Zemrat e të dënuemëve nga koh’ e dhunëshme, do shkëlqejnë rishtas në strehën Tande.  Atëherë, tue mos pranue tirani të tjera veç atyne të mirësisë Tande, qytetnimi ynë i martirizuem nga urrejtja, nga dhuna e nga paraja, do të lulëzojë përsëri në paqë e në drejtësi.

Ashtu si mugu i dritës bahet agim, e mandej ditë, ban me dashuninë Tande që bijtë e vitit 2000 të lindin në shpresë, të rritën në paqë, të shuhen në dritë, që të të rigjejnë Ty, Zot, Ty që je jeta.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora