E enjte, 28.03.2024, 03:27 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Petraq Risto

E marte, 08.11.2011, 07:57 PM


Petraq Risto

 

Bodleri

 

I sëmurë, me mjegullën përfshirëse të hashashit, engjëll nën lëkurë demoni

Bodleri sheh veten si i vrari vrasësin dhe duket – tavernë nën tym nejloni.

Ju ziliqarë në mes të ferrit: të zinj si qentë në dhomën e Bodlerit

Pse nuk lëvizni, sillni verë, lulëkuqe vere tryezave të çelin...

Ziliqarë në mes të ferrit...

Sot libra janë tryezat e kafeneve me gërvishtjet e thonjve të Bodlerit

Ti mbledhim bashkë gjithë lulet e së keqes nga herbariumet dhembje të mbjellim

Ai i çartur: çmendi me shpirt parajse që gjithë parajsorët pshur me ferr

Me flakët –gjelikuqfrance në çast u ndez shpirtrat, në çast i përmjerr.

Ziliqarë në mes të ferrit...

Le të bie nata e djersitur: Venus i zi mbi drobitjen e Bodlerit

Dhe të gjithë poetët – arratisur të mblidhen rrotull tij në dhomën e hotelit.

Ejani ziliqarë në mes të ferrit: të zinj si qentë në dhomën e Bodlerit

Çdo varg është vragë, mish i sapo çjerrë - mish ngjyrëblu, nuk ka gjak të derdhi...

Ziliqarë në mes të ferrit...

Nuk ka gjak të derdhi, ç’më rrini trëndafilë - jipni gjak

Infermierja Hënë hape pak dritaren, zambakë e tulipanë afroji pak

Afroji pak anijet me bunacë, thuaji një zgalemi t’i fshijë ballin

Dhe ata t’ia marrin shpirtin t’ia çojnë larg, atje ku s’shkojnë dot haudhënësit...

lulëkuqe vere tryezave të çelin...

Lulëkuqe vere tryezave të çelin dhe Parisi të shkëlqejë: kafkë me vrima fyelli

Gjithë dashuritë balsamin le të derdhin, si Sena nën drita të torturohet mendimi

Dhe nëse ka zota, gjithë qiellin ta çjerrin e Bodleri të lind si atdheu nga himni

Bodleri të lind si atdheu nga himni....Bodleri...i mjeri, Bodleri...

Tavernë e boshatisur: bën shenja me tymin.

 

I vetëm në shkretëtirë

 

I vetëm në shkretëtirë me hijen e ngjeshur në shojet e këpucëve: buburrec

Për së gjalli kuptohesh kur qesh, si hije qeshja nuk dallohet

I vetëm në shkretërirë... Hija e vockël grindet me këpucët që e shkelin.

I vetëm në shkretërirë. Një klepsidër më fton në banketin e saj prej rëre

Pi një gllënkë kohë, më thotë dhe qesh, klepsidri me hije në formë karamanjolle.

I vetëm në shkretërirë, në këtë muzg të kaltër: mjekërr beduini

Me ca jehona luftrash ku plumbat nuk janë prej rëre

Një hardhuckë jeshile më thotë: nuk jam ushtar dhe si ushtar bën betimin.

Unë vërtitem dhe shoh pëllëmbët e plasaritura

Shkretërira e etur më sheh: merri sytë e ktheji në puse.

Hija e vockël grindet me këpucët që e shkelin.

I vetëm me një klepsidër që loz me hardhuckën jeshile

Dhe me hijen e ngjeshur nën shojet e këpucëve: buburrec.

Hardhuca diçka thurr për hijen-buburrec

Po buburreci i mençur e lë të zotin, kërcen në klepsidër

Dhe koha ngatërrohet me natën ngjyrëbuburreci.

Për së gjalli kuptohesh kur qesh, si hije qeshja nuk dallohet

Kush je ti më pyet spaleta e shkyer e Hënës

Dhe unë guxoj t’i them: jam ushtar - rob shkretëtire

 

Stuhia

Vendlindjes sime, Durrësit, ia kushtoj.

 

I vetëm ishe mes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat

Dhe unë me fëmijët prisja, pushoni, lusja erërat.

Po erërat nuk ma vinin veshin: po ç’është kjo grua, e marra

dhe retë me gjak rrufesh: lehona të sapo dalë nga barra.

Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.

Lutesha me sy nga qielli, me mua luteshin pulëbardhat

Pulëbardhat që ne ushqenim kur rrjetat hidhte darka...

Fëmijët qanin, oh, lotët, lotët turpërojnë stërkalat

Turpërojnë retë- lehona të sapo dalë nga barra...

Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.

Unë me fëmijët: dukej bregu - gojë me dhëmbë të rënë

Pa velë si kryq ngjante direku, anije pa velë - qiell pa hënë.

Unë qaja, rrotull meje vajtojca qenë pulëbardhat

më vinin pranë, më fshinin lotët: det me fjalë stërkalash.

Ti larg me varkë përmes stuhisë: mushkëri të shkyera – velat.

Luten pulëbardhat përmbi det: priftërinj në pagzimore

Stuhi kryqëzohu në direk, im shoq të mos kryqëzohet!

Meket stuhia, mpihet deti, direkët s’bëjnë kryqëzatë

Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët në direkë të varkës

Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët në direkë të varkës.

Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët: mes detit krijonë velën

Unë që nga bregu shoh llahtarën: merr frymë, nga vdekja del.

Unë me fëmijët: duket bregu - gojë me dhëmbë të rënë

Tashmë s’më ngjan si kryq direku, në qiell rron një hënë.

Njëqind pulëbardha bashkojnë krahët mes detit krijonë velën...

 

Hija më e ndershme se mishi

 

Ky mendim i ngadaltë si zhvleftësimi i të Pavdekshmëve në të Vdekshëm

si kthimi i Hadit në një lum qesharak dhe Karontit: në doganier të tmerrshëm.

Ky mendim i ngadaltë me vetvrasjen – zgjidhje në fund të tunelit

ku pika e dritës përpëlitet – krah fluture në përcëllim. Me shpirt ky mendim.

Dhe ti me mantel të hirtë Demiurgu, me hijen që s’të bindet të vijë në rrëfim

(Hija më e ndershme se mishi). Teh karamanjolle: ky mendim.

I prerë: Engjëll i zi me shpatë argjendi

me brumin e ardhur të mendimit të gatshëm të kthehet në bukë mëshire

ku të uriturit zgjasin duart: bimësi shpellare drejt një pikdrite.

Hija më e ndershme se mishi. Ky mendim vetërrotullues si dallga

arrin bregun me supin e tjetrit dhe ne ndjejmë ofshamën e largët

Ky mendim i gatshëm të ndezë të gjitha shqisat apo të rigojë mbi vlimin

të loz e të tretet në vlim, të lusë hijen të kthehet në mish amëshimi.

Hija më e ndershme se mishi: HIJA ËSHTË MENDIM.

Nëse ky mendim është hije dhe shpirti është hije

dhe ky trëndafil në shkëndijim flijohet në hije

dhe mishi i ndezur në ekstazë

me hijen që s’i bindet të shkoj në rrëfim

lut Demiurgun të gjej shpëtim

nëse nëse nëse...atëherë jemi thjesht: anije në mbytje

anije në mbytje...

Të ngrihet Mendimi!

Ky Mendim i kulluar në sita floriri

sfidues: shkëndijim trëndafilash të kuq

mbi hijen pa shkëndija të trëndafilit.

Demiurgu duhet të vdesë si hija e trëndafilit në çpetalizim

Engjëlli i zi duhet kthyer në hije, Shpata e argjendtë: në dritë

Një Noe i madh të shpëtoj anijen dhe Hija të kthehet në Mish.

Mendimi të vishet me shpirt.

Hija më e ndershme se mishi: HIJA ËSHTË MENDIM.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora