E premte, 29.03.2024, 01:59 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (I)

E hene, 07.11.2011, 08:05 PM


PËRPJEKJET E GAZETËS  “PËRPJEKJA KOSOVARE” NË MËRGIM

 

Organi kryesor i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, bënë përpjekje të shumta për të sensibilizuar situatën e rëndë politike ndaj shqiptarëve në Kosovë

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” ishte organi kryesor i organizatës politike “Lidhja Kosovare”, që botohej në Paris. Numri i saj i parë u botua më 31 maj 1957. Në të kryesisht trajtoheshin tema të ndryshme nga jeta e mërgimtarëve shqiptar, por që kryesisht vinin nga trojet e okupuara shqiptare që kishin ngelur nën okupimin e shtetit të Jugosllavisë. Edhe në vetë gazetën në shumë editoriale dhe në shumë fjalime të udhëheqësve të saj thuhej se qëllimi i botimit të kësaj gazete, ka qenë dhe është që në kancelarit evropiane e botërore të futej dhe të depërtojë çështja e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi dhe okupimi i Kosovës në veçanti.

Numri i parë i gazetës doli më 1957, dhe kryesisht, të gjithë numrat që kam pasur rastin ti shfletojë, janë të shtypura në fletë A-4, dhe nuk bien në sy me ndonjë përgatitje të lartë teknike. Janë të shtypura në makina shkrimi dhe të shaptilografuara në shumë ekzemplar.

Qysh në faqen e parë apo ballinë, bije në sy një hartë e Shqipërisë e copëtuar etnike dhe shqiponja dy krenare. Veç emërtimit “Përpjekja Kosovare” që është një simbolik e llojit të vet, në ballin shkruan edhe “Drejtimi” i saj, se ku botohej kjo gazetë: 85 Rue de la Solidariete Montreuil-sous- Bois Seine- France; 2525 Minesota Avenue, S.E., Washington 20, D.C., U.S. America; dhe Tarlabasi Caddesi 16, Taksim ISTAMUL-TURQUIE.

Nga këto të dhëna del se kjo gazetë është botuar në Francë, në SHBA dhe në Turqi. Ngase edhe Organizata Politike “Lidhja Kosovare”, kishte degët e veta gati në të gjithë globin, aty ku jetonin dhe vepronin mërgimtarët tanë që kishin ikur nga trojet shqiptare që kishin ngelur nën okupimin jugosllav.

 

Përmbajtja e numrit të parë ( I ) të gazetës “Përpjekja Kosovare”

 

Numri i parë ( I ) i gazetës ka gjithsej gjashtë ( 6 ) faqe dhe qysh në fillim vëmendjen të tërheqin shkrimet e shkurtra që trajtojnë tema të ndryshme nga jeta e kosovarëve që jetojnë dhe veprojnë në mërgim. Si një lloj editoriali, gazetës i prinë shkrimi “Thirrje Kosovarëve”, që iu bëhet një  apel të gjithë atyre që të kenë kujdes dhe të jenë vigjilent për çdo ngjarje dhe për çdo dhunë që përdorët ndaj vëllezërve dhe familjarëve të tyre në Kosovë dhe në mënyrën më të shpejt të njoftohen dhe të ngritin zërin kundër padrejtësive të shumta që ndodhin në vendin e tyre prej nga vijnë.

Shkrimet e kësaj gazete, sikurse në të gjitha gazetat ilegale që janë botuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, bie në sy se të gjitha shkrimet janë pa emër të autorit, por është edhe më e çuditshme se këto shkrime nuk kanë as pseudonime, që zakonisht gazetat që botoheshin në ilegalitet të thellë brenda vendit ato i kishin dhe herë-herë në disa gazeta të tjera shkruheshin vetëm nismëtoret e emrit e të mbiemrit.

 

Thirrje Kosovarëve

 

Shkrimi i parë “Thirrje kosovarëve”, fillon:

Kosovarë,

Ndjekjet dhe gjyqet që u banë në Kosovë vitin që kaloi, i rrëfyen edhe njëherë botës se në Jugosllavi gjendet gjysma e tokës dhe e popullit shqiptarë. Një popull që dallohet nga gjuha, zakonet dhe historia, nuk mund të shkrihen në kazanin e një kombi të huaj për shkak të traktateve  të padrejta, prandaj qon zërin për me kërkua drejtësi kundër përjetësimit të shtypjeve. Por, “Drejtësia” që i fali regjimi komunist Kosovës, u pa në sallën e gjyqeve të Prishtinës, të Shkupit dhe të Prizrenit, ku u dënuan si fajtorë pse ishin shqiptarë[1] thuhej në editorial.

Në vazhdim të shkrimit thuhej se këto dënime ishin shumë të rëndësishme ngase dëshmuan edhe njëherë  se regjimi komunist i Jugosllavisë dhe ai i Shqipërisë nuk janë kundër njëri tjetrit sa herë që vriten,  dënohen ose nxirren jashtë kosovaret nga trualli i tyre.

Artikullshkruesi dëshmon se mu kjo kohë na bënë të vetëdijshëm se ne si demokrat që jemi duhet të angazhohemi me mish e me shpirt për ti dal zot tokës së robëruar dhe vëllezërve tanë që bëjnë jetë prej robi në Jugosllavi.

Po ashtu mu në këtë kohë filluam të mendojmë se në qoftëse përpjekja për Kosovën  është detyrë e të gjithë shqiptarëve, kjo detyrë u përket së pari kosovarëve. Prandaj, filluam të kërkojmë njëri tjetrin në mërgim, të bashkohemi dhe ti vihemi punës për me u bë edhe na, më të organizuar detyrën tonë[2] thuhej më tej.

Suksesi dhe nderi që pat “Lidhja Kosovare” me u pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane”, është hapi më i rëndësishëm  që është bë deri më tani. Tani e mbrapa duhet ti bëjmë më të dendura përpjekjet tona me mbledhje, me shtyp, me gojë, në çdo rast duhet qua zërin e Kosovës Shqiptare.

Në shkrim jepen edhe qëllimet që janë paraparë të përfshihen në statutin e kësaj organizate:

1. Me i bashkua kosovaret në mërgim dhe me i rëndua përpjekjet e tyre duke pasur parasysh mbrojtjen e të drejtave të Kosovës.

2. Me i dhënë mbrojtje qëndresës  së grumbullit etnik shqiptar në Jugosllavi kundër shtypjeve të autoriteteve jugosllave, kështu që të mundin me e ruajt dhe me e mbrojt të drejtat fillestare duke shpresua në një ndryshim të fatit të tanishëm të tyre.

3. Me e lajmërua botën e lirë për padrejtësitë, shtypjet, dallimet që po pëson populli shqiptarë në Jugosllavi.

4. Me luftua për çlirimin e Kosovës, domethënë për zbatimin e vetëvendosjes së popujve  sipas frymës së Kartës së Atlantikut dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

5. Me luftua që Kombi Shqiptar, i liruam dhe i bashkuam, të gjejë pavarësinë  e tij nën një regjim  demokratik të zgjedhur lirisht dhe të bëhej faktor paqe në Ballkan në bashkëpunim të harmonishëm me shtetet fqinje.

Dhe krejt në fund autori e mbyll shkrimin po me të njëjtën thirrje që e bënë edhe në fillim:

Kosovar,

Në një kohë kur qeveria e Beogradit fletë me aq guxim në favor të lirisë së popujve të kolonizuam  të Afrikës dhe të Azisë, kishte me qenë një dobësi për ne mos me e qua zërin e me i thënë pa frikë Evropës se Kosova nuk ka dashur dhe as nuk donë në asnjë mënyrë të jetë koloni  e Jugosllavisë. Duke kërkua të drejtat tona me këmbëngulje dhe pa u zmbrapsur para asnjë pengese, kemi arsye me shpresua që një ditë Kombi Shqiptar të bëhej një, i lirë dhe vet sundues. Ky shkrim mban firmën e Komiteti “Lidhja Kosovare”


Çështja e Kosovës prezantohet në Kongresin e 7-të të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane

 

Në faqet e gazetës, në numrin e parë, rëndësi e veçanti iu kushtua mbajtjes së Kongresit të shtatë të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, dhe ndër qëllimet e para që i kishte para vetes  Lidhja Kosovare, ishte, që kjo organizatë politike të pranohej në radhët e saja. Ky kongres sipas të dhënave që na iu ofron kjo gazetë, thuhej se  u mbajt në qytetin Westerland të Gjermanisë Perëndimore, më 6- 8 qershor të këtij viti (1957). Në këtë kongres, njoftohej opinioni i gjerë se do të marri pjesë edhe një përfaqësues i Komitetit nga ”Lidhja Kosovare”, që në të njëjtën kohë do të paraqitet para të pranishmëve, dhe do të flasë për gjendjen dhe çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i “Lidhjes Kosovare”, që do të paraqes referatin kishte përgatitur një raport të gjithanshëm dhe me hollësi e të dhëna të dokumentuara do të vë në spikamë padrejtësitë e shqiptarëve  si edhe qëllimet që kishin pushtetarët serbë në Kosovë. Ky raport sipas Komitetit të Lidhjes Kosovare, nuk do ti paraqitet vetëm Kongresit, por do t’iu dërgohet edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuar, Këshillit të Lëvizjes  Evropiane, Qeverive të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës, si dhe shumë organizatave politike dhe instituteve shkencore dhe kulturore[3], në gjithë botën.


Trajtimi i popullsisë shqiptare në Jugosllavi

 

Komiteti i Lidhjes Kosovare, në faqet e organit të saj: “Përpjekja Kosovare”, bënë një analizë të popullsisë shqiptare në Jugosllavi duke dëshmuar se gjatë kohës së monarkisë serbe nuk kishte ndonjë statistikë të saktë. Shifrat e botuara  atëherë mezi kalonin gjysmë milioni për këtë popullatë.

Ndërsa, në regjistrimin e popullsisë që u bë në kohën e regjimit të Titos, më 1948, Kosova del me një popullsisë 750.000 shqiptarësh. Ndërsa nga ana tjetër pakica turke kishte vetëm 50.000 mijë veta.

Më 1953, një tjetër statistikë qeveritare rrëfente se mbas pesë vitesh 750.000 mijë shqiptar ishin shtua vetëm me 12.000 veta, kurse 50.000 turqit ishin shtua me 200.000 veta dhe numëronin mbi 250.000 veta.

Krahasuar këto dy regjistrime të popullsisë, statistikat janë alarmante, ngase numri i popullsisë në aspektin kombëtar ndryshon dukshëm në Jugosllavi: Duke e ditur se 50.000 turq nuk mund të shtohen  e të bëhen 250.000 për 5 vjet, është e çart se ky numër i popullsisë është shqiptarë të cilët ishin shtuar arbitrarisht në pakicë turke, e cila me shqiptarët  ka të përbashkët vetëm besimin dhe jo kombësinë.

Popullata shqiptare në Jugosllavi, pra i kalon një milion vet dhe, është pothuajse sa gjysma e Shqipërisë Etnike në përgjithësi. Asnjë komb  në Evropë nuk ka pasur fatin e keq të ndahet për gjysmë si u ndanë shqiptarët më 1913.[4] Vlen të përmendet se qysh më 1957, mërgata shqiptare kishte hetua rrezikun nga pushtetarët serb dhe kishte kuptua qysh me kohë dredhitë që iu bëheshin shqiptarëve për ti regjistruar sa më shumë turq e më vonë për ti shpërngulur nga trojet e veta.

 

Angazhimi i Këshillit Evropian për të drejtat e pakicave

 

Duke i parë padrejtësitë e shumta që bëheshin ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke i pasur në tavolinat e kancelarive botërore ankesat e vazhdueshme nga mërgata shqiptare. Me 30 prill, 1957, Komisioni i Çështjeve Juridike  dhe Administrative  të Këshillit të Evropës, kishte vendosur që të caktoj një Nën komision të ngarkuar special për problemet e Pakicave Kombëtare Evropiane.

Si anëtarë të këtij nën komisioni ishin emëruar përfaqësues të Këshillit të Evropës si: Z. Henri Rolin (Belgjikë), Kryetar u caktua Z. Fr. Bennet (Angi), Z. Flanagan (Irland), Z. Hermann Kopf (Republika Federale Gjermane), Z. Hermond Lannung (Danimark), dhe Z. Lujo Tonçiç (Austri). Me kalimin e viteve, ky komision kishte luajtur një rol të madh për sensibilizimin dhe deri diku kishte ndikua dukshëm në situatën e rënduar në Jugosllavi ndaj pakicave në përgjithësi, por, ndaj asaj shqiptare në veçanti.

 

Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” në vitet 1956-1957 në faqet e saja rëndësi të madhe i kushtoi presionit dhe shpërnguljes së madhe të shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Më 1957, në një artikull kushtuar shpërnguljeve, në mes tjerash shkruan se: Ndjekjet e filluara qysh në vitin e kaluar (1956), në Kosovë kanë pas për qëllim  jo vetëm që ti shtypin ndjenjat e shqiptarëve  për liri, por edhe ta mërzisin aq shumë popullsinë shqiptare në Jugosllavi deri sa ta detyrojnë që ajo të lë vendin dhe tokën e vet dhe të ik e të emigroi në Turqi[5] dhe në vende tjera të botës.

Duke shtuar më tej, thuhej se “Ky emigrim, sipas lajmeve që kishte Komiteti i Lidhjes Kosovare, ishte bë i mundshëm sipas një marrëveshjeje me gojë në mes Qeverisë së Beogradit dhe të asaj të Ankarasë. Sipas kësaj marrëveshjeje, nënshtetasit jugosllavë të kombësisë turke kishin liri dhe përkrahje  për të emigruar në Turqi. Duke u nisur nga vet statistikat e qeverisë Jugosllave, më 1948 e nxirrte pakicën turke  jo më shumë se 50.000 mijë, më 1953 kjo shifër u rrit si për çudi dhe u numëronte mbi 250.000 mijë banor.

Nga këto të dhëna del se me një politikë perfide, Beogradi në radhët e turqve kishte futur edhe 200.000 mijë shqiptar, që i paraqiti si turq[6], dhe epilogu dihej se ajo ishte e interesuar në mënyrë institucionale ta zbrazte Kosovën dhe tokat tjera shqiptare nga popullata shqiptare. Dhe të dhënat e më vonshme thonë se për çdo ditë e më shumë shtohej popullata turke dhe zvogëlohej ajo shqiptare. Ajo që i shtynte shqiptarët që të deklaroheshin si turq ishte presioni i vazhdueshëm shtetëror që ushtrohej në mënyrë sistematike ndaj tyre, andaj ata ishin të detyruar që të merrnin rrugën e mërgimit për Turqi, të cilët ishin të detyruar të lënë vendin, tokën dhe tërë pasurin që kishin, vetëm e vetëm për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, vetë jetën.

Me këtë rast, “Lidhja Kosovare” duke e parë se po zbrazej Kosova, kishte marr disa nisma. Anëtarët e saj, nëpër mes miqve iu kishin shpjegua Qeverisë Turke çështjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Por edhe nga ana tjetër, kishin porositur kosovaret që mos të shpërngulën nga tokat e tyre, ngase në këtë mënyrë po iu lehtësohej Beogradit puna që të bënte pastrimin etnik të tokave shqiptare. Komiteti në mënyra të ndryshme porosiste bashkëkombësit e vet, që të qëndrojnë të pa përkulur në tokat e veta dhe të rezistojnë, se zbrazja e Kosovës në një mënyrë është vdekja e gjysmës së Shqipërisë[7] porosiste mërgata shqiptare.

 

Një shpallje e panjohur e Ministrisë së Punëve të Brendshme Turke për popullatën shqiptare

 

Në Kosovë, shumë pakë ka qenë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme Turke ka shpallur një njoftim  se ata nuk kanë qenë të informuar se të shpërngulurit që vinë nga Kosova, nuk janë turq. Pas informatave që marrin nga Komiteti i Lidhjes Kosovare, ministria informon opinionin se të gjithë ata persona që vijnë në Turqi, porse nuk dinë të flasin gjuhën turke, dhe nuk janë turq,  do të kthehen nga kanë ardhur. Dhe të gjithë ata që kanë dokumente false, do të kthehen në Jugosllavi[8]. Këtë informatë të rëndësishme, shtypi shqiptar në Kosovë dhe në Jugosllavi nuk e ka botuar dhe nuk e kanë dhënë as një agjenci për informim në Jugosllavi, porse Komiteti i Lidhjes Kosovare e ka pritë me gëzim dhe nëpër mes kanaleve të saja e vërteta ka depërtuar edhe në Kosovë.

 

Prezantimi i të dënuarve politik shqiptarë në Jugosllavi

 

Gjatë tërë kohës sa ishte Kosova e okupuar, Komiteti i Lidhjes Kosovare ishte i angazhuar që opinionin e gjerë botëror të njoftonte me padrejtësitë e shumta që iu bëhen shqiptarëve nga ana e Jugosllavisë. Në mesin e shumë informacioneve që i kishte grumbullua Komiteti në mesin e tyre ishte edhe ajo se të gjithë djemtë shqiptarë të dënuar politik  në gjykatat e Prishtinës, Shkupit e të Prizrenit, mbahen nëpër burgjet  më të rënda që ekzistojnë në Jugosllavi. Ato janë të errëta, kanë lagështi të madhe, të burgosurit ushqehen vetëm me pak bukë bajate dhe me ujë. Në këtë gjendje të mjerë që ndodhen, ata vazhdimisht torturohen, rrahën e përbuzën nga gardianet duke iu thënë: Ju doni ta ndani Kosovën nga Jugosllavia; Ju doni ta bëni Shqipërinë e Madhe; Ju doni ta kremtoni 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë Shqiptare, në vend që të kremtoni 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të Jugosllavisë; Ju kërkoni demokracinë shqiptare, në vend të komunizmit tonë[9] e shumë e shumë fjalë të tjera.

 

Shkollimi i shqiptarëve frikëson Beogradin

 

Duke e parë Beogradi se, nga kuadri arsimor dhe nëpër shkolla bëhej rezistenca më e madhe ndaj pushtuesve, ata kishin vendosur që nëpër shkolla të sjellin dhe të vendosin për drejtorë të tyre kuadër serb nga Beogradi e Serbia. Me të madhe kishte fillua një propagandë që fëmijët shqiptar, kishte qenë shumë më mirë të vazhdonin shkollat për zeje të ndryshme se sa të shkolloheshin e të vazhdonin shkollimin superior në fakultetet të ndryshme në vend.

Qeveria e Beogradit, shkruan “Përpjekja Kosovare” shihte me ankth se shpirti i lirisë që kishte fillua të shfaqej nëpër shkollat e Polonisë e të Hungarisë, kishte fillua që të hidhte shtat edhe në shkollat ku mësonin shqiptarët e që kishin vazhdimisht presion nga dominimi serb[10] e ajo nga kjo situatë që u manifestonte në këtë shtete u frikësonte tej mase.

 

Shtypi i diasporës lëvdon Komitetin”Lidhja Kosovare”

 

Shtypi shqiptarë që botohej nga mërgata shqiptare lëvdonte Komitetin e Lidhjes Kosovare. Gazeta “Dielli”, organ i kolonisë Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gazeta “Besa”, organ i Shqiptarëve të Turqisë, si dhe gazeta “Flamuri”, organi i Ballit Kombëtar, kanë dhënë shumë fjalë të mira dhe lëvdata për Komitetin “Lidhja Kosovare” si dhe për sukseset e mëdha që pat duke u pranua unanimisht si anëtare në Organizatën ndërkombëtare të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane[11].

 

Armiqtë e shqiptarëve përkrahin Beogradin

 

Shpesh gjatë historisë ka ndodhur që armiqtë e një kombi përkrahin të tretin vetëm e vetëm për të qenë më të përbashkët në qëllimet e errëta ndaj një kombi tjetër. Kështu ndodhi edhe në mes serbëve dhe grekëve kur mendonin se shqiptarët i kishin armik të tyre të përbashkët.  Një fletore qesharake e quajtur “Vorioipirotikos Agon” ( Lufta Vorioepirote), që botohej e shpërndahej nga agjentët grekë të ushqyer dhe të mbajtur nga “Megalo idhea” dhe nga drahmit e Athinës dhe nuk pushon së kërkuari copëtimin e Shqipërisë, flet për fjalimet dhe deklaratat e bëra në Kongresin e Ballit Kombëtar, në Napoli, të 10 marsit, 1957, dhe zënë me gojë kërkesat tona për sa i përket Kosovës, tokë shqiptare dhe e banuar prej Shqiptarësh[12].

Organi i agjentëve  grekë është skandalizuar për kërkesat tona të ligjshme duke harrua se ata vetë nuk pushojnë së zbuluari kudo “pakica” greke dhe kërkojnë t’ia ngjisin “atdheut- nënë”.

 

Vazhdon informimin e denjë “Përpjekja Kosovare” nr. 3

 

Organi i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, nr. 3, sikurse edhe numrat e mëparshëm të saj edhe më tej kishte vazhdua traditën për të informuar në mënyrën më të drejtë botën e qytetëruar për politikën e dhunës që përdorej nga pushteti ndaj popullatës shqiptare si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në tokat tjera shqiptare.

“Përpjekja Kosovare” nr. 3, po ashtu ka të njëjtin format, A-4, sikurse që kishin numrat e mëparshëm të saja. Në këtë numër, vërehej vetëm një dallim, se kopertinat e numrit 3, kanë ngjyrën vjollce të mbylltë dhe vazhdon të trajton tema të ndryshme me karakter kombëtare. Sipas të dhënave që na ofrohen nga  organi i organizatës politike, thuhej se është i botuar në Paris, me 28.11. 1957, dhe ende llogaritet se është viti i parë i botimit .

Po ashtu edhe ky numër fillon me një letër drejtuar të gjithë kosovarëve brenda e jashtë atdheut.

Në shkrimin “Letër Kosovarëve”, po ashtu është pa emër të autorit, pa  pseudonim, por në të shkruhet: Kosovarë, sot mbushën plot 45 vjet që u ngrit në Vlorë, Flamuri i Shqipërisë. Në Kuvendin e popullit shqiptar që vendosi Lirinë e Pavarësinë e Kombit tonë. Murrën pjesë atë ditë edhe përfaqësuesit e Kosovës. E përfaqësoi Shqipërinë Etnike i biri i Abdyl Frashërit, punëtori i aftë i Atdheut, Midhat Frashëri, mori pjesë Rexhep Mitrovica, ngau me vullnetar Kosovarë Isa Boletini. Kosova nuk mund të rrinte larg Ditës së Flamurit, sepse qe ajo që në fillim të këtij shekulli, me kryengritjen e Mitrovicës, të Ferizajt, të Prishtinës, të Shkupit, bëni të ndihej në botë, me zë armësh e drejta e kombit shqiptar. Me sulmet e Bajram Currit e të Isa Boletinit u arri, më 1912 ke autonomia e pikave të Junikut, që kërkuan dhe shënuan njohjen e Kombit Shqiptar. Mirëpo fati i keq i Shqipërisë e deshi që bash Kosovës, e cila kishte derdhë gjakun ma të shumtë për liri të saj, t’i falesh nga Evropa, një vjet më vonë, fqinjit të veriut, pa pyet dëshirat tona, pa marr parasysh vullnetin tonë, pa shikua se me gjuhë e zakone e histori ishin pjesë e pandarë e Atdheut të humbur[13] thuhej në letrën drejtuar kosovarëve.

Më vonë artikullshkruesi vazhdon: Kosovar, kanë kalua 44 vjet nga copëtimi i Kombit tonë edhe na ende jemi besnikët e Vendit tonë. Gjithnjë punojmë, gjithnjë luftojmë kundër padrejtësisë, gjithnjë shpresojmë për më të mirën.[14] Për të vazhduar se “po të mos ishte kështu, nuk do të derdhesh gjaku i Kosovës nëpër zagnat e lirisë shqiptare. Nuk do të dalshin dëshmorët e kohës sonë për me pohua shqiptarësinë e saj. Po të mos ishte kështu, gjyqi i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit nuk do i dënonte në vitin e kaluar, djelmoshat guximtar të Kosovës pse kremtuan në robëri Ditën e Flamurit, pse ëndërruan lirinë si ushtarët e një atdheut. Se, kohën në të cilën po jetojmë na rrëfen gjithnjë se robëria nuk mund të përjetësohet mbi kryet e një populli të gjallë e të vendosur, se të drejtat fitohen me punë dhe me qëndresë. Për këtë ka dalë Komiteti “Lidhja Kosovare”. Për ti kujtua botës se kemi një Atdhe, një Flamur. Rroftë Shqipëria[15], dhe shkrimi mbante firmën e  Kryetarit tëi Komitetit “Lidhja Kosovare”, Dr. Nexhat Mitrovica.

 

Informim i denjë për çdo gjë në Kosovë

 

Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, lexuesit njoftoheshin për çdo gjë, po them kështu, ngase lexuesi njoftohej për gjerat e rëndësishme që mund të vinin deri tek informatat e sakta, por që në të njëjtën kohë ishin edhe tejet të trishtuara.

Në një faqe të gazetës, në shkrimin “Lirimi nga burg”, shkruhej për të burgosurit politik, anëtarët e “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, të dënuar në Shkup më 1949, të cilët ishin lirua nga burgu me urdhër të autoriteteve maqedone. Porse të gjithë këta pas daljes nga burgu, kishin ngelur të pa punë dhe në vështirësi të mëdha përball jetës.[16]  Ky shkrim ishte i shkurtër por me shumë simbolik, ngase njoftoheshin organizatat ndërkombëtare, se shqiptaret edhe pse për veprën e kryer ndëshkoheshin me shumë vite burgu, megjithatë kjo për pushtetin jugosllav nuk mjaftonte, porse pas daljes nga burgu për të burgosurit politik shqiptar ndëshkimi vazhdonte edhe më i rreptë, por edhe më i rëndë. E vështirë ishte për ata të burgosur jashtë qelive të burgut ngase për ta nuk gjendej askund ndonjë vend pune, që ata bile për vete dhe për familjen e ngush të tyre të siguronin ekzistencën. E kjo në vendet e civilizuara nuk ndodhte kështu.

 

Dalja nga burgu me kusht

 

Ndodhte në të shumtën e rasteve që të burgosurve politik shqiptar, daljen nga burgu iu kushtëzonin me plotësimin e kushteve të ndryshme, që për të burgosurit politik shqiptar ishin të pa pranueshme. Shpesh më ka rënë të lexoja në dosjet e ndryshme të të burgosurve, se si organet e ndjekjes atyre personave iu bënin shantazhe, iu bënin presione duke përdorur dhunën në skajshmëri, por edhe duke iu vënë këso kushtesh siç shkruan edhe kjo gazetë.

Në shkrimin “Lirimi me kusht”, ceket se “Autoritetet Jugosllave të Kosovës kanë lajmua të gjithë të dënuarit e vitit të kaluar nëpër qytetet e ndryshme se të gjithë ata nacionalist që do të kërkonin emigrimin për në Turqi, kanë me u lirua menjëherë nga burgu. Të rinjtë  shqiptar që ndodheshin në burgje anë e këndë Jugosllavisë, këtij kushti iu janë përgjigjur se pëlqejnë më shumë burgun se sa dheun e huaj sado mirëpritës[17] që janë, shkruan gazeta.

 

“Vetëvrasjet” e shpeshta në burgjet e Jugosllavisë

 

Në gazetë shkruhet edhe për “vetëvrasjet”, që viteve të fundit filluan të manifestohen si dukuri në burgjet jugosllave. Vetëm se shtrohet pyetja athua vallë, sa vërtet këto vrasje mund të quheshin “vetëvrasje” siç i quanin pushtetarët apo ndodhte e kundërta. Në burgjet jugosllave dihej se deri në ditët e fundit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë është punuar në mënyrë institucionale me elaboratet e Vasa Çubrilloviqit. Sa më shumë shqiptar të vdekur aq më i madh do të jetë patriotizmi ndaj atdheut, thoshin pushtetarët serb. Siç dihej, shqiptaret e burgosur politikisht në burgjet jugosllave edhe pse si popull për nga numri ishim populli i tretë, në burgjet jugosllave ishin shumicë, dhe mu nga ky fakt dëshmohet se shumë nga ata nuk arrinin që deri në fund të mbanin burgun, disa i paraqitnin si të sëmurë rëndë dhe “vdisnin” nga disa s’mundje që kurrë nuk ishte dëgjuar për to. E disa nga ata i mbytnin me dajak ose i helmonin në burg e më vonë i shpallnin si të “vetëvrarë”, e populli liridashës me kohë e kishte kuptuar lojën e tyre, dhe nuk iu besonte broçkullave të tyre.

Për një rast nga mesi i shumë rasteve të tilla shkruante dhe njoftonte opinionin e gjerë edhe gazeta “Përpjekja Kosovare” me shkrimin                  “Vetëvrasje dëshpërimi”. Autori në këtë shkrim shkruante për një toger, Rexhep Mitrovica, që kishte përkrahur “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare”, ai kishte qenë thjesht një njeriu i mashtruar si shumë të tjerë nga propaganda serbe e jugosllave se do ti jepej liria  Kosovës, sipas parimeve  të Leninit, ai ishte i dëshpëruar dhe kishte vrarë veten në burgun e Tetovës. Në një letër të shkrua ai kishte rrëfyer gjithë deziluzionin e vet për regjimin komunist në Jugosllavi, duke thënë se i jepte fund jetës, për me e ndëshkua veten, se kishte përkrah një “Lëvizje“ që punoi kundër shqiptarëve,[18] shkruan në letrën e Rexhep Mitrovicës.

 

Ikja e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri

 

Shtypi i mërgatës në vazhdim i kushton rëndësi të madhe largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre. Veç që në vitet 1953/56, me që ishte e intensifikuar shpërngulja për Turqi, në vitet në vijim vërehej edhe një ikje nga shqiptarët e Kosovës e sidomos të zonave kufitare që arratiseshin edhe për Shqipëri.

“Të rrejtur nga fjalimi i Enver Hoxhës, Sekretarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili me vonesë dhe me interesa ruse, qoi zanin  para disa kohe për me e mbrojt Kosovën e kosovaret nga shtypja e regjimit  të Titos, disa të rinj janë arratisë nga Kosova dhe kanë hy në Shqipëri.

Në mesin e tyre të ikurve kishte kalua fshehurazi kufirin edhe një redaktor i gazetës në gjuhën shqipe “Flaka e vëllazërimit” që delte në Shkup. Ky kishte marr arratinë ashk me motrën dhe të vëllanë që të dy arsimtar[19], shkruan në shkrimin “Arratisje prej Kosove në Shqipëri”

 

Të gjithë kundër shpërnguljes për Turqi

 

Gjatë viteve të egra nën pushtimin jugosllav dhe gjatë kohës së shpërnguljeve të mëdha për Turqi, atdhetaret e shumtë dhe intelektualët e pakt që ishin në atë kohë, ishin të organizuar dhe kishin marr hapa konkret që në një mënyrë apo tjetër të ndikonin që të ndalnin shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta. Armiku kishte intensifikuar në mënyrë të organizuar që tek popullata shqiptare të ndikonte në çdo mënyrë dhe të përdorte çfarëdo mjeti që sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga Kosova duke aplikuar metoda të ndryshme dhune e terrori. Jo rastësisht mu në këto vite u shpik aksioni i mbledhjes së armëve nga organet e sigurimit, pastaj u mbajtën shumë procese të montuara politike gjyqësore, dhe në fund u ripërtëri marrëveshja  për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Atdhetaret duke e parë se vendi po zbrazej nga popullata, ata morën shumë aksione për ta ndalua këtë lum të gjatë të ikjes. Gazeta “Përpjekja Kosovare”, shkruan në numrin 3, të saj se “Në çdo qytet e katund  të Kosovës janë ngarkua njerëz që të ndalojnë emigrimin e kosovarëve për në vende të tjera, duke iu dhënë zemër popullit me qëndrua  e me durua të gjitha vuajtjet dhe persekutimet”[20] shkruan gazeta.

 

Ndërpritet hovi i shpërnguljes

 

Pas alarmimit që bënë mërgata shqiptare në qarqet ndërkombëtare, dhe pas ankesës që bëhej nga ana e tyre në Ministrin e Punëve të Brendshme në Turqi, pushtetarët turk pas këtij reagimi, filluan të kenë më tepër kujdes se kush shpërngulej dhe kush shkonte në Turqi. Ajo me të madhe pas kësaj filloi të ketë kujdes ndaj shqiptarëve dhe paraqiti disa kushte për ata që donin që të shpërnguleshin. Dhe me kohë, filloi qeveria Turke që të zvogëloi numrin e dhënies së vizave për në Turqi. Gazeta “Përpjekja Kosovare “ në artikullin “Konsullata Turke në Jugosllavi nuk u jep viza Kosovarëve” shkruan se “ Në kohët e fundit, konsullata turke në Beograd e në Shkup, sipas udhëzimeve të qeverisë së tyre, nuk iu japin viza kosovarëve edhe kur paraqiten me formalitete të kryera. Tash konsullatat bëjnë vet hetimet, u kërkojnë dokumentet e vjetra të tyre, i provojnë nëse e dinë gjuhën turqishte, e të tjera. Ata që ishin përgatit që të niseshin kanë fillua të thonë se po i gjen belaja e vitit 1936. Atëherë disa kishin shitë pasurinë e tyre në Kosovë, por në vend që të shkonin në Turqi, ngelën në vend, mbasi Ataturku largpamës, e prishi marrëveshjen Stojadinoviq-Aras. Edhe autoritetet jugosllave  nuk janë duke i ndihmua e shty më Kosovaret për me ndërrua kombësinë. Kanë kuptuar ata se edhe kosovaret nuk janë të interesuar me u largua nga toka e trashëguar[21] shkruan në tekstin e gazetës.

 



[1] Thirrje kosovarëvet, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 2. 1957. Washington, SHBA

[2] Po aty.

[3] Kongresi i 7-të i Bashkimit Federalist të Komuniteteve  Etnike Evropiane, Përpjekja Kosovare,nr. 1. f. 3.1957.

[4] Rëndësia e pakicës shqiptare në Jugosllavi, Përpjekja Kosovare, nr. 1, f. 4, 1957

[5] Shpërngulja e kosovarëve për Turqi, Përpjekja Kosovare, nr. 1, 4. 1957

[6] Po aty.

[7] Po aty.

[8] Një shpallje e Ministrisë së Brendshme te Turqisë, Përpjekja Kosovare, nr. 1. 5.1957

[9] Jeta e Kosovarëve të dënuar, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 5. viti 1957.

[10] Zgjimi arsimor në Kosovë frikëson Beogradin, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f.

[11] Gazetat shqiptare përjashta lavdojn Komitetin”Lidhja Kosovare”, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 6. 1957

[12] Agjentët e imperializmit grek mbrojnë imperializmin komunist të Beligradit, Përpjekja kosovare, nr. 1. f .6, 1957.

[13] Letër Kosvarëve, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f.1. 1957, Paris

[14] Po aty.

[15] Po aty,

[16] Lirimi nga burgu, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 2. 1957, Paris

[17] Lirime me kusht, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f.2. 1957, Paris.

[18] Vetëvrasje dëshprimi, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 3. 1957. Paris.

[19] Arratisje prej Kosove në Shqipëri”, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 3. 1957. Paris

[20] Propagandë për qëndrim në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 3, f. 3. 1957. Paris

[21] Konsullatat turke në Jugosllavi nuk u japin viza kosovarëve, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 4. 1957, Paris



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja atdhetare në Anamoravë dhe poeti Beqir Musliu Sabile Keçmezi-Basha: Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës ''Shqypeja e Shqypenis'' Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990) Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora