E merkure, 24.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Treneqët

E hene, 07.11.2011, 08:57 PM


Sami  ISLAMI

 

TRENEQËT

 

(Sipas një ngjarje të vërtetë)

 

Atë mëngjes pranvere Alushi ishte zgju më heret. Kishte dalë në oborr dhe po kqyrte shtëpinë e tij përdhese me tjegulla të vjetra, të cilat vende-vende (me gjasë nga pesha e madhe e tjegullave)  ishte deformu edhe pullazi. Ai po endej nëpër oborr, po mendjen e kishte tek gruaja, e cila   po priste fëmijën e shtatë!..

 

   Shtëpia e Alushit i kishte dy dhoma të vogla një korridor dhe një kuzhinë të vogël. Një nga  të dy dhomat ishte për  Alushin,  gruan e tij dhe për vajzën e vogël dy vjeçare, kurse tjetra për pesë vjazat e tjera. Këtë mëngjes gruaja  ishte zgju  me dhembje të herëpashershme të lindjes. Alushi pas pak hyri prapë  në dhomë dhe e pyeti gruan:

-Hë, si je tash?

-Nuk jam mirë Alush, shko e thirre  hallën Minë menjëherë!

 

Alushi  nuk bëri as një as dy por me nxitim doli  dhe u nis për te shtëpia e hallës Minë, cila ishte mejnëherë matanë rrugës kryesore. E hapi derën dhe e pa atë  në oborr. Qëlloi që edhe ajo të ishte jashtë. Ajo zakonisht zgjohej shumë heret dhe kur e pa Alushin në derë në atë mëngjes të hershëm (nuk kishte ndodhë që Alushi të vinte aq heret tek ata) e pyeti bile as pa u përshedetë:

-Hë Alush, çka kemi?

-Gruja po më lind!- sikur tha me një ndruajtje dhe ende pa e mbaru mirë  fjalën ajo ia ktheu:

- E mora me mend, po ti nisu se erdha menjëherë !

Halla Minë ishte një grua  fisnike dhe e zonja. Edhe pse ishte bukur në moshë,  ajo ende  punonte në shtëpi  dhe kur ishte nevoja u ndihmonte grave  në punën e mamisë, prandaj e thirrnin kudo në lagje. Ishte imcake por e shkathtë.  Ajo shpejt e shpejt shkoi te shëpia e  Alushit dhe hyri mbrenda në dhomë ku ishte gruaja e  tij.

 Alushi  vazhdoi të qëndronte në oborr. E ndezi edhe një cigare  dhe  duke e thithë thellë  tymin  e saj mendonte “Ishalla shpëton gruaja” ! Dhe s’kishte faj i shkreti, se kishte dëgju disa herë se,”secila  lindje mundet me e çu gruen në prag të vdekjes!” Po dëshira e madhe për me pasë një djalë, sikur  ia ndërroi  mendjen: “Ah, sikur të jetë  djalë”! Shpija  do të më bahet me trashëgimtar dhe vjazat do të bahen me vëlla!”-mendoi në atë çast.  

 Fëmijët ende ishin në gjumë në dhomën tjetër. Alushi vazhdonte të endej nëpër oborr poshtë e lart, si terzia pa  pej, si thonë. Fundja edhe s’kishte çfarë të bënte tjetër. Ai vetëm priste se çfarë lajmi do t’i jepte halla Minë. Vargun e mendimeve ia preu një e qarë fëmije, që  erdhi nga dritarja e vogël gjysëm e hapur. Ky zë sikur e zgjoi nga një ëndërr.  “Me duket se lindi!” – mendoi. Një ndjenjë gëzimi dhe shqetësimi ia përshkoi trupin. Nuk i bënin këmbët të afrohej te dritarja e ta pyste  hallën Minë si ishte gruaja dhe  nëse kishte lindë djalë apo vajzë? Fëmija  filloi të qante edhe më shumë. Halla Minë nuk po lajmëronte asgjë. “Ndoshta ende asht e zanë me beben dhe ka “harru” me më marrë myzhde”!  -mendoi.  Priti edhe pak dhe më në fund,   si me ndruajtje u afrua te dritarja që ishte pak e hapur dhe e pyti:

-A po  na gëzon apo jo?

Ajo  nga mbrenda, ende pa e pa Alushin fare, iu përgjigj:

-Po qysh jo! Po ju gëzoj me një vajzë të shëdoshë dhe të bukur!

-Prapë vjazë a? –tha Alushi , dhe gëzimi  iu pre në buzë. “M’u banë shtatë  vajza, pa asnjë djalë!”  Nuk foli më asnjë fjalë. Në këtë kohë ishin zgju edhe vajzat tjera. Posa e kuptuan ato se nëna e tyre kishte lindë prapë vjazë, as ato nuk  dhanë shenja gëzimi.  Por, nuk u gëzua  as gruaja e shkretë, e cila i  kishte “harru”   edhe dhimbjet e lindjes. “E nuk thonë kot se kur lindë vajzë qajnë edhe trajtë e shpisë” -iu kujtua një thënie e vjetër.  E shkreta  edhe në këto çaste mendjen e kishte te i shoqi, të cilin s’pati mundësi ta gëzonte me një  djalë. I vinte keq edhe për vajzat, sikur kjo vetë të ishte “fajtore” se kishte lindë prapë vajzë.

-Këto janë punë të Zotit. Ai e di se çka jep,  djalë apo çikë!- tha halla Minë kur doli në korridor dhe  po bisedonte me Alushin.       -Çika ishte  e shëndoshë  dhe e bukur  si pëllumbeshë!

Pas këtyre fjalëve halla la shtëpinë e Alushit. Ngutej se kishte edhe punë  të tjera në shtëpi të saj.  Në ndërkohë në shtëpi kishin ardhë edhe  Zyrafetja dhe Mihanja dy fqinje të tjera, që po kujdeseshin për lehonën. Alushi as që u afru ta shikonte vjazën as gruan! Ai doli prapë  në oborr. Bënte  sikur po punonte diçka…

 

*

Koha po kalonte dhe vajzat po rriteshin. Po rritej dhe po zbukurohej edhe ajo e vogla. Alushi kishte në mendje se pa djalë nuk bënte ta lente atë shtëpi. Ishte bindë përfundimisht se gruaja e tij  nuk mund të bënte  djalë. Kjo punë u pa! Shtatë vajza pa asnjë djalë! Një ditë i tha edhe gruas se ç’kishte në mendje:

-Ti e di se pa djalë unë nuk mundem me e lanë këtë shpi! Prandaj kam mendu të martohem prapë! Ta marr një gru tjetër, e ndoshta zoti nuk më le pa ndonjë djalë!  Kjo fjalë gruas iu duk  si me ia shti një thikë në zemër. Po e shkreta, duke i njohtë zakonet shqiptare,  përpiqej ta kuptonte  edhe  Alushin. Ishte në mes të dy zjarreve; as nuk mund t’i thoshte martohu, por as nuk mund t’i thoshte mos u marto! Menduan gjatë dhe më ne fund ( mbasi zgjidhje tjetër nuk gjetën)  gruaja “pranoi” që Alushi ta merrte edhe një grua tjetër. Ai këtë plan ua kishte thënë edhe vajzave të tij, duke i bindur  edhe ato se nëna e tyre nuk mund të bënte djalë! E ç’mund të thoshin vajzat kur që të gjitha ishin ende të mitura! Më e madhja ishte vetëm katërmbëdhjetë  vjeçare, të gjitha të tjerat “prush në vatër”, si thonë!

 

 Një ditë Alushi kishte shku në treg dhe u kishte ble vajzave nja dy defa. U kishte thënë vajzave se definitivisht po kërkonte një nuse tjetër!  Dhe vajzat, si të mitura që ishin dhe të ndikuara nga i ati i tyre, shpesh i merrnin defat   dhe e këndonin nusen e babait të tyre! Paradoks i vërtetë!  Edhe pse Alushi  e qiti fjalën se donte nuse tjetër, si duket kjo punë nuk po i shkonte siç kishte mendu: e para,  të gjithë e dinin se  Alushi ishte i varfër,  kishte vetëm një shtëpizë të vogël me dy dhoma, një arë para shtëpise dhe një livadh. E dyta, kishte gruan dhe   shtatë vajza! E kush do të martohej me Alushin  me këto kushte?!

 

Jeta vazhdonte. Alushi  punonte tokën. Vajzat  shkonin në shkollë, që për fat  edhe shkollën e kishin mjaft afër. Në shkollë nuk shkonin vetëm dy më të voglat. Ato kur nëna e tyre ishte e zanë me punë dhe vajzat e tjera ishin në shkollë, kujdeseshin për motrën e tyre që ende ishte bebe. Ditët , javët e muajt po kalonin, po Alushit nuk po i  “buzëqeshte” ende   fati. Askush nuk po i jepte nuse! Për çudi as vajzat nuk po e këndonin më atë si përpara!

 

Kishin kalu pothuaj rreth dy vjet nga lindja e fundit, kur një ditë gruaja i tha Alushit  se ishte prapë shtatzanë! Alushi edhe  këtë lajm e priti mjaft me frikë. Bile iu duk se po e shihte edhe një vajzë tjetër! Po, si duket,  ky moment ndikoi që Alushi ta kishte largu nga mendimi për martesë të re. Shtatzania po shkonte mirë.

 Aty kah  fundi i muajit të shtatë të shatzanisë, gruaja kishte fillu të ankohej nga disa komplikime. Kishte vërejtë se kjo shtatzani ishte ndryshe nga të tjerat.  Prandaj  Alushi e pa se gruan duhet dërgu te mjeku në kryeqytet. Posa e morën mjekët  në vizitë i thanë gruas se “dyshohet se i kishte bineq” dhe  se patjeter duhet të qëndronte në spital! “Të gjitha lindjet i ka ba në shpi, pse tash në spital”-mendonte Alushi, por megjithate nuk ishte ai që mund ta ndërronte vendimin e mjekëve!  Atë natë ajo qëndroi në spital dhe të nesërmen vizita mjekësore nga mjekë specialistë konstatuan se ajo kishte  vërtetë bineq. Për shkakt të komplikimeve të përsëritura mjekët vendosën që gruaja të lindte para kohe ( në muajin e shtatë) me operacion. Kjo për arsye se nëse do të lehej më vonë, shëndeti dhe jeta e gruas dhe fëmijëve  mund të vehej në rrezik. Ekipi i mjekëve e kishte caktuar kohën për operacion! Kishte ardhë Alushi  bashkë me tri vajzat më të mëdha  dhe po qëndronin në korridor për të marrë vesh se si do të shkonte fati i gruas?  Mjekët po kryenin punën e tyre e në të njejtën kohë  në korridor Alushi  me vjazat po prisnin me ankth!

 

Mjeku kryesor që kujdsej për lindjen e nxori  fëmijën e parë. I pari ishte djalë! Çudia qe  e madhe kur u konstatua se edhe i dyti ishte djalë, por kur mjeku e nxori edhe fëmijën e tretë, i cili ishte poashtu djalë, ai  nga gëzimi klithi me të madhe:

-Fenomenale! Jo dy po treneq dhe që të gjithë djem! Në këtët moment gjithë ekipi mjekësor  uronin njëri-tjetrin qe u kry një lindje e suksesshme!  Një motër, që ishte aty gjatë lindjes  vrapoi me të shpejtë deri tek dera, ku po qëndronte  Alushi me vajzat, që po  pritin  lajmin se si ishte gruaja dhe çfarë kishte lindë. Ajo me fytyrë të qeshur dhe ende  pa e hap derën e korridorit (se korridori ishte i ndarë me derë me xhama) u tha:

- Gruaja ka lindë tre djem!

 

Alushi  nuk po u besonte veshëve të tij! Vajzat kërcenin nga gëzimi! Atëherë Alushi  si i mpirë, e luti edhe një herë motrën t’i tregonte:

-Pa më thuj bre motër, se s’e mora vesh, si asht gruja dhe ç’ka lindë?

-Të thash nji herë  zotëri , gruaja është mirë dhe ka lindë treneq! Të gjithë janë djem! Alushi u largu pak anash sikur donte të lutej ”O zot të qofsha falë, më fal për gabimet e mia! M’i fal gjynahet që ia paskam ba grues teme”  dhe lotë gëzimi i rrodhën faqeve, që po mundohej t’i fshihte nga të tjerët, sidomos të mos e shihnin vajzat e tij!

Më vonë në pavion Alushit dhe vajzave të tij iu lejua ta vizitonin lehonën, por jo edhe treneqët, sepse,  për momentin ata ishin repartin intenziv.

Gruaja qëndroi edhe disa javë në spital, për arsye se fëmijet kur lindën ishin nën peshën e duhur. Dhe pas tri javësh ajo  u kthy në shtëpi me tre djem. Ata djem u rritën me shëndet të plotë.   Sot jetojnë në fshat dhe që të tre punojnë në një biznes privat.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora