E enjte, 18.04.2024, 04:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Miho Gjini: Te ''lisi'' i Rexhep Shahut

E diele, 06.11.2011, 07:57 PM


TE "LISI" I REXHEP SHAHUT

 

(Mbresa nga libri poetik i Rexhep Shahut, "Lis i vetëm në fushë")

 

Nga MIHO GJINI

 

Lisi, si pemë shekullore, përmes fëshfërimave të veta, duket sikur përcjell jehonën e viteve që shkuan, bëhet rrëfyes i bëmave e ngjarjeve të së kaluarës dhe duket sikur flet me zogj e me njerëz… Ndaj edhe poeti Rexhep Shahu e zgjedh atë si figurë-motiv që shpërfaq meditimet e imazhet e jetës së vet, po edhe ëndrrat që ka e që i vërtiten në kokë e në shpirt.

Libri i tij i ri "Lis i vetëm në fushë", krijon freski e hapësirë për lexuesin, duke dalë nga vetja e duke u zhytur rishtazi brenda vetes. Natyra bën kështu ciklin e vet (tokë, qiell, tokë) dhe aty pleksen që të gjitha: dashuritë, ëndrrat, tradhtitë, rënia e rrufeve, shkrumbëzimi, vdekja, hiri e varri… Dhe ringjallja… Poeti do që ti prekë që të gjitha, ti shfaqë e ti shprehë me gjuhën e tij të thjeshtë, fare të qetë, por mikluese e të figurshme, hera-herës ngazëlluese Ndonëse i dyzuar si njeri ai e ndjen vetminë e tij tragjikisht. Ndjejmë aty "peshën" e një dhimbjeje të përhershme që e mundon poetin, po edhe freskinë nën gjethet e një lisi të moçëm, e një lisi të vetmuar, në degët e të cilit "varen ëndrra"…

Të dy motivet vërtiten aty: ai i lisit të vetmuar që qëndron si i brengosur në mesin e fushës dhe i ëndrrave të poetit që rrinë "varur nëpër degë" si të ishin njerëz…. E, midis tyre, shpirti i poetit, po kaq i vetmuar e i dërmuar nga jeta, që diku-diku e sheh veten të "përcëlluar nga rrufetë" afër trungut, jo pak herë si një "gur i brejtur" nga erërat e rrebeshet e motit. Dhe e sheh veten të "varrosur së gjalli", poshtë "zemërimeve qiellore". Mirëpo poeti është poet, është edhe zog edhe njeri, që e do lisin, për tu bërë hije njerëzve. Ndaj ka keqardhje kur rrufeja bie mbi të dhe e djeg, e shkrumbëzon gjer në atë shkallë, sa të mos mbijë në trungun e vet asnjë filizë e të mos këndojë asnjë zog nëpër degë. Kësisoj, poeti, është e mbetet njeri "që ha përditë fatin e vetes" së vet dhe përsëri ngrihet mbi "hirin e vetvetes, për tu bërë rishtazi i gjallë". Edhe pse e rrëmben pesimizmi ("Në ëndërrat e mia –kam vdekë e -jam varrosur qindra herë", duke shkuar me veten për dore-drejt asgjësë", nën hijen e këtij lisi, ai do të gjejë edhe cicërima zogjsh gjithfarësh, si edhe do të ndjejë zërin e së dashurës e do të thërrasë: "mi sill zogjtë e zemrës, -të mos vdes". Se, lisi i tij, ‘ende dëgjon gjithçka – nga bëmat e botës", -sidoqë është i vetmuar, "gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur"! Do të mbijë kështu një lis i ri, filizë jete, në rrjedhën e përroit të fshatit malor a në mesin e lëndinës së blerte, kundër "natyrës tip", "ditës tip", "njeriut tip", poshtë "qiellit idiot" dhe përbrenda "kornizave ku na kanë vënë". "Kemi të bëjmë pra, me një poet, që del nga vetja për të qenë jashtë "kornizave të vetvetes", jashtë tipave të zakonshëm që i "kacavirren jetës" si ai kërmilli quravec trungut të një lisi të shëndetshëm. ( Oh, sa është e mbushur kjo djallo jetë me të tilla kreatura të neveritshme!). Dhe, të gjorit poet, për të mos e "shtyrë jetën "me pahir, i duhet që "ta pijë detin me fund". Sikundër i bëri llogaritë Ksanti për ti dredhuar Ezopit. Prandaj ai do të dalë edhe kundra rrufeve që bien mbi lis, duke ia ndërruar kahjen goditjes ("Rrufetë i kam ndezë zjarre- Me ngrohë veten").

Në këtë libër të Rexhep Shahut, i cili e kaloi fëmijërinë e tij midis brigjeve të lumenjve Drini i Zi e Drini i Bardhë, i kredhur i tëri në gjelbërimin e flladitjen e përjetshme të bregoreve të atjeshme, ka këtu po atë drite e gjallëri, paçka se nganjëherë e rrëmben trishtimi i: "ujerave të jetës". Ai është një poet i imazheve të qarta, që zgjojnë asocacione të gjera dhe hapin " shtigje " ne horizontin poetik. Poezia e tij është e thjeshtë, konkrete dhe e prekshme. Emocionale dhe meditative njëherësh. Poet që e besojmë dhe e ndjejmë. Bile na duket sikur e "dëgjojmë" të zëshëm, tek i thotë poezitë e veta atje, nën degët e lisit, kur "ia kërcet" kënga e gjinkallave në çerrin e vapës. Dhe, tek e dëgjon, do që të marrësh me vete katër vargje poetike, si këto:

Të jetë si të jetë,

Dhe më mbulo me të

Kur të vish…."

Bukur! Kështu po. Mund të shkruash e të botosh libra me poezi. Jo vargëzime pa fund, si ato qe hidhen "lum" e pa përgjegjësi në internet e pastaj "rëndojnë" raftet e librarive, gjersa ti mbulojë pluhuri e harresa.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora