Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: Patologjia e polemikës

| E diele, 06.11.2011, 08:04 PM |


PATOLOGJIA E POLEMIKËS

 

Realiteti i shpërfillur i R. Qosjes dhe gabimet mbi të cilat ndërtohet një mllef përbuzës

 

NGA LIS BUKUROCA

 

Mendimi i R. Rolanit nuk është cituar vetëm për të arsyetuar procedimin e të menduarit, por i jepet edhe detyrë sugjestive. Nëse R. Rolani mendon ashtu, kështu mendon edhe akademik R. Qosja, atëherë kush nuk gjykon si ata, e ka gabim; kur mendohet kundër të gjithëve, atëherë luftohet për të imponuar ankthshëm diçka, duke qenë i bindur se të gjithë e kanë gabim! Si tufë!

Për ata që nuk u përkulën para sugjestionit dhe autoritetit të parë, pak më poshtë u prezantohet autoriteti i dytë. Dhe natyrisht detyrë e këtij autoritetit është që t´i bind ata që nuk binden lehtë, por kanë edhe ide fikse apo së paku përpiqen t´i krijojnë bindjet e veta. Ky shkrimtar paska thënë se nëse një libër nuk posedon edhe një kundërlibër, atëherë ai libër nuk ka vlerë. Kjo nuk është e vërtetë!

Ashtu beson akademik R.Qosja dhe prandaj shkruan një kundërlibër, mirëpo edhe këtu sugjerohet diçka e gabuar, një bindje subjektive e importuar. Ajo që paska thënë ai shkrimtar nuk është e vërtetë se ka qindra dhe mijëra libra që nuk kanë kundërlibër, por kanë pasur sukses të madh dhe kanë vlerë të madhe të pakontestueshme. Kundërlibri në këtë rast shkakton huti, rezignacion dhe dezorientim!

Citatet janë zgjedhur pse i përshtaten konceptit të akademik R.Qosjes, botëkuptimit të tij. Pra, me dy autoritete synohet të përligjet mënyra e shkrimit, mënyra e rezonimit dhe kryesisht motivi i etiketimit të I. Kadaresë.

Më poshtë shpjegon arsyen se pse bëhet tutor i myslimanëve apo më qartë pse na nevojitet një protektor i tillë: sipas tij ne po diskriminohemi rënd. Shumica nga pakica në Shqipëri dhe myslimanët po diskriminohen nga myslimanët në Kosovë!

Meqenëse akademik R. Qosja është politeist dhe i beson dy Perëndive i ka caktuar vetes për detyrë morale dhe intelektuale t´i mbrojë të diskriminuarit dhe, me dy Perëndi është më lehtë se sa kur ke vetëm një; këto Perëndi vihen në fronin deist kur fjalët abstrakte shkruhen me shkronjë të madhe: “e vërteta” dhe “e drejta”.

Ai bëhet edhe mbrojtës i myslimanëve, sepse ai dëshiron gjithmonë ta mbrojë të “voglin, të pambrojturin dhe të diskriminuarin”.

 

Pas kësaj ndihme që i jep shtresave të shtypura myslimane, akademik R.Qosja i kthehet kundërshtarit, i cili në këtë rast mund të konsiderohet armik, sepse akuzohet si armik, trajtohet si i tillë dhe i drejtohet në këtë mënyrë. Ai tani e tutje nuk do merret më me qëndrimin, botëkuptimin e Kadaresë, por e godet Kadarenë personalisht. Ai do ta quajë mbrojtës të stalinizmit, do ta akuzojë për sëmundjen e dikurshme të Shqipërsië: hikikomorin! Do ta akuzojë për larje dhe shpëlarje, do ta quajë armik të Islamit dhe do ta quaje RACIST dhe me qëndrim të dëmshëm për kulturën shqiptare! Me një fjalë, njeri ideal për eliminim!

Dhe mendimet e I. Kadaresë do t´i krahasojë me Oriana Falaci dhe Michel Houellebec . Këtu do të kuptohet se akademik R.Qosja nuk po polemizonte, por qëllimi i tij ishte asgjësimi moral dhe intelektual i Kadaresë. Shfronësimi i tij tërësor.

 

Më tutje merret me Nënë Terezën, Papën dhe kërkon barazi në respekt në mes Ferid Muratit dhe Nënë Terezës, sepse sipas tij Nëna po nderohet më shumë, sepse ishte misionare katolike, kurse F. Murati nuk po respektohet, sepse është mysliman, por sipas tij që të dy njësoj kanë ndihmuar njerëzimin.

Edhe kjo nuk është e vërtetë. Pikësëpari Nëna Tereza kishte ndihmuar të varfrit, mjeranët, ata që ishin braktisur nga bota: gra, fëmijë, pleq, plaka dhe të rinj, të sëmurët, të pafuqishmit.

Ferid Murati kishte arritur t´i ndihmojë impotentët, pra burrat, jo gratë, jo fëmijët, jo të braktisurit, por burrat e pasur, por të braktisur nga potenca. Dhe për këtë punë shpërblehet dhe pasurohet! Ferid Murad në autobiografi thotë se nuk është mysliman, por i pagëzuar në kishën episkopale, ja një fragment nga autobiografia: (This was also applied to our religious choices as my father was Muslim, my mother Baptist and we were raised in a Catholic community. Subsequently, my brothers became Catholic when they married Catholic wives and I was baptized Episcopalian in college. My wife of more than forty years is Presbyterian, two of our daughters married Jewish men and one married a Catholic man.)

Akuzat e akademik R. Qosjes për diskriminimin e Ferid Muratit , siç shihet, bazohen në informata të gabuara.

 

Jak´ o ditë e uruar!

Që lind nga perëndon! N. Frashëri

 

Qosja nuk brengoset vetëm për diskriminimin e myslimanëve në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në botë. Do t´ishte mirë ta rimarrim Voltaire-in në dorë dhe të kujdesemi për kopshtin tonë, sepse ne nuk kemi fuqi as politike, as ekonomike të kujdesemi për barazi planetare. Këtë nuk e bën as Kina dhe as Rusia dhe nuk i takon Kosovës të brengoset për Irakun, as akademik R.Qosjes,! Një altruizëm i tillë quhet harakiri! Kina nuk i rrezikon interesat e veta për Irakun...As Iraku, as Turqia, as Arabia nuk rrezikojnë interesat e veta për Palestinën!

 

Amalgamë identitetesh

 

Pse jemi oriental? Oriental jemi sipas akademik R. Qosjes, sepse ne kemi kuzhinë orientale, varrosemi orientalisht, martohemi orientalisht. A është kjo e vërtetë ? Dasmat shqiptare bëhen tani nëpër restorante dhe përzihen gra dhe burra. Kuzhina jonë është aq orientale sa është ajo : greke, serbe, maqedone, bullgare e boshnjake. Edhe muzika ballkanike është orientale! Por Ballkani nuk e quan veten oriental.

Çka domethënë kjo? Nëse unë ha hamburger amerikan, dëgjoj muzikë amerikane dhe varrosem në mënyrë amerikane, a domethënë kjo se unë mund të konsiderohem evroamerikan? Nëse mendojmë si na sugjerohet, atëherë po!

Akademik R.Qosja pa dashje po punon në një identitet të ri kosovar. Kosovar mysliman! Tundimi është i tij.

Po nëse unë bëhem budist? Çka bëhem atëherë, kinez apo indian? Apo mbetem evropian me fe budiste? Po nëse dikush i beson scientologies se Ron Hubardit, në çfarë kallëpi gjeografik duhet ta hedhim atë?

Dikur na thuhej se feja e shqiptarit është shqiptaria, dhe kudo kjo ka ndikuar në afrimin tonë dhe rrënimin e barrierave fetare. Kjo ishte kristalizuar mirë. Njëqind vjet kultivuam këtë ide. Tani akademik R. Qosja mëton krijimin e identiteve fetare, gjoja si masa profilaktike ( cura posterior), dhe varros identitetin e deritanishëm kombëtar. Krijimi i identiteteve fetare është përçarje, sepse ndërton Ne-Ndjenja të reja (Wir–Gefühl), dmth. ne jemi mysliman dhe jemi të afërt me turqit, ata janë ortodoks dhe janë me grekët , të tretët janë katolik dhe janë me Vatikanin, pastaj protestant, dhe së fundi akademik R.Qosja i madh thotë se i kemi pesë fe dhe si fe të pestë numëron ateizmin!

 

“ Lëreni popullin të vendosë vetë për besimin e tij, sepse historia askujt nuk i fal asgjë!” Ukshin Hoti

 

U shkruan shumë shkrime dhe nuk pati pajtime me akademik R.Qosjen; ai edhe nuk ka pritur diçka të tillë, sepse qysh në fillim ka cituar autorin me të cilin do ta kundërshtojë botën. Tash akademik R.Qosja kërkon tejtheksimin e myslimanizmit, sepse i konsideron të diskriminuar, dhe kështu shembet një botë e tërë besimi koherent se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Paskemi jetuar me iluzione! Po kush jemi ne në fakt ?

Ne jemi europian, me fe myslimane. Te ne, mirëpo, ka vend për të gjithë dhe çdo njeri le të jetojë në botën e vetë, sepse feja e shqiptarit është pikë së pari shqiptaria! Dhe në fund, kalimi prej krishterimi në islam e konsideron mimikri, por mbetjen në mimikri e quan parim! Ai që dinë të mendojë historikisht, e dinë se popujt do të ndryshojnë dhe se religjionet kanë afat skadimi, mu si edhe ligjet dhe mendësitë!

 

PS.

Sikur një akademik gjerman t' i thoshte popullit, mos e ndërroni religjionin, njerzit do ta konsideronin të krisur. Shumë intelektual pranojnë budizmin, por askush nuk i jep vetes të drejtë të përzihet në çështje aq private, siç bëri Qosja në një artikull tjetër duke u bërë thirrje të mos ndërrojnë as emra, e as religjionin...

 

( Ky shkrim qe shkruar në kohën kur polemizonin Kadare dhe Qosja dhe nuk qe publikuar i tërë, por vetëm disa rreshta tek Shekulli...)