E premte, 19.04.2024, 07:13 PM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Intervistë Ekskluzive me Pjetër Logorecin, shqiptarin që luan në Volkstheatrin e Vjenës

E shtune, 05.11.2011, 09:05 PM


Pjetër Logoreci, shqiptari që luan në Volkstheatrin e Vjenës

 

''...edhe pse isha pjesë e teatrit shkodran dhe kisha mbaruar dy vite mësim për aktrim, një ditë u mbyll dera për mua nga diktatura. Shpresën nuk e humba kurrë, e kërkoja dhe e kisha ëndërr skenën''

 

Ekskluzive nga Hazir Mehmeti, Vjenë

 

Shpirti artdashës i shqiptarit i ka rrënjët e thella në historinë e jetës së njeriut tonë kurdoherë e kudo. Edhe tani. Në Volksteathrin, Teatrin Popullor vjenez me emër, aty ku luajtën krye-aktoret e skenës siç ishte Aleksandër Moisiu edhe sot shqiptarët janë pjesë e aktivitetit të tij. Një rast i veçantë, Pjetër Logoreci, shqiptar i cili vjen në dramë me përjetimet personale në lojën teatrore. Ai bëhet personazh shprehës i fatit kolektiv të mijëra bashkëkombësve të tij të cilët shpresat i vunë në rrugën e mërgimit. Në përzgjedhje auditive nga 300 konkurruesit prej kombeve të ndryshme nga radhët e të ardhurve pranohen 30 prej tyre, edhe Pjetri. Historia e udhëtimit të tij drejt Austrisë u bë pjesë e dramës ''Die Reise'' (Udhëtimi). Është kjo një dramë e veçantë ku skenari u shkrua nga drama e përjetuar në rrugën e vuajtjeve drejtë shpresës për jetë e dinjitet. Një dramë me një skenar të veçantë në historinë e teatrove, skenar i pa përfunduar si dramë e jetës së miliona njerëzve në botë.

Regjinë e ''Die Reise'' e bëri Jacqueline Kornmüller, artiste nga Berlini mjaft e njohur për teatrin modern në vendet gjermano-folëse.

Duke kapur problemet shoqërore, siç është problemi i emigrantëve, sfida e vështirë e integrimit të tyre në shoqërinë e re, drama ''Die Reise'' (Udhëtimi) është mjaft tërheqëse.

Volksteater - Teatri Popullor i Vjenës me renome në kontinent ishte përplotë gjatë shfaqjes tani gjatë dy muajve të fundit. Një sallë katërkatëshe, e praruar nga stolisja specifik me 900 ulëse e mbushur përplotë shikues krijonte ambient impozant.

Pjetër Logoreci pas shfaqjes na priti me dashamirësi me të cilin zhvilluam një bisedë të shkurtër për lexuesit e Zemra Shqiptare.

 

Si e ndieni vetën në rolin tuaj në një skenë aq të njohur?

 

Unë mendoj se kam pasur fat të madh që mu dha mundësia te aktroj në skenën e Teatrit Popullor te Vjenës, një nga skenat më të njoftona të Evropës, ku kanë luajtur historikisht figura madhore të artit teatror. Mbas një Casting ku morën pjesë mbi 300 persona ndër ta edhe shumë profesionistë, u përzgjodhën vetëm 30 prej tyre, njëri nder ta jam edhe unë. Ansambli i pjesës „Die Reise“ vjen nga 20 vende të ndryshme të botës. Ne flasim 12 gjuhë dhe jemi nga mosha 10 deri në 64 vjeç. Unë personalisht mundohem të përjetoj çdo moment, mbasi ka qenë edhe ëndrra e jetës për të hipur në skenën e teatrit. Kjo është një eksperiencë e papërsëritshme dhe unikale.

 

Ju e keni mbaruar kursin dyvjeçar për aktrim, por nuk keni luajtur në vendlindje, pse? A keni ëndërruar të luani në teatër?

 

Kam ndjek në rininë time kursin 2 vjeçar për aktor ne Studion e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku patëm për pedagogë figurat ma të njohura të skenës e të regjisë shqiptare si Serafin Fanko, Viktor Bruceti, Rikard Ljarja, Elez Kadria, Tonin Ujka. Aty pata mundësi të jem në skenë përkrah Tinka Kurtit, Lec Bushatit, Ndrek Luces, Bep Shirokës, Kolë Kaftallit, Ndrek Preles etj. por më hiqet e drejta me qenë pjesë e asaj trupe mbasi pata „shenja në biografi“, për arsye se axha im Anton Logoreci ishte shef i Radio Londrës dhe propagandonte kundër regjimit të egër komunist. Me kujtohet mirë kur drejtori i teatrit I. Alibali më komunikoi largimin tim për këtë shkak nga Theatri Migjeni i Shkodrës. Theatri ishte ëndrra ime e rinisë, si dhe prirja ime. Traditat që trashëgoj nga familja ime nga e cila dolën aktorë të famshëm të artit skenik shqiptar me inspiroj që të „tentoj“ në këtë fushë. E tesh kam ardhur në realizimin e ëndrrës sime të rinisë, thonë:,, ma mirë vonë se kurrë”.

 

Aktiviteti juaj në Vjenë është edhe në hulumtimin e figurave kombëtare që vepruan në Vjenë, na thoni diç rreth kësaj?

 

 Kisha rastin të jap ndihmësen time për riatdhesimin e eshtrave të arkitektit të shtetit shqiptar, liberatorit patriot, burrit më të madh të kombit shqiptar, Imzot Nikollë Kaçorri, i cili pat vdekur në Vjenë në vitin 1917. Pas 94 vjetësh, mbas përpjekjesh të mëdha e pengesave burokratike, u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij në tokën nënë. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën financiare të Shoqatës për Kulturë të Austrisë të cilët i falënderoj shumë. Gjithashtu po bëjë kërkime për zbulimin e varrezave te disa patriotëve shqiptare të cilët janë shkollua, kanë punuar e kanë vdekur në Vjenë. Një ndër ta është edhe patrioti Nikolaus Rotta ose Kolë Rrota, vëllai i piktorit të madh shqiptar Simon Rrota dhe atit françeskan Justin Rrota, i cili ishte vite ma parë konsulli shqiptar në Vjenë.

 

Cilën figurë kombëtare do ta veçonit ?

 

Kam lexuar shumë për Imzot Nikollë Kaçorrin, historia e trimëria e të cilit më kanë lënë mbresa të thella. Më ka lënë mbresa patriotizmi i tij, dashuria për popullin e tokën e vet, lufta kundër okupatorit turk, lufta për ruajtjen e kufijve të vendit. Kjo figurë më ka frymëzuar për të vepruar në ndihmë të vlerësimit të disa figurave patriotike të lëna në harresë.

 

Na thoni diçka rreth familjes suaj Logoreci me tradita kombëtare?

 

 Paraardhësit e mi kanë dhënë një ndihmese të madhe në çështjen kombëtare, gjuhën shqipe e lëvizjet e ndryshme për liri, demokraci e përparim të atdheut. Ato ishin nismëtaret në hapjen e shkollave të para shqipe si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë, në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë e Kosovës. Unë përpiqem të jap ndihmësen time për çdo gjë që i përket kombit shqiptar.

 

Kush është Pjetër Logoreci?

U lind në Shkodër, ku kreu shkollimin dhe jetoi deri më 1997. Rrjedh nga familja e njohur Logoreci me tradita kombëtare. Në vitin 1997, viti i trazirave në Shqipëri, ai migroi në Austri. Vendoset në Vjenë dhe u bë të njihet si veprimtar në hulumtimin dhe vlerësimin e figurave kombëtare që vepruan në Vjenë e Austri. Ai ishte iniciatori dhe protagonisti kryesor në zbulimin, eks-humimin dhe varrosjen e eshtrave të atdhetarit Dom Nikillë Koçorri në atdhe pas 94 vitesh. Është veprimtar aktiv i çështjes kombëtare.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora