E enjte, 28.03.2024, 08:41 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Zbardhet ekzekutimi makabër i anglezit

E premte, 22.02.2008, 05:48 PM


Zbardhet ekzekutimi makabër ndaj 21-vjeçarit nga Londra, Eduard Craythorne.

SHENGJIN/ ROLAND NIKOLLI

Dëshmitë e dy të rinjve të arrestuar, Arlind Vukaj 19 vjeç dhe Mario Pjetrushit 18 vjeç kanë lënë gojëhapur hetuesit me rrëfimet e tyre rrëqethëse të një krimi të mirorganizuar më parë dhe menduar çdo detaj për ta fshehur atë. Pavarësisht nga mosha, ata jo vetëm kanë realizuar planin e vrasjes, me qëllim grabitjen e parave të anglezit, por kanë mundur të fshehin me qetësi gjatë gjithë ditëve, duke krijuar alibi nga më të ndryshmet. Ato nisnin nga tentativa për të shkuar në Greqi e deri te rrëmbimi i Eduardit prej dy persona nga Elbasani.

Vrasja
Arlind Vukaj është shprehur se, si “karrem” për ta tërhequr të riun anglez nga banesa ku jetonte me të motrën në Shëngjin, ka shërbyer Mario Pjetrushi, pasi ai kishte hyrje-dalje familjare. Sipas tij, më 2 shkurt e kanë ftuar anglezin që të dalë me ta për një shëtitje përgjatë bregut, për të pirë një cigare marihuanë. Ata e kishin bindur të huajin se duhej të futeshin sa më thellë, duke i thënë se policia shqiptare nëse i kapte duke pirë marihuanë i arrestonte dhe dënoheshin me mbi 20 vite burg. Biseda e dy të rinjve e kishte joshur shtetasin anglez, i cili vazhdimisht qëndronte me ta dhe u kishte besuar gjithçka. Pasi kanë udhëtuar nëpër shkëmbinj plot një orë dhe janë afruar te pusi i një banese të braktisur, Mario e ka hutuar me fjalë Eduardin, ndërsa Arlindi, me një sopat të vogël në dorë e ka qëlluar nga pas koke. Për t’i shkaktuar vdekjen e kanë goditur disa herë me sopat në fyt. Kur ai ka dhënë shpirt i kanë marrë varësen e floririt dhe e kanë kontrolluar imtësisht për t’i gjetur kartën e kreditit ose çelësat e shtëpisë, me anë të të cilave do hynin të maskuar në banesën e tij dhe të dhunonin familjarët, derisa të zbulonin kodin bankar të parave. Për të humbur çdo gjurmë e kanë hedhur në pus, duke u larguar për në shtëpi. Për të shmangur dyshimet dy të rinjtë janë kthyer herët në shtëpi dhe më pas kanë dalë sërish për të luajtur bashkë bilardo. Ndërsa kanë lidhur besën mes tyre për ta mbajtur sekret atë që kishte ndodhur.

Hetimi
Sipas burimeve të policisë, i pari që është marrë në pyetje ka qenë Mario Pjetrushi, njëkohësisht personi i fundit që është takuar me shtetasin anglez. Gjatë deponimeve të tij ai ishte shprehur se Eduard Craythorne paraditen e 2 shkurtit kishte hipur në një makinë me targa angleze me dy djem nga Elbasani, sipas viktimës, dhe ishte larguar për në Tiranë. Ndërsa në orën 21:20, nëna e Eduardit, Sofia i kishte telefonuar Marios dhe e kishte pyetur nëse dinte gjë për të birin. Mario i është përgjigjur se ishte larguar për në Elbasan. Të nesërmen, Sofia, bashkë me të bijën, Eilen ftuan në shtëpi Marion dhe të atin, Valentin Pjetrushin. Pasi i kishin gostitur, Mario u kishte thënë se do të mundohej të gjente se me kë ishte larguar Eduardi. Por, në polici Mario ka pohuar se nuk e kishte marrë askush gjatë asaj dite në telefon. Gjatë kontrolleve, policia ka arritur të gjejë dhe varësen, e cila ishte shitur nga ana e Mario Pjetrushit. Ndonëse 18-vjeçari ishte shoqëruar disa herë në polici për të bërë krahasimin me makinën që rrëmbeu anglezin, ai nuk kishte pohuar asnjëherë se bëhej fjalë për të njëjtën. Gjatë të gjithë kohës, i riu ka qenë dhe një ndër personat e dyshuar për policinë, por këto fakte u vërtetuan vetëm kur u bë ballafaqimi me personin që kishte blerë edhe varësen nga Mario si dhe përgjimet telefonike dhe bisedës në dhomat e policisë. Të dy të shoqëruarit kishin pyetur njëri-tjetrin nëse kishin treguar ndonjë gjë në polici, fakt ky që kishte çuar në nisjen e hetimit për ta. Në prani të prokurorëve dhe avokatëve, të dy personat kanë pranuar krimin.

Lezhe/ Flet babai i Mario Pjetrushit: Eduardin nuk e ndaja nga fëmijët e mi
Nëse djali im e ka vrarë anglezin të pushkatohet

Ndërsa troket në portën e shtëpisë së Valentin Pjetrushit, nuk ka sesi të mos kuptosh dhimbjen e tij. I përlotur të fton të hysh brenda dhe sapo nis bisedën shprehet: “Nëse djali im ka kryer një krim të tillë ai nuk është më im bir. Jam i bindur se shteti nuk të arreston kot. Sapo kam mësuar se djali im është arrestuar për vrasjen e shtetasit anglez. Unë nuk kam vajtur për ta takuar dhe as nuk shkoj për gjithë jetën as unë dhe askush nga familja ime. Nuk kam për t’i dërguar as avokat. Unë kërkoj nga ana e shtetit që nëse krimin e ka kryer djali im të pushkatohet. Të bëhet shembull djali im për të gjithë shqiptarët”. Valentini tregon se e ka pritur Eduard Craythorne në shtëpi dhe nuk e ka ndarë nga fëmijët e tij. “Po kështu edhe nëna e Eduardit dhe motra e tij djalin tim. Madje kam në oborr edhe motorin e Eduardit. Sapo e ka marrë në telefon nëna e Eduardit, Sofia tim bir unë e kam pyetur nëse dinte gjë për të. Dhe ai ka qenë i qetë vazhdimisht dhe më thoshte: Jo babi, nuk di gjë. Kam ikur dy herë në polici me Marion në Lezhë dhe një herë në Shëngjin, më kanë pyetur se mos dimë gjë dhe i kam thënë se nuk dija asgjë. E kam provokuar edhe tim bir, duke i thënë që nëse dinte gjë të më thonte thonte mua se do e mbroja. Nëse t’i ke gisht në zhdukjen e tij më thuaj, të dërgoj unë jashtë vendit, për të mos të gjetur askush, vetëm e vetëm që të më tregonte dhe për të qenë vetë i qetë shpirtërisht. Por ai nuk më tregonte”. I ati i 18-vjeçarit të arrestuar tashmë thotë se ditën e arrestimit, bashkë me të birin ndodheshin në dhomën e pritjes, kur një fëmijë vjen e thotë se Marion e kërkon policia. “Mario ishte i shtirë në divan dhe unë po e pyesja për anglezin, duke i thënë se e kanë gjetur në një pus në Shëngjin, ndërsa ti ke thënë se ka ikur për në Elbasan. Të lutem më trego të vërteten nëse di gjë. Më tha, të kisha besim tek ai se nuk kishte gisht në vrasje. Me të ardhur policia edhe në momentin që ka hipur në furgonin e policisë më tha: Babi, mos u mërzit se do vij përsëri në shtëpi, nuk kam bërë asgjë, ji i sigurt për këtë. Por e përsëris, prej meje ai nuk ka asnjë ndihmë, e kam rritur me shumë mundime atë së bashku me tre fëmijët e tjerë. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Nuk ka qenë kaq i zhdërvjelltë për të sajuar gjëra të tilla ai, ka qenë i urtë. Unë do pres. Nëse shteti do e nxjerrë fajtorë dhe ka gisht në vrasje ai nuk është djali im e nuk do shkoj ta shoh kurrë. Do kisha dëshirë të shkoja për ngushëllim në familjen e Eduardit. Nuk mund të harroj prerjen në besë nga Mario, pasi djali im ka ngrënë bukë nga duart e nënës se Eduardit e motrës së tij e po ashtu Eduardi në shtëpinë time. Sa herë vinte në shtëpinë time më thoshte ‘Mario është vëllai im’, ndërsa mua më thoshte ‘ku je bos’”, tregon Valentini, ndërsa përlotet nga dhimbja.

Motra e Arlindit: Vëllai im nuk kishte arsye të kryente vrasjen
Sipas Dorina Vukajt, motrës së një prej të arrestuarve për vrasjen e shtetasit anglez, nuk ka mundësi që Arlind Vukaj të ketë gisht në këtë krim. “Arlindi është djalë i vetëm dhe nuk kishte asnjë arsye për të kryer një krim të tillë. Ai nuk ka qenë shoqëruar asnjëherë me Eduard Craythorne. Ndërsa me Mario Pjetrushin po. Unë njoh mjaft mirë vëllain tim dhe nuk më besohet se ai ka kryer një krim të tillë. Ai mund të dijë diçka dhe i ka dhënë fjalën shokëve për të mos treguar, por nuk ka atë zemër ai dhe atë mendje. Vërtet ka qenë i shkathët pasi shokët e tij e quanin si më të fortin e lagjes dhe kjo ka ndikuar që ai të mbajë mbi supe vrasjen, por jam e bindur që ai nuk ka gisht në vrasje. Nëse policia heton me imtësi do të dalë e vërteta. Babai im dhe nëna ime kanë një ekonomi të mirë, pasi babai është pronar i një varke në Shëngjin, ai nuk ka nevojë as për lekë, as për pasuri, se ka një shtëpi të shkëlqyer dhe është shumë mirë nga ana ekonomike. Po kështu është djalë i vetëm dhe si i tillë është mbajtur gjithnjë afër. Unë bashkohem me dhimbjen e familjes së Eduard Craythorne dhe më vjen keq si me qenë vëllai im, por e përsëris, nuk kishte arsye për të kryer vëllai im një krim të tillë dhe ai nuk është i implikuar”, ka përfunduar deklarimin e saj motra e të arrestuarit për vrasje.

varrimi
Familja e Eduard Craythorne nuk e ka vendosur ende se ku do të prehet trupi i tij. Nga burime pranë dy shtetasve angleze, pritet që në Shëngjin të vijnë nga Londra dhe dy motrat e tij e më pas të vendoset nëse 21-vjeçari do të dërgohet në vendlindje apo do të varroset në Shëngjin. Familja angleze ishte vendosur prej dy vitesh në katin e shtatë dhe të tetë të një apartamenti në Shëngjin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora