E enjte, 25.04.2024, 01:25 PM (GMT+1)

Mendime

Luan Myftiu: Kosova e pavarur, model virtyti

E premte, 22.02.2008, 04:47 PM


Kosova e pavarur, model virtyti

Nga Luan Myftiu
    
“Te këmbëngulja qëndron themeli i virtytit” - A. Frans -

Gëzimet e mëdha vijnë shpesh nga vuajtjet e mëdha. Gëzimi i lirisë qëndron mbi të gjitha. Sa më e madhe sakrifica për pavarësi, aq më i madh gëzimi, por dhe krenaria. Gëzimi i lirisë është një tronditje e fortë. Brenda gëzimeve të mëdha gurgullojnë gjithmonë dhe dhimbje të thella. Martirët nuk e panë dot lirinë. Pavarësia e Kosovës ishte një gëzim i përlotur në zemrën e çdo shqiptari. Ishte fisnikërí e një kombi që di të përballojë gëzimet, siç ka ditur të durojë dhe vuajtjet njerëzore. Ceremonia e pavarësisë ishte një mrekulli e mbushur me admirim për mbarë qytetërimin. Ishte lartësim i personalitetit të një kombi të nëpërkëmbur. Ishte mallëngjim për këdo, që e di se ç’është vuajtja shekullore; ç’është rilindja nga një jetë e padurueshme. Ç’është vlera e lavdisë për brezat, që duhet të mësojnë si përballohet gjithçka me durim. “Motra” Kosovë, e humbur për një shekull të tërë, tani ka shtëpinë e vet, ka historinë e vet, ka martirizimin e saj, ka dinjitetin dhe krenarinë e saj. Ajo ka tani altarin e të rënëve, por të ndritur, më të ndritur se dielli.
Nuk ka shqiptar që s’u gëzua për pavarësinë e saj. Nuk ka të vuajtur, që s’u ngazëllye. Nuk ka shtëpi shqiptari, që nuk harroi hallet dhe s’u rrëmbye nga një gëzim i papërmbajtur. Shqipëria Nënë u mbush me lot gëzimi. Ajo e priste me besim këtë ditë. Miqtë i kishin dhënë shumë prova besnikërie Kosovës. E drejta po kërkonte panteonin. Të rënët u ngritën nga varret masive endé të pazbuluara dhe u bashkuan me uraganin e njerëzve të mallëngjyer në kremtimin e pavarësisë. Shqipëria kishte kohë që nuk kishte provuar gëzim të përzier me kaq mall, dhembshuri e dashuri bashkë.
U harruan këtu grindjet politike. U lanë mënjanë ambiciet për pushtet. Mbetën qesharake gjithë shpifjet, mohimet, bllokimet, bojkotet. Të gjitha protestat u dukën maskarada përballë këtyre çasteve solemne historike, kur Kosova e martirizuar po falte gjëmat, që kishte pësuar dhe ftonte kundërshtarët ta gëzonin dhe ata pavarësinë e Kosovës. Kosova u bë sinonim i virtytit, i tolerancës, i dashurisë njerëzore; simbol i faljes, i bashkëjetesës, i barazisë para ligjit, edhe për ata, që ia patën mohuar të drejtat elementare. Tani fjala “Kosovë” ka marrë një kuptim tjetër, të lartë, shumë të lartë, një kuptim fisnik, një domethënie historike. Te pavarësia e saj u peshua vlera e lirisë. U materializua kuptimi i faljes. U ngrit në lartësi të reja sakrifica për dinjitet kombëtar.
Gëzimet e mëdha duan dhe angazhime të mëdha. Duhet justifikuar ndihmesa e botës demokratike. Duhet shpërblyer moralisht besimi dhe respekti i saj për të drejtat njerëzore. Duhet shndërruar në vlerë morale mbështetja e sinqertë e miqve të mëdhenj, por dhe e të vegjëlve, e gjithë botës së lirë. Bashkë me fitoren e pavarësisë, të lirisë, të dinjitetit; bashkë me lartësimin e personalitetit si komb, shqiptarët edhe pse dy shtete, kanë sot prapë një imazh të përbashkët në botë; një emër, një vizion, një meritë, një vlerë, një virtyt, një fisnikëri të përbashkët. Gjithkujt i del detyrë të lartësojë kombin e vet; gjakun arbnor, konstitucionin e përbashkët shpirtëror europian. Nuk është puna te ndihmat, te dalja nga nevojat, nga emergjencat. Vërtet tani Kosova ka nevojë për gjithçka. Por, në radhë të parë, ajo ka nevojë për dashuri njerëzore, për afërsinë e gjakut, për përvojën e demokratizimit tonë, për shembullin e qeverisjes më të mirë, për yrnekun e pluralizmit të vërtetë, për luftën e ndershme partiake, për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Pandaj ajo ka kthyer kokën nga Nëna e saj, nga e vuajtura Shqipëri, nga mbijetesa e saj fisnike, nga falja, nga toleranca, nga dhurimi i vuajtjes që kjo Nënë i ka bërë demokracisë dhe lirisë. Nuk është e lehtë lufta për një shoqëri të drejtë, të emancipuar, të pastër moralisht, të bashkuar shpirtërisht. Por dhe ne kemi nevojë për Kosovën, për dashurinë e saj, për atdhedashurinë e saj, për solidaritetin e saj shpirtëror. Ne kemi nevojë për Kosovën, për urtësinë e saj. Ajo ka nevojë për ne. Jo se i mungon ndihma e mbarë botës. Jo se është vetëm në gëzimin e lirisë së saj. Jo se nuk ka kujt t’i drejtohet për ndihmë të gjithanshme. Por, sepse ne kemi histori të përbashkët. Kemi halle të njëjta, Kemi dalë nga kalvare të ngjashme, nga pushtime dhe kolonializma barbare, shekullore. Kemi magjinë e mbijetesës sonë si komb. Kemi virtyte dhe origjinë fisnike të përbashkët. Kemi vuajtje të patregueshme të përbashkëta. Kemi mbijetesën tonë të pabesueshme mes rrebeshesh të paimagjinueshme të historisë. Kemi dhe të meta e dobësi të përbashkëta, të cilat, kur fatet e kombit vihen në rrezik, i shndërrojmë në vlera, në forca të habitshme. Është kjo Kosovë që luftoi e u rropat për pavarësinë e Shqipërisë. Është ëndrra e saj për kombin shqiptar, që e bëri të mbijetojë duke përballuar me shekuj një ndarje nga trualli Mëmë. Është dashuria për Mëmën Shqipëri, që i jep asaj sot forcë të falë e të luftojë për të arritur atje ku po shkon Shqipëria: në NATO e në BE! Atje do të bashkohemi si vëllezër që jemi, me gjuhën dhe zakonet tona, me doket dhe virtytet tona. Atje, mes miqve të mëdhenj të familjes europiane, do të tregojmë së bashku vlerat që kemi ruajtur me fanatizëm, edhe pse na kanë ndarë. Por, para se të vemi atje, Kosovës i duhet ndihma jonë. Prandaj politika shqiptare ka filluar të ndryshojë qysh para se të shpallej pavarësia e Kosovës. Është instinkti i mbijetesës si komb, që zgjuhet i madhërishëm në çastet më të rrezikshme për ekzistencën e tij. Veçse, të dy trevat tona do të ruajnë përjetë në shpirt mirënjohjen e thellë për miqtë e mëdhenj, në radhë të parë për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora