E enjte, 28.03.2024, 07:22 PM (GMT)

Mendime

Armand Plaka: Reflektim nga një debat për Kosovën

E premte, 22.02.2008, 04:44 PM


Reflektim nga një debat për Kosovën

Nga Armand Plaka

Ndërsa Kosova po përjeton ditët e saj të para të Pavarësisë, lista e shteteve që e njohin si shtet të pavarur e sovran shtohet çdo orë. E kësaj liste iu bashkangjit kësisoj edhe Gjermania, e cila me anë të deklaratave të shumta zyrtare, e kishte dhënë me kohë sinjalin për këtë hap politiko-diplomatik. Në Bundestagun Gjerman u dhanë qartë argumentet e kësaj ndërmarrjeje nga ministri i jashtëm federal, Frank-Valter Shtajnmajer, i cili gjeti miratimin e gjerë të koalicionit të madh qeverisës, kristian dhe socialdemokrat (CDU/SPD). Kundra në mënyrë të qartë u shprehën vetëm përfaqësuesit e fraksionit të Majtë (Die Linke), të cilët duhet thënë se nuk kanë asnjë peshë reale në politikën gjermane e përfaqësojnë në pjesën më të madhe vetëm atë pjesë nostalgjike të elektoratit vendas (në përqindjen më të madhe nga ish-Lindja) që lidhet me të djeshmen e RDGJ-së apo që shfrytëzon pakënaqësitë që lidhen me kohën e transformimeve të mëdha që ka pësuar Gjermania këto vite pas ribashkimit të vendit. Por kjo, gjithsesi, nuk përbën objektin e këtij shkrimi. Në fillim të këtij muaji, që do të hyjë në historinë tonë kombëtare, sigurisht, si “Muaji i Pavarësisë së Kosovës”, si pjesëmarrës në “European Journalism Fellowships” të Universitetit të Lirë të Berlinit, pata rastin të marr pjesë në një debat me temë mbi Kosovën në prag të Pavarësisë, aktivitet i cili organizohej nga Fondacioni Hajnrih Bël i të gjelbërve gjermanë dhe redaksia e gazetës “Tageszeitung” në Berlin. Në podium ishin deputetja gjermane Marieluise Beck, e Fraksionit të të Gjelbërve gjermanë në Bundestagun Gjerman, anëtare e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Elhami Shaqiri, përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave me seli në Bruksel, publicisti i mirënjohur kosovar, Beqë Cufaj dhe lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. U ngacmova të shkruaj këto rreshta nisur nga deklaratat e Ivanoviçit në atë panel diskutimi, ku të ftuar kishte edhe gazetarë, vendas e të huaj, studentë, studiues, por edhe njerëz të thjeshtë me banim në Berlin e Gjermani, (kryesisht shqiptarë nga Kosova, por edhe serbë e gjermanë) të cilët bënë pyetje të shumta rreth çështjes për të cilën kishin ardhur të debatonin. Zoti Ivanoviç vlerësohet si njëri nga politikanët moderatorë në gjirin e klasës politike serbe në Kosovë e asaj kosovare në përgjithësi, e shumëkush aty në sallë në fund të debatit rrekej ta takonte, të bisedonte e të bënte madje dhe ndonjë foto me të duke u nisur pikërisht nga këto cilësi e nga ky profil që ai gëzon, por edhe si pasojë e një përgatitje (duhet thënë) të respektueshme intelektuale dhe zotërim i lartë i njohurive të anglishtes e të shqipes gjithashtu. Gjithsesi, me fjalën “moderator”, kurrsesi nuk duhet të nënkuptojmë ndonjë qëndrim të papritur e të spikatur pro-pavarësisë nga ana e tij në krahasim me liderët e tjerë serbë në Kosovë apo Serbi qofshin. Ky fakt nuk ka nevojë për komente të tjera. Por ato që më mbetën në mendje gjatë gjithë kohës dhe të cilat tani, në qetësi të plotë do të mund t’i trajtoja në formë refleksioni nga ai takim (ku shumë gjëra mbetën pa u thënë), ishin më shumë nja dy-tri çështje, ku zoti Ivanoviç u përpoq ta kanalizonte debatin e për të cilat në fakt pati dhe reagime, megjithëse shumë të përmbajtura. Më konkretisht: krahasimin e problemit të Kosovës me atë të Irlandës së Veriut dhe deklarata tjetër që kishte lidhje me atë se si Serbia mund të reagonte pas shpalljes së (njëanshme) të pavarësisë së Kosovës e shembujt historikë, siç e cilësoi ai, të mospërkuljes së popullit serb para presionit të huaj. Për pikën e parë: Ai tentoi shpesh ta krahasonte si të ngjashme problematikën e Kosovës me atë të Irlandës së Veriut dhe ta përkufizonte si më të vogël në numër viktimash atë që kishte ndodhur në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve të terrorit serb, duke harruar se shqiptarët e Kosovës, në ndryshim nga (gjithsesi një pjesë) katolikët e Irlandës së Veriut apo IRA (krahu i tyre i armatosur), përveç viteve të fundit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, gjatë gjithë kohës kishin preferuar kryesisht të zgjidhnin opsionin e një rezistence pasive paqësore, e cila u mor për dobësi e u konceptua si frikë e shqiptarëve ndaj serbëve, derisa mbërritëm te përballja e UÇK-së dhe e shqiptarëve me makinerinë kriminale serbe e në fund, ndërhyrjen e formacioneve ajrore të Aleancës Perëndimore. E gjitha kjo ndodhi në një hark kohor prej jo më shumë se 3-4 vitesh dhe shkaktoi atë që e dimë të gjithë: viktima të pafajshme, përdhunime, eksod masiv të popullsisë, shkatërrim e urrejtje. Nuk mund të krahasohet dot kurrë dëshira, vullneti politik publik, e përpjekjet e panumërta për paqen në Irlandën e Veriut të bëra nga ana e qeverive britanike nën udhëheqjen e shumë kryeministrave ndër vite; laburistë e konservatorë së bashku, me pasionin kriminal të liderëve, akademikëve, figurave publike, por edhe intelektualëve (kujtojmë këtu, për të qenë më konkretë, se edhe Ivo Andriç, mbartës i Çmimit Nobel në Letërsi, është vërtetuar se ka qenë një nga ideatorët e mbështetësit e planit famëkeq të zhdukjes së shqiptarëve të hartuar nga Akademia e Shkencave e Serbisë), artistëve, e shpeshherë dhe e një fryme të përgjithshme të popullit serb, për të ushtruar gjenocid, tashmë të provuar me fakte, ndaj një populli në minorancë. Nga ana tjetër - dhe kjo gjë u vu në dukje edhe nga një gazetar gjerman gjatë panelit të diskutimit - ushtria britanike nuk është vërtetuar ndonjëherë të operojë me mënyrat që operonte ajo serbe, të cilës i paraprinin bandat kriminale paraushtarake të Arkanit me kompani, që janë përgjegjës për varret masive, dhunën ekstreme, përdhunimet e shfarosjen e mijëra shqiptarëve e (më parë) popujve të tjerë joserbë në luftrat që kapluan ish-Jugosllavinë.
Dihet se kupola drejtuese e kësaj makinerie antishqiptare, por në radhë të parë antihumane, gjendej në pallatin presidencial në Beograd, në selinë e Millosheviçit, i cili megjithëse iku në atë botë pa e marrë verdiktin e merituar në Hagë, si një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim, merret me mend se çfarë nami e trashëgimie la pas në mbarë hapësirën e ish-Jugosllavisë, vetë Serbisë, ndër shqiptarë e europianë. Përpjekjet e politikanëve serbë - qofshin edhe atyre (le të themi) të moderuar (siç është dhe rasti i Oliver Ivanoviçit) e që duhet thënë se marrin pjesë në zgjedhje e kontribuojnë seriozisht kështu në formimin e një konstelacioni politik shumëngjyrësh e shumetnik në Kosovë, duke iu larguar bojkoteve me urdhër të Beogradit - për të sjellë një përqasje mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut apo paralelizma të tjera në botë, nuk janë marrë asnjëherë seriozisht nga opinioni perëndimor e kjo është lehtësisht e verifikueshme.
Sa më shumë orë e ditë që kalojnë nga momenti i Pavarësisë së Kosovës, aq më shumë vërehet se me të vërtetë Kosova është një “sui generis” e që nuk pritet të sjellë komplikacione ose të shërbejë si lokomotivë e një procesi shkëputjesh apo lëvizjesh separatiste në vende apo rajone të tjera në botë. Por edhe në qoftë se ndodh kështu, tek e fundit, secili vend e popull e di vetë se çka është më e mira për të ardhmen e vet. Përveç faktorëve historikë, nën dritën e një këndvështrimi realist, rezulton se parimi i vetëvendosjes në rastin e Kosovës e tejkaloi atë të “ruajtjes së tërësisë territoriale” për një arsye madhore: ndaj shqiptarëve u ushtrua gjenocid e u bënë përpjekje për t’i zhdukur. Serbia e ka humbur tashmë Kosovën dhe nuk e ka merituar kurrë atë, as de jure e as de facto. Nuk mund të pretendonte pafundësisht të kishte të drejtën mbi të një shtet që i trajtoi një pjesë të qytetarëve të saj si dorë e dytë dhe e tretë, si mish i huaj që duheshin larguar me strategji të mirëfillta kriminale në rastin më të parë nga ato troje, që nuk bëri asnjë përpjekje t’i integronte, që e lidh ekzistencën e rrënjët e shtetit të saj me një mit që pak gjasa ka të jetë i vërtetë, në mos një gënjeshtër e madhe. Serbët thonë shpesh se Kosova është djepi i Serbisë, duke e zënë fillin në historitë bizantine e postbizantine të Stefan Dushanit (siç e përmendi dhe një serb aty në sallë), por harrojnë se ato rajone janë banuar më parë nga shqiptarët, të cilët ashtu si dhe serbët, më pas kanë njohur zhvendosje e lëvizje popullsie të dhunshme e të detyrueshme, disa “zotër” e pushtues. Për ta historia nis në orën që ata duan, nuk ekzistojnë fazat e mëparshme, nuk ekzistojnë rrjedhat e pasojat historike. Nuk ekzistojnë faktet. Harrojnë se shqiptarët të paktën është vërtetuar se kanë qenë në ato troje shekuj para sllavëve, e për këtë fakt mjafton të pyesësh grekët të cilët dinë të thonë se sa lidhje reale ka emri Maqedoni me shtetin që sot mban këtë emër, dhe se kur erdhën e kur u kristianizuan sllavët. Ndërsa për shqiptarët, nëse u hedh një sy thuajse të gjitha enciklopedive më të njohura botërore, përveç çështjes së etno-gjenezës, bien dakord të paktën në faktin se në rajonin apo kontinentin ku jetojnë, ka shumë gjasa të jenë ndër popujt më të vjetër e të paktën gjithsesi, më të vjetër se sllavët e me shekuj para tyre të kristianizuar.
Por le të vijmë te pika tjetër, dmth. tek pretendimi i Ivanoviçit se Serbia ka njëqind mënyra për të reaguar e askush nuk mund ta dijë se në ç’mënyrë do të reagojë ajo pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Apo dhe se serbët nuk e durojnë dot presionin e se historia ka treguar se ajo nuk përkulet. Serbia mund të ketë njëqind mënyra për të reaguar, por një gjë është e qartë, se ajo s`mund të bëjë më si të dojë e aq më pak të përdorë dhunën siç e ka bërë më parë kundër shqiptarëve. Tërheqja e ambasadorëve nga ato vende të cilat po e njohin Kosovën shtet të pavarur, apo hapa të tjerë që lidhen me masat ekstreme të ndërmarra apo të parashpallura të parlamentit apo politikës serbe në lidhje me zhvillimet në Kosovë, nuk trembin askënd. Këtë po e shohim përditë e çdo moment tashmë pas Pavarësisë. Madje një logjikë e ftohtë të thotë instinktivisht se do jenë vetë serbët që do të vuajnë pasojat e një ndërmarrje të tillë ekstreme diplomatike, duke tërhequr ambasadorë nga vende me rëndësi të veçantë si SHBA, Franca, Gjermania etj. Sigurisht se të gjithë do të bëhemi dëshmitarë të faktit se do jenë vetë iniciatorët e kësaj ideje, të cilët do të nxitojnë të ridërgojnë sërish kasnecët e tyre andej nga erdhën, pasi Perëndimi përveç keqardhjes (diplomatike) nuk duket se ka ndërmend të kthejë mendje në këtë çështje. Megjithëse ekzistonin mendime se Serbia mund të fshihte një skenar të minutave të fundit, asgjë nuk e ndali dot Pavarësinë e Kosovës, pasi ajo tashmë është një realitet i prekshëm. Parë nga kjo perspektivë, këto deklarata-kërcënime të artikuluara nga Ivanoviç në atë takim, më tepër të bëjnë në rastin më të mirë, të qeshësh, kur dihet se garantë të kësaj pavarësie “njomëzake” shumë shpejt e me reagime të qarta diplomatike, u bënë një shumicë shtetesh nga bashkësia ndërkombëtare, mbi të gjitha SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e BE-ja, Japonia, Australia etj. Përsa i përket asaj se Serbia nuk e duron dot presionin, shprehje për të cilën Ivanoviç, si për ironi të fatit, e gjen mbështetjen te historia, mund të themi se Serbia ashtu si edhe shumë popuj të tjerë, iu nënshtruan që në fazat e para taborreve osmane e jo vetëm që duruan “zgjedhën osmane”, por edhe vuajtën shumë prej saj, si një nga popujt më “raja” brenda perandorisë osmane. Sigurisht se edhe populli serb njohu gjatë këtij harku kohor prej disa shekujsh nën hyqmin otoman, disa përpjekje për të dalë nga zgjedha e regjistrohen disa kryengritje, derisa vijmë në shekullin e 18-19 kur ndërgjegjja kombëtare vjen e rritet e si pasojë sjell edhe shkëputjen e serbëve nga perandoria osmane e krijimin e një shteti të fortë nacionalist e shovinist që shumë shpejt do bëhej një kërcënim për popujt e tjerë fqinjë e madje vetë Europën.
Por kjo punë nuk mbaron me kaq. Rekordet historike vazhdojnë me Luftën e Dytë Botërore, ku donte s`donte, një pjesë e andrallave që përfshinë të gjithë kontinentin asokohe u bë dhe Serbia (dmth Jugosllavia e parë). Megjithë zellin nacionalist dhe përpjekjet e bëra, Jugosllavia e asaj kohe rezulton t’i jetë nënshtruar shumë shpejt e pa ndonjë farë rezistence fillimisht pushtimit gjerman, tamam si Shqipëria Italisë fashiste në 1939. Nëse do të flisnim për partizanët e Titos pastaj, është një çështje tjetër. Kështu që nuk hasim ndonjë shpirt të spikatur rezistence nga ana e popullit serb karshi rrethanave historike, ndërsa gjithkush e di se presionit nazist asokohe askush nuk mundi t’i bënte dot ballë fillimisht, dhe aq më tepër i vetëm. Fundi i nazistëve erdhi si pasojë e unifikimit të fronteve në të dyja anët e kontinentit, por në radhë të parë si pasojë e unifikimit të qëndrimeve të SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik e Anglisë. Sigurisht se një kontribut këtu dhanë edhe serbët ose partizanët jugosllavë, por këtë e bënë edhe të tjerët në shumë vende, duke krijuar bërthama rezistence antifashiste. Deri këtu nuk shohim ndonjë indeks të spikatur të “mospërkuljes” serbe para presionit, përkundrazi, shohim se edhe serbët kur nuk kanë mundur janë bërë pre e presionit e kanë rënë në zgjedhë, pasi nuk kanë pasur c’të bëjnë, përveç rasteve sporadike të rezistencës, derisa ka ardhur një fazë kur gjërat kanë ndryshuar. Gjithsesi, momenti aktual dhe konstelacioni politik ndërkombëtar, as që mund të krahasohet me kohët të cilat përmendëm më lart. Po të vazhdojmë më tej, shohim se Serbia jo vetëm që është përkulur nga presioni i huaj, por e ka bërë këtë punë duke humbur dhe shumë nga imazhi i saj, ose e thënë më troç: ka humbur jo vetëm betejën, por edhe nderin. Rasti më i freskët sigurisht se është ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999. Edhe asokohe dëgjonim shpesh të flitej se Serbia nuk e duron presionin e huaj e nuk do të lejojë kurrë që avionë të huaj të dhunojnë pa lejen e saj hapësirën e saj ajrore e të tjera pallavra si këto. Por fakti është se jo vetëm që hapësira e saj u “dhunua” sistematikisht për muaj me radhë, por Serbia mori dhe një shuplakë të fortë për sjelljet e saj kriminale, duke ia bërë të qartë tashmë një herë e mirë se Kosova de facto ishte humbur. Pra, Serbia dhe serbët duhet të mësojnë një herë e mirë se edhe ata, si shumë kombe të tjerë në këtë botë, janë pjesë e zhvillimeve globale, me shtrirje në kohë e hapësirë. Se ata s’mund të jenë një “popull i zgjedhur”, siç besojnë, se edhe ata kur ka ardhur puna, janë përkulur dhe se shumëçka që kanë arritur më pas, nuk arrijnë ta kuptojnë, se shpeshherë ka ardhur si rrjedhojë e rreshtimit në kampin fitues në përballjet historike, apo si pasojë e aleancës pansllave me Rusinë cariste, por sigurisht edhe si pasojë e shovinizmit të shfrenuar që kanë ushtruar ndaj popujve të tjerë dhe në fund, pse jo, edhe thjesht e fatit. Por edhe fati njeh ulje-ngritje, dhe ndaj tekave të tij, një herë do përkulesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora