Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Dashuri me tullumbat

| E premte, 04.11.2011, 09:01 PM |


DASHURI ME TULLUMBAT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Ministri Nuses me pashterkë të kuqe, personazhi kryesor i këtij shkrimi ështe me prejardhje nga vendi i Tullumbave. Vendlindja heroike, që dikur në kohën  e “artë” komunsite e pushtoi me tullumba gjithë Jugosllavinë e shokut Tito. E sot, gjatë ndryshimeve demokratike me “politikë madhore” e pushtoi IRJ të Maqedonisë. Politikani, që guximshëm iu përgigjë edhe kryeatarit më azgan të Partisë Neokomuniste që e emëroi ministër në Qeveri. Lajmin e parë atë ditë ia përcolli nëna: Biro, ec se te kërkon me telefon Kryetari i partisë, të kanë bërë minstër! Nënë, i thuaj kryetarit le të pres pak se më ka ikur lopa nëpër livadhe!

Herë pas here, kur fotografoheshte para kamerave televizive ky bukurosh pushteti i telefonte gruas në shtëpi: Nuse, hape sonte televizorin, ta shohësh çfarë p… s’ame djalë ka bërë nëna shqiptare! Edhe nënën mos e harro, ngutu ma thirrë ta shoh emisionin televiziv! O njeri, a je në mend çka folë, nëna e falë namazin, i përgjigjet gruaja. Nënën e dua në telefon oj shashkëne*, ma jep nënën vrik ta shoh se çfarë djali azgan ka lind burrnesha në mes të dimrit me borë.

Kryevepër politike, ë? Patjetër. Ehu, sot sa kisha dashur këta burra pushteti, prapë ta pushtojnë me tullumba paqësore, jo vetëm IRJ të Maqedonisë, po edhe botën përparimtare të politikës e teknikës moderne. Pse jo, edhe Republikën e Serbisë si dikur pëllëmbë për pëllëmbë, nga Trigllavi në Gjevgjeli. Dihet, me tullumba e jo me “politikë madhore” nëpër kabinete qeveritare. Vetëmse, ende nuk ndodhë një mrekulli e tillë e shekullit. Burrat e këtij soji, sot u janë sulur me dorë e këmbë universiteteve shtetëror e privat për diploma, tituj shkencor e vende pune.

Fatkeqësisht, asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë, edhe sot shqiptarët me “specialitetin e tullumbave” duan ta pushtojnë politikën botërore. Dita – ditës me “politikë madhore” nëpër çajtore e rrezikojnë edhe Amerikën me gjithë Rusi. Jo, u them unë mes këtyre rreshtave: nuk pushtohet aq lehtë me politikë bota, po me arsim dhe kulturë. Talenti për politikë, është dhunti e Natyrës. Përpara talentit gjenial, përkulet edhe vetë Zoti. Përsëri nuk pajtohen burrat e grave, kur ju them se: denbabaden i ka lindur nëna për mjeshtër të bozës dhe tullumbave me diplomë jugosllave?!

Jo, më përgjigjen aty – këtu me ndonjë shkrim teknefes si burra mejdani me diploma universitare të Beogradit. Thonë: Ne, kohën e fundit kemi vendosur të merremi edhe me “politikë madhore” të Shtetit maqedonas. Krah më krah do t’ia hapim  derën për në Evropë. Edhe problemin e emrit do t’ia zgjidhim që e ka me Greqinë. Nëse është nevoja, edhe punën e identitetit. I kemi dhënë mjaftë personalitete këtij shteti nga të katër anët e kufijve politik më këmbë e me kuaj shale. Po, të jetë nevoja do t’i japim ende heronj lufte, kur nuk i jep historia. Popull me histori jemi ne shqiptarët. Botës i kemi dhënë personalitete, e nuk do t’ju japim “vëllezërve” me të cilët ndërtojmë një Atdhe të përbashkët, kohën e fundit me rrënjë antike. Pasaniku është ai që të jep, lëmën ta mbush plot me gra, burra e fëmijë të shëndoshë trima. Fukarai mund të të japë vetëm leckat e trupit, lind fëmijë trusakatë e frikacakë. Tullumbave në kohën e sotshme thonë, u ka dalë më boja, nuk janë në modë. Nuk mund të bëjmë biznes në botë me tullumba. Koha është të bëjmë biznes me politikë.

Mirë, u them unë: po ma rrëfeni atë rrugën e biznesit pas Çuke të “politikës madhore”! Edhe pse, gati thuaj këtë “politikë madhore” e dinë të gjithë shqiptarët se: Burrat e mejdanit e kanë zgjedhur rrugën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Merreni me mend, burrat e botës pa turp fare bëjnë biznes me arsimin dhe kulturën shqiptare nëpër kabinete. Përditë, me shumicë e pakicë shesin e blejnë diploma e tituj shkencor.

“Vëllezërit”, si gjithmonë që nga koha e “artë” komunsite janë të përgaditur në këto punë shkencore. Shkaku, se: e kanë studiuar mirë mentalitetin shqiptar nëpër akademitë e njohura sllave, pasi ua dorëzojnë postin e ministrit argatëve politik, dhuratë u japin edhe nga një sekretareshë. E dinë se, shqiptarët ku e kanë dobsinë më të madhe, gratë. Partia në pushtet bashkë me postin ua jep shpërblim edhe një grua, dhe gjithë jetën politike i ka në dorë këta “burra trima” të nënave shqiptare. Një veprim të këtillë, vite më parë e bënte edhe Partia Komuniste, kur ta jepte postin, bashkë me postin ta jepte dhuratë edhe një grua. Nuk kishte rëndësi, që ti e kishe një grua me fëmijë në shtëpi të cilën ta kishte zgjedhur nëna nëpër dasmat shqiptare, këtë grua ta jepte shpërblim Partia Komunsite.

Koha e sotshme “demokratike” me shpërblime politike, nuk është larg kohës së djeshme komuniste. Edhe minsitrit tonë unikat me lopë për dore, “vëllezërit” i dhanë një grua partiake. Ose, siç i thonë me gjuhën e politikës: sekretareshë. Fatkeqësia, minisitri edhe u dashurua këmbekrye në skretareshën e bukur. Gjithmonë, kur e shihte përballë matanë tavolinës punës, i dukej si tullumbë. Gjithë orarin e punës e hante me sy atë tullumbë politike me mini fustan që i rrinte para syve këmbën përmbi këmbë.

Përmëkeq, ajo tullumbë azgane e ndiqte si hije gjithkund: në punë, rrugë e shtëpi. Kurrsesi, nuk mund ta hiqte nga koka. Natë për natë e shihte edhe ëndërr. Merreni me mend, ajo tullumbë i dilte para syve edhe në sheshin e qytetit, para këmbëve të kalit të Aleksandrit të Madh se si lahej lakuriq nën ujvaret e shatërvanit. Shpeshëherë ia bënte edhe me sy. I buzëqeshte tinëz me këmbën përmbi këmbë nën tavolinë. Shkak ky, që ministrin më të shumtën e kohës e shihje në ëmbëltore se sa në ministri. Përditë e nxirrte me pirun në dorë gjithë inatin e mbëledhur lëmsh mbi tullumba. Frikë të shtinte edhe se, kështu siç e kishte nisur ky burrë pushteti “katërliqesh”, nuk do të lente një ditë tullumbë të gjallë më këmbë në Qendrën tregtare.

Edhe, një të nesërme e shoh ministrin para derës së ëmbëltores në Qendrën tregtare me barkun e fryer si tinar lakërash turshi me këmbët përpjetë në hava. Dhimbshëm u ndala para kësaj tragjedie, mes këtij shkrimi dhe them: dashuria me tullumbat politike, vërtetë qenka e rrezikshme. Ndodhë, një ditë ta hanë edhe kokën. Edhe mua si fëmijë më kujtohet si sot: kur babai më merrte me vete te mulliri elektrik i qytetit ta bluajmë grurin e fshirë gjatë një vere. Herët në mëngjes, para hoxhës që e thirrte sabahun nga minarja e xhamisë, zgjoheshim që ta kapnim të parët radhën e pritjes me fshatarët. E gjithë kjo rrugë përfundonte me dy-tri tullumba te xha Murati, në Kërçovë.

Përçudi, edhe sot sa të freskët e kam ende memorien: e kisha shitur veten në atë kohë për dy - tri tullumba si politikanët e sotshëm në Qeveri. Edhe, i them vetes: çfarë shkolle politike paskan qenë ato tullumba artistike?! Shkollë jete, që unë edhe sot e kësaj dite nuk pata fatin ta ndjek krah për krahu me shokë në asnjë universitet të botës. Shkak kryesor ky, që unë sot nuk i dua tullumbat politike…

 

____________________

1)      Grua me teke e xhinde.