E shtune, 20.04.2024, 08:22 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Kur lufta brenda llojit komunist quhet disidencë

E premte, 22.02.2008, 06:30 PM


Kur lufta brenda llojit komunist quhet disidencë

Nga Ardian Ndreca   

Mund të quhej ndryshe edhe “disidenca mbrenda Bllokut”, por Blloku mbetë gjithsesi nji metaforë e lidhun gjeografikisht me nji copë territori të kufizuem, ku jetonin disa borgjez shpirtvegjël të farkëtuem në momentet e çlodhjes prej «luftës së egër të kllasave».
Privilegjet, karriera, lufta për ekzistencë, rreziku që nji ditë mund ta pësonin – bante që ish komisarë e komandanta partizanë, agjitatorë dhe agjitatore, njerëz të randomtë për nji shoqni normale - të ktheheshin në ujq ndaj njeni-tjetrit dhe ndaj gjithë frymorëve në përgjithsi.
Nji pjesë e tyne kishte mbarue ndonji gjimnaz në kohë të monarkisë e fill mbas luftës kishte krye kurse dhe shkolla në Jugosllavi dhe në BRSS. Kurse pjesa ma e madhe ishin gjysëm-analfabetë dhe gjysëm-njerëz të ardhun prej krahinave ma të humbuna, ku qytetnimi nuk kishte kalue as aq sa nevojitet për me mësue gjanat ma thelbësore – këta të fundit kishin shumë ma tepër arsye me ruejt postet e fitueme me gjak.
Padyshim që e drejta me jetue në Bllok ishte fitue me gjak; ma së shumti me gjak shqiptarësh.
Por blloku nuk mbaronte mbrenda Bllokut.
Ai ishte kudo ku kishte shqiptarë që prej adhurimit primitiv apo prej tmerrit (që asht nji ndjenjë ma njerzore) - i mbanin sytë kah Enver Hoxha dhe klika e tij e çmendun dhe gjakatare.
Blloku ishte kompaktësimi ideal i njerzve pa dyshime serioze.
E megjithatë nji pjesë e tyne përfundoi në kampet e përqendrimit dhe në burgjet që ata vetë patën ndërtue me zell klasor.
Vetëm atëherë diktatura e proletariatit iu duk diçka skandaloze - dëshmuen ata ma vonë - dhe burgjet shqiptare iu duken çnjerzore.
Çudi, burgjet dhe diktatura e proletariatit ishin e vetmja gja që funksiononte si meçik në Shqipninë e Enver Hoxhës qysh prej vitit 1945 e këta, vetëm në vitet ’60 apo në vitet ’70 e mësuen këtë gja!
Edukimi komunist ishte nji gja e neveritshme, por riedukimi ishte nji mjerim i vërtetë.
E pra zona mes edukimit dhe riedukimit përcaktohej prej humorit të nji funksionari me xhaketë gjithmonë demodé apo prej nji operativi që kishte vetëdijen e nji qeseri, prej nji kryetari Fronti apo prej nji spiuni të padukshëm që firmoste nji letër dhe shkatrronte nji jetë.
N’ato vite marria ishte ba kujdestarja e arsyes, tue e ndryshue kështu cilsinë e vetë jetës dhe tue ba që në pesë dekada bijtë e saj të shumoheshin në progresion gjeometrik. Nji progresion i këtillë i shtynte me ia hangër kryet njeni-tjetrit, mbasi Natyra në squetsinë e vet lejon të keqen me qëllim që e keqja të hajë vetveten.
Si mund të trajtohet si shfaqje disidence fakti që ndonji prej tyne jetonte si viveur në nji kohë që populli i thjeshtë rrinte në rradhë qysh në ora 5 të mëngjesit për me marrë 2 litra qumësht? Çfarë disidence asht me mbajtë flokët e gjatë në nji vend ku rrena i kishte kambët ma të shkurta se kurrkund tjetër në botë?
Për vite të tana, kriminelat që me maskën e komunizmit në fytyrë terrorizuen shqiptarët – patën mundësinë me përfundue me ceremoni në burgjet komuniste. Këto ishin rastet kur ato burgje kryenin me të vërtetë funksionin e tyne natyral.
Megjithatë, ata në burgje nuk përfundonin pse urrenin komunizmin apo pse ishin mërzitë me mësimet e Marksit apo të Leninit, përkundër, shumica e tyne e deshtën Marksin dhe Enverin deri në fund.
Asnji prej tyne nuk përfundoi në burgje pse vërejti tek komunizmi nji sistem shtazor që vorfnoi vendin dhe shkatrroi shqiptarin, por thjesht pse mbrenda llojit shpërthente tash e parë nji ritual spastrues primitiv.
Për me e ruejt të shëndetshme Partinë nga kolera herë mbas here digjeshin disa dordoleca.
Por edhe ata që digjeshin për me afirmue higjienën e Partisë nuk ishin as shenjtën e as filantropë të shqiptarëve.
Ndonji sish, që ushqente trille (velléités) letrare, deshti me ia lanë «fajin» e burgimit letërsisë që kishte shkrue. Por po të lexohet sot ajo palo letërsi të çohen flokët përpjetë prej idiotsinave të skematizueme me talent aparatçikut. Po të kishin përfundue me të vërtetë në burg për arsye të letërsisë së tyne, nuk do t’i kishte dënue Enver Hoxha por Klioja, Melpomeni, Eratoja apo ndonji muzë tjetër.
Disidentat e Bllokut kanë besue tek Partia derisa u ka leverdisë, kanë rrahë shplakë derisa u janë çue duert gjak, dhe s’kanë ndejt asnjiherë pa ngritë dorën për me çue drejt pushkatimit apo drejt internimit njerëz të pafajshëm.
Kjo asht arsyeja pse sot mbeturinat e shkaktarëve të nji makthi shumëdekadash nuk janë të besueshëm për shoqninë civile as kur flasin për të kaluemen dhe as kur mendojnë për të ardhmen. Intervali mes Shqipnisë së vërtetë dhe monstrës që ata drejtpërdrejt apo zhdrejtazi krijuen nuk mund të mbushet me banalitetet e bezdisshme që tregojnë sot.
A kanë ndryshue shpirtnisht disidentat e Bllokut në vitet e burgimit apo të internimit?
Zemra e njeriut nuk mund të shqyrtohet lehtë, por ka gjasë që burgu dhe internimi t’i ketë ndërgjegjsue rreth idesë çnjerzore që u dha pushtet, rreth tmerrit që ata dhe familjet e tyne i shkaktuene shumicës së shqiptarëve, rreth padrejtësisë së privilegjeve që gëzuen për vite me rradhë...
Ndoshta ky ndërgjegjsim ka ndodhë, mbasi nuk duem me besue se sot gjithë mllefi i tyne asht vetëm pse nuk mujtën me e çue deri në fund rrugën me privilegje ku rastësia historike (dhe jo inteligjenca, talenti apo meritat) i kishte katapultue.
Për me e kuptue se populli shqiptar asht popull i mirë, nuk kemi nevojë me shkue e me rrëmue dokumentat e vërteta ku tregohet se nji pjesë e kuislingëve shqiptarë dhe nji pjesë e njerzve të thjeshtë shpëtuene hebrenjt.
Mjafton me pa sesi mbas ramjes së komunizmit gati asnji prej atyne që nga Jugu në Veri vuejtën padrejtësisht dhe qenë viktima të terrorit komunist për dekada, nuk shkuen me ua shkrepë në lule të ballit shokut Ramiz, shokut Aranit, shokut Hekuran, shoqes Nexhmije... që e meritonin plotsisht nji gja të tillë.
Ky asht jo vetëm ndryshimi mes qytetnimit dhe barbarisë por dhe treguesi se hakmarrja politike ishte tipar i ideologjisë komuniste, e ky tipar themelor i saji krijoi nji disidencë të rreme en bloc – krijoi gogsimat e nji darke makabre ku të ftuemit e nderit përfunduen tue hangër njeni-tjetrin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora