E enjte, 28.03.2024, 06:03 PM (GMT)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Një prozë religjioze

E enjte, 03.11.2011, 08:01 PM


NJË PROZË RELIGJIOZE

 

Nga Nuhi Ismajli

 

E shkruar më 1947 dhe e bërë e njohur për lexuesin vetëm nga viti 1993, brenda pak kohësh, proza E madhe është gjëma e mëkatit… (Tat Tanushi i Bubutimës), ka zgjuar interesimin mjaft të madh të studiuesve dhe për të janë shkruar mjaft shkrime, disa prej të cilave madje edhe studime mjaft të gjata. Ajo u bë pjesë e plan-programeve e teksteve shkollore, të niveleve të ndryshme, dhe u vlerësua si kryevepra e M. Kutelit dhe e letërsisë shqipe.

Në aspektin tematik, proza E madhe… , është vlerësuar në mënyra të ndryshme. Në larminë e interpretimeve të saj, theksimi i temave dytësore, si dhe i temave që mungojnë, p. sh. temës autobiografike e alegorike, si tema kryesore të kësaj proze, pa dyshim, është bërë dukuri, kurse theksimi i temës kryesore – temës fetare ose religjioze, është bërë rrallë dhe me ndonjë përjashtim nga ndonjë autor, ku do veçuar studiuesin Sadik Bejko.

Mungesa e theksimit të temës kryesore – temës religjoze, të prozës E madhe…, ka si rrjedhojë devijimin e kuptimit esencial të veprës, mungesën dhe pamundësinë e gjetjes e interpretimit të esencës së kuptimit të ideve dhe të qëllimit të porosisë së veprës dhe autorit, si dhe mungesën e harmonisë kuptimore brendatekstore të teksteve të interpretuara.

Proza E madhe…, me esencën e saj semantike, është një prozë religjioze. Ajo shkruhet, siç thotë autori, mbi bazën e dy legjendave, nga vendlindja e tij (“Liqeri i Kaltër”), të cilat kanë përmbajtje fetare. Esencën e saj religjioze e bëjnë edhe atmosfera biblike, personazhet kryesore dhe më të shumta, veprimet dhe ngjarjet më të rëndësishme të saj, qëllimet e idetë e autorit dhe të veprës.

Në tërë veprën kemi tekstet dhe atmosferën e botës biblike (të Shkronjës).

Personazhe fetare janë: Tat Tanushi, Anania, Nikanori, Angjir, Pamfili, Profiri, Gjerasimi, Ionathani, e murgër të shumtë, të cilat përçojnë ide dhe porosi religjioze (të Shkronjës). Personazhe jofetare ka pak.

 

Vepër me tezë

 

Proza E madhe… është një vepër me tezë. Ajo, prerazi, synon të tregojë vlerën e besimit (ortodoks), të keqen e pasojat nga cenimi, braktisja e mungesa e besimit, dhe të lavdërojë Zotin. Këtë synim e shpreh drejtpërdrejt edhe vetë autori, kur, në fillim të veprës, kërkon nga lexuesi që t’i besojë asaj që do të rrëfehet (“Këto të gjitha janë të shkruara në Shkronjë dhe ne preps t’u zemë besë, si preps t’i zemë edhe rrëfimit që do rrëfejmë…”, bot. IV, f. 9) dhe kur thotë se rrëfimin e dëgjuar e shkruan : “…për të dëshmuar, me anën e tij, fuqinë e hirit – që të lavdërohet emri i Tinëzot në jetën e jetëve. Amin.” (Bot. IV, f. 10).

Vlerën e besimit (ortodoks) e mësimeve të Shkronjës, pasojat nga cenimi, braktisja e mohimi i besimit, besimi në triumfin e hirit hyjnor, mundësinë e pastrimit shpirtëror, nëpërmjet sakrificave jetësore etj., autori i tregon nëpërmjet rrëfimeve nga përvoja e jetës, rrëfimeve të dy legjendave, të cilat paraqesin përvojën e jetës, kujtesën e ngulitur kolektive, porosinë apo mësimet e pakontestuara për të ardhmen (“Këto të gjitha janë të shkruara në Shkronjë dhe ne preps t’u zemë besë, si preps t’i zemë edhe rrëfimit që do rrëfejmë, sepse ky është i vërtetë edhe ka ardhur nga të lashtët, gojë më gojë”, botimi IV, f. 9).

 

Legjenda e parë tregon cenimin e rrezikimin e besimit, shkaku i femrës, dashurisë e bukurisë; mëkatin për shkak të cenimit të besimit, dënimin dhe vuajtjet, për shkak të mëkatit, pastrimin nga mëkati, në saje të sakrificës jetësore, bamirësisë, pendesës, lutjes dhe kërkimfaljes.

Shkak i cenimit të besimit, mëkatimit dhe vuajtjes së Tat Tanushit bëhet femra e bukur dhe dashuria epshore.

Lexuesi, sipas Kutelit, duhet t’i besojë rrëfimit të tij për gjëmën e Tat Tanushit nga dashuria, se dashuria është e mundur të shkaktojë cenimin e besimit, mëkatin dhe vuajtjen e madhe: “Lëçitësit mundet të mos i pëlqejë një gjëmë e tillë po neve preps ta themi si pat qënë, pa shtuar e pakësuar gjë. Dhe në qoftë se ay nuk ze besë i kujtojmë se është thënë: “dashuri, sa më shumë pi nga mburimi yt, aqë më shumë et kam!” Kjo gjë i afrohet shumë së vërtetës” (bot. IV, f.14).

Tat Tanushi fillon cenimin e besimit nga dashuria e madhe për Noemin, që, në ebraisht, e ka kuptimin: e bukura, ose edhe: ëmbëlsia ime, shpirti im (Bibla, 321), si dhe nga dashuria për femra të tjera.

Por ishte bukuria e femrës ajo që e futi në mëkat Tat Tanushin dhe nga e cila ai nuk mundi të mbrohej.

Kuteli, në prozën E madhe…, përshkroi shumë bukurinë e femrës dhe, në disa raste, dha portrete të pakrahasueshme të bukurisë femërore (p.sh. dy raste, f. 33, bot.IV etj.).

Tat Tanushi është artist dhe ndjen bukurinë e femrës. Ai përpiqet të mbrohet nga mëkati, të mos rrëshqasë në mëkat (rasti me gruan nga qyteti), por tërhiqet nga e bukura dhe bën mëkat. Në një rast, thuhet se, edhe të nesërmen, ndjen erën e së bukurës nga qyteti, me të cilën mëkaton (“…era e gruas me lëkurë të bardhë kish mbetur brenda në shtëpi e në trupin e tij…”, f. 35). Pra, ky është artist që tërhiqet në mëkat nga e bukura dhe nuk është si atë Sergej, i Tolstoit, që arrin të mbrohet nga e bukura e shtresës së lartë, për të rënë, më vonë, në mëkat me një femër, që nuk shquhet për pamjen e saj.

Tat Tanushi ka cenuar besimin, sepse me mendime e vepra qe në kundërshtim me Shkronjën, dhe, mëkatoi derisa ndjeu peshën e rëndë të mëkatit e u vetëdijësua për vetëflijim dhe pastrim shpirtëror (kátharsin).

Mëkati i Tat Tanushit, njeriut që nuk ishte fort i mësuar, por që “kish besë të madhe në sa janë shkruar e këndohen…besa ish fuqija e tij e madhe” (f. 12), filloi me Noemin, të cilën e quante Kalije.

Nga dy dashuritë që kishte Tata, pas Zotit, dashuria e tij e dytë ishte Kalija (“Gazi i dytë i Uratës – pas Tënëzotit – ish Kalija, e shoqja”, f. 13).

Tat Tanushin e kishte tërhequr bukuria e Kalijes, për shkak të së cilës ai nuk kishte pranuar ndonjë sakrificë jetësore, pra nuk ishte bërë as oshënar i manastireve, as ashkëti i shpellave, për t’u lutur atje për mëkatet e rënda të gjithë botës (f.13), po “kishte veshur petkun e priftërisë, duke jetuar midis njerëzve dhe mëkatit” (f. 13).“Kaq fli, -thotë shkrimtari, - i kish bërë ay trupit të gatuar me baltë që është burgu i shpirtit.

Dhe Kalija, e shoqja, ish me të vërtetë e vlershme për këtë.

Sepse ajo ish e bukur midis të bukurash dhe e desh me fuqi të madhe burrën e saj” (f. 13).

Tat Tanushi, që e dinte se Zoti peshon çdo punë, çdo fjalë e çdo mendim dhe u ruhej së tepërmi leqeve të mëkatit (f.12), e lutej për faljen e mëkateve të bëra me dashje a pa dashje (f.12) , ishte i vetëdijshëm dhe e ndjente se dashuria dhe lumturia e tij e madhe ishte mëkat: “Aqe shumë e desh Urata  Kalijen sa trembej nga lumtërija e tij dhe i lutej Tënëzotit mos ia shkruajë si mëkat” (f. 18).

Ai nuk është si Jobi i urtë, i cili nuk ankohet në Zotin, as nuk humb besimin e tij, as kur, për sprovë, goditet nga fatkeqësi të mëdha dhe humb lumturinë, duke i vdekur e shoqja shumë e bukur dhe e ndershme e fëmijët e mirë, duke humbur pasuritë e mëdha dhe duke u goditur vetë nga një sëmundja e rëndë.

Nga ëndrra për vdekjen e Kalijes, Tat Tanushi u pikëllua e qau shumë për jetën tokësore, duke çmuar atë më shumë se jetën e përtejme, u ankua egërsisht në Zotin, duke mos u pajtuar me punët e tij, ndonëse e dinte dhe në thellësi të shpirtit e ndjente se “…të fshehta e të çuditshme fort janë rrugët e Zotit” (f. 24):

“Po, befasisht, iu kujtua gjithë ëmbëlsija e jetës tokësore me të shoqen, errësira e varrit kudo zbriste ajo, vetëmija e rëndë e së arthmes edhe nje dhembje e madhe i çau shpirtin. Qau me zhurmë sa kumbojti gjithë kisha…Tat Tanushi thirri me zë të math: “Përse, o Zot, përse ? Ç’të bëra vallë që më ndjek me urrejtjen tënde? Zëri i tij i egër u përpoq mur më mur dhe shojti gjithë kandilët. Errësirë katrani. Befas kisha u ça më dysh, u hapnë të thellat e tokës dhe Tat Tanushi u shemb tatëpjetë…Tat Tanushi i Bubutimës ish ëngjëll i zi i hedhur nga qjelli në hadh.  Kjo ish dhembja. Shpata e zjarrtë e kryengjujve e ndiqte prapa. Era e varrit i helmonte frymën. “Gabova – thesh – gabova para Zotit”. Një ankth i madh i shtrëngonte zemrën (f. 23-24)…Dëgjoj, befas, prej së thellash, një zë që fliste në një gjuhë të lashtë: “Qetësi, qetësi…Sepse të fsheta e të çuditshme fort janë rrugët e Zotit. Si lumë i rreptë zemërimi i tij, si det i thellë mëshira” (f. 24).

Pas ëndrrës, Tat Tanushi, duke harruar kanunet e porositë e Zotit (f. 35), bën mëkat, duke iu lutur Zotit t’i japë jetë Kalijes nga jeta e tij (f. 25).

Me vdekjen e Kalijes, Tat Tanushi cenoi edhe më keq besimin, duke u fundosur edhe më shumë në botën e mëkatit. Ai zemëron Zotin, pasi, në kundërshtim me Shkronjën,

tronditet shumë nga vdekja e Kalijes dhe kundërshton vdekjen e saj, dëshiron më parë të varrosej vetë, në vend të Kalijes, dhe ajo të ngjallej, harron jetën e përtejme, besimin në ringjalljen e dytë, detyrën e tij baritore, madje, i mban mëri edhe Zotit etj.:

“Në pranverë, vdiq”(Kalija).

Aq shumë e tronditi kjo Tatën sa iu duk se u shemb gjithë jeta dhe ranë kryqet e lartësirave…Ajo s’duhej të vdiste…(f.25) Dyke thelluar varrë Tat Tanushi do kish dashur jo një herë po një mijë të hyjë ay vetë brenda dhe Kalija të ngjallet nga të vdekurit. Ky ish mëkat i math dhe si mëkat iu shkrojt ne Librin e jetës. -

“Tat Tanush, Tat Tanush”- i thirri një zë së larti – “përse e zemëron Zotnë me dhembjen tënde? A mos je ti i pari që ke të tillë dhembje? …Ku është vallë besa jote në ringjalljen e dytë? Ku është shpresa ndaj ato që janë shkruar? Po zemra e Uratës nuk e dëgjoj zërin e Zotit. Ay harroj se varri është dera me anën e së cilës hymë në jetën e përjetshme. Edhe i duruar si është Zoti, i thirri përsëri: “Lere dhembjen tënde dhe ruaj kopenë time! ” Po kaq e madhe ish shembja e Tat Tanushit sa as kësaj here nuk dëgjoj. Sepse ay i mbante mëri Zotit për vdekjen e së shoqes (f. 26).

Edhe Zoti ia shkrojti edhe një herë si mëkat dyke e lënë të lirë të ecë në rjetat e largneshit” (f. 27).

Vdekja e Kalijes dëshmoi se, më shumë se besimin, Tat Tanushit çmonte Kalijen: “Po në dyzet ditët e ndarjes për t’u bashkuar me Zotin, me anë të hirit, Tat Tanushi pat ndjerë thellë, në mish e në frymë, mungesën e së shoqes…(f. 13). Sepse mishi dhe shpirti i tij kërkonte Kalijen më fort nga çdo tjetër gjë…” (f.14).

Por cenimi i besimit dhe mëkatimi i Tat Tanushit, shkaku i Kalijes, ndodh edhe pas vdekjes së saj, sepse trupi ia sundonte shpirtin e jo shpirti trupin (“…shpirti i tij ish i sëmurë e nuk mposhtte dot”, f.28).

Ai nuk e heq nga mendja Kalijen, për asnjë çast, as kur është në kishë, gjatë lutjes (f.27).

Njëherë mendoi edhe t’ia hapte varrin dhe kjo mjaftoi sa t’i shkruhej si mëkat i rëndë (f. 27). Pastaj “shkeli dhe më tej, në rrugën e gjërë të mëkatit”, duke bërë kora me fytyrën e Kalijes, përpara së cilave ndizte kandile e qirinj dhe këndonte të kënduara të shenjta, duke iu ofruar kështu, si thotë autori, “punëve që punojnë të pabesët e Kishës së Perëndimit” (f.27).

Tat Tanushi, siç kemi thënë, nuk është si Jobi, i cili, me gjithë fatkeqësitë e mëdha, që janë sprovë e besimit të tij, nuk ka asnjë ankesë ndaj Zotit. Ai nuk e harron Kalijen, as pas tri vjetësh, zemrën nuk e kishte te Zoti dhe i mbante mëri atij:

“Kaluan kështu tre vjet dhe në këta tre vjet ay u largua nga i Madhi i jetës, për një dorë eshtra e për fytyra të bëra në dru. Emri dhe fjalët e Zotit ishin edhe tani në buzët e tij, po zemra lark – sepse mbante mëri.” (f.28).

Cenimin e besimit e mëkatin, pra edhe shkakun e ndëshkimit e gjëmës së tij, shkaku i femrës së bukur e dashurisë epshore, Tat Tanushi e vazhdon edhe pas vdekjes së Kalijes.

Ai vazhdon të mëkatojë e të cenojë besimin me vazhdimin e dashurisë së tij për femra të tjera, sepse kur pluhuri mbulonte të gëdhendurat me fytyrën e Kalijes, trupi i tij kërkonte trup, “me egërsinë e përrënjve që s’shohën ku zbresën” (f.30), sepse:

“Boshin e math të shpirtit nuk ia mbushnin dot as hija e zbehtë e Kalijes, as korat dhe as të gëdhendurat e saj. Sepse trupi i tij kërkonte ato që janë të trupit…”  (f. 28).

Tat Tanushin, ndonëse “ligji i librit nuk e lejonte të dashurojë e të marrë grua të dytë”, f. 28), “… me që nuk zotëronte dot dëshirat e mishit, mendimi e shpuri në të tjera mëkate “ (f. 28).

Kështu, “Nisi të dëshërojë ato që i shihte syri: qengjat e kopesë së tij” (f.28) dhe të shquajë tek të tjerat, pamjet e bukura të Kalijes, e të dëshironte me dëshirë burri: buzët, tek njëra, që priste kungatën prej dorësë tij (f.28); syrin e tjetrës, që kishte shkëlqimin e syrit të Kalijes; gjiret e së tretës, që shponin linjën e bardhë, që ishin si gjiret e Kalijes… (f.29), e fillon të lakmojë fatin e Jakovit, që kishtë shumë gra (f.30).

“Dhe dyke mos patur as njërën nga ato për të shuar etjen e trupit i dëshëronte që të gjitha!… “(f. 29), “…ças pas ças kurvëronte me zemrën e tij me berrat e tufës së tij e me sa i shihte syri.” (f.30), ndonëse “E dinte ay se kjo gjë është mëkat për vdekje sepse shkruar është: “Kushdo që ve re grua, me dëshërim, ka kurvëruar me atë në zemrët”- po s’kish fuqi t’i largojë dëshirat…” (f. 29).

Kështu, Tat Tanushi nuk vdiste se “mbante mi supe barrën e mëkatit” (f. 39) të dashurisë.

“Dhe kjo shtohej dita me ditën, mbasi syri i tij shëkonte dhe mishi kish dëshira. Pa edhe atëherë kur syri i trupit mbyllej, shëkonte syri i zemrës. Dhe dëshira ish gati për të shkrepur…

Sepse e lithte për tokë me zinxhira të forta i amëshuari femëror dhe koha për kátharsin nuk kish ardhur” (f. 39).

Më në fund, Tat Tanushi cenoi rëndë besimin me mëkatin që bëri me gruan nga qyteti, i cili u bë shkaku i mospranimit të lutjes së tij në kishë dhe i ndëshkimit të tij me pamundësinë e vdekjes.

Mëkati i tij qe i rëndë, kurse cenimi i besimit i ashpër. “…trupi i tij njohu trup gruaje” (f. 30). Ai “…kreu mëkatin e math të mishit, brenda në shtëpinë e tij, përpara korave dhe të gëdhendurave me fytyrën e Kalijes” (f. 34).

Tradhtinë e cenimin e besimit dhe mëkatin që bëri, me gruan nga qyteti, Tat Tanushi e krahason me tradhtinë dhe mëkatin e Judës, prandaj edhe mendon ta dënojë veten me mënyrën e vetëdënimit e përfundimit të tij: “Dhe përnjimend Tat Tanushi u mendua të ndjekë rrugën e Judës Iskariotit, dyke u varur në degën e një peme” (f.35).

 

Keqinterpretimi i Shkronjës

 

Tat Tanushi cenoi besimin dhe mëkatoi edhe përmes trajtimit të padenjë të teksteve biblike (Shkronjës), të cilave iu jep kuptim, sipas qëllimeve e dëshirave subjektive.

Shkaku i dashurisë, ai fillon të kërkojë brenda shkrimeve të shenjta ato që nuk i kishte parë më parë (f. 30).

Tat Tanushi reciton tekstin biblik (Shkronjës), si tekst dashurie, për të kënduar dashurinë për Kalijen (f. 20-22), siç këndon, më vonë, bukurinë e gruas nga qyteti, me vargjet e K. së këngëve (f. 32).

Edhe pas vdekjes së Kalijes, “…në thellësirat e neteve kur desh të luftojë kobimet e trupit dyke kënduar të kënduara të shenjta, dora e tij hapte – pa dashje – fletët e këngës së këngëve të Solomonit që i pat kënduar me të shoqen…Këto të gjitha i këndonte Tata në librën e Solomonit, mbretit të Izrailit dhe u jepte atyre kuptimin e  mishit, jo të frymës ” (29).

Tekstin biblik (Shkronjës) e merr si arsyetim për dashurinë e tij: “Hapte Shkronjën edhe këndonte: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetë…Shijo jetën tende me gruan që dashuron…” (f. 28).

Sa niste t’i lutej Zotit, të shpëtonte nga mëkati me gruan nga qyteti, lutja i përzihej me vargjet e K. së këngëve, për bukurinë e femrës:

“Dhe brenda tij ay i lutej Zotit ta shpëtojë nga të ngarët e të ligut. Po, pa dahur, në lutjen e tij përzjeheshin vargje të këputura nga K. e këngëve: “Sa e bukur e sa e bryllët je ti, o vasha ime, plot me hire! Flokët e tua janë si purpura. Një mbret rri i lidhur në gërshetat e tua ”. Dhe përsëri: “Shtati yt i ngjan palmierit. Sisët e tua janë si rrushi. Thashë me veten time: O sikur të ngjitem në palmier. Të vjel pemët e tija…” (f. 32).

Në çastin kur po përpiqej të mos bënte mëkat me gruan nga qyteti, Tat Tanushi, prapëseprapë, kujton tekstin biblik (Ekleziastiku), në kuptim dashurie dhe në të kërkon  lejen për dashurinë (mëkatare): “Pra ti shko edhe ha me gëzim bukën tënde dhe pi me hare verën tënde. Shijo jetën tënde me gruan që do. Të gjitha ato që ke në dorë t’i bësh bëji me gjith fuqinë  tënde sepse në varr nukë ka asgjë, as mendim, as dituri, as urtësi…” (f. 34).

Madje, Tat Tanushi, edhe mëkatin e tij nga dashuria, e arsyetonte me interpretimet e tij subjektive të teksteve biblike ( Shkronjës). Në këtë rast, ai pyeste veten dhe vetë përgjigjej: “Mëkat? A s’janë të gjitha në Shkronjë?” (f. 29) etj.

 

Vetëdënimi (kátharsi)

 

Tat Tanushi ndjeu peshën e dënimit, sidomos pas mëkatit me gruan nga qyteti. Pas këtij mëkati, kur lutja në kishë më nuk i pranohet, ndërsa, më pas, vëren se është i dënuar edhe me pamundësinë për të vdekur, ai vetëdijësohet për mëkatin e tij të madh, prandaj përpiqet për pastrimin e trupit e të shpirtit (kátharsin).

Për pastrimin trupor e shpirtëror (kátharsin), Tat Tanushi respekton kanunet e Kishës (“Sipas kanuneve të Kishës ay s’duhej të meshonte as asaj dite as në ditë të tjera gjer sa trupi e shpirti i tij të pastroheshin me rrëfim, agjërim e pendim të vërtetë.” (f. 35).

Tat Tanushi, i cili kishte vetëm një dëshirë – vdekjen (f. 38), sakrifikon, vërtet, përmes jetës së ashkëtiut e oshënarit e pendohet derisa lehtësoi mëkatin (“Dhe një natë ndek dremitte buzë shpellës, dikush e shkundi edhe i foli midis zhurmës së valës: “Ngreu e shko ku do t’të thërresën, sepse ditët e tua u nëmëruan (f. 42-43).

Kështu, pasi e kuptoi se nuk vdiste, Tat Tanushi “e duroj jetën” edhe shumë breza (f.39),

dhe, me dëshirë, provoi jetën e ashkëtiut e të oshënarit.

Ai mori shkopin e oshënarit në dorë dhe shkoi vënt në vënt, nëpër manastire, për pendesë (f. 38). Pastaj erdhi e ndenji për një kohë të gjatë në shpellat e Zaumit (f.39), ku

“Shtresë e mbulesë kish gurët, miq e fqinjë bishat e malit. Rrënja e këlkëzës e bari i hidhur ish ushqimi i tij” (f. 41); “Nuk lëçiste libra e nuk zugrafiste me bojra – sepse librat i dinte më gojë dhe nga bojrat kish frikë. Përpiqej vetëm të ndriçojë të brendshmet për kátharsin e math, dyke iu lutur Zotit në heshtje pa zë, pa fjalë – drejt për drejt me zemër” (f. 41); ishte zbutur, dhe kishte zbutur edhe bishat e egra që zbrisnin në shpellë kur i ndiqte dimriose gjahtari (f. 42); rrinte “… zbathur në gjemba e në dëborë dhe trupi i tij nuk ndjente as dhembje, as të ftohtë” (f. 42); “Zjarr ndiste vetëm në netët me fërtymë dhe këtë e bënte për lundërtarët që lëftonin me valët, në terrët” (f. 42); “Dhe dora e tij nuk prekte as argjënt dhe as tjatër gjë me vlerë nga kotësirat e botës, sepse përpiqej që zemra e tij të jetë banesa e Zotit, vetëm e Zotit” (f. 42) etj.

Kështu, thuhet, “Dalngadalë aty (te Shpellat e Zaumit, afër Manastiri të shenjt Naumit) Tata gjeti qetësinë. Fytyra e gruas që i kish turbulluar gjer asohere jetën dhe ëndrat nuk i çfaqej tani përveç se si një napëzë e bardhë midis qjejsh e ujrash. Dhe kjo tretej shpejt, në erë” (f. 42).

 

Bamirësia

 

Veprave të tij, për pastrimin e trupit e të shpirtit (kátharsin), Tat Tanushi iu shtoi edhe veprat e ndryshme të bamirësisë.

“Në parverë e verë ngjitej në mal e mblidhte bar të mirë që shëron sëmundjet” (f. 42).

Për vete nuk ndizte zjarr, por, “në netët me fërtymë”, atë e ndizte “për lundërtarët që lëftonin me valët, në terrët” (f. 42).

I pabrengosur për jetën e vet dhe i pafrikësuar nga ndëshkimet tokësore, Tat Tanushi zbriste në katunde e qytete “vetëm për të mallkuar të fuqishmit që shkelnin të dobëtit, të pasurit që zvishnin të vobektët. Atëherë zëri i tij bëhej i egër dhe fjala e ashpër” (f. 42).

Kështu, ai iu bëri mirë njerëzve derisa “…një natë ndek dremitte buzë shpellës, dikush e shkundi edhe i foli midis zhurmës së valës: “Ngreu e shko ku do t’të thërresën, sepse ditët e tua u nëmëruan” (f. 42-43).

Kur Imzot Nikanori qëndroi në manatirin e Shën Naumit, “dëgjoi fjalë të mira për ashkëtinë e shpellave edhe e thirri pranë tij” (f. 43).

 

Rrëfimi, lutja, kërkimfalja dhe kthimi në burimin e fesë

 

Pastrimin shpirtëror, Tat Tanushi e vazhdon me rrëfimin para Imzot Nikanorit, pra edhe  pranimin e fajit e pendesën, me zbulimin e themeleve të vjetra të kishës së Bubutimës, derdhjen e verës mbi varrin e Kalijes, dhe lutjen në altar e kërkimfaljen, pas së cilës ai, përfundimisht, pastrohet nga mëkati, i kthehet besimit dhe çlirohet nga gjëma e mëkatit.

Kështu, i penduar, për ndjesë, Tat Tanushi gjunjëzohet e rrëfen mëkatet, para Imzot Nikanorit: “Rashë fajtor përpara Zotit me mendje, me fjalë e me vepër dhe kështu si isha hyra në meshë të meshoj” (f. 51).

Ai i tregon Imzot Nikanorit për dashurinë e egër për të shoqen, mërinë që i mbajti Zotit për vdekjen e saj, korat dhe të gëdhendurat, dëshirat e mishit, shembjen e madhe (f. 52).

Ai i tregon Imzot Nikanorit se, pasi kishte mëkatuar, nuk i ishte pranuar meshimi as lutja, prandaj kishte ikur nëpër botë (“E lashë meshën e filluar dhe ika nëpër botë. Që atëherë s’kam hyrë në tjatër meshë” , f. 51).

Pasi Imzot Nikanori e kungon dhe e bekon ( f.56), Tat Tanushi, bashkë me njëmbëdhjetë shoqëruesit e tij, shkon e zbulon themelet e vjetra të kishës së Bubutimës. Aty derdh verë mbi varrin e Kalijes dhe puthë tokën. Pastaj hyn në altar, me frikë, dhe thirri lutjen e kërkon faljen: ”I bukur është Zoti Perëndija jonë, tani e përherë e në jetë të jetëve…Si mbaruan Tata iu lut Zotit që ta bëjë të drejtë – aksios – për meshën e madhe (f. 57).

Pastaj, Tat Tanushi, i liruar nga mallkimi, tretet ngadalë, në sytë e të gjithëve (f. 57), dyke mbetur vetëm një dorë hi në pragun e derës së shenjtë (f. 58).

Shihet, pra, se Tat Tanushi, personazhi kryesor i veprës E madhe është gjëma e mëkatit…, përcakton temën kryesore të kësaj vepreje – temën religjioze.

 

Legjenda e dytë e prozës E madhe…, e M. Kutelit, jep edhe një shembull tjetër të mënyrës dhe shkakut të cenimit e humbjes së besimit, pra edhe të mëkatimit, por edhe idenë për forcën e besimit e të triumfit të hirit hyjnor, në fund, si edhe porosinë se me besimin (ortodoks), ritet dhe porositë e tij nuk mund të bëhen tallje.

Cenimi i besimit, pra edhe fyerja e zotit dhe rrëshqitja në mëkat, sipas kësaj legjende, vjen edhe si shkak i lakmisë së pushtetit dhe kënaqësive të jetës së shfrenuar, çnjerëzore.

Anania (ose Anastasi), protagonisti i kësaj legjende, ishte peshkop, “…por nuk ish i fortë në besën e drejtë…” (f. 44). Duke qenë i tillë dhe për shkak të lakmive të zemrës (f. 45), braktisi misionin e tij baritor e kaloi te “mbreti i të pabesëve”(f. 45), që të ketë pushtet, pasuri dhe kënaqësi jetësore.

 

Mbreti e shpuri, i tregoi e ia premtoi pallatet e bardha, të rrethuara me mure e kopshte (f. 45), ku do të kishte qindra femra për dëshirat e tij (f. 45); i dha “myhyrin” nga gishti, me të cilin do të vuloste ç’të donte, si vetë mbreti (f. 45).

Anania “la fenë e drejtë dhe mori shpatë e pushtet në dorë” (f. 45); në vend të shkopit mori shpatë, në vend të korës, mori pushtet mbi njerëz (f. 45). “Nga bari ay u bë ujk që çqen berrat” (f. 45).

Nga hija e tij, - thotë shkrimtari, - dridheshin “jo vetëm të vegjlit e fesë së vjetër, po edhe të mëdhenjtë e fesë së re. Duart e tij u lyenë me gjak, të qarat e mallkimet u ngritnë më qjell. Kjo i pëlqente mbretit dhe e ngarkonte çdo ditë me ofiqe e dhurata: sepse tiranët kanë nevojë për të tillë njerës” (f. 45). Por, kur iu kërkua të tallet me besimin, për të argëtuar mbretin dhe njerëzit e tij, ai shkaktoi një gjendje të kundërt - seriozitetin e tmerrin tek të pranishmit dhe rizgjimin e forcës së besimit në vetvete.

Pas mrekullisë, kur rreth kokës së Ananisë njerëzit shohin flakë dhe pëllumba, dhe kur qelqi i bie në tokë, po as thyhet, as derdhet (f. 48), si provë e mrekullisë hyjnore,

Anania, ndjen forcën e besimit e bën të lutet me besim të përqëndruar, duke dëshmuar besimin e tij:

“I shenjtë është Zoti Perëndija jonë! Mua të ligut nga gjithë njerëzit ma mbajti hirin e tij. Këthehem në fenë e parë ! Në emrit të…” (f. 48), në ç’rast edhe i pritet koka.

Duket se shqiptarët ortodoksë kanë mjaft tregime për misionarët fetarë, të cilët braktisin besimin dhe jipen pas pushtetit e jetës së shfrenuar mëkatare, duke përfunduar me gjykime e dënime të rënda, aq sa ato janë bërë edhe pjesë e prozës historike.

Një shembull të tillë të misionarit fetar ortodoks shqiptar, i cili e braktisë misionin e tij fetar dhe jipet pas pozitës, pushtetit e jetës së shfrenuar, për t’iu kthyer prapë besimit, e gjejmë edhe në veprën Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, kap. 86, të autorit francez Zhan Klod Faveirial.

Dy legjendat, në veçanti, si edhe vepra E madhe …, në tërësi, synojnë të japin të kaluarën  e ortodoksizmit shqiptar, si dhe shqetësimet e mësimet e autorit për të ardhmen e tij.

Si një vepër me tezë, vepra paraqet rrezikimin e besimit (ortodoks), nga dobësi të ndryshme të njeriut e nga rrethanat e jashtme (”Prishjen e filluan kalorësit e Perëndimit edhe e sosnë ata të Lindjes” , f. 54), pasojat e prishjes së besimit dhe thirrjen për ruajtjen e vlerave shpirtërore. Një rast, kur Imzot Nikanori e mëson Tat Tanushin të marrë mësim nga tregimi për Ananinë, i drejtohet kështu: “Biri im më Zotin, ngjarjen e mystershme që do ta dëgjosh sonte, shkruaje në drrasat e zemrës sate dhe tregoja sicilit nga vëllezërit e tu…” (44). Një synim të tillë ka edhe gjithë vepra E madhe…

I shkruar më 1947, në kohën kur vëreheshin parashenjat e një lufte të ashpër antifetare dhe mohimit komunist të besimeve në Shqipëri, vepra E madhe…shpreh shqetësimet e autorit për humbjen e shkatërrimin e vlerave shpirtërore.

Mitrush Kuteli, sipas studiuesit Sadik Bejko, kishte vlerësime të larta për besimet dhe librat kryesorë të fesë. Nga një takim i tij, në një gjysmëterr të qershorit të viti 1965, S. Bejko kujton sesi shkrimtari i kishte thënë: “…lexoni Biblën dhe Kuranin, në doni të dini gjërat më të vyera për humanizmin, më të lashtat. Ju, të rinjtë, t’i lexoni, t’i lexoni patjetër këto dy libra” (Sadik Bejko: Takimi i Kutelit me Tolstoin, Tema, 16 korrik 2007).

Në kontekstin e kohës së shkrimit, vepra E madhe…shpreh thirrjen e autorit për mbrojtjen e vlerave fetare (ortodokse).

 

Larmia tematike

 

Proza E madhe…është prozë e një tematike të larmishme. Tema kryesore e saj, tema religjoze, gërshetohet me një varg temash të tjera, të paraqitura në mënyrë të ngjeshur, të thellë, të fuqishme, siç janë: jeta, vdekja, dashuria, bukuria, femra, mëkati, hiri, ndëshkimi dhe pastrimi nga mëkati, vuajtja, gëzimi, lumturia, natyra, pushteti, diktatura  etj.

Këto tema përbëjnë një kurorë të bukur tematike të veprës dhe japin mundësi për përjetime e interpretime të veçanta të tyre.

Tema e jetës dhe tema e vdekjes; shpirtit e trupit, janë bërë shpesh objekt i trajtimit nga ana e studiuesve dhe, madje, u është dhënë edhe vendi i temave kryesore.

Po kështu, edhe tema e dashurisë, bukurisë, e forca tërheqëse e femrës për mashkullin, krahas trajtimit të theksuar, janë shquar ndër temat më të rëndësishme të veprës.

Tema e mëkatit, tema e vuajtjes dhe tema e ndëshkimit dhe e pastrimit nga mëkati, janë trajtuar mjaft, në kuptimin filozofik, por jo në kuadër dhe në funksion të temës kryesore të prozës, në kuadër të temës religjioze dhe të idesë e porosisë së prozës E madhe….

Një nga temat e mëdha, të interpretuara pak dhe gabimisht, të prozës E madhe…, është tema e natyrës.

M. Kuteli, në prozën E madhe…, e trajton mjaft natyrën dhe një nga vlerat e mëdha të saj janë përshkrimet e bukura mjeshtërore, monumentale, të natyrës, të cilat arrijnë të zgjojnë ndjenja të fuqishme të lexuesit.

M. Kuteli përshkruan vendet, pamjet e stinëve, dukuritë natyrore, ndryshimet dhe pamjet kohore të natyrës etj.

Pamjet e natyrës, në veprën E madhe…, nuk janë përshkrime imagjinare, të trilluara, por përshkrime të pamjeve të vërteta të natyrës së vendit, të natyrës së atdheut, janë peizazhe të pamjeve të bukura e të pasura të natyrës së atdheut. Aty, vërtet, kemi paraqitjen e pamjes së vërtetë, të kaltër, të “Liqerit të Kaltër”(f. 8), ose “Liqerit të Ahridës”(f. 39 e 40 etj.), dhe pamje të tjera të shumta të natyrës së atdheut.

Përshkrimet e pamjeve të natyrës së atdheut, në prozën E madhe…, janë shprehje të lidhjeve të thella shpirtërore të shkrimtarit me atdheun, vlerësimit të lartë të bukurive e të pasurive të tij, kultit të natyrës, si një natyrë hyjnore, ku, më shumë se çdokund, “Zoti mbështet këmbë” (“Pa fjalë se gjithë toka e botës është e bukur, sepse, siç thuhet në Shkronjë, “dheu është vëndi ku Zoti, mbështet këmbët”, po m’e ëmbël nga të gjitha është toka e anëdetit të Ilirisë…” , f. 12, ku “majë kodrave”, Perëndia e vetme “shfaqet në tri fytyra”, f. 12, ose ku Zoti “ecte mi ujra, si në liqenin e Gjenisaretit”, f. 42, etj.).

Natyra, në prozën E madhe…, paraqitet si diç e gjallë dhe e ngjashme me qeniet njerëzore (f. 55). Përshkrimet e saj, në prozën E madhe…, më shpesh, janë të pashkëputura nga përshkrimet e gjëllimit të jetës (f. 53) e të ndjenjave dhe si një projektim i tyre (f. 22 e 25). Ndonjëherë, si një element antitetik, natyra spikatë realitetet e kundërta (kur vdes Kalija është pranverë, f. 25) dhe botën shpirtërore të personazheve (p.sh. f. 24 e 26 etj.).

Përshkrimet e natyrës, në veprën E madhe…, japin edhe meditimin e thellë për natyrën,  dukuritë natyrore, botën dhe jetën.

Ide të thella filozofike për jetën, vdekjen, dashurinë etj., të formuara shpesh nëpërmjet formulimeve aforistike të fuqishme, përshkojnë prozën E madhe…, të cilat zgjojnë ndjenja e mendime të thella të lexuesit dhe janë të denja për objekt studimesh të mëdha.

Mendimi se vepra E madhe…, ka domethënie alegorike e autobiografike, është i paqëndrueshëm. Duke lexuar si prozë religjioze, proza E madhe… nuk mund të thuhet se ka kuptim alegorik, as autobiografik, pasi këto përmbajtje janë në kundërshtim me përmbajtjen religjioze, si përmbajtje kryesore e saj.

Proza religjioze E madhe…paraqet shqetësimin për çështjen e pozitës së ortodoksizmit shqiptar gjatë historisë më të lashtë dhe të asaj më të re dhe, si e tillë, nga ky aspekt tematik i saj, mund të mos jetë temë aq e dashur për lexuesin shqiptar, përgjithësisht. Por, vepra bëhet e dashur me idenë e saj për ngulmimin e njeriut në identitetin e vet e me temat tjera dytësore të saj, siç janë: dashuria, jeta, vdekja, shpirti, trupi, mëkati, dëshira e njeriut për pastrim shpirtëror, natyra etj., dhe, veçmas, me vlerën artistike të saj.

Temën religjoze, që ka të bëjë me pasojat e braktisjes së besimit, nuk e ka trajtuar i vetmi Mitrush Kuteli. Në letërsinë shqipe atë e kanë trajtuar edhe autorë të tjerë të rëndësishëm.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora