E shtune, 20.04.2024, 02:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Pirro Loli: Galeri

E enjte, 03.11.2011, 08:56 PM


GALERI

 

CIKEL ME POEZI

 

NGA PIRRO LOLI

 

 

KUNUPI

 

Bashkë me ajrin e kulluar  Në dhomën time

hyn dhe një kunup Që e tërheq drita e vonuar

 

Tërë natë vjen vërdallë,

imcak

Që s’ta sheh syri

Tinëzisht

Ma ngul thumbin në mishrat e përgjumura

 

I bezdisur zgjohem,

e shoh triumfatorin

Në mur.

E shtyp me çka më ndodhet në duar e

 

Mbetet  njolla e vockël e pistë

Si vulë

Shkruar me zorrë milimetrike kunupi

Ku shquhet qartë vetëm

 

Pika e gjakut që kishte thithur nga unë..

 

 

TEATER ABSURD

 

Salla e parlamentit plot e përplot me të gjallë e të vdekur

Aktorë e spektatorë, pa mish në faqe

me skelete kockash Të etur për role historikë

 

Kocka të holla gishtash

Brinjë të thyera në traun e ekuilibrit

Vertebra të shtrëmbëruara “strategjike”.

 

Teatër absurd. Në kërkim

 të një regjisori. E lashë skeletin tim.

të copëzuar jashtë porte E në duart prej mishi

Mbajta vetëm kockën e rrumbullaktë të ballit

Për mirëkuptim..

 

 

DJALLI DHE POETI

 

Thika që rrotullohen

Në teh të njera tjetrës

Demon që çel nga lulet

Apo lule që çel nga demoni

 

Ai i hoqi maskat

 

E dashura ime

Diku  përtej bregut më kot më lutet

Ta ndajmë së bashku vdekjen.

 

 

DERRAT E ODISESE

 

Odiseja me ndihmën e Hermesit

Përsëri i ktheu derrat në njerëz

Por,

Nuk e mendoi pengesën e re :

Rrebelimi i erdhi nga derrat :

“Nuk e duam fytyrën e njeriut - i thanë

Ishim më mirë derra të zhytur në llucë

Pa asnjë ide për vdekjen dhe perënditë

Pa ankthin e tmerrshëm të kthimit.

Na i kthe lëkurën e trashë

Qimet në trup dhe katër këmbët…

Na i kthe bishtin e vogël për të trembur mizat

Dhe dhëmbët e dalë në nofull, imzot

Pse s’na le të hamë bar dhe rrënjë shkurresh

Urithë të ngordhur dhe zhardhokë në govatë

Imzot, ne nuk e duam kthimin në Itakë..”.

 

 

MEDALIONI I NERONIT

 

Në tregun e arit Shiten dhe medalonët e Neronit

derdhur në  varse për çelsa

Dhe çakmakë për të ndezur cigaren  Dhe kryqe Krishti

për t’i varur në gushë Dhe orë me akrepa

 si thika të holla gijotinash.

 

Të florinjta, të argjenta

Lodrojnë mbi kafkën e Neronëve modernë.

 

Dhe zogu im ka një unazë hekuri

Me inicialet e Neronit në këmbë.

Vjeshta m’i hëngri gjethet e hardhisë

Dhe unë, zogu këmbëlidhur, sqepoj kokrrat e rrushit

Si saçmat e derrit të egër më mbeten në gryke.

 

 

S’ PIRO-  S

(një greku që fillonte dhe mbaronte me “s”)

 

S - bashkëtingëllore e pazëshme

Kulpër e spërdredhur para emrit tim mijëvjeçar

Në vite e vite zgjat buzët prej Jude e

gurët e kufirit ha me dhëmbë. Nga ankthi

 kapërceu mbi trupin tim M’u kokleps si apendiks

në fund të barkut

U ngop me qelbin e vet

E pret, e pret

Të pëlcasë.

 

 

PROTAGANIST

 

Një turmë qensh shkoi me vrap

E la gjurmët

Mbi asfaltin e patharë.

Të gjithë kalimtarët e mëvonshëm

Hap pas hapi kalonin nëpër putra të ngrira

 

Historia i tha të gjitha, ç’kish për të thënë

Dhe për fajin e asfaltit

Ngjyrën e qenve, borën, shiun e erën

Po, asnjë fjalë për

Të lehurat dhe dhëmbët

Që kishin vënë vulën mbi ngjarjet.

 

 

AUTOKRITIKË SORRE

 

Bëra ca kërcime pupthi mbi çati

Shpupurisa leckat e zeza në ajër dhe

Për inat të shqiponjës

Qiellin do ta shkatërroj-

thashë,

Jam e zonja

 

- por,

 

Kjo nuk është provë

qiell do të thotë pamundësi sorre

Ose shqiponjë

që mban yjet mbi shpinë.

 

 

ËNDËRR PELLGU

 

Pa në ëndërr pellgu sikur u fry furtunë

E  turravrap me gurgullimë

U derdh pllajave të pjerrta,

Një çast

Shkumëzoi si ujvarë

 

Në të aguar

Një çift bretkokash i krokitën brenda barkut

Dhe u zgjua

 

Ashtu faqe më faqe

Me gulçet ofshamat myshqet e shushunjat

I tha vetes:

“Të q...nënën pse nuk je i vërtetë si në ëndërr”...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora