E merkure, 24.04.2024, 08:51 AM (GMT+1)

Mendime

Gjokë Vata: Gegnishte apo tosknishte, nji përgjigje për zotnijtë Shaban Demiraj e Shezai Rrokaj

E enjte, 03.11.2011, 08:55 PM


Gegnishte apo tosknishte, nji përgjigje për zotnijtë Shaban Demiraj e Shezai Rrokaj

 

Nga Gjokë VATA

 

Në nji intervistë të gjuhëtarit Shaban Demiraj marrë nga gazeta “ Sot”, botue në numrin e saj të datës 25 Tetor 2011 i intervistuemi thotë: “Toskërishtja ka dukurinë e rrotacizmit”. Kjo e ashtuquejtun dukuri i jep shkas pyetjes: Rrotacizmi, a asht pozitiv a negativ? Gjuhëtari Demiraj merr si shembull fjalën ranë. Kthimi i shkronjës “r” fundore që në gegërishte mungon. Në gegënishte, a mund të konsiderohet mungesë njana nga dy germat R?! A mos vallë tingëllojnë bukur dy “R” brenda fjalës nji rrokshe?! Rrotacizmi nuk mund të quhet pjesë e muzikalitetit. Po të ishte i tillë do të konsiderohej mungesë e ndjeshme në gjuhët ma të përparueme të Botës. Kjo tregon se shkenca gjuhsore ashtë përpjekë me e shmangë sa ma shumë rrotacizmin. Z. Demiraj nuk na thotë nëse ashtë ma e drejtë të themi rërë- rërishtë, apo ranë-ranishtë? Ashtu si thuhet sot rërë-ranishtë ashtë antietimologjike. Zëvendësimi i “A” me “Ë” të cilën askush nuk e quen zanore përveç nesh gjuhësia nuk ka si e konsideron pozitive këtë veçori të këtij standardizimi që përjashton gërmën ma kryesore të alfabetit të çdo gjuhe për hir të gërmës “Ë” e kush e di nga sa qindra fjalë. Kur gërmën “Ë” jo veç askush nuk e quen zanore por as nuk e kanë në alfabet. Kjo germë në gegnisht quhet “Ë” pazane si në frangjisht ndaj rroli i sajë nuk ashtë zëvendësues por përcaktues i gjinisë së emnave femnorë dhe e shkrueme pa u shqiptue përveç në raste krejt të veçanta në poezi për shtim rrokje. Nga ana tjetër germa “Ë” nuk tingëllon e të njëjtit tingull si zanoret e tjera në çdo rast kur shqiptohet pra: “Është bërë nënë”. Pra në të trija fjalët e kësaj fjalie ka tinguj të ndryshëm. Në fjalët nënë, hënë, ka tingull hundor si të gjitha fjalët që në gegnishte shkruhen me “E” hundake. Pra siç e shohim kësaj shkronje që mund të krahasohet me rrolin e nji figurantje në skenë standardistat tonë i kanë dhanë rrolin kryesorë në shkrime e në shqiptim të shqipes së përdorimit të sotëm e megjithëkëtë dje me dhunë e sot me zor mundohen me na servirë si “Shqipe standarde”. Gjatë intervistës së tij, z. Demiraj mundohet me na bindë se qenka i dobishëm zëvendësimi i paskajores me lidhoren. Unë mendoj se në këtë rast do të ishin drejtue këto pyetje: Në cilën gjuhë tjetër të Botës ashtë heqë paskajorja e ashtë zëvendësue me lidhoren? A mundet lidhorja me e zëvendësue paskajoren e pa skajshme? Nëse jo, sa e damton ky mos zëvendësim krijimtarinë e përkthimet në shqip? Nëse ky zëvendësim do të ishte i dobishëm cila gjuhë nuk do ta kishte zëvendësue si ne? A nuk e tregon të plotë randsinë e paskajores vetë fjala infinitiv?! Përcaktimi infinitiv a nuk dëshmon se paskajorja ashtë shtylla kurrizore e çdo gjuhe?! Deri në ç’pikë i ka vorfnue kohët e përbame të foljeve heqja e paskajores? Ku janë përgjigjet që sqarojnë plotësisht këto e shumë pyetje tjera lidhun me parregullsitë e standardizimit të shipes së përdorimit të sotëm të cilat e tejkalojnë dukshëm numrin e rregullsive. Në ndihmë të gjuhëtarëve që u ikin polemikave e debateve “si dhija thikës” përgjithësisht janë edhe mendjet e shkrueme dhe elektronike që mundohen me u ba mbrojtjen ma të jashtë ligjshme tu jua mbyll hermetikisht shtigjet replikave që ashtë veprimi ma antidemokratik. Në vijim të intervistës së tij Z. Demiraj thotë: “forma e pjesores në toskërisht del me mbaresë, ndërsa në gegërisht pa mbaresë”. Si ka mundësi të quhet me mbaresë “Uar” e pa mbaresë “ue” a nuk janë të dyja mbaresa?! Mos vallë vetëm shkronja “R” e përcaktoka mbaresën?! Atëherë “thënë” e “dhenë” qenkan pa mbaresa?! Cili ashtë ai që nuk e din se dy germat që e damtojnë larminë gjuhësore janë germat “R” sidomos në pjesore e shkronja “Ë” sidomos në shqiptim. E megjithëkëtë Z. Demiraj thotë: “Varianti më i përpunuar që ka filluar që në shekullin e 16 u vendos në 1972 e u përdor në Shqipëri, Kosovë në Mal të zi e Maqedoni”. Z. Demiraj e din edhe ma mirë se ne të tjerët shkakun e këtij përdorimi e biles këtë e ka deklarue edhe zotnia vetë në nji intervistë dhanë disa vite ma parë gazetës “Tirana Observer” ku ndër të tjera thotë: “Shkaku kryesor i pranimit të këtij standardi nga popullsia e trevave shqiptare jashtë territorit tonë ashtë dhënia e shenjës së patriotizmit ndaj Shqipërisë amë”. Vetëm mos pasja e argumentave shkencorë mundohen me justifikue presionin politik në gjuhësinë shqiptare. Nuk ka gjuhëtar që mund t’i ikë përgjegjësisë së përzierjes së politikës me shkencën që e ban antishkencë. Dhe nuk ka krim ma të hatashëm kulturor se abuzimin e gjuhëtarëve me pronën ma të shejtë të popullit që ashtë gjuha. Parimin: “Nji komb, nji gjuhë letrare” e njeh politika jo shkenca. Lind pyetja: Gegnishtja a nuk do ta plotësonte këtë Parim e dëshirë të gjuhëtarëve të popullsisë së atyne trevave?! E pra ashtë pikërisht vumja në jetë e kësaj parulle që tregon qartë sa shkencor a po politik ishte kongresi i 1972. Të thuesh ka qenë edhe shkencor edhe politik do të ishte si me thanë ka qenë edhe i drejtë edhe i pa drejtë e si mund të kuptohet e drejta pa u nda nga e padrejta?! Ma tutje gjuhëtari Demiraj thotë: “Rregullat e drejtshkrimit u vunë në diskutim publik”. Vetë publiku ashtë dëshmitarë që kjo nuk ka ndodhë kurrë. Parulla ishte: “Ç’thotë populli bën partia, por në të vërtetë ç’thonte partia do të bante patjetër populli. Në vazhdim Z. Demiraj thotë: “Kongresi i 1972 deklaroi më në fund se tash populli shqiptar ka një gjuhë letrare”. E kush nuk e din se komunizmi shqiptarë letërsinë kryesore konsideronte letërsinë e realizmit socialist. E letërsi të dorës së dytë quente letërsinë e shkrueme në tosknisht që nuk i binte ndesh komunizmit. Letërsia e dorës së tretë përbahej nga shkrimet në gegnisht shumë të pakta që i interesonin ideologjisë komuniste e nuk i prishnin ndonji punë se do të vdisnin dalëngadalë me dialektin gegë. Në këtë letërsi hynin edhe elozhimet u thuruna Enverit e Partisë gegnisht. Në këtë numër të kësaj gazete botohet edhe nji intervistë e profesor Shezai Rrokaj, i cili ndër të tjerat thotë: “Gjuha standarde ka pasë rezultate të pamohueshme”. Në të vërtetë fjala “E pa mohueshme” do të duhej zëvendësue “të imponueshme”. Mandej thotë: “Të marrunit me standardin është në dëm të kombit”. Nëse kjo shqipe e përdorimit të sotëm do të ishte vërtetë standarde e së mirës do të ishte me vend mendimi i Z Rrokaj. Z. Rrokaj thotë edhe se: “Paskajorja prish sistemin e standardit”. A nuk do të ishte ma e drejtë ky lloj standardi prishi sistemin e gjuhës me paskajore? E cili nga këto dy sisteme ashtë ma shkencor? E cilin nga këto sisteme e kanë gjuhët ma të përparueme të Botës? Nëse sistemi i shqipes së përdorimit të sotëm do t’i përgjegjej fjalës standard ata që do ta kundërshtonin do të psonin dështimin ma qesharak. Vula e se vërtetës së standardizimit ashtë kumtesa e kryegjuhtarit tonë Eqerem Çabej mbajtë në kongresin e 1972 e cila nuk u botue kurrë pa komente shtremnuese e mund të gjindet në vëllimin e kumtesave të mbajtuna në atë kongres. Ai shkruen tekstualisht: “Kushtet e standardizimit të një gjuhe janë: gjuha e përdorur nga shkrimtarët më të mëdhej të vendit të asaj gjuhe si bie fjala Toskana e Italisë. Kushti tjetër politika”. Qoftë mallkue 100 herë kushdo i rrin në krah të shtremtës e qoftë bekue 100 herë kushdo përpiqet me nxjerrë në pah të vërtetat e pa mohueshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora