E premte, 19.04.2024, 02:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Tytyni: Monografi e një rëndësie të veçantë dhe një prurje me vlerë në historiografinë tonë më të re

E merkure, 02.11.2011, 08:57 PM


Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë, boton monografinë ”Skivjani – Historiku dhe trashëgimia kulturore” e autorit Ma.Sc. Shefqet Dinaj

 

Monografi e një rëndësie të veçantë dhe një prurje me vlerë në historiografinë tonë më të re

 

“Prejardhja e emrit e fokuson Skivjanin në trajta të ndryshme nëpër periudha historike, siç është Livjani, që përmendet në vitin 1330 në dokumentin e krisobulës së Manastirit të Deçanit, si dhe më pas në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, ku dëshmon se Skivjani identifikohet me emrin Slojani, me 50 shtëpi, 23 beqar e 5 të veja...”, ka potencuar në recensionin e tij rreth kësaj monografie, prof. dr. Isa Bicaj

 

Nga Vjollca Tytyni

 

Skivjani i luftës dhe i paqes. Skivjani i dëshmorëve. Skivjani i historisë dhe i lavdisë, arsimit dhe kulturës, traditës dhe antikitetit,…vjen i përmbledhur në një monografi për lexuesit, studiuesit, nxënësit dhe mësimdhënësit, duke shërbyer kështu si një libër studimor.

Ma. Sc. Shefqet Dinaj, pas  botimit të librit “Vështrime historiografike, shek. XIX-XX”, libër ky që paraqet vlerat e pakontestueshme të historisë shqiptare, ditë më parë ka përmbyllur rrugëtimin e gjatë studimor të monografisë “Skivjani – Historiku dhe trashëgimia kulturore”. Në promovimin e kësaj monografie që u mbajt ditë më parë në Gjakovë, personalitete nga fusha e kulturës dhe arsimit, qytetarë dhe përfaqësues të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Prishtina e Gjakova, i kanë dhënë mbështetjen e duhur historiografisë dhe autorit të këtij libri, që i ka bërë një lëvrim të gjerë historik, gjeografik, arsimor dhe kulturor të këtij fshati, si një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve historike nëpër kohë.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë, e themeluar me qëllim të hulumtimit, mbledhjes dhe sistemimit të materialeve historike, ka si synim afirmimin e së vërtetës për shqiptarët si popull i lashtë dhe autokton në trevat ku jeton. Kjo dëshmon angazhimin dhe mbështetjen e plotë që Lidhja,… i ka dhënë (për të dytën herë me radhë) autorit dhe poashtu daljes në dritë të fakteve dhe kësaj monografie, duke i ofruar opinionit dhe historiografisë sonë të dhëna të shumta që ndërlidhen me fshatin Skivjan, që e ndan atë në një vijë rrugore me qytetin e Gjakovës, për vetëm 15 kilometra.

Duke marrë në konsideratë se, historia është një akt qytetërues i një populli me rrënjë shumë të lashta, ma. sc. Shefeqet Dinaj me një studim të veçantë dhe gjithpërfshirës paraqet fshatin Skivjan të komunës së Gjakovës, si një vend i luftës çlirimtare ndër vite,  me trashëgimi të pasur kulturore, e poashtu edhe si vend i arsimimit dhe i kulturës. Ajo që e bën paksa më të veçantë këtë monografi, janë  dokumentet arkivore mbi dhunën, vrasjet dhe terrorin e kryer nga ana e sigurimit shtetëror jugosllav. Kjo, padyshim se këtë monografi e radhit në mesin e librave studimor shqiptarë, që njëherit edhe realizon synimet e autorit, për t’iu shërbyer nxënësve dhe studentëve si një libër profesional mësimor. 

Në promovimin e librit “Skivjani – Historiku dhe trashëgimia kulturore”, prof.dr. Isa Bicaj dhe prof. dr. Frashër Demaj, ne recensionin e tyre për monografinë, potencuan se, monografia është e një rëndësie të veçantë dhe njëherazi edhe një prurje me vlerë në historiografinë tonë më të re.

Duke u thelluar më tej në të dhënat historike të cilat dokumentohen edhe nga Arkivi Rajonal Historik i Gjakovës, prof. dr. Isa Bicaj, shkoqiti të dhënat rreth prejardhjes së emrit Skivjan. Ndërlidhur me këtë, ai tha se “prejardhja e emrit e fokuson Skivjanin në trajta të ndryshme nëpër periudha historike, siç është Livjani, që përmendet në vitin 1330 në dokumentin e krisobulës së Manastirit të Deçanit, si dhe më pas në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, ku dëshmon se Skivjani identifikohet me emrin Slojani, me 50 shtëpi, 23 beqar e 5 të veja. Po ashtu, rreth emrit të fshatit Skivjan, autori thekson se në një hartë austriake të vitit 1689, Skivjani identifikohet me emrin Skifjani”, ka potencuar në recensionin e tij rreth kësaj monografie, prof. dr. Isa Bicaj.

Bazuar në të dhënat tjera përmbajtjesore që autori Dinaj i pasqyron në faqe të mëpasme të librit, një pjesë e veçantë i kushtohet edhe kontributit të Ali Ibër Nezës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe aksionit të Gjakovës, ku më 6 shtator të vitit 1878 u vra Mehmet Ali pashë Maxharri. Po ashtu, në këtë pjesë autori sjell të dhëna edhe për shpalljen e shtetrrethimit, vendosjen e administrimit ushtarak në Kosovë, Kuvendin e Prizrenit më 1945 dhe masakrën e Hereqit në fillim të vitit 1945, ku trupat ushtarake serbe vranë disa shqiptarë të pafajshëm.

Më tej, në fjalën e tij rreth përmbajtjes së librit, prof. dr. Frashër Demaj, ka theksuar se: -“një pjesë të konsiderueshme të monografisë autori e ndanë edhe për të burgosurit politikë nga Skivjani, gjatë viteve 1950-1960, si dhe më pas për dëshmorët dhe martirët e Skivjanit gjatë luftës së fundit për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. Autori në këtë pjesë ofron të dhëna të bollshme biografike për dëshmorët: Asllan Dinaj, Shkëlzen Brahimaj, Isuf Dinaj, Xhavit Fetahaj, Agron Thaçi, Bujar Himaj, Hasan Metaj dhe Naim Limanaj”, thotë prof.dr. F. Demaj.

Një vëmendje të posaçme autori i kushton edhe zhvillimit të arsimit në Skivjan, i cili daton që nga viti 1945, kur u hap për herë të parë shkolla katër vjeçare. Krahas zhvillimit të arsimit, autori Dinaj ofron të dhëna edhe në zhvillimin e kulturës dhe sportit. Kurse, një pjesë e konsiderueshme e librit i kushtohet arkitekturës së vjetër të banimit në Skivjan. Autori po ashtu pasqyron edhe  stilin e ndërtimit të shtëpive, ku i veçon tri prej tyre, siç janë: shtëpitë prej druri, shtëpitë prej qerpiçi dhe shtëpitë prej guri. Kjo pjesë, përpos të dhënave që ofrohen për disa kulla të Skivjanit, që argumentohen me fotografi, këtu autori sjell të dhëna edhe për rrënimin e kullave gjatë luftës së fundit për çlirim nga okupatori serb në vitet 1998-1999.

 Pjesa më e begatshme dhe që e bënë librin mjaft të vlefshëm për historiografinë tonë, janë dokumentet arkivore të papublikuara më parë, të cilat dëshmojnë qartë mbi dhunën, vrasjet dhe terrorin e kryer nga ana e sigurimit shtetëror jugosllav në Komunën e Gjakovës, gjatë kohës sa ishte ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviq.

Në telegramin përshendetës të promovimit të kësaj monografie në Gjakovë, në emër të kryesisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë, prof.dr. Fehmi Rexhepi, (që është edhe iniciator për themelimin e kësaj lidhjeje) duke veçuar kontributin e ma. sc Shefeqet Dinaj në punën studiuese e kërkimore të historiografisë shqiptare, ka potencuar mbështetjen e mëtejshme të Lidhjes së Historianëve të Kosovës duke shprehur gadishmërinë, mbështetjen, projektet shkencore si dhe botimet e ndryshme me karakter historik që realizohen nga anëtarët dhe dashamirët e LHK-së “Ali Hadri” në Prishtinë.

Monografia “Skivjani – Historiku dhe trashëgimia kultutore e autorit ma. Sc. Shefqet Dinaj, ka 254 faqe dhe është botuar me mbështetjen e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Prishtinë, 2010.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora