E enjte, 28.03.2024, 10:22 PM (GMT)

Mendime

Hysen Durmishi: Flamuri shqiptar në muze

E enjte, 21.02.2008, 06:56 PM


Flamuri shqiptar në muze

Shkruan: Hysen Durmishi

Shumë gjak ka derdhur populli ynë ndër shekuj në mbrojtje të flamurit me shqiponjën dykrenore. Sfondi i kuq i flamurit paraqet gjakun që mbuloi çdo pëllëmbë të tokës sonë në luftërat e shumta për liri e çlirim. Ky flamur do të duhej të ishte i paprekshëm për të gjithë shqiptarët sepse shumë e shumë djem e vajza e dhanë jetën për të. Dëshmorët e popullit tonë u mbuluan me këtë flamur. U kënduan shumë këngë e u recituan shumë poezi për këtë flamur. Patriotët dhe veprimtarët shqiptarë betoheshin vetëm mbi një gjë, vetëm mbi flamur.

Hashim Thaçi me liderët tjerë të institucioneve së bashku me deputetët e parlamentit të Kosovës e bënë shpalljen e planit të Ahtisaarit. Shpallja e Ahtisaarit nuk e njeh këtë flamur dhe njëkohësisht na e mohon të kaluarën duke na e ndryshuar identitetin tonë kombëtar. Njerëzit të painformuar dhe të manipuluar festuan me flamur pa e ditur se kjo është hera e fundit që do të mund ta bëjnë këtë. Deri sa jashtë parlamentit qytetarët ishin të mbështjellë me flamurin kombëtar, brenda sallës së parlamentit deputetët kuisling të Kosovës miratuan dhe shpalosën një flamur tjetër të Kosovës. Një flamur që në vete mban dy ngjyra nga flamuri i Serbisë, të kaltrën dhe të bardhën por nuk e ka asnjë ngjyrë të flamurit tonë kombëtar. Tani Kosova po bëhet me një flamur tjetër sepse po duan që edhe ne të mos jemi më shqiptarë por të jemi diçka tjetër. Cili flamur do të valojë në Kosovë pas kësaj shpallje? Në 1/3 e truallit të Kosovës do të valojë flamuri i Serbisë me ngjyrat kuq, kaltër e bardh, kurse në pjesën tjetër pra në 2/3 e truallit të Kosovës do të jenë 2/3 e flamurit të Serbisë pra ngjyrat kaltër e bardh por kurrsesi flamuri kombëtar shqiptarë. Nëse për Hashim Thaçin dhe politikanët e tjerë të sistemit kjo është pavarësia atëherë përhajër ju qoftë turpi. Kjo farë pavarësie e juaja pa flamur, pa ushtri, me Serbinë brenda Kosovës dhe me edhe një mision tjetër sundues, kurse në anën tjetër duke ua pamundësuar edhe gjeneratave që do të vijnë për t’i bashkuar trojet tona të ndara padrejtësisht, nuk u duhet qytetarëve të Kosovës.

Për ta kuptuar këtë më së miri u kujdesën në Prizren. Këshilli organizativ i festimit me në krye kryetarin e K.K. të Prizrenit Ramadan Muja e shpalosën një flamur kombëtar të gjatë 3 kilometra që defiloj nëpër qytet dhe në momentin kur arriti te muzeu i Lidhjes së Prizrenit u palos dhe iu dorëzua kryetarit Ramadan Muja. Kryetari e mori flamurin të palosur dhe e vendosi në muze. Kjo tregon se flamuri kombëtar në të ardhmen mund të shihet vetëm në muze të ndryshme të Kosovës dhe në shtëpitë private të shqiptarëve. Kur të na marr malli për flamur do të duhet që të shkojmë në ndonjë muze apo nëse është e mundur do të na duhet që të shkojmë ta vizitojmë Shqipërinë.

Kjo është e turpshme për ju udhëheqës të këtyre institucioneve kuislinge. Mos u thirrni në dëshmorët sepse do t’ ju mallkojë gjaku i tyre. Mos u thirrni në të kaluarën sepse ju e keni harruar atë. Të kaluarën e përmendni vetëm kur flisni para popullit për ta manipuluar atë por jo edhe në dokumentet të cilat i hartoni. Askund në deklaratën e pavarësisë nuk e përmendni gjakun e dëshmorëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Askund nuk i përmendni luftërat tona për liri e çlirim gjatë gjithë shekullit njëzet. Unë e kam të qartë sepse për ju historia fillon tash dhe me ju. Ju dëshironi që të krijoni një komb të ri me flamur të ri, me simbole të reja dhe shumë shpejt ndoshta edhe me gjuhë të re.

Kur më 1912 u ngrit flamuri në Vlorë aty së paku simbolikisht ishin edhe përfaqësuesit nga Kosova. Tani kur në Prishtinë u bë kjo shpallje, në Kosovë nuk ishte asnjë zyrtarë politik e institucional nga Shqipëria. Në Kosovë atë ditë ishin deputet e ministra nga Serbia. Kjo më së miri tregon se për çfarë pavarësie bëhet fjalë.

Jam i sigurt se populli nuk do të pranojë kurrë ndërrimin e identitetit për të cilën po përpiqeni ju, por ende nuk i kanë kuptuar intrigat tuaja. Populli do të reagojë, madje fuqishëm kundër të gjitha këtyre të këqijave, posa të kuptohet se në fakt nuk u shpallë pavarësia e Kosovës, por u shpallë pakoja e Ahtisaarit dhe u ftua EULEX që të bëjë implementimin e kësaj pakoje. Kjo shpallje vetëm sa e forcon Serbinë brenda Kosovës prandaj zhgënjimi i qytetarëve do të jetë i afërt dhe ngritja e popullit për të kërkuar dhe realizuar vetëvendosjen do të jetë i pashmangshëm.

Ndërkohë juve politikanë të mjerë do të ju mallkojë gjaku i dëshmorëve dhe brezat e ardhshëm kurrë nuk do të ua falin këtë turp.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora