Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poloni, avioni ulet pa rrota

| E marte, 01.11.2011, 06:16 PM |


 

 

Një avion Boeing 767 i kompanisë së fluturimeve “Lot”, me 230 pasagjerë në bord, bëri një ulje emergjente në Varshavë të Polonisë.

 

Pas një avarie teknike, avioni kreu uljen e detyrueshme pa hapur rrotat e tij. Por para se të mbërrihej deri tek manovra tepër e rrezikshme, mjeti fluturoi mbi një orë mbi qiellin polak duke djegur karburantin e tij në pritje të përgatitjeve të terrenit nga ana e grupeve të emergjencës për uljen e detyrueshme.

 

Pasi mësuan se problemi qendronte tek rrotat, të cilat nuk hapeshin dhe pas disa tentativave për hapjen e tyre, autoritetet i këshilluan pilotit uljen pa rrota. Më parë në pistën ku do të ulej Boeing 767 ishte hedhur një sasi e konsiderueshme e një solucioni që parandaloi flakët që mund të shkaktoheshin nga shkëndijat e forcës së fërkimit mes trupit të avionit dhe terrenit ku u krye ulja.

 

Autoritetet polake njoftuan se fatmirësisht ulja ishte e sukseshme dhe asnjë prej pasagjerëve, apo pjesëtarëve të ekuipazhit të avionit nuk u lëndua.

 

Boeing 767 ishte nisur nga qyteti i Njuarkut në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara dhe si destinacion kishte Varshavën.

Top Channel - Fotot: The Sun - Video: Russia Today